NUMĖR 78
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 10 SHKURT 2004

Me këso miqsh, Shqipërisë armiqtë s’i duhen

Shkruan: Skerdi SIKA

Para ca ditësh më ra ta dëgjoja këngën më të re të një rapsodi, i cili, fatlumërisht për muzikën shqiptare, ende mbetet i panjohur. ”O e mjera Shqipëri, kush të ka hedhë me krye në hi? -Nano e Salë me gjithë parti!”

Kënga ogurzezë sikur paralajmëronte qytetarët e thjeshtë t’i mbyllin dyert e dritaret para stuhisë së re politike që po afronte. Pa një – pa dy, tendosjet kulminuan në trazira të dhunshme në qendrën e kryeqytetit, një vërejtje flagrante se ku mund ta shpie vendin pasioni i errët i urrejtjes politike.

Kësaj radhe salistët kishin leje të policisë për tubim në sheshin Skënderbej. Por u pa që ata s’e kishin ndër mend të mjaftohen me një protest evropian. Partizanët salistë u dyndën drejt kryeministrisë, të cilët e vandalizuan me gurë për orë të tëra, me ndërhyrje policore e dhjetëra arrestime si pasojë.

Incidenti paralajmëron një pranverë të nxehtë në politikën shqiptare. Tendosjet mes salistëve e nanistëve janë sforcuar pas rizgjedhjes së Fatos Nanos në postin e kreut të PS-së.

Për oponencën e Nanos, rizgjedhja e tij ishte dëshmia e fundit se ky jo vetëm që ka andje, por ka edhe mundësi, ta shalojë Shqipërinë për shumë vjet me radhë.

Sidomos për Sali Berishën, politikisht e personalisht, rizgjedhja e oponentit të tij në fronin socialist ështe bezdisëse sa s’bën. Sepse ai tani, sikur të mos mjaftonte pushteti i Nanos e mëdyshja e botës, duhet të luftojë edhe me moshën e vet të thyer. Dy mandatet e ardhshme janë shansi i fundit i Salës për të lënë pas ca më shumë se kujtimin e presidencës së vet dështake. E ky është një ogur fort i keq për Shqipërinë.

Salës i janë kurthuar punët lëmsh, si në një përrallë të keqe. Sa më fort që orvatet ta rrëzojë Nanon, aq më terminator del ky i fundit. Në fakt, sot duket më kthjelltë se kurë se armiku më madhor i Sali Berishës është Sali Berisha.

Problemi Nr 1 i Berishës është imazhi i tij autokratik, të cilin e fitoi më 1997. Për fat të keq të vetin, ai këtë imazh ka vazhduar ta kultivojë me një përkushtim prej idioti, duke u shtënë rregullisht lemzën e drojës si shqiptarëve, ashtu edhe bashkësisë ndërkombëtare. Një këshilltar i urtë do t’i kish thënë atij me kohë se, sa herë që organizon tubime të dhunshme, e posaçërisht sa herë që zbon prej partisë krerë që ta kthejnë fjalën, aq më fort zhvlerëson hiset tua në tregun e lirë të demokracisë. Por, si kemi mundur të shohim sa e sa herë, së fundit edhe tani para kryeministrisë, Berishës i mungojnë dëshpërimisht këshillat e mira.

Në vend të tyre, Berisha ka aleatë të dyshimtë, që e shfrytëzojnë si murethyes për t’u mëshuar me kokë kullave të Nanos. Dashamir Shehi, Hysen Selfo, Adriatik Alimadhi, janë ca nga flora e krerëve minorë që e ndjekin Berishën, një specie e miqve që ia bën atij të tepërt pasjen e armiqve. Ata e dinë fort mirë se në një demokraci normale do duhej të regjistroheshin për të kërkuar punë, andaj mezi presin sherr. Secili prej tyre është gati ta luftojnë Nanon gjer në salistin e fundit (se vet s’kanë anëtarë); e pastaj, kur të rrëzohet Sala, secili do ta merr kreun e bllokut të djathtë për vete. Se ku shpie ky vizion, gjykojeni vet…

Tërë ky lëmsh i djathtë është mizerje për qytetarin shqiptar, në radhë të parë pse si opsion të vetëm real – ndonëse të urryer – ta lë Fatos Nanon. Ky është edhe sekreti i thjeshtë, si i fitoreve zgjedhore të socialistëve në vend, ashtu edhe i fitores së Nanos në kongresin socialist.

Nano, thjesht, mund të thojë: “Pas meje Berisha!” Mjafton me kaq për ta trembur këdo, socialist a josocialist; mundësisht me përjashtim të militantëve më të sertë të Berishës dhe familjarëve të tij (këta të fundit me ca rezerva).

Pa gogolin Salë, Nano s’do të kish mbijetuar kurrë me një administratë kaq të korruptuar, e me kaq pak arritje për Shqipërinë; vendi ynë sot është më larg Evropës, se sa që ishte më 1994-1996. Po edhe pa krejt këto, do të mjaftonin zbulimet e gazetarëve për stilin luksoz të kryeministrit, për darkat e tij gjersa policia i nxirte kufomat prej Karaburunit, për shpërblimet e tij ekonomike dhënë ministrave besnikë, për afarizmin e dyshimtë të bashkëshortes, e për teprimet e djalit, për ta rrëzuar Fatos Nanon nga pushteti. Shqiptarët janë njerëz xhelozë; ta falin po e huqe kërkesën për anëtarësim në BE, por jo nëse blen me hile një makinë më të bukur…!

Mjerisht, sa më shumë kohë që shkon, aq më vështirë ta arrish një version të tillë. Përkundrazi, opozita pakrye dhe ekscesive e Berishës rrezikon ta forcojë edhe më Nanon, duke ia afruar Shqipërinë modelit rus.

Kushedi. Nëse diçka nuk ndodh së shpejti në kreun e opozitës, s’është larg menç që rapsodi im i panjohur të bëjë hit me ndonjë këngë pop për “kryeministrin seksi”, sikundër që po ndodh në Moskë me këngën Putin Lover. E ahere, ju premtoj, as dyert e dritaret e mbyllura s’do të mund ta mbajnë larg kutërbimin e politikës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË