NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
DEBAT VITI VI - 21 PRILL 2004

A e duan shqiptarët bashkimin kombëtar?!
 
Shkruan: Shefki OLLOMANI

Shqiptarët, deri tani, e kanë vërtetuar se nuk e duan lirinë, bashkimin kombëtar dhe Shqipërinë etnike, të bashkuar, reale, natyrore,…! Sepse, po ta donin, do ta kishin, do të pajtoheshin e bashkoheshin mes veti rreth një qendre të vetme politiko-ushtarake, do të luftonin dhe do ta fitonin lirinë, ribashkimin kombëtar dhe Shqipërinë etnike. Shqiptarët ende nuk e kanë ndryshuar vetveten e tyre, prandaj nuk ka ndryshuar as gjendja e tyre politike, juridike, ekonomike dhe kombëtare! Kush ishim, nga vijmë dhe ku jemi të gjithë e dijmë, por kah shkojmë dhe kah duhet të shkojmë, ose nuk e dijmë, ose nuk duam ta dijmë!

Deri tani politikanët shqiptarë të trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi i kanë ndërruar shpesh taktikat dhe strategjitë e tyre politike të luftës për liri, pavarësi e bashkim kombëtar! Në vitet ’70-të dhe ’80-të të shekullit të kaluar veprohej e punohej për një Republikë Shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, ku do të përfshiheshin të gjitha territoret shqiptare nga Manastiri në Preshevë dhe nga Presheva në Tivar. Por në vitet ’90-të kjo kërkesë u braktis dhe u thërrmua në disa kërkesa e strategji politike të vogla të politikanëve shqiptarë dhe partive të tyre politike! Kështu, Republika Shqiptare e Kosovës u rrudhë në Shtetin e Kosovës, që do të përfshi vetëm ish-KSA të Kosovës!

Partia për Veprim Demokratik e Kosovës Lindore mbajti një Referendum popullor për vetëvendosje dhe bashkim me Kosovën, por kur erdhi koha që ky bashkim të bëhet përmes luftës çlirimtare të UÇPMB-së, kjo parti u tërhoq nga strategjia e vet politike, e mohoi vetveten, nuk e përkrahu luftën dhe u kënaq me një “autonomi kulturore” nën Serbi!

Partitë politike të Iliridës vetë e mbajtën një Referendum për Autonomi Politiko-Territoriale, për Republikën Autonome të Iliridës, dhe vetë e braktisën këtë rrugë e strategji politike, duke u kënaqur me statusin e “shtetformuesit” të shqiptarëve në IRJM! Luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Iliridë, nuk e përkrahu as PDSH-ja dhe as PPD-ja! Ata e “përkrahën” këtë formacion politiko-ushtarak vetëm me qëllim të neutralizimit dhe të ndaljes së luftës, përmes Mbledhjes së Prizrenit dhe Marrëveshjes së Ohrit! Dhe kur këto dy parti e humbën garën politike për pushtet përballë Bashkimit Demokratik për Integrim, atëherë u “kujtuan” për “mangësitë” e Marrëveshjes së Ohrit, për “pamundësinë” e implementimit të saj, për “mosfunksionimin” e shteteve multietnike (edhepse vetë janë frymëzuesë dhe nënshkruesë të saj), u “kujtuan” për Shqipërinë etnike,…! PDSH-ja dy herë brenda një dekade ka luajtur me kartën politike të “nacionalizmit dhe radikalizmit të saj patriotik”: së pari kur u shkëput si fraksion nga PPD-ja dhe fitoi pushtetin (pas bashkimit me Partinë Demokratike Popullore), dhe së dyti tani, pasi humbi pushtetin nga BDI-ja! Duam të besojmë se këtë herë PDSH-ja e ka përnjëmend dhe nuk lufton për pushtet dhe integrim multietnik, por për dinjitet kombëtar dhe për shtet etnik. Koha do ta vërtetojë shumë shpejt sinqeritetin dhe vendosmërinë, apo hipokrizinë dhe mashtrimin e saj, në realizimin e programit politik për shtet etnik. Koha - ky gjykatës i pagabueshëm, i paanshëm dhe i pamëshirshëm!

Kurse Malësia e Madhe nën Mal të Zi heshti, sepse kurrë nuk e mori vesh se çka duan dhe për çka luftojnë shqiptarët e Kosovës, të Kosovës Lindore dhe të Iliridës! S’kishte si ta marrë vesh, kur as ata vetë nuk e ditën dhe ende nuk e dijnë se për çka luftuan dhe çka duan!!! Asnjë ushtri çlirimtare, asnjë parti politike relevante në Shqipërinë e lirë dhe në Shqipërinë e robëruar nuk kanë kërkuar dhe nuk kërkojnë bashkim kombëtar, ribashkimin e Shqipërisë etnike, as me paqë e diplomaci, as me luftë!!! Bashkimin kombëtar dhe Shqipërinë etnike e kërkon vetëm Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Fronti për Bashkim Kombëtar të Shqiptarëve (FBKSH), por ata janë të margjinalizuar, të izoluar nga partitë parlamentare dhe qeveritë shqiptare të Tiranës dhe të Prishtinës, si dhe pa përkrahjen e duhur të kombit shqiptar!

Është ky edhe një fakt se pushtetlinjtë shqiptarë dhe shqiptarët nuk janë për bashkim kombëtar dhe për Shqipërinë e bashkuar etnike!!! Të mos keqkuptohemi, ata janë për atë, por nëse ua sjellë, si byrekun në tepsi, Zoti nga qielli apo Amerika nga përtej Atlantikut! Atëherë, kush do ta bëjë Shqipërinë etnike, nëse jo shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre, nëse jo qeveritë dhe institucionet shtetërore të tyre?! Vallë, a e don ky popull çlirimin e vet, bashkimin e vet, Atdheun e vet të lirë dhe të bashkuar?! Deri sot jo, nesër të shohim! Po ta donte, atëherë votuesit shqiptarë në Kosovë do t’ia jepnin votat LKÇK-së, LPK-së dhe UNIKOMB-it, kurse në Shqipëri populli votat do t’ia jepte Partisë së Unitetit Kombëtar. Por kjo nuk ka ndodhur gjer më sot! Sepse populli shqiptar, këtej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar, nuk e don bashkimin kombëtar as në mënyrë paqësore e demokratike, përmes votës së tij të lirë dhe as përmes luftës së armatosur!!!

Se shqiptarët luftojnë me turra-turra, me rend, pjesë-pjesë, veç e veç dhe të përçarë këtë e ka dëshmuar e gjithë historia jonë e lashtë dhe e re. Kush ka kujtesë të kthjellët, se shqiptarët harrojnë shumë shpejtë, e dijnë se, si gjithmonë edhe tani, shqiptarët, apo thënë më saktë – “fiset moderrne shqiptare” (!), i zhvilluan betejat e tyre çlirimtare të ndarë, të përçarë, veç e veç, njëri pas tjetrit e në nivel fisnor, lokal dhe krahinor!

  *****
 Betejën çlirimtare e nisi “fisi” i madh shqiptar, por i përçarë, i Kosovës! Kishte shumë komandantë dhe pak ushtarë! Dhe të gjithë ishin kundër Serbisë, por edhe kundër njëri-tjetrit! Prandaj, kjo UÇK, nga afro 2 milionë shqiptarët e Kosovës, mundi që në rradhët e saj, deri në qershor 1999, të rreshtojë diku 10-15 mijë ushtarë apo luftëtarë të lirisë! Pra, për çlirimin e Kosovës nuk luftoi as 1% e popullsisë së saj! Si mund të çlirohej Kosova me kaq pak luftëtarë?! Kjo vërtetoi politikën dhjetëvjeçare të LDK-së se, populli i Kosovës nuk e don luftën, por paqen! Se shqiptarët e Kosovës e duan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por përmes paqes dhe jo përmes luftës! Prandaj e lëshuan Kosovën në mënyrë aq masovike në mars-prill 1999, por UÇK-së nuk iu bashkuan! UÇK-ja nuk mundi të krijojë unitetin e popullit, nuk mundi ta bindë popullin që të luftojë për liri, nuk pati mbështetjen e shumicës së popullit, prandaj edhe nuk mundi ta çlirojë Kosovën! Atë që bëri UÇK-ja, me luftën e saj vërtetë titanike dhe heroike, ishte që i dha shkak dhe argumente NATO-s që të intervenojë ushtarakisht kundër Serbisë dhe i hapi rrugë vendosjes së protektoratit të OKB-së, përmes UNMIK-ut, në Kosovë. Lufta çlirimtare e UÇK-së dhe vendosja e UNMIK-ut në Kosovë, bënë të mundur kthimin e refugjatëve shqiptarë në Kosovë, bënë të mundur bashkimin e “fiseve” shqiptare të Kosovës dhe formimin e Popullit Kosovar, kurse Kosovarët pastaj përcaktuan Hymnin Kosovar, qepën Flamurin Kosovar dhe hapën horizonte të reja drejt pavarësisë së shtetit multietnik kosovar të Kosovës. Nga e keqja më e madhe - pastrimi etnik i Kosovës, kjo është e keqja më e vogël! Më mirë të ketë Kosovë-Shtet me kosovarë, se sa të mos ketë, as Kosovë dhe as kosovarë!

 Betejën çlirimtare, shkëputje nga sundimi serb, pas mbarimit të luftës së Kosovës, e filloi “fisi” i vogël i Kosovës Lindore në vitin 2000, i cili për t’u dalluar nga “fisi” i madh i Kosovarëve, ia ndërron brenda natës emrin krahinës së vet dhe e quajtën “Lugina e Preshevës”! Dhe ky “fis” i vogël shqiptar, tepër i vogël në krahasim me 9 milionë serbët, prej rreth 100 mijë banorëve, formoi ushtrinë e tij çlirimtare me emrin e gjatë, të çuditshëm e aspak melodik: UÇPMB! Pse vallë nuk e emëruan Ushtria Çlirimtare e Kosovës Lindore (UÇKL), apo të paktën me atë emrin e ri të krahinës së tyre: Ushtria Çlirimtare e Luginës së Preshevës (UÇLP)?! Apo, nëse përmendet vetëm Presheva, do të hidhërohej Bujanoci e Medvegja?! Po Tërnocin e Madh ku e lanë, edhe ai është një vendbanim i madh, mbi 10 mijë banorë, pse nuk e futën edhe atë në emërtimin e ushtrisë?! Kjo UÇPMB, që i kishte 2-3 mijë luftëtarë, luftonte për çlirim dhe bashkim me Kosovën, kurse veten nuk desh ta quajë Ushtria Çlirimtare e Kosovës Lindore! Këto lapsuse mund t’i bëjnë vetëm shqiptarët lokalistë, që ende vuajnë nga mentalitete fisnore mesjetare! Dhe me një numër kaq të vogël luftëtarësh donin të çlironin Luginën e tyre të Preshevës, të shkëputen nga Serbia milionëshe dhe të bashkohen me Kosovën! Deshën të bëjnë atë që nuk mundi ta bëjë Kosova prej 2 milionë banorësh! Dhe me gjithë vullnetin për të luftuar dhe dëshirën për t’u çliruar, UÇPMB-ja nuk mundi të arrijë asgjë, përveç viktimave njerëzore, plagëve të reja dhe dëmeve materiale që ia shkaktoi ushtria shoveniste serbomadhe! Lugina e Preshevës, njëherë për njëherë, mbeti nën sundimin dhe neokolonializmin serb! Ajo nuk mundet kurrë të çlirohet vetë nga Serbia, pa ndihmën dhe luftën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.
 Pas dështimit të çlirimit të Kosovës Lindore, apo Luginës së Preshevës, siç i thonë sot politikanët e “moderuar”, betejës çlirimtare ia filloi “fisi” tjetër i madh i shqiptarëve të Iliridës! “Fisi” shqiptar i Iliridës ende nuk e ka të qartë se si quhet vendi i tij, apo krahina gjeografike ku jeton! Shqiptarët autoktonë Iliridës herë i thonë Maqedonia Perëndimore, herë Maqedonia Veri-Perëndimore, herë Maqedonia Shqiptare, herë Shqipëria Veri-Lindore dhe këto kohët e fundit kanë filluar ta quajnë edhe Lugina e Vardarit, duke marrë yrrnek nga Lugina e Preshevës! Prandaj, nga ky konfuzion etimologjik, ata ushtrinë që krijuan më 2001, për të luftuar kundër IRMJ-së, e emërtuan Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK)! Dhe kjo ushtri, porsi simotrat e saj, UÇK dhe UÇPMB, në vlugun e fuqisë së saj i kishte diku 4-5 mijë luftëtarë! Kur dihet se numri i shqiptarëve të Iliridës është 800 000 - 1 000 000 banorë! UÇK-ja e Iliridës nuk pati përkrahjen e duhur të shumicës së popullit shqiptar dhe sidomos aspak, apo fare pak, përkrahjen e partive politike shqiptare të Iliridës! Prandaj, edhe objektivat programore të UÇK-së, për çlirimin e Iliridës, nuk u realizuan! Lufta u ndal në mes të rrugës, pa filluar ende siç parashihej!

 Dhe kur t’i mbledhësh ushtarët e tri ushtrive çlirimtare shqiptare në një të vetme, ata nuk e tejkalojnë numrin e 22 000 luftëtarëve të lirisë! Kurse, vetëm Armata e Maqedonisë i kishte në ato vite rreth 50 000 ushtarë, pa llogaritur këtu ushtrinë serbomalazeze, si ushtria më e fortë e Ballkanit në atë kohë! E pra, dëshira mbetet dëshirë dhe realiteti mbetet realitet. Por, edhe serioziteti është seriozitet dhe hajgarja (shakaja) është hajgare! Dhe është fakt i trishtueshëm se shqiptarët e Kosovës, të Kosovës Lindore dhe të Iliridës nuk u treguan aspak seriozë para përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të betejave të tyre për çlirim nga Serbia dhe Maqedonia, sepse ata paraprakisht nuk u bashkuan politikisht, ushtarakisht, organizativisht dhe finansiarisht ndërmjet veti, që të formojnë një udhëheqje të vetme politike, një front popullor të vetëm, një ushtri të vetme çlirimtare dhe një fond të vetëm finansiar dhe pastaj të fillonin luftën çlirimtare në të gjitha hapësirat shqiptare të robëruara përnjëherë. U shkelën Tezat për Frontin Popullor të Republikës së Kosovës të Kadri Zekës! Nuk u formua kurrë ky Front, por u formuan tri ushtri pa udhëheqje të mirëfilltë politike! Njëfarë udhëheqjeje politike ato patën, por ato quheshin ”Drejtori Politike”, prapa së cilave fshihej vetëm një parti politike – Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK)! Nuk mund të mobilizohet një popull pa formuar frontin popullor, ku do të organizohen të gjithë shqiptarët pa dallim krahine, feje, ideje e partie politike! Asnjë parti politike, kushdoqoftë ajo, sado e madhe dhe e mençur të jetë ajo, nuk mund ta bëjë kurrë vetë mobilizimin dhe udhëheqjen e popullit drejtë lirisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Sepse çdo grup, organizatë, parti apo front i vetëm shqiptar, që do të nisë i vetëm luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar do të dështojë, sepse i duhet të luftojë në dy fronte: kundër pushtuesëve sllavo-grekë dhe kundër shqiptarëve që nuk janë për luftë çlirimtare! Kështu, LPK-ja e ”fitoi” luftën, kurse LDK-ja e ”fitoi” paqen! Ndërsa, Kosova dhe shqiptarët nuk e fituan as luftën dhe as paqen, as lirinë dhe as pavarësinë, as shtetin kosovar dhe as bashkimin kombëtar!!!

Të mos përsëriten gabimet e së kaluarës, sepse do të përsëriten edhe dështimet! I forti ose të vret, ose të fal, kurse i ligu as të vret dhe as nuk të fal! Deri sot politikanët, udhëheqësit dhe liderët shqiptarë s’janë treguar as të fortë dhe as të ligj! Ata, ende, as nuk e kanë falë dhe as nuk e kanë vrarë njëri-tjetrin! A ka burrë e filozof, a ka Perëndi e Zot, që mundet t’ua caktojë diagnozën politike e kombëtare prijësve dhe liderëve tanë?! Vetëm uniteti politik brendashqiptar, vetëm shtrirja burrërore dhe e sinqertë e dorës së pajtimit midis udhëheqësve politik shqiptarë dhe partive që ata udhëheqin do të bënte të mundur që t’i thyejmë prangat e robërisë, që t’i mundim pushtuesit dhe kolonizatorët e Shqipërisë etnike dhe vetëm kështu do të bënim çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Rrugë tjerë nuk ka. Të gjitha përpjekjet tjera arbitrare e të vetmuara janë iluzioniste dhe të pasuksesshme.

 Politikanët shqiptarë harruan se pa bashkim politik nuk ka as bashkim ushtarak dhe pa bashkim politiko-ushtarak nuk ka as çlirim dhe bashkim kombëtar, nuk ka Shqipëri etnike! Dhe, fatkeqësisht, nuk pati unitet politiko - ushtarak të shqiptarëve dhe të partive të tyre politike as para dhe as gjatë betejave luftarake të viteve 1998-2001, por pati përçarje, armiqësi, prapaskena, pati eksperiment…, prandaj edhe nuk pati çlirim dhe bashkim kombëtar! Është paradoksale dhe fatale, por është fakt i pa kontestueshëm se, shqiptarët nuk i bashkoi as pushtimi e robëria sllavo-greke, as kolonizimi e gjenocidi i armiqëve, as lufta çlirimtare, as paqa demokratike dhe as pena e pushka e lirisë!!! Dhe tani shtrohet pyetja hamletiane: Vallë, kush, kur dhe si mund t’i pajtojë e bashkojë shqiptarët, qoftë edhe përkohësisht, derisa ata të fitojnë lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e tyre të vërtetë kombëtar?! A ka politikan, filozof, sociolog, psikolog e antropolog, me gradë shkencore, që mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje? Nuk pati dhe nuk ka pajtim dhe unitet vëllazëror e patriotik midis shqiptarëve, prandaj vazhdoi e vazhdon edhe më tej pushtimi, robëria e neokolonializmi i shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, por tani në forma të reja, me emra të rinj dhe me terminologji të re politiko-juridike!

 Lufta e ashpër politike, armiqësia dhe xhelozia në mes udhëheqjeve të partive politike kosovare vazhdon edhe sot me të njëjtën egërsi, si para dhe gjatë luftës, e cila shprehet përmes grindjeve të përditëshme në media të shkruara dhe elektronike, në seancat e mbledhjeve të Kuvendit të Kosovës dhe përmes krimit të shpeshtë politik! Kjo luftë politike e ashpër dhe e pakompromis, kjo urrejtje organike reciproke e pashpjegueshme (!), po të mos ishin ndërkombëtarët në Kosovë, që moti do të ishte shndërruar në një luftë të përgjakshme civile e vëllavrasëse për pushtet e dominim, si ajo e viteve 1944 - 1945 në Shqipëri! Apo si ajo e marsit të vitit 1997, po në Shqipëri! Shkalla e unitetit dhe e bashkëpunimit ndërshqiptar nuk është aspak më stabile dhe më e mirë edhe në Shqipëri, Iliridë, Kosovë Lindore dhe në Malësi të Madhe! Anembanë Shqipërisë etnike vlon si kazan armiqësia, shpërthen si vullkan urrejtja dhe bën kërdinë tradhëtia e shqiptarëve ndaj shqiptarëve!!!

Shqiptarët, në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, i ndanë një mal i lartë me armiqësi e përçarje dhe një det i thellë me grindje dhe urrejtje reciproke! Ky ”mal” duhet sa më parë të bëhet shkrumb e hi dhe nga hiri të mbi, jo mal përsëri, por një fushë e gjerë me lule të miqësisë dhe unitetit ndërshqiptar. Ky ”det” duhet të shterrohet gjer në fund dhe të mbushet me pajtim e dashuri të shqiptarëve për shqiptarët, të cilët vetëm në këtë mënyrë do të mund të fitojnë lirinë e pavarësinë, do të bëjnë bashkimin kombëtar, tokësor e shtetëror të Shqipërisë etnike. Burimi i robërisë së Shqipërisë etnike është te përçarja dhe armiqësia e shqiptarëve! Kurse burimi i lirisë së Shqipërisë etnike është te pajtimi dhe uniteti i shqiptarëve. Shqiptarët e kanë në dorë, që të vendosin vetë, se në cilin „burim“ do të shkojnë të pijnë ”ujë”.

Për t’u bërë Shqipëria Etnike duhet që të bashkohen shpirtërisht, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht të gjithë shqiptarët anembanë botës. Duhet një ushtri kombëtare prej më se gjysmëmilioni ushtarësh, sepse duhet të luftohet kundër 5 shtetesh kolonialiste përnjëherësh! Për Shqipërinë etnike duhet të luftojnë të gjithë shqiptarët e kësaj dhe “asaj bote”, të gjallë e të vdekur! Shqiptarët e vdekur, si dhe dëshmorët dhe heronjtë e rënë të këtij populli duhet patjetër të “ringjallen”, që të zgjojnë nga gjumi i përmortshëm shqiptarët e gjallë, që t’ua rikujtojnë shqiptarëve harrestarë se janë të robëruar, të kolonizuar e të pushtuar! T’ua rikujtojnë shqiptarëve deviatorë se, përse u derdh nga ata gjaku arbëror ndër shekuj e mijëvjeçarë…, që t’i ringjallin shqiptarët e vdekur për së gjalli! Vetëm po të ndodhë ky fenomen natyror dhe kjo mrekulli hyjnore, vetëm atëherë mund të çlirohen dhe të bashkohen Shqiptarët dhe Shqipëria etnike.

Kështu, derisa shqiptarët nuk i bashkojnë forcat, zemrat, mendjet dhe armët e tyre, jo si fise e popull, por si komb, nuk do të fitojnë kurrë lirinë, nuk do të formojnë kurrë Shqipërinë etnike, por do të rrokullisen e zvarrisen ndër shekuj e mijëvjeçarë, si gjer tani: disa në liri (Shqipëria londineze), disa nga robëria në liri (Kosova shtet), disa nga robëria në gjysmëliri (Ilirida), dhe disa nga robëria në robëri (Çamëria, Kosova Lindore dhe Malësia e Madhe)…..!

Shkruar në Janar – Mars 2004


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË