NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

Pleqtë e Sharrit mungojnë në Tiranë

Shkruan: Ardiana SHALA

Në bjeshkët e Sharrit, qenin që gërvish njerëzit e shtëpisë e vrasin përnjëherë. Pleqtë e dinë arsyen. Qeni që të kafshon një herë, do kafshojë sërish.

Mjerisht, meqë në politikën shqiptare ka më pak mend se në bjeshkët e Sharrit, gabimet përsëriten në serial. Këtu qeni të kafshon njëqind herë në ditë. Kurse të gjithë mbeten pa mend, athua se ç’po ndodh.

Ja një shembull tipik. Relata e Tiranës zyrtare me Kosovën. Ajo/ai që e ka ndjekur politikën shqiptare pas pavarësisë e di, që Tirana zyrtare Kosovën e ka përdorur sistematikisht si kartë bixhozi. Për ta lozur sa herë që zihet pisk. Ashtu Zogolli. Ashtu Enveri. Ashtu Saliu. Ashtu edhe Nano. Kape njërin, bjeri tjetrit.

Pas luftës së Kosovës, shpresonim (ne optimistët së paku) se diçka mbase do ndodh edhe në Tiranë. Se atje do të mbledhin mendjen, e s’do bëjnë më politikë në kurriz të kosovarëve. Meqë shqiptarët po vejnë drejt një zgjidhjeje policentriste, a-la Austri, të problemit të tyre kombëtar, me së paku dy shtete sovrane. Që do jenë doemos fqinje të mira, n’e paçin kokën në vend.

Po jo! Meqë politikat në Tiranë sajohen prej injorantësh, kjo s’qe e shkruar as kësaj radhe. Nano dhe socialistët pushtetmbajtës ndaj ngjarjeve në Kosovë u pozicionuan sërish aq u duhej për t’i maksikuar poenët e vet diplomatikë.

Bota i qortonte „ekstremistët kosovarë”, Tirana poashtu. Bota kërkonte ndalimin e dhunës, Tirana dhe më shumë. Bota u ”brengos” për minoritetet, Tirana desh luajti fiqiri.

I vetmi alarm që primadonat evropiane s’arritën ta hapin në Tiranë ishte ai kundër ”pastrimit etnik të serbëve”. (Dora në zemër, as që pati nevojë. Meqë atë ide e patentoi i pari Veton Surroi në Prishtinë.)

Tashti, mund të kemi shumë ide ç’u dashka të bëjë Tirana për Kosovën. Nëse jemi, pra, të gjithë të mendimit se ia ka të ngratës ca borxhe të vjetra. (E di që ka nga ata që thonë ndryshe, por për ta do ta nxjerrim një edicion të veçantë në greqisht.)

Unë për vete, në ca drejtime jam tradicionale. Ja p.sh., unë mendoj që reagimet e shtetit shqiptar ndaj ngjarjeve në Kosovë, kur s’i kërcënohet agresion i armatosur, duhet të nisen në radhë të parë nga interesat e kosovarëve. E jo nga kalkulimet e ngushta politike të një kaste politikanësh në pushtet.

Kjo rradakja ime e shkretë ma thotë, p.sh. që Tirana zyrtare mund t’i thoshte ato që kosovarët s’i thonë dot, meqë e kanë ende lakun rreth qafës. Tirana, ta zëmë, mund ta kish theksuar se në Kosovë rezoluta 1244 ka kohë që është shkelur me dy këmbët nga ata që janë sjellur atje për ta mbrojtur atë. Aq sa edhe OSBE-ja e ngratë, në daçi besoni e në daçi jo, në dhjetor 2003 i bënte thirrje UNMIK-ut dhe K-Forit (!) që ta respektojnë atë të gjorën rezolutë.

Kur Beogradi drejton ende gjykatës, policë e ushtarë në Kosovë. Kur ata ndërtojnë enklava me ndihmën e ndërkombëtarëve, e bllokojnë për 5 vjet me radhë mbi 40 herë magjistralet kryesore të Kosovës. Kur UNMIK-u dënon dhjetëra ish luftëtarë kosovarë, por asnjë serb të vetëm, për krime lufte. Kur papunësia në Kosovë arrin 70 përqind, gjersa serbët lokalë marrin nga dy rroga, prej Beogradit dhe prej UNMIK-ut. Kur ata s’paguajnë taksa, por shfrytëzojnë zemërgjërësisht – si për vete më! – fondet e taksapaguesve shqiptarë. E kur politikanëve kosovarë u thuhet ”trus!” sa herë hapin gojën të belbëzojnë një protest verbal. Ahere Tirana mund të çilte të shkretën, ta ha djalli, se R1244 nuk është shkruar vetëm për shqiptarët. E se shqiptarët kishin plot, madje tepër, arsye për të dalë rrugëve.

Pastaj, e marr me mend që Nanos s’i duket fundi i botës kur policë e ushtarë përdorin mbidhunën. Por 20 (?) të vdekur brenda dy-tre ditësh do duhej të ishin ca si tepër edhe për midet e forta të Tiranës. Kur tanku grek i K-Forit e shtyp Alimuhamet Murselin 18 vjeç në Ferizaj, ahere s’ka më vend për pallavra.

Tirana mundej e duhej ta gjykonte dhunën kundër minoritarëve, sidomos kundër tempujve fetarë, se ajo për t’u gjykuar ishte. Por ajo e kishte borxh t’u dalë zot kosovarëve në të gjitha drejtimet tjera. Dhe duhej të kërkonte, në nivelet më të larta diplomatike, hetime të pavarura për mbidhunën e përdorur kundër protestuesve. Këtë mundej e duhej ta bënte patjetër një shtet, që i thotë vetes ”shtet amë”.

Druaj që rreziku më i madh nga ky qëndrim gjakftohtë i shtetit shqiptar, gjersa shqiptarët shtypen me tanke nëpër Kosovë, i kërcënohet shtetasve të tij. Më shumë se gjithçka tjetër, ky qëndrim signalon se Nano & Co. s’e ka për gjë t’i shtyp me tanke nesër as shtetasit e vet.

Unë s’jam dashamire e fushatave të Salos, meqë ato më shumë prishin se ndreqin. Që të jem krejt e sinqertë, nëse dikush do më detyronte me revole në tamth që ta zgjedh patjetër o Salon, o Nanon, unë prapë do ta zgjedhja këtë të fundit. Meqë Salua, thjesht, të lë përshtypjen se ka lojtur.

Por dua të besoj se votuesi shqiptar do të dijë t’i shporr që të dy, pa një, pa dy, në zgjedhjet e ardhshme. Se ai do dijë ta zgjedh dikë që i dhimbset vetja, e populli i vet. E kushedi, mbase edhe një që i dhembsen kosovarët. Për hir të tyre, e për hir të shtetit shqiptar.

E di që gjasat janë minimale. Por shpresën s’do ta humb gjer në minutin e mbramë të zgjedhjeve. Meqë votuesit shqiptarë mbase janë më të emancipuar se pleqtë e Sharrit. Ata s’do ta lënë qenin t’i kafshojë sërish. E sërish, e sërish.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË