Ura
mbi lumin Ibër
Shkruan:
Bernard KOUCHNER
Marrë
nga libri «Luftëtarët e paqës» | Grasset
2004
Mitrovica
qytet me njëqind mijë banorë, e ndarë më
dysh nga lumi Ibër: në jug shqiptarët, në veri
serbët. Urën mbi lumin Ibër, para miqve e mi, e krahasoja
me kalesën në Muzeun e Bejrutit, me zonën limanore
të qytetit të Monrovias, me lagjet e përfshira në
trazira të San Salvadorit; ndarje vdekjeprurëse e një
qyteti.
Kjo
urë e Mitrovicës qe bërë simbol i thyerjes së
pangjitshme mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
Kolonat franceze, të ngarkuara për këtë zonë
gjatë futjes së aleatëve, më 12 qershor 1999,
duke vendosur fushimin në jug të qytetit, nuk ndoqën
policinë e Beogradit, por u ndalën në urë, duke
futur rrallazi ndonjë njësit të vëzhgimit më
në veri, ku zbuluan pjesëtarë të policisë
dhe të vrasësve që bartin skalpet dhe flokë
grashë shqiptare të varura në hallkat e rripit. Me
urdhër të kujt ishin ndalur (te ura) forcat tona çlirimtare?
Kurrë nuk kam mundur ta mësoj saktësisht, por ky
ishte një gabim i madh politik.
Ky
ndalim i papritur, jo vetëm bëri nga Mitrovica një
qytet të ndarë, por shkaktoi një ekzod masiv, një
ndjekje reciproke e të përhershme të refugjatëve
të nemitur e të privuar nga të gjitha, dhe u ofroi
serbëve një territor strehimi të papritur, në
kufi me Serbinë që ende drejtohej nga Millosheviçi.
Shumë shpejt vullnetarët serbë organizuan në
veri të Urës një polici të udhëhequr me
mjeshtri nga Oliver Ivanoviç, sportist e mëhershëm
profesionist. Ai si njeri i guximshëm politik që ishte,
u bë për UNMIK-un një bashkëbisedues i vështirë,
dhe poaq i sinçertë sa mund të jetë njeriu
në ato rrethana. Ai organizoi një njësi të armatosur
të bridge watchers, rojat e urës, njerëz të
armatosur të të gjitha tendencave, që nga njerëzit
më të ndyrë e më brutal deri te patriotët
më të devotshëm, të cilët kishin shtabin
e tyre në Dolce vita, për ballë Urës, ku shënjuan
«territorin e lirë serb», e të cilët
përmes komunikimit me radiolidhje, mund të mblidheshin
me alarmin e parë.
Ne u përpoqëm t’i zhvendosim disa herë, por
kot. Edhe vetë kam shkuar nja dy herë për t’i
vizituar në skutat e tyre. Atmosfera ishte e rëndë
dhe kërcënuese. Një ofensivë e armatosur na
mundësoi t’i vëmë përpara. Ne dëshironim
të lirojmë një urë më në lindje dhe
ia arritëm, Klaus Reinhardt, gjenerali gjerman dhe unë
t’i ndjekim ushtarakisht rojat e urës, duke iu ofruar
në mes të betejës, gjatë një dialogu armiqësor
me Oliver Ivanoviçin, mundësinë të vëzhgojnë
nga një apartament më lartë në qytet qasjet
në territorin e tyre. Por komandanti francez i zonës ishte
kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë
serbe në pjesën e epërme të qytetit të
Mitrovicës. Më kujtohen diskutimet e vështira mes
gjeneralit gjerman dhe oficerit të lartë francez, gjeneralit
Pierre de Saqui de Sannes. Përballë kundërshtimit
të francezve, të paktën atë ditë, ne nuk
mundëm të shkojmë më larg.
Një
komandant brigade i Natos, a fortiori në një operacion
të OKB-së, gjithnjë ka mundësi ta refuzojë
një urdhër, duke iu referuar instruksioneve të Ministrisë
së vet të Mbrojtjes. Në rast krize ai duhet t’i
telefonojë menjëherë ministrisë së vet,
gjë që komplikon çështjen e komandimit unik
aq të domosdoshëm. Prandaj duhet përgatitur me shumë
kujdes çdo operacion i cili vë në lëvizje
shumë brigada të kombeve të ndryshëm.
Gjatë
gjithë misionit tonë, qyteti i Mitrovicës mbeti një
plagë e dhimbshme në trupin e provincës, një
problem human i pazgjidhur dhe i pa dalje politike, një kokëçarje
teknike, një kurth.
Në
fund të qërshorit dhe në fillim të korrikut
të vitit 1999, bombardimet çuan te negociatat e Kumanovës,
në Maqedoni, nën drejtimin e gjeneralit Jackson. Ndërkohë,
miqtë që i takonin celulës urgjente pranë Que
d’Orrsay-s, të cilën e kishim themeluar, tash ishin
alarmuar sepse funksionarët kishin arritur ta shpartallojnë
atë. Doktori Michel Bonnot, që kishte krijuar atë
celulë dhe Jean-Luis Machuron, themeluesi i Farmacistëve
pa kufij, dy burra të guximshëm e të gatshëm
për të kaluar ngado; kishin huazuar një veturë
të ambasadës franceze në Maqedoni dhe provuan të
arrijnë në Prishtinë para trupave angleze, duke tejkaluar
kolonat e refugjatëve kosovarë që ktheheshin nga
ekzodi i tmershëm që kishte alarmuar teleshikuesit.
Micheli dhe Jean-Luis do ta gjejnë qytetin pjesërisht
të shkatërruar, por situatën mjaft të qetë.
Ata më pyetën se çka duhet bërë. Refleksi
i ministrit që isha më bëri t’i këshilloj
se, meqë kanë arritur në Prishtinë para trupave,
të shkojnë dhe të përgatisin pritjen e njësive
franceze në Mitrovicë, zonë që ishte caktuar
për ta ngulur përkohësisht flamurin trengjyrësh
të Francës. Ata morën rrugën e veriut dhe arritën
në Mitrovicë në mes të betejës.
Atje kishin takuar menjëherë përgjegjësin shqiptar,
Bajram Rexhepin, një kirurg të vlerësuar të
UçK-së, me të cilin operojnë në kushte
të vështira. Spitali i madh i Mitrovicës ndodhej
në pjesën veriore të qytetit, te serbët. Në
atë ent, ashtu si dhe në të gjitha strukturat e tjera
publike të Kosovës, shqiptarët ishin dëbuar
nga vendet e tyre të punës qysh dhjetë vjet më
parë. Në vend të tyre ishin vendosur serbët
e «importuar» nga Beogradi. Atje mbretëronte kështu
një apart’heid administrativ e medikal. Ata kalojnë
shumë herë urën e rrezikshme të Ibrit, duke
tentuar të pranohen dhe të operohen në spital të
plagosurit shqiptarë. Por konstatojnë se policët
serbë pushtetonin në anën tjetër të lumit,
anise banohej nga popullsi e përzier, e ku masakrat dhe qërimi
i hesapeve vazhdonin.
Ata bëjnë shumë përpjekje e vajtjeardhje për
të bindur përgjegjësit e spitalit që të
mos bëjnë dallime etnike te të plagosurit. Fillimisht
ata ia arrijnë kësaj, dhe, më vonë, unë
jam përpjekur t’i mbështes në përpjekjet
që të imponojnë një paanshmëri mjekësore,
por kjo u tregua krejt e pamundur.
Përkundër një fillimi të mbarë, dhe takimeve
të përbashkëta që kryesova, gjatë të
të cilave mjekët kosovarë e serbë pranonin ta
planifikojnë mbarëvajtjen e spitalit, politika e imponuar
nga të fortit e Beogradit, megjithatë ngadhnjente. Nuk
u arrit asgjë; as autobusi i mbrojtur nga ushtria për
të transportuar të sëmurët nuk funksionoi, as
personeli i guximshëm shqiptar që tentonte të vijë
e të punojë aty nga ishin ndjekur këtu e dhjetë
vjet më parë nuk u lejua, as ardhja e një drejtoreshe
franceze, sypatrembures Murielle Arondeau dhe zëvendësit
të saj nuk ndreqën gjë. Grevat shpërthenin pa
prit e pa kujtu, të hollat e freskëta që arrinin
nga Beogradi blenin turpin e mjekëve dhe personelit që
i nënshtrohej urdhërave të një praktikanti serb,
pak të respektueshëm, me emrin Milan Ivanovic. Spitali
vazhdonte të refuzojë të sëmurët shqiptarë,
disa prej të cilëve edhe pse ruheshin nga ushtarët
e Kforit, u ndoqën prej aty. Me një rast u desh të
hapet dera kryesore e spitalit me buldozher.
Spitali i Mitrovicës qe disfata ime e parë dhe simbolike.
French doctors – Mjekët pa kufij dhe Mjekët e botës,
patën arritur kudo në botë të imponojnë
një qasje humaniste e të ekuilibruar të mjekimit.
Në Kosovë kjo qe një fiasko dhe ogur i keq në
këtë “mission impossible”. Për të
korrë një fitore do të duhej filluar një betejë
ushtarake që do t’ju mundësonte trupave të
Natos ta marrin këtë pjesë të Kosovës veriore.
Unë isha i gatshëm, Kfori gjithashtu. Por ja brigadat...
Konfrontimet nuk u ndalën kurrë. Shumë administratorë
rajonal u zëvendësuan, të cilët me suksese e
strategji të ndryshme tentuan ta zëbutin qytetin e harbuar,
por i thyen dhëmbët aty. Sir Martin Garrod, një gjeneral
i mëparshëm i marinës, i cili kishte pasur sukses
në Mostar, ishte i pari. Por shëndeti i tij ishtë
i dobët dhe ne u detyruam ta zëvendësojmë me
një prefekt italian, Mario Marcone, i cili u përpoq t’i
bëjë të gjitha edhe në momente shumë të
rënda. Pastaj Madeleine Albricht propozoi një gjeneral
demokrat amerikan, Bill Nash. Ishte një nga ata të moçmit
e Bosnjes, me të cilin ndihmësi im Jock Covey kishte pasur
disa vështirësi. Jock ishte zotëri madh për
të pranuar Bill-in, i cili dikur u bë mik. Ai ishte tepër
i inflencuar nga personaliteti i Oliver Ivanoviç-it, duke
ndihmuar njëherit edhe shqiptarin, Bajram Rexhepi, i cili u
bë kryeministër, që ta transformojë pjesën
jugore të qytetit. Bill Nash kishte një shkathtësi
të jashtëzakonshme për kontakt njerëzor: meqë
edhe nuk mund të prisnim më shumë, ai i bëri
të dy grupet etnike të këndojnë elozhet e tij.
Pastaj erdhi gjenerali anglez, Tony Welch, inventiv e vëllazëror,
e i cili u ndesh me pasardhësit e mi.
|