NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI VI - 21 PRILL 2004

Koha për ndërrime në Kosovë

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Si tërë mërgimtarët tjerë nga Kosova, edhe unë mbeta pa frymë kur mora vesh së pari se ç'paskësh ndodhur në Mitrovicë më 17 mars. Për mua ai kumt do të mbetet përjetë në kujtesë si ujëndarës. Do ta mbaj mend gjersa të vdes, e do t'ia lë amanet edhe bijës time të mitur, se ku isha e ç'po bëja në momentin kur dëgjova më së pari për plojën e re që paskësh tronditur Kosovën.

20 (?) të vrarë dhe 945 të plagosur e pasqyrojnë fiaskon e radhës të OKB-së. Organizatat joqeveritare pohojnë se shumica e viktimave s'kanë rënë pre e grindjeve etnike, por e plumbave të ndërkombëtarëve.

Pikë së pari, le ta themi troç. Numri i lartë i të vrarëve është skandal. Ajo që shumica janë vrarë prej trupash të dërguara këtu për të shpëtuar jetëra është skandal i dyfishtë.

Shifrat e pasqyrojnë mbidhunën horifike të ndërkombëtarëve. Ushtarë të stërvitur për luftë u komanduan të dalin para protestantëve të zemëruar. Pasojat ta kujtojnë apartheidin jugafrikan, të miturve iu dha plumb në ballë pse hedhën gurë.

Antiglobalistët në Perëndim për vite me radhë kanë hedhur më shumë gurë e molotovë se sa në Kosovë, me vetëm një viktimë të vetme të shumëpërmendur, në Itali më 2001. Ushtarët me municion luftarak thjesht s'përshtaten për kontroll trazirash. Vendet e BE-së të përfaqësuara në Kosovë me të drejtë i kanë qortuar shtetet tjera për mbidhunë në situata të ngjashme.

Kush u paska dhënë leje evropianëve të hapin zjarr me municion luftarak kundër gurëhedhësve? Apo mos është e lejuar kjo nëse ndodh jashtë BE-së!?

Si nënshtetas krenar i një vendi evropian me traditë të gjatë demokratike, e anëtar aktiv i një partie parlamentare atje, them me plotë gojën se s'ka qeveri evropiane që do ta mbijetonte një kërdi kundër dhjetëra shtetasve kështu si ka ndodhur në Kosovë.

S'ka qeveritar evropian që do ta lëshonte, as ka ushtarak që do ta zbatonte, urdhërin për të hapur zjarr të mprehtë p.sh. kundër një turme që i vë zjarrin një kishe, një godine qeveritare, a një shtëpie të braktisur në Evropë. Sepse tullat vijnë në vend përsëri, po jeta e njeriut jo. Fakti që protektorati në Kosovë po orvatet t'i fshehë këto fakte e t'i shmanget përgjegjësisë së vet morale e juridike është për mua konfirmim i haverisë së tij totale.

Njësoj e pakuptueshme është për mua fushtata represive që ka pasuar pas trazirave. Kjo, njësoj si mbidhuna e ushtruar gjatë kontrollit të trazirave, ngjall kujtime traumatike nga një mars tjetër mëse 20 vjet më parë.

Me këtë përvojë të re "evropiane" nga Kosova, s'guxoj t'i çregjistroj as dyshimet që më herët do t'i kisha quajtur paranoike. Në rastin konkret, dyshoj që krerët e protektoratit ndërkombëtar kanë vendosur qëllimisht të ndërmarrin gjah të shtrigave e"distancime ideopolitike" prej protestuesve, njësoj si ndërmirrte Beogradi më 1981, për ta fshehur fajin e vet të kthjelltë, të pamohueshëm e flagrant për gjakderdhjen në Kosovë - njësoj si Beogradi më 1981!

E pra, dielli me shoshë nuk fshehet. Ndërkombëtarët janë bërë pjesë e problemit në Kosovë, në vend se të ofrojnë zgjidhjet. Një tragjedi familjare s'do të kish shkaktuar revolt masiv sikur shqiptarët t'i besonin bashkësisë ndërkombëtare. Por ata besojnë se ajo po i mashtron.

Papunësia në Kosovë është zyrtarisht 60 përqind, jozyrtarisht 70 përqind, gjersa Begradi pranon ndihma shumëfish më të mëdha financiare se sa viktimat e tij kosovare. Në raportet e veta vjetore Banka Botërore konstaton se Kosova nën administrimin ndërkombëtar ka arritur, për herë të parë në historinë e vet moderne, nivelet e varfërisë afrikane.

7 000 serbë janë kthyer në Kosovë që pas mbarimit të luftës, por asnjë nga dhjetëramijëra shqiptarët e zbuar s'e shkel dot këmbën në eklavat serbe: ata janë shndërruar në ikanakë permanentë në vendin e tyre. Një raport zyrtar i OSBE-së para zgjedhjeve serbe konstatonte se Beogradi tërë kohës, e sidomos pas rrëzimit të Millosheviçit, e ka ushqyer e koordinuar separatizmin në eklavat serbe, para hundës së ndërkombëtarëve. Se kjo është shkelje flagrante e Rezolutës 1244 e se ndërkombëtarët duhet të reagojnë.

Unë kam parë me sytë e mi se si kosovarëve, pas tri palë zgjedhjesh të lavdëruara në botë, s'u lejohet ta drejtojnë as një stacion autobusësh. Parlamenti i Kosovës s'mundet as ta formulojë një projektligj pa lejen e ndërkombëtarëve. Kosovarët, që e kanë zhvilluar dellin e humorit të zi, vendin e vet kanë zënë ta quajnë ironikisht "Unmikistan".

A kështu u mësokemi ne evropianët demokracinë serbëve e shqiptarëve!? A është e mundur vallë, që askujt fare s'i paska thënë mendja se kjo do të shkaktonte eksplodim në Kosovë, me pasoja tragjike për të gjithë?

UNMIK-u dhe K-Fori nevojiten në Kosovë, për hir të kosovarëve, të serbëve, e të tërë Evropës. Por ata s'janë këtu për të vënë gur mbi barrë. Ata s'janë këtu për t'i thyer rezolutat e Këshillit të Sigurisë, as për të korrur dhjetëra jeta në shtypje protestash.

Shpresoj se ndërkombëtarët në Kosovë do të nisin hetime urgjente rreth mbidhunës së përdorur gjatë trazirave. Djemtë e vajzat evropiane që kanë ardhur në Kosovë janë nisur vullnetarisht, në bindjen se do të bëjnë diçka mirë për paqen. Nëse del se ata janë komanduar të hapin zjarr kundër demonstrantëve, atyre që kanë lëshuar, ndërmjetësuar, e zbatuar urdhërin për të shtënë mprehtë u duhet kërkuar përgjegjësi morale e juridike.

Njëherit shpresoj se institucionet, organizatat joqeveritare dhe shtetasit e Kosovës do të tregojnë guxim qytetar e s'do të marrin pjesë në orvatjet për mbulimin e fajit të ndërkombëtarëve. Kosova s'ka se ç'humbet, pos praktikave jodemokratike. Përkundër shantazheve që po trumpetohen rregullisht, bota s'ka ardhur këtu që t'i mbledh çaklat për shkak të ca sulltanëve të Unmikistanit.

Poashtu, qeveritë evropiane bëjnë mirë ta mbledhin mendjen. Ushtarë evropianë kanë marrë pjesë në ngjarje jashtëzakonisht brutale që u kanë kushtuar jetën dhjetëra vetëve, në një regjion që tashmë përbën fqinjësinë e parë të BE-së.

Është koha të merret një vendim. Ose bashkësia ndërkombëtare do ta merr përnjëmend mbi vete rolin e një pushtuesi brutal. Ose do marrë vesh se shteti është bërë për njerëzit, e jo anasjelltas. 90 përqind të njerëzve në Kosovë s'e duan më as Serbinë, e as klonin e saj ndërkombëtar. Kur qëron detajet, del se thelbi është te besimi: unë për vete besoj që kosovarët s'do ta keqtrajtonin kurrë vendin e vet ashtu si bënte dikur Serbia, e si po bën tani UNMIK-u dhe K-Fori.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË