NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

Ata që kanë humbur dhe ata që kanë vrarë shpresën

Shkruan: Xhafer SHATRI

Ngjarjet e muajit të kaluar kanë qenë tronditëse për të gjithë shqiptarët dhe për mbështetësit e tyre kudo që janë ata. Në ato ngjarje ka pasur gjëra të arsyetueshme, të paarsyetueshme dhe të dënueshme.
Aktualisht katër çështje bien veçanërisht në sy:

1. Dy muaj e gjysmë para ngjarjeve koloneli Momir Stojanoviç, shef i Agjencise së Sigurimit Ushtarak serb, në pyetjen e gazetarit të javores « Nedeljni telegraf » se a ka Agjencia dijeni për atë se çka po ndodhë në Kosovë, deklaroi:

« Vitin e fundit kemi arritur ta përtërijmë, gjegjësisht të sigurojmë prezencën tonë operative, mu në kreun e udhëheqjes seperatiste të Kosovës, në kreun e organizatave terroriste që veprojnë atje dhe që i kanë degët e tyre në Jug të Serbisë. Tash atje kemi një numër më të madh operativësh, dhe këtë në pozita të duhura prej nga mund të përcjellim çdo gjë... »

Më 2 mars 2004, qeveria serbe e dalë nga zgjedhjet e fundit, përmes kryetarit të saj, V. Koshtunica paraqiti para Parlamentit serb programin e saj. Pikë e parë dhe e më e ngutshme e Programit ishte çështja e Kosovës për të cilën Koshtunica propozoi kantonizimin ose ndarjen sipas shëmbullit të Bosnje e Hercegovinës që u vendos në Dejton.
Koshtunica Kosovën e shtroi si çështje krejt parësore, edhe pse në fund të ekspozesë pohoi se: në Serbi prej një kohe shumë të gjatë po jetohet shumë vështirë dhe se një numër i madh njerëzish nuk dijnë se si t’ia dalin në fund të muajit...
Më 11 mars, peshkopi Artemije i dërgon SP të KB, Kofi Anan një letër ku kërkon masa shtrënguese në Kosovë, sidomos « më shumë policë ndërkombëtarë të përgatitur për të luftuar kunër terrorizmit dhe krimit të organizuar... »
Më 15 mars Koshtunica pranoi një delegacion të enklavave serbe në Kosovë.
Më 15 mars, në ora 18h30, në çagllavicë plagoset nga persona të panjohur Jovica Iviç, nxënës 18 vjeçar. Sipas të plagosurit sulmi është bërë nga shqiptarët që i kanë folur serbisht e të cilët « kanë shtënë nga vetura e me armë të pajisur me shurdhues ».
Po atë natë serbët e çagllavicës bllokuan aksin kryesor rrugor të vendit.
Më 16 mars, rreth orës 16, katër fëmijë të fshatit çabër, sipas njërit prej tyre, të kërcënuar prej serbëve të fshatit Zupç, që u kishin ndërsyer qenin, të frikësuar hidhen në valët e turbullta të lumit Ibër. Tre prej tyre, Egzon Deliu, 12 vjeç, Avni Veseli, 11 vjeç dhe Florent Veseli, 8 vjeç gjejnë vdekjen aty.
2. Përkundër atmosferës eksplozive, megjithatë askush nga përgjegjësit ndërkombëtarë që qeverisin Kosovën dhe asnjëri prej udhëheqësve të institucioneve dhe të partive politike të vendit nuk ndërmori një hap të vetëm publik për ta ndalë ortekun që pritej.
Më 17 mars Kosova ishte në anarki të plotë. Nuk funksiononte asgjë. Madje as Kfori.
Në këtë anarki kolektive, trazirat e përplasjet në Mitrovicë dhe në çagllavicë mund të arsyetohen disi, por kurrsesi nuk mund të arsyetohen sulmet mbi serbët dhe pronat e tyre në Prishtinë, Obiliç, Fushë-Kosovë, Prizren, Pejë, Gjilan etj. Me asgjë nuk mund të arsyetohen sulmet vandale mbi qytetarët e qetë të Kosovës që nuk rrezikojnë askënd dhe asgjë.
Ndërkaq djegia e shkatërrimi i objekteve dhe kulteve fetare serbe është njëra prej faqeve më të zeza në historinë edhe ashtu jo aq të lavdishme të shqiptarëve.
Ato që bënë për dy ditë turmat e patru të nxitura nga elementë kriminelë e psikopatë, në fund të fundit nuk ishin asgjë tjetër veçse përpjekje e suksesshme për të barazuar shqiptarët me krimet sistematike që ka bërë kundër tyre shteti serbë një shekull e gjysmë rresht.
3. Siç ka mundur të konstatohet fare lehtë pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në trazirat e fundit ishin me moshë 18 vjeç e tëposhtë.

Pra ishte brezi i lindur në kohën e apartheidit, brezi që ka filluar shkollën nëpër bodrume, brezi që pa i ra fytyrës me brisk e ka përjetuar luftën, varganet e ikanakëve, përdhunimet dhe vrasjet masive. Ky është brezi më fatkeq i Kosovës, sepse pas përjetimeve aq të rënda, çlirimi i vendit nuk i solli asnjë perspektivë, asnjë minimum të përkujdesjes shoqërore, institucionale, asnjë mundësi për të kryer një shkollë të mirëfilltë, për të pasur një vend pune, për të krijuar familje...

Ky brez nuk pati një njeri të vetëm t’i mbrojë interesat e tij në parlamentin tragjikomik të Kosovës. Prandej edhe mund të quhet brezi që ka humbur shpresat, e njerëzit e tillë mund t’i luajnë të gjitha rolet në histori, në rastin më konkret edhe ato më të këqijat.

Paqs ngjarjeve të tilla trinditëse pyetja e parë që shtrohet është: ku ishte dhe çka bëri elita? Me një fjalë mund të thuhet se në këto ngjarje nga personalitetet me peshë ka shpëtuer me fytyrë vetëm Bajram Rexhepi.
Të tjerët po të kishin vetëm një minimum dinjiteti e ndjesi përgjegjësie do të vetëshkarkoheshin, sepse, në fund të fundit, orteku vetëvrasës i marsit është në radhë të parë rezultat i sjelljes kundërhistorike e për një kohë të gjatë i elitës politike të vendit. Për arsyen e thjeshtë se falë inkriminimit të gjithfarshëm të elitës tonë politike në radhë të parë, administrata e pamëshirshme e Kombeve të Bashkuara e ka ndarë Mitrovicën, ka krijuar enklavat dhe ia ka hangër Kosovës, si krokodili, 5 vjet tranzicioni. Mund të thuhet kështu thjeshtë, sepse po të ishin ndërtuar vetëm disa segmente të qëndrueshëm në Kosovë, këtu nuk do të ndodhnin kurrë trazira tïlla si ato më 16 e 17 mars 2004.

4. Ngjarjet tragjike të muajit të kaluar kanë hapur me forcë shtegun për copëtimin e Kosovës, duke i dhënë Serbisë një argument të fortë për të këmbëngulur në këtë opcion. E tërë adminsitara serbe është mobilizuar në këtë drejtim dhe ka vënë në lëvizje të gjithë miqtë e Serbisë.
Kur mundësinë e ndarjes nuk e përjashtojnë as miq te dëshmuar të Kosovës si Daniel Server dhe Norton Abramovitz, atëherë kumbonët e alarmit do të duhej të na i shurdhojnë veshët.
Për habi, edhe personalitete shqiptare me peshë kanë shtruar nevojën e krijimit të kufirit etnik mes shqiptarëve dhe serbëve, duke harruar të vërtetën historike se kur ndahet territori, fiton gjithnjë ai që është më i fortë. E faktori shqiptar është shumë i dobët për t’i lejuar vetës një luks të tillë.
Mjerisht ka indikacione të besueshme se edhe kreu i ndonjë partie në Kosovë është lëshuar në veprime konkrete në këtë drejtim të rrezikshëm.
Por, për fat, numri i partizanëve të pavarësisë është i madh dhe krejt dominues në Kosovë. Prandaj ky korpus pritet të jetë më i zëshëm dhe më i vendosur në këtë vijë, duke dalur, në rast nevoje, edhe me kërcënimin krejt konkret se loja me Mitrovicën si parathënie për ndarjen e Kosovës nuk guxon të zgjas edhe më tej, sepse kjo do të çojë imperativisht në copëtimin e Maqedonisë e Malit të Zi dhe në një krizë tjetër tepër të rëndë në Ballkan.
Mbi këtë vijë, që në muajt e ardhshëm, mund të vihet në binarë një lëvizje e fuqishme politike, e cila do të ketë perspektivë të qartë vetëm nëse krahas pavarësisë angazhohet jo me fjalë por konkretisht për tolerancë dhe respektim absolut të të drejtave të pakicave në Kosovë dhe për integrimin e tyre në të gjitha poret e jetës politike, ekonomike e kulturore të vendit.

Kosova mund të bëhet e pavarur vetëm nëse arrin t’u siguroj të gjithë qytetarëve të saj liri, të drejta dhe detyrime të njëjta.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË