NUMĖR 78
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 10 SHKURT 2004

Të gjitha cenzurat s’janë të dëmshme

Shkruan: Gëzim MEKULI

Motra vret vëllain. Fëmija shndërrohet në vrasës. Duket sikur vrasja të ketë karakter ritual. Pas vrasjes vajza që ka kryer krimin duket apatike dhe besueshmërisht e ftohtë. Ky krim i rëndë ka ndodhur në Danimarkë fundjavën e kaluar.

Shoqëria skandinave është e mpirë nga kjo ndodhi. Vajza, sipas dëshmive të shokëve të saj, kishte qenë fuqimisht e interesuar për filmat me dhunë, agresivitet dhe tension. E pëlqente serialin "Nata e Maskave", ku ndër të tjera aty paraqitet, se si vëllau vret motrën e tij. Nga ndikimi i fuqishëm i filmit, ajo përpos të tjerash nuk kishte qenë në balancë psikike.

Me këtë vrasje, këtu në Skandinavi, u aktualizuan shumë debate aktuale të shoqërisë. E ndër të tjera edhe u diskutua dhe tema: Fëmijët dhe TV-ja. Duhet të lejojmë që filma të tillë të shfaqen "pa filtër" për publikun? Në ç'shkallë është lidhshmëria në mes filmit me dhunë dhe sjelljes agresive të të rinjve? Si është mbrojtja dhë kujdesi shpirtëror i shoqërisë? Këto janë pyetje që kanë vërshuar në mediat skandinave.

Hulumtuesit e mediave masive luhaten të kundërshtojnë apo të vërtetojnë ekzistimin e një lidhshmërie dhe ndikimi midis filmit me dhunë (ose/dhe lojërave elektronike) dhe sjelljes reale agresive të përditshme. Por, për fat të keq, gjithnjë e më shumë, ekzistojnë shembuj mbi vrasje, të cilat për ditë e më shumë u përngjajnë skenave të përgjakshme të filmit.

Ajo çka është më e rëndësishme, është se filmi i tmerrshëm nuk është shkaku kryesor që disa kryejnë krime të atilla si rasti i kësaj jave në Danimarkë. Gjithnjë ekzistojnë faktorë dhe elementë të tjerë që kanë ndikim të përbashkët, në çastin kur ndonjëri përdor filmin si referencë për të kryer vrasje të tilla.

Kjo nuk do të thotë lirim nga përgjegjësia për të monitorizuar dhe analizuar zhillimin dhe shtjellimin e formës dhe përmbajtjes së filmit (dhe lojërave elektronike për fëmijë). Shoqëria duhet të hulumtojë dhe të kërkojë që të gjejë mundësi për ndërprerjen e spekulimeve të tilla.

Analistët e filmit, që herët kanë arritur në përfundimin, se leximi i fotografisë, kryhet e kuptohet ndryshe nga fëmijët, dhe ndryshe nga të rriturit. Duke mos minimizuar edhe nivelin edukativo - arsimor në familje do të duhej që prindërit të vendosin kufijtë, jashtë simpatisë dhe dëshirave që kanë për fëmijët e tyre, për mosndjekjen e filmit. Kufirin "e shëndoshë" por (mos)shikueshmërinë e filmit dhe emisioneve, do të duhej ta komentonin analistët, kritikët e filmit, sociologët, pedagogët dhe psikologët.

Në të gjitha shoqëritë njerëzit e sëmurë gjejnë trajtimin mjekësor, kur këta kanë nevojë për të. Ky fenomen ka zënë rrënjë në psikologjinë tonë dhe këtë e dëshmojnë edhe vrasjet, ngatërresat dhe dhuna e përgjithshme shoqërore.

Për këtë duhet menduar aq më tepër në shoqëritë që nuk e kanë të zhvilluar rrjetin e mbrojtjes dhe rehabilitimit mendor. Ballkani i tëri bën pjesë këtu, e posaçërisht shoqëria shqiptare. Është koha e fundit që psh televizioni të kuptojë, se filmat e dhunshëm duhet shfaqur pas orës 22:00, kur fëmijët flejnë. Më tej, punonjësit e filmit duhet të formojnë një institucion shoqëror, mbase nga kritikë profesionalë e punonjës të filmit, për të rekomanduar p.sh. kufirin moshor të filmave.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË