NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

Votimi kundër rezolutës çame ose votimi që pret të ndëshkohet

Shkruan: I. AHMETI

Projekt-rezoluta për çështjen çame u hodh poshtë nga Parlamenti i Shqipërisë, ndonëse prej disa muajsh Komisioni Parlamentar për Cështje me Jashtë kishte diskutuar tekstin. Shumica socialiste votoi kundër, derisa disa nga drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike në opozitë nuk morrën pjesë në seancën e votimit. Besnikë të projektit në fjalë mbeten partitë e vogla të djathta, që ishin dhe nismëtare për këtë projekt.

Mos miratimi i projekt-rezolutës çame u shoqërua me debate, në mesin e të cilëve pati dhe nga ata që thanë se miratimi ose jo nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë, pasi duhet të jetë ekzekutivi dhe pikërisht qeveria e cila duhet të marrë hapa konkrete në këtë drejtim.

Pavarësisht debateve hedhja poshtë e projektit në fjalë rinxorri në sipërfaqje një numër problemesh lidhur me integritetin e politikanëve, probleme që për hir të së vërtetës janë shfaqur dhe më parë.

Së pari, politikanët në Shqipëri vazhdojnë të jenë po aq të padishëm lidhur me problemin çam, sa dhe paraardhësit e tyre të para viteve '90. Padija e politikanit kur lidhet me një problem të historisë së vendit të vet dhe me interesat e nevojat e një grupi të caktuar të shoqërisë shndërrohet në gabim. Për çdo gabim pason dhe pësimi.

Në mesin e politikanëve që ngritën kartonin e kuq kundër projekt rezolutës çame janë dhe ata të cilët ngritjen e kartonit e bëjnë në varësi të detyrave të shtëpisë të dhëna nga "kapua", që si çdo kapo më shumë se drejtues politik është drejtues bande dhe turme. Për ata që edhe 14 vjet pas rënies së komunizmit nuk mësuan, apo nuk deshën të mësonin të mendonin vetë, pasi nuk e njohin vetrespektin, një ndihmë e specializuar psikologjike apo fetare është e nevojshme. Mëshirë për ta.

Padija e pjesës kryesore të politikanëve lidhur me çështjen çame gërshetohet tek një pjesë e tyre me interesat e drejtpërdrejta ekonomike, apo me kontratat hije që ata i kanë me shtetin grek, biznesin grek, apo më hidhur me struktura në Greqi të njohura për qëndrimet e tyre, anti-shqiptare, anti-evropiane dhe anti-amerikane.

Për këtë grup të dytë politikanësh, gabimi shndërrohet në faj.

Dhe faji ndëshkohet.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË