NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

Dokumente për Çamërinë

M E M O R A N D U M


I komitetit antifashist të emigrantëve Çamë në Shqipëri

Parashtruar pranë komisionit hetimor të këshillit të sigurimit të U.N.O.-s rreth trajtimit dhe masakrave në minoritetin shqiptar Çamë në Greqi

Ne Komitetin Antifashist i Emigrantëve Çamër në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të U.N.O.-s, n’emër të emigrantëve Çamër në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor, të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistat Grekë për të sh’farosur Minoritetin Shqiptar në Greqi.

Në vazhdim të protestave dhe kërkesave t’ona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë:

Klika shoviniste dhe reaksionare Greke, prej 32 vjetëve me rradh duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzor, dhe duke mos përfillur as pak traktet Ndërkombëtare, kanë përdorur kundër minoritetit Shqiptar në Greqi një politikë çfarosjeje.

Qysh me okupacionin Grek në Çamëri më 23 shkurt 1913, banda e Deli Janaqit shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vëndit, masakroj pa më të voglën arsye, 72 burra të krahinës Paramithisë në pruan e Selanit, Këto masakra qenë fillimi i çfarosjes së minoritetit Shqiptar dhe zbulojnë orientimin që mori politika Greke kundrejt popullatës sonë.

Ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet, në pretekstin e çarmatimit gjatë vjetëve 1914-1921, veprimtaria teroriste e komitaxhinjve, provakacioni i 1921-së i Gjen Bairas, të gjitha këto e tregojnë realitetin e mjerrimeve në të cilat u vu popullata e jonë në kohën e pushtimit Grek.
Koska, Lopsi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithia, Margëllëçi, Arpica, Grykohori, etj, . janë një pjesë e fshatrave që kanë paguar më shtrejtë këtë terror.

Më 1922-1923, Qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit musliman të Çamërisë në shkëmbim me Grekërit e Azisë së vogël duke na konsideruar si Turq.Ky akt i turpshëm i qeveritarëve t’Athinës u has në rrezistencën t’onë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve e cila duke konstatuar nacionalitetin Shqiptar të popullatës s’onë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë Grek.

Por megjithatë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marra nga qeveria Greke në Lozanës 16 janar 1923, prapë njerëzit e Athinës vazhduan politikën e tyre të çfarrosjes.Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qëndrimin në Çamëri të elementit Shqiptar, çpronsuan qindra familje në 6.000 ha. tokë pa më të voglin shpërblim si në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar, etj.

Qeverisja e Athinës instaloj emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që t’a popullojë me Grekër dhe të krijojë mundësin e emigrimit të popullatës autoktone Shqiptare.

Familjet të tëra detyroheshin të braktisin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë, e gjetkë dhe fshatra si Petrovci, Shëndëllinja u braktisën krejt nga banorët Shqipëtarë.

Në këto rrethana ne nuk gëzuam asnji të drejtë nacionale dhe na pengoheshin akoma edhe Gjuha amtare: në vend të zhvillimit të kulturës Nacionale dhe të përparimit, përkrahet fanatizmi dhe injoranca, në vënd të shkollave hapeshin dhe subvencionoheshin klube fetare në gjuhën arabe.95 % të popullatës s’onë qëndrojnë akoma analfabet.Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur mbrapa, pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duart e fajdexhinjëve, akaparatorve: Koqoni, Pitulejt, Kufalla, Zhulla, Ringa, etj., që varrfëruan dhe skllavërruan gjithë vendin.

Në luftën kundër fashizmit dhe tamam në përfundim, të sajë, forcat reaksionare Monarko-Fashiste të Llakës së Sulit të krijuara nga reaksioni dhe në shërbim t’okupatorit, nën Komandën e Gjeneral Napoleon Zervës, sulmuan dhe masakruan pa-besisht banorët Shqiptarë myslimanë të Çamërisë.

Në këtë kohë kur trupat e L.A.S.-it dhe t’onat impenjoheshin në luftime kundër Gjermanëve, komanda e E.O.E.A., në kompromis me Gjermanët, operonte për të fituar pozita për luftën vlla- vrasëse; dhe kur forcat t’onat besnike të frymës dhe të vendimeve të marrëveshjes së Kasertës (Sarafis- Zerva) Gusht 1924, zbatonin urdhërat e Komandës së përbashkët në–ndjekje të Gjermanëve, Gjen, Napoleon Zerva, komandant i forcave të rezizdencës n’Epir (E.L.A.S.-E.O.E.A.), urdhëronte njikohësisht operacionet dhe masakrat në kurriz të popullatës të pafajshme të Çamërisë.

Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe nji mospërfillje e turpëshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste.Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkpunimit dhe marrëveshjeve me Gjermanët, të cilët në tërheqje u lanë vendin forcave Zerviste. Ja një fakt konkret i bashkëpunimit ndërmjet forcave Zerviste dhe të atyre Gjermane.”Komandanti Zervist Theodhor Vito, i forcave të krahinës së Filatit. Nji ditë para hyrjes së forcave Zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944, në katundin Fanaromen, 3 km, larg Filiatit, u takua me Komandantin e forcave Gjermane në tërheqje”. Mbas këtij takimi shohim që ende pa u larguar mirë forcat Gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos, hynë në Filat. Kështu një bashkpunim i tillë u siguroj forcave Zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjërë në të gjitha krahinat e Çamërisë.

Forcat e divizionit të X-të E.O.E.A. nën komandën e Kolonel Vasil Kamaras dhe pikërisht ato të regjimentit të XIV-të të këtij Divizjoni të udhëhequr nga Kranja, me ndihmësa Lefter Strugari, avokat Stavropullos, Ballumi, Zoto, kriminelët me damkë Pantazejt etj., më 27 Qeshor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë.Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga një anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjenta të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra dhe fëmijë të pa mbrojtur qenë objektivi i Monarko-Fashistëve Grekë. Numri i të masakruarve në Qytetin e Paramithis dhe rrethe arrinë në 600 veta.

Më 28 korik 1944 forcat e regjimentit 40 nën Komandën e Agores hynë në Parg ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë.

Forcat e E.O.E.A., nën komandën e Theodhor Vitos, Ilia Kaço, Hristo Mavrudhi, Hristo Kaço, Hari Dhiamanti, etj., mbasi rrethuan qytetin e Filiatit, më 23 Shtator 1944, ditën e Shtunë në mëngjesë, hynë në qytet.Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar, plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithë ç’ka gjetën. Në mbrëmjen e natës 23 duke u gdhirë 24 Shtator 1944, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari e të tjerë, me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit të vrarët dhe të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin grumbulluar nga katundet të tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u çnderuan prej kriminelëve të Zervës.Pak ditë më vonë monarko-fashistat grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur, dhe me vendimin e Gjyqit fallco:Koqinja Kryetar, Stavropullos Prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm u masakruan. Në Granicë të Filiatit janë mbuluar kufomat e 46 vetave dhe të therrura me thika dhe 45 të tjerë në fushë të Filatit tek ara e Xhelo Metos.

Familje të tëra janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnjë në djep.Gratë dhe vajzat u çnderuan.Me qindra deklarata të tyre që shpëtuan përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura, nga ata del qart kriminaliteti dhe qëllimi i veprimeve të monarkofashistëve në Çamëri.Ja disa shëmbëlla:

Sanije Bollati, në Paramithi është djegur me benzinë mbasi iu prenë sisët dhe iu nxerrën sytë.
Ymer Muratin e vranë dhe e bënë copa-copa në Paramithi.

Në shtëpinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra dhe Çili Popova nga Popova i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brenda, muarrën gratë dhe vajzat më të bukura dhe filluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër. Ulurima e vajzave, të grave arrrinin kulmin.Kjo poshtërsi vazhdoj gjithë natën.Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare, etj, ishin objekt i këtyre poshtërsive.

Hilmi Beqirin nga Filati mbasi e plagosën para familjes së tij, e lanë dhe ikën.Familja për t’a siguruar e strehon tek dentisti Mavrudhiu, ai e mban për disa orë, por më vonë lajmëron ta marrin, dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vetë largohet për tek Shuaip Metja ku ishin mbledhur shumë familje. Andatët informohen, e marin, më parë i nxjerrin dhëmbët e floririt me darë dhe mbasandej e vranë.

Malo Muhon plak 80 vjeçar i sëmurë prej katër vjetësh vritet me sopatë, para së shoqes. Trutë i kërcyen në prehër të së shoqes e cila pasi ia mblodhi e mbuloi me jorgan dhe iku.
Në Spatar Abdul Nurçe merret, çohet në Filat zbathur, zvarriset nëpër rrugë të qytetit, dhe më në fund vritet para shtëpisë së Nidh Tafeqit.

Familja e Lile Rustemit nga Shulashi e përbërë prej 16 vetash në shumicë fëmijë, zhduken krejtësisht pa shpëtuar as edhe një.

Xhelal Minit nga Paramithija ia prenë kokën me bajoneta mbi trupin e Myfti Hasan Abdullaut.
Sali Muhdinit, Abedin Bakos, Muhamet Pronjes dhe Malo Sejdiut ju prenë gjishtrit, hundët, gjuhën dhe këmbët , dhe kur këta ulurinin nga dhëmbjet e mëdha, andartët Zervist këndonin këngët e Komandantit të tyre dhe gëzoheshin kur shikonin këto tmerre. Më në fund i vranë në çengelat e kasapëve.

Eshtref - Himi qytetar nga Paramithija, deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi:
“Të martë më 27 Qeshor 1944 n’ora 7 të mëngjesit hyjnë në Paramithi monarko-fashistat Grekë të Komanduar nga Kolonel Kamara, Major Krasnja, Kapiten avokat Kristo Stavropulli, Kapiten avokat Lefter Strugari, N-Toger Nikolla Çenos, etj., -Porsa hyjnë në qytet, u-dha urdhëri që kërkush të mos lëvizte nga vendi sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin n’asnjë mënyrë.Në mbas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe çiliminj, kurse nga ana tjetër fillon vjedhja.Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë.

Passi më mbajtën 4 ditë në burg , më lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur “Kisha e Aj Jorgjit “, munda të njof 5 nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara.Të pesë viktimat e njohura prej meje janë:Met Qere, Sami, Asim, Mahmut Kupi, Adem Beqiri e Haki Mile.Pas dy ditësh më shpien pas “Galatajt” në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollës, ku ishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh pasi ishin bërë copa-copa. Ngado shiheshin kufoma njerëzish. E quajtuna Sanije Bollati, passi pësoj tortura të frikshme, e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjedi pati vënd të mërkurën dhe të premtën në mëngjes, trupi i saj u- transportua i mbuluar në një batanije nga e ëma e saj e dy bashkëqytetarët të cilët e vendosën në një qilar me urdhër të monarko-fashistave që s’linin asnjë ta shikonin.Atje kjo grua e mjerë vdiq pas pesë ditësh dhe kufoma e sajë ishte plot me krymba.

Gjithqka deklaroi i kam parë me syt e mij.Në fillim u msheha për pesë ditë rresht në një tavan kur monarko-fashistat më arrestuan dhe më prezantuan para major Kranjajt i cili pas pytjeve të shkurtëra urdhëroi burgimin tim.Në burg gjeta 380 persona ndër të cilët gra dhe fëmijë.120 nga këta vdiqën urije.4 persona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe m’andej na përrcuallën për në Pravezë prej kah shkuam në Janinë ku qëndruam 40 ditë.Atje pësuam tortura të pa-përshkruara.Pastaj me ardhjen në këtë qytet të trupave t’E.AM.-it ne u liruam.

Dërvish Sulo nga katundi Spatar i Filiatit i përshkruan në këtë mënyrë në Spatar: “Në mëngjezin e një të Shtune të Shtatorit 1944 gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit (Spatar), Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka.Paçe Çulani, 50 vjeçare, u-çnderua, u- grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj, n’afërsi të grurit të Miços. Në shtëpinë t’onë ishte instaluar familja e Sako Banushit nga Skopjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë.Pasi u-çnderuan gratë të cilave i-u shpuan gjirët me thika, të gjithë u-masakruan...

Në shtëpi të Damin Muhametit u-vranë 5 gra dhe 3 fëmijë...Në shtëpi të Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër.Në shtëpinë e Dul Sherifit iu pre koka plakut 80 vjeçar Sulejman Dhrimicës dhe së shoqes së tijë.Në shtëpin të Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 persona, gra, fëmijë dhe burra... Kije Nurqi , 76, vjeqare, u therr me thikë... Në vështin e Zulës dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 30 persona të masakruar... Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit kurse në banesën e Mejdi Metës u çnderua Hava Ajshe dhe Nazo Arapi mandej kjo e fundit u masakrua”.Viktimat dhe humbjet simbas statistikave të deritanishme gjatë masakrave të 1944 dhe 1945 në kuriz të minoritetit Shqiptar në Greqi, arrin numrin 2.877, të ndarë si vijon:Filati dhe rrethi 1286, Gumenicë dhe rrethe 192, Paramithi dhe rrethe 673 dhe Mërgëlliçi dhe Parga 620.

Ky qe fati i gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamërija me përjashtim të disa pak grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngethëse në Paramithi në Prag, Spatar, dhe Filat.Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti i akteve barbare t’organizuara nga reaksioni monarko-fashist Grek në Çamëri.

Kjo kasaphëne që u frymëzua prej ndjenjave më të ulta të urrejtjes shovene dhe fetare, përfundoj në shpërnguljen me forcë të afro 28.000 Çamëve që erdhën dhe u srehuan në Shqipëri me kandidat më të vajtueshme. 68 katunde me 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën.

Nga llogaritja e dëmeve rezulton të kenë mbetur në Çamëri dhe grabitur nga forcat monarko-fashiste të Zervës 17.000 kokë bagëti të holla, 1200. të trasha, 21.000 kv. bereqet dhe 80.000 kv. vaj, gjithashtu dhe produkti i vjetit 1944-45 që arrin në 11.000.000 kg. bereqet dhe 3.000.000 kg.vaj.Gjatë emigracionit 110.000 kokë bagëti e hollë dhe 2.400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën.

Nga gjithë kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoj popullata jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit.Çamëria në luftën e madhe antifashiste kontriboi materialisht dhe moralisht.Popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi batalionin e katërt të regj. XV-të të ELAS-it .Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan vendosmërisht kundër okupatorëve nazifashistë dhe tradhëtarëve ballistë dhe zervistë.

Gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezajt, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli etj., që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmojnë konkretisht këtë fakt;Në përfundim të luftës dhe në Çlirimin e vendit nga okupatori trupat e komanduara nga Gjenerali Napoleon Zervas operonin në krahinat dhe fshatrat t’ona jo si çlirimtarë, por si xhelat dhe armiq të betuar të elementit Shqiptar në Çamëri.
Në marrëveshjen e Casertas (Zarafi-Zervas) Gusht 1944, trupat e rezistencës viheshin në fronte të përbashkëta kundër Ushtrive naziste nën një komandë të përbashkët në zona të caktuara operative.Kjo marrëveshje u shkel në Çamëri.Trupat Zervista ranë në kompromis me Gjermanët dhe duke qëlluar forcat t’ona, penguan veprimtarinë e Batalionit IV-të Regj.XV-të në zonën e caktuar të Filatit.Operacionet dhe masakrat në krahinën e Filatit lidhen direkt me këtë situatë dha janë në kundërshtim të hapët me besimin dhe frymën e bashkëpunimit të vendosura në Caserta.Akoma dhe fshati i fundit i Çamërisë, Koska, një nga baza e organizimit të forcave të rezistencës së Frontit Nacional Çlirimtar në Çamëri, u shkatërrua dhe u doq si përfundim i aktit për shkatërrimin e Çamërisë.

Një komision i Këshillit Antifashist Çam u-dërgua më 30-X-1944 n’Athinë pranë qeverisë Greke të z. Papandreu me një votim proteste kundër masakrave në Çamëri duke kërkuar njëkohësisht frenimin e tyre.Qeveria e Papandreut nuk deshi të mirte asnjë masë dhe angazhim për sa i-u parashtrua.

Mbas operacioneve të Dhjetorit 1944, ma Çlirimin e Çamërisë nga okupatori zervist, një pjesë e popullatës s’onë u riatdhesua përsëri dhe u vendos në krahinën e Filatit.Më 12 Mars 19445 forcat qeveritare të organizonit të Korfuzit duke e shkelur marrëveshjen e Varkizës Shkurt 1945 organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës (Filatit) të cilat nxorrën në shesh edhe një herë lakuriq qëndrimin dhe politikën e autoriteteve përgjegjës të qeverisë Greke në lidhje me çfarosjen e popullatës Shqiptare të Çamërisë.

Në mbështetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Washingtonit për akordinim në favor të emigrantëve 1.450.000 dollarë si ndihmë imediate ndaj gjëndjes s’onë të vështirë.

Edhe në këto kondita emigrantët Çamër vazhduan të kontribuojnë gjithnjë më tepër për Frontin.Në konferencën e Shalësit (Konispol) mbajtur në fund të Shtatorit 1944 zëri i Çamëve n’emigrim u ngrit më i fortë për bashkëpunim kundër okupatorit dhe padrejtësive të monarkofashistëve Grekë.

Më 23 Shtator 1945 në Kongresin e Vlorës delegatët Çamër që përfaqësonin të gjitha grupet e emigrantëve Çam në Shqipëri u shprehën kundër masakrave të monarko-fashistëve grekë të kryera mbi ’ ta dhe kërkuan me anë memorandumesh drejtuar Konferencës së Londrës, shqyrtimin e problemit të tyre dhe dënimin e shkaktarëve të gjak-derdhjes së kotë në Çamëri dhe të vuajtjeve të pakufi.Kongresi përfundoj në një rrezolutë ku përmblidhen të gjithë punimet e tijë.

Gjatë emigracionit për shumë herë ne i jemi drejtuar botës për të drejtat t’ona të mohuara dhe kemi kërkuar ri-atdhesimin.

Më 30 Tetor 1944 Këshilli Antifashist Çam i dërgonte një votim proteste Qeverisë së Bashkimit Kombëtar Grek, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive Aleate, Komitetit Qendror, t’EAM-it ku flitet për barbarizmat e fashistëve Grek në Çamëri.

Më 9 Maj 1945 Këshilli Antifashist Çam iu dërgon Misioneve Ushtarake Aleate kopjen e telegramit drejtuar Kryetarit të Konferencës S.Franciskos mbi të drejtat e Çamëve në bazë të kartës s’Atlantikut.
Më 27 Qeshor 195, telegrame proteste, kundra masakrave në Çamëri drejtuar nga Këshilli Antifashist Çam Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Misioneve Aleate Ushtarake Sovjetike, Angleze, Amerikane, Franqeze, Qekosllovake, Legatës Jugosllave, Shqiptarëve t’Amerikës, Italisë dhe Bullgarisë.

Promemorja drejtuar z.Hutxhinson deputet Laburist i Britanis së Madhe, më 26-XI-1945.Telegram drejtuar Drejtoris së Përgjithshme të UNRRA-s nga Komiteti Antifashist Çam (25-9-1945), ku kërkohen ndihma.

Memorandum drejtuar kryesis së Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleat në Londër nga Delegat të Kongresit Çam, 3-4-9-1945.

Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuar në Londër prej Komitetit Antifashist Çam më 11 Janar 1946 ku rivlersohen masakrat dhe kërkohen të drejtat.

Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në New-York nga Komiteti Antifashist Çam më 25 Tetor 1946, etj.

Ne jemi viktimë e rregjimit monarkist që sot sundon në Greqi Së bashku me popullin vëlla Grek ne vuajmë konseguencat e terrorit të zi të shpërthyer prej tyre në gjith Greqinë.

Pë dy vjet e gjysmë ne po vërvitemi Shqipëris në mizerje larg Atdheut ndërsa vendet t’ona të pasura shfrytzohen pa të drejt nga agjendët e Monarko-Fashistave në Çamëri.

Vuajtjet t’ona gjatë emigracionit kanë qenë dhe janë pa kufi.Me mijra kanë vdekur nga kjo situatë e krijuar.
Megjithatë protestat e bëra dhe të drejta që na përkasin ne vazhdojmë të qëndrojmë akoma n’emigracion ndërsa Qeverija Greke merr masa dhe vendos në Çamërinë t’onë pa asnjë të drejtë banorë të huaj për të penguar kthimin t’onë.

N’emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjithë këto ne i parashtrojmë Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit t’U . N . O . –s tragjedin e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me qëllim çfarosje të popullatës s’onë.

Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejt të problemit Çam dhe kemi bindje se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë:

1.Marrja e masave i imediate për pengimin e vendosjes së elementeve të hua në vatrat t’ona.
2.Riatdhesimi i të gjithë çamërve.
3.Kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të lujtëshme dhe të palujtëshme.
4.Ndihmë për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen t’onë.
5.Sigurimin dhe garancinë që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimi i të drejtave civile, politike, kulturale dhe sigurimi personal.
6.Gjykimi dhe dënimi i të gjith përgjegjësave të krimeve të kryera.
Duke ju shprehur konsideracjone t’ona më të shquara;

Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamër:

Taho Sejho, Kasem Demi Rexhep Çami
Tahir Demi, Vehip Demi Dervish Dojaka
Hilmi Seiti

T i r a n ë, 1947.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË