NUMĖR 78
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 10 SHKURT 2004

Rruga me therra e Marathonomakut

Shkruan: Xhafer SHATRI

Ditë më parë, në një nga ditarët e tij, RTK lajmëroi shikuesit se Adem Demaçi paskesh dhënë dorëheqje nga kryesimi i bordit të telelevizionit publik të vendit. As RTK e as Demaçi nuk dhanë sqarime për shkaqet e dorëheqjes, dhe, si duket, edhe nuk i kërkoi kush, sepse, sipas një rregulli, në Prishtinë asnjë lajm nuk bëhet 'publik' pa u përtypur disa ditë nëpër fëlçitë e çarshisë.

Dhe, sipas çarshisë, Demaçi së shpejti po formoka një parti politike.

Ç’e paska shtyrë, athua, Demaçin të hiqet nga OJQ-të, për t'u futur në xhunglën e pafund të partive politike?

Shkaqet duhet të jenë të shumta, por mendja ma thotë se ndër kryesoret duhet të jenë: ngecja e proceseve në Kosovë për pasojë të një lidershipi të pa ide, të përçarë, të korruptuar dhe për më keq të shantazhuar; për mungesë të një elite që imponohet me ide e kredibilitet moral, dhe, në fund, për shkak të përballjes së paevitueshme e të shpejtë me shtetin serb lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.

Demaçi më i zhgënjyeri duhet të jetë me partitë që vetëquhen "krah i luftës", sepse ato edhe më parë por edhe si koalicion qeveritar morën pjesë në shfaktorizimin e Kosovës, në gllabërimin e 5 viteve të vlefshme të pasluftës, kur pyrgu i pavarësisë duket gjithnjë e më larg nga velatorja e leckosur shqiptare.

Shtrohet pyetja se ku gjinden sot anëtarët e partisë së ardhshme të Demaçit? Mendoj se udhëheqja e partisë së tij duhet të dalë nga shoqata "Dardania", e cila kishte emra të nderuar në fushën e shkencës, por në një moshë të thyer për të përballuar kërkesat gjithnjë e më të mëdha që ka një parti politike.

Ndërkaq struktura organizative pse jo dhe një pjesë e anëtarësisë do të përbehet nga një sërë idealistësh që panë nga afër me sa pa cipë harxhuan karaxhozët 'e luftës' kredibilitetin e madh moral të Lëvizjes politike ilegale të Kosovës. Por këta janë të paktë dhe larg mediave që krijojnë opinionin në Kosovë e akoma më larg nga kapitali aq i nevojshëm për të financuar një parti politike që formohet, të thuash, në prag të zgjedhjeve.

Veç tyre do të ketë aktivistë të PDK-së dhe AAK-së, por dhe aktivistë të subjekteve te tjera të lodhur nga praktikat e lëkundjes së derës, që doemos do të shkojnë "te Baci"; por edhe politikanë apo 'veprimtarët' endacakë që kanë kërkuar çorbën e gati të gjitha partive politike…

Krejt në fund, baza e partisë së Demaçit do të përbëhet nga një vistër njerëzish të paktë, por kudo nëpër Kosovë, te të cilët emri Adem Demaçi për një gjysmëshekulli ka ushqyer, me sakrifica që nuk merren me mend, ëndërrën e tyre për një Kosovë të lirë.

Këta të fundit do të jenë detashmenti kryesor i partisë së ardhshme të Demaçit, sepse këta i kanë mbetur besnikë këtij emri edhe kur e kanë arrestuar serbët dhe e kanë dënuar bastardët shqiptarë, edhe kur kriminelët ia kanë shkërmoqur familjen, edhe kur pas burgimeve e përpjekjeve të gjata e kanë përbuzur në format më të neveritshme liderxhuxhët e shumtë që kishim e që kemi…

Nuk duhet harruar gjithashtu edhe një shtresë të inteligjencies së re, e mbetur krejtësisht anash, e cila po sheh se klasa aktuale politike po ha pamëshirë jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen e Kosovës, dhe kjo shtresë mund të shohë te Demaçi personin që meriton të mbështetet në përpjekje për t'i kthyer Kosovës shpresën dhe dinjitetin.

Por a mjaftojnë këto kategori kandidatësh të mundshëm për të formuar një parti, në një inflacion përmbytës partish? Droj se jo. Sepse të formosh sot një parti në Kosovë domosdo duhet të kesh mbështetje të fuqishme financiare, e ne e dijmë se pronarët kryesorë të kapitalit në Kosovë jo vetëm kanë gjenezën te shteti serb, por edhe nuk do të mbështesin ndryshime rrënjësore në vend, sepse ato ndryshime nënkuptojnë gjithsesi edhe hulumtimin e prejardhjes së pasurisë së tyre.

Pashmangshëm shtrohet edhe pyetja se kush janë kundërshtarët kryesor të Demaçit në rendjen e tij të fundit për të bërë realitet ëndërrën e tij të kahershme për një Kosovë të lirë e të mosvarme, sepse ai tash ka 68 vjet, dhe përkundër vullnetit të hekurt, megjithatë jeta ka ligjet e saj…?

Kundër përpjekjeve të Demaçit do të jetë Serbia dhe i gjithë rrjeti i saj i shpeshtë në Kosovë, sepse ajo nuk do kurrsesi ta ketë përballë në vënien e kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve një personalitet të guximshëm, të pathyeshëm dhe të papërlyer në pisllëqe, siç është rasti me Demaçin. Serbia është në gjendje të rrotullojë edhe malet, vetëm që në ditën vendimtare të përballjes të mos ketë përpara saj shqiptarë që kanë guximin dhe biografinë me prova që i shkon pas për ta shikuar shtetin serb drejt në sy.

Kundër Demaçit do të jenë të gjithë ata që me vite kanë ngrënë në çanakun e shtetit serb, sidomos peshkaqenët e UDB-së, të cilëve emri i tij ua kujton gabimet dhe fajet e panumërta që kanë bërë e për të cilat askush nuk u ka kërkuar llogari deri sot. Përkundrazi, ata janë bërë veprimtarë dhe këshilltarë të çmuar të partive kryesore politike të vendit.

Demaçi do ta ketë kundër mentalitetin provincial, dominues në Kosovë, i cili nuk duron tallazitje të mëdha, nuk mbështet veprimet energjike, nuk bën dallimin mes çashtërisë në politikë që pranon se i kemi punët llugë dhe demagogjisë që edhe nënshtrimin e dukshëm e quan pavarësi…

Kundër Demaçit do të jetë edhe UNMIK-u sepse kjo administratë politikanëve tanë aktualë ua di dhëmbë e dhëmballë: i ka pëcjellë në çdop hap, e di se sa dhe si janë të korruptuar, se ku, kur dhe si kanë shkelur aty ku njeriu që merret me punët e një populli nuk guxon të shkelë kurrë, prandaj me shumë prej tyre nuk e ka vështirë të merret vesh për t'u vënë kapakun shumë punëve (edhe të pista) në Kosovë. Me Demaçin këto punë nuk bëhen.

Si gjithnjë, kundër Demaçit do të jetë LDK dhe satelitët e saj, sepse aktualisht në skenën politike të Kosovës vetëm ai mund ta sfidojë realisht Ibrahim Rugovën, figurën politike dominuese në vend.

Kundër Demaçit do të jetë PDK dhe AAK, sepse askush sa Demaçi nuk mund t'i kërkojë llogari Thaçit, Sylës, Krasniqit, Hysenit, Haradinajt, Kosumit e sa e sa të tjerëve, të cilët me mosbërjet dhe keqbërjet e tyre i kanë shkaktuar dëme të pafalshme imazhit dhe sakrificave të panumërta të një lëvizjeje të fuqishme me një traditë më shumë se një shekull.

Kundër Demaçit do të jenë edhe bosët e mediave në Kosovë, sepse në këto pesë vjet të pasluftës ato nuk janë dëshmuar për profesionalizëm e vendosmëri në denoncimin e shumë të këqijave në vend, por të shumtën janë bërë pjesë e provincializmit mbytës në Kosovë.

Kundër Demaçit shpeshherë do të jetë edhe ai vetë. Ai ka për të vazhduar të kritikojë Rambujenë, edhe pse e di fort mirë se mosshkuarja e shqiptarëve aty do të ishte vetëvrasje. Ai shpeshherë do t'i grahë siç ia merr mendja, pa pyetur askënd si atëherë, në verën e vitit 1998, kur amerikanët përpiqeshin që të bëjnë shqiptarët me institucione të mirëfillta e ai të jetë kryetar qeverie, por Demaçi nuk donte, sepse thoshte se do ta bëj këtë me një kush të vetëm: që të largohet Rugova përgjithmone nga skena politike, gjë që ishte e vazhdon të jetë edhe sot krejt e pamundur… Demaçi mund të vazhdojë t'i dëgjojë edhe tash ata që e nxitën t'ia mbyllë telefonin Madelein Olbrajt-it, asaj Zonje të Madhe të cilës shqiptarët i detyrohen brez pas brezi.

Përkundër të gjithave, rifutja e Demaçit në politikë është ngjarje me rëndësi të dorës së parë. Ai, natyrisht do të humbë shumë energji për krijimin e rrjetit të partisë së tij, në ngutje e sipër në këtë strukturë do të ketë edhe njerëz që futen aty veçse për të përfituar diçka, apo edhe për të torpeduar Demaçin 'nga brenda'.

Por Demaçi do të sjellë freski në jetën politike të Kosovës; ai politikës së vendit do të përpiqet t'ia kthejë atë që nuk e ka fare: një çik njerëzillëk, një komunikim normal, larg arrogancës, imoralitetit dhe hipokrizisë që dominon gjerë e thellë skenën tonë politike.

A do të fitojë Demaçi?

Në këtë rast çdo parashikim rrezikon të jetë i paqëndrueshëm. Nga kjo perspektivë mund të përvijohet një ide nëse jo përpara, pas zgjedhjeve do të ketë një aleancë mes grupeve të ndryshme parlamentare, i cili zor se do ta marrë vota të mjaftueshme për të formuar qeverinë, për të zgjedhur presidentin etj., por sidoqoftë do ta rrudhë sadopak spektrin që dominon LDK-ja. Në këtë rast bashkëqeverisja do të jetë krejt e pamundur. Dhe ndoshta ky do të jetë një kontributi tjetër i madh që Demaçi i bën vendit: të krijohet një opozitë serioze, pa të cilën nuk mund të mendohet demokracia; të kontribuojë në konsolodimin e institucioneve, në futjen e moralit dhe përgjegjësisë si kategori të domosdoshme edhe në prakrikat politike në Kosovë.

Po ndonjë rezultat tjetër? Vështirë të identifikohen që tash, por do të jetë një përpjekje e sinçertë e serioze në favor të pavarësisë së Kosovës, siç është maratonë pas maratone e gjithë jeta e Demaçit... dhe janë këto rendje e përpjekje që atë e bëjnë të jetë i respektuar jo vetëm nga ithtarët po edhe nga kundërshtarët e armiqtë e tij.

Në qërshor të vitit të kaluar, njëri prej kryetarëve më të mëdhenj që ka pasur SHBA, Bill Klinton, në një ceremoni të organizuar për nder të tij nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan, u tha të pranishmëve: shqiptarëve ju mungon Mendela, personi që do të komunikonte me minoritetet e Kosovës…

Kosova e ka pasur dhe vazhdon ta ketë edhe sot Mandelen e vet, të cilin në moshë të thyer, lahperët e Kosovës e detyruan të formojë një parti politike… Sepse Demaçi është i vetmi që ka komunikuar me komunitetet në gjuhën e tyre, ai u ka ndejtur atyre pranë në orët më të liga dhe në gëzimet e tyre… Me këtë qëndrim ai e ka nderuar Kosovën në botë, por nga populli i vet ka marrë si shpërblim përqeshjen dhe përbuzjen, ‘dhuratat’ më të shpeshta që popujt e vonuar kanë për vlerat e tyre më të mëdha.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË