NUMĖR 78
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 10 SHKURT 2004

Tolerancës fetare i duhet ligji për të mbetur e tillë

Shkruan: Iliriana BAJO

Qeveria franceze miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejohet që në shkollat publike të mbahen veshje apo simbole që asosaciojnë nxësësin me një besim fetar të caktuar.

Kjo do të thotë që vajzat e fesë myslimane nuk mund të veshin shaminë e kokës, nxënësit hebrejë nuk mund të mbajnë kapelet tradicionale, indusët nuk do të mund të vijnë me turbanë apo nxënësit e krishterë nuk do të lejohen të mbajnë kryqe të mëdha.

Pavarësisht diskutimeve që ka ngjallur ligji, synimi kryesor i një ligji të tillë, sipas drejtuesve më të lartë të shtetit francez synon të ruajë ndarjen mes shtetit dhe fesë. Kjo ndarje është një nga elementët themelorë jo vetëm të Francës, por në përgjithësi të atyre që njihen si demokraci perëndimore.

Ligji në fjalë është miratuar pas disa vitesh debati dhe incidentesh në shkollat publike franceze lidhur me nxënëset e besimit islam apo nxënësit hebrej.

Ligji më i fundit ishte një hap më tej për të theksuar laicitetin e shtetit. Debati i cili nisi në mediat dhe shoqërinë franceze morri formën e një ligji.

Në fund të vitit 2003 incidenti për përkthyesen me shami në kokë, bëri që disa prej zëdhënsve dhe punonjësve në departamentet e informacionit në institucionet e Kosovës të ndërpresin vizitën në Gjermani.

Me pak fjale incidenti përmblidhej në atë që disa prej pjesëtarëve të delegacionit të Kosovës e vlerësuan si provokim të rëndë dhe qëllimkeq, që në vizitën e tyre në institucionet gjermane përkthyesja do të ishte e mbuluar. Vizitën në fakt e vazhdoi deri në fund një pjesë delegacionit të Kosovës, duke sjellë argumenta të ndryshme.

Kundërshtarët e përkthyeses me shami në kokë thanë se kjo ishte kundër Kosovës dhe synonte të krijonte përpara institucioneve gjermane imazhin e gabuar për shoqërinë kosovare.

Ndërkombëtarët, ata që ishin organizatorë të vizitës, bënë sqarime, që më shumë e errësuan se e sqaruan incidentin.

Megjithatë ankesa e atyre që e ndërprenë vizitën se qarqe apo individë të caktuar donin të paraqesnin një imazh të gabuar të shoqërisë e femrës kosovare, i hapi rrugën një debati: Debatit lidhur me rolin e fesë dhe shtetit.

Pas një incidenti të tillë, fjalën në shoqëritë që i cilësojmë demokratike e marrin institucionet.

Së pari hidhen bazat ligjore, përcaktohet me ligj se shteti dhe feja janë të ndara, se shoqëria në Kosovë dhe shteti i ardhshëm janë e do të jenë laike. Të qenurit laik do të thotë respekt për besimet fetare, gjithashtu të siguruara me ligj, por që feja nuk është pjesë e qeverisjes së shtetit.

Nga ana tjetër përgjigjja më e mirë ndaj drojës së gjithkujt lidhur me njerëzit cfarë do të thotë se në institucionet shtetërore nuk lejohet mbajtja e simboleve fetare dhe se veshjet që asosaciojnë me fe të caktuara nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të shtetit. Kjo i përshtatet dhe realitetit të Kosovës, ku popullsia i përket fesë islame, katolike apo ortodokse, çfarë do të thotë se asnjë feje nuk mund e nuk duhet t'i jepet përparësi.

Megithatë incidenti me përkthyesen përveç disa kornikave nëe media, natyrisht debateve nëe kafene, mbeti me kaq.

Ata që u shqetësuan se imazhi i Kosovës qëllimisht po keqparaqitej, harruan se për t'i dhënë fund problemeve të tilla, duhet vendosur ligji. Dhe para ligjit të tjerët duhet të heshtin.

Por askush nuk u kujtua, që përveç akuzave dhe deklaratave se dikush mendon më shumë e dikush mendon më pak për Kosovën, ta vendosin nëe baza ligjore kontrollin e përdorimit të simboleve fetare. Në këtë rast edhe ata që duan ta shtrembërojnë imazhin e Kosovës, nuk do të kenë mundësi.

Incidenti me përkthyesen me shami të OSBE-së, ishte sërish një tjetër dëshmi se ende përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, nuk janë mësuar dhe nuk praktikojnë zgjidhjen ligjore të problemeve.

Përfaqësuesit e departamenteve të informacionit të institucioneve të Kosovës ngritën dhe problemin tjetër se përkthyesja e mbuluar e OSBE-së nuk përfaqëson femrën e sotme në Kosovë.

Por fjalët e tyre ishin vetëm deklarata, pasi ndonëse shqetësoheshin për imazhin e femrës nuk u kujtuan të ndalonin e të mendonin për një moment se në delegacionin ku bënin pjesë, si përfaqësues të departamenteve të informacionit të institucioneve të Kosovës nuk kishte femra. A nuk ishte dhe ky fakt dëshmi e përfshirjes së femrës në shoqëri, apo imazh i gabuar i Kosovës?

Kanë kaluar disa muaj nga incidenti i mësipërm. Ai është harruar nga ata që e krijuan, nga ata që bënë zhurmë dhe nga mediat.

A do të përballemi sërish me situata të tilla? Natyrisht që po, pasi problemi është lënë sërish në dëshirat e njerëzve dhe nuk i është bërë zgjidhje ligjore, që është e vetmja afatgjatë.

Siç duket zgjidhjet afatgjata duan aftësi dhe kurajo. Cila mungoi për t'i dhënë rrugë ligjore problemit? Ndoshta të dyja…


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË