NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Çoroditja e një Lëvizjeje

Shkruan: Xhafer SHATRI

Vitet e qëndresës

Në tridhjetëvjeçarin e fundit, Lëvizja e Kosovës për çlirim ka qenë ndër më të fuqishmet në gjithë Evropën Lindore.
Gjakimi për liri u përcoll me një spektër të tërë formash të qëndresës, kudo në territoret shqiptare të pushtuara. Rrjedhimisht vetëm në periudhën 1981-1986, nga policia dhe gjyqet ishin trajtuar „për motive politike rreth 600 mijë shqiptarë të Kosovës“ (pa llogaritur Maqedoninë, Malin e Zi, Luginën e Preshevës), pra rreth 40% e popullsisë së përgjithshme të vendit.
Me ardhjen e Millosheviçit në pushtet terrori shtetëror serb u shtua në ato përmasa, sa që nuk mbeti familje shqiptare pa u prekur drejtpërdrejt.

Gjatë viteve nëntëdhjetë, vitet e zeza të apartheidit, i tërë populli i Kosovës, përmes një qëndrese të paepur ka dhënë një shembull të denjë për t'u përfshirë si model në historinë e njerëzimit. Një popull i tërë ka refuzuar në çdo gjë shtetin pushtues. Tashmë është fakt i njohur se shteti serb nuk ka arritur ta bëjë të funksionojë publikisht asnjë strukturë shqiptare; nuk ka arritur të formojë shkolla me programe serbe, nuk ka mundur të formojë asnjë redaksi për të qenë, e cila do të shpërfaqte idetë e shtetit serb, nuk ka mundur të formojë asnjë parti politike, e cila do të përfaqësonte interesat e Serbisë te shqiptarët e Kosovës…
Qëndresa në këto vite ishte kudo e dukshme, si bjeshkët.

Shkërmoqja e Lëvizjes

Në prag të luftës që shihej krejt e pashmangshme, institucionet e Kosovës që kishin udhëhequr apo që kishin përfaqësuar qëndresën gjithë ato vite, në momentin vendimtar nuk kryen misionin e tyre historik. Ato nuk formuan as ushtrinë, as policinë, as shërbimin sekret si struktura të domosdoshme për ta bërë luftën e pas saj shtetin. Siç doli në pah më vonë, fjala ka qenë për një sabotim perfid në nivelin më të lartë.
Në vitet e vështira e të lavdishme ’97- ’98 shqiptarët qëndruan me armë në dorë, vranë armiq e u vranë prej tyre, por luftë nuk bënë për arsyen e thjeshtë se luftën e mirëfilltë mund ta bëjë vetëm ushtria e organizuar. Askush tjetër. Historia e njerëzimit qëndron kokëfortë dhe Kosova e viteve 97-'99 nuk mund ta revizionojë atë.
Këtu Lëvizja e shqiptarëve të Kosovës fuzatet teposhtëzes, drejt batakut.
Erdhi Rambullet, e më pas, falë vuajtjeve të popullit të Kosovës, Demokracia, siç thoshte Jacques Chirac, u ngrit kundër Barbarisë dhe Kosova u çlirua.
Çlirimi nuk e gjeti Kosovën vetëm të djegur e të shkatërruar, por dhe pa asnjë strukturë të organizuar e të qëndrueshme për t’u përballur me sfidat që sjell paslfuta.

Zvetënimi si letërnjoftim

Kosova nuk kishte më lëvizje politike. Sepse pasçlirimi më tepër qe një epokë e artë e mujsharëve, se sa një etapë që çdo popull, normalisht e shfrytëzon për të ngritur themelet e shtetit të tij.
Kështu, fillimisht:
- U përdhos gjaku i dëshmorëve, sepse mujsharët përdhunuan rrjedhën e historisë. Ata ngritën përmendore kudo e për këdo, por injoruan me arrogancë kolosë të mendimit e të veprimit politik shqiptar si, për shëmbull, Hasan Prishtinën e Ukshin Hotin.
Për më keq, këto personalitete të ndritshme u injoruan edhe nga institucionet e Kosovës. Në dekoratat që janë ndarë deri më tash, u harruan ata që nuk guxojmë t’i harrojmë kurrë.

- U plaçkit buxheti i Kosovës: dy fondet kryesore (Fondi i Republikës së Kosovës dhe Fondi Vendlindja thërret), ku për një dhjetëvjeçar kanë derdhur kursimet e tyre qindra mijëra shqiptarë, si investim për lirinë e atdheut të tyre, me të përfunduar lufta u përvetësuan nga hajdutët „institucionalë“ e „joinstitucionalë“. E bënë këtë pa teklif e pa i vënë turpit perde. Dhe më e keqja është se kjo plaçkitje e fondeve publike të Kosovës u bë hapur dhe pa hasur në kundërshtimin më të vogël.

- Keqkomunikimi me Bashkësinë ndërkombëtare, ka dëshmuar për aftësinë shtetrrënuese të liderëve tanë aktualë. Shembujt janë të shumtë:
Jo kaherë, kreu i vendit priti në të njëjtën ditë Ministrin britanik për Çështjet Evropiane dhe një funksionare të Komisariatit të Lartë për Refugjatë. Pas të dy takimeve ai dhe mysafirët folën para gazetarëve. Kryetari ynë tha se: “…Me ministrin britanik biseduam për gjendjen në Kosovë, ndërsa Zonjës që merret me refugjatët „i kërkova të njihet pavarësia formale e Kosovës"!
Kohë më parë erdhi në Kosovë evroparlamentarja gjermane, Doris Pack. Para gazetarëve doli në pah një skandal i padëgjuar: Kryetari i Kosovës kishte pritur personin numër një të Parlamentit Evropian për Europën Juglindore, e miken e dëshmuar të Kosovës, por nuk kishte vënë fare flamurin e Bashkimit Evropian, siç e do rregulli themelor i protokolit. Reagimi i mysafires ishte aq i ashpër e aq i hapur sa që nuk e stepi vetëm kryetarin tonë të njohur për gjakftohtësi, por la pa gojë gjithë opinionin e vendit, sepse ky ishte një turpërim që kryetari ynë na bënte të gjithëve.

Rivali kryesor i presidentit mbetet i tillë edhe në bëma. Në fillim të vitit të kaluar, në kohën kur kërkohej një presion konkret mbi administratën e UNMIK-ut për të lëvizur gjërat, ai doli me idenë për shpalljen e moratoriumit.
Në të njëjtën vijë, pak kohë më parë, në një takim serbo-shqiptar në Luzernë, i njëjti person doli me idenë e radhës se çështja e serbëve të Kosovës duhet të zgjidhet sipas shembullit të Marrëveshjes së Ohrit!
Kjo deklaratë është për Kosovën një harakiri politik, sepse Marrëveshja e Ohrit është konceptuar si hap për federalizimin e vendit, që më vonë mund të përkthehet edhe si ndarje e tij.
Ndërkohë që shteti serb dhe partizanët e tij në Kosovë kanë një synim krejt të qartë e të vetëm: copëtimin e Kosovës.

I ngjashëm me veprimet e mësipërme është dhe projekti poashtu kokë më vete i kryetarit të Parlamentit të Kosovës për formimin e komunave të reja. Pa u futur në përmbajtjen e tij, sepse, cilido qoftë ai, për të pasur peshë, së pari do të duhej të jetë rezultat i një konsenzusi të gjerë, çka është detyra kryesore e një kryeparlamentari. Por paraqitja e një plani vetjak për decentralizimin nga kreu i legjistlativit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare nuk përfaqëson iniciativë politike, por mosrespekt për institucionet.
Kulmi i gjithë kësaj veprimtarie shtetrrënuese është marrja nga shqiptarët e Kosovës të mbi 400 mijë pasaporta të Serbisë dhe zhvlerësimi i dokumenteve tona.

Një kthim në histori…

Këtu e një shekull më parë komunikonin me botën Mit’hat Frashëri, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, e më vonë Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pastaj Dinot e Camërisë… Të përmendim Memorandumin e famshëm që i dërguan Lidhjes së Kombeve, tre priftërinj shqiptarë, Gjon Bisaku, Shtjefen Kurti e Luigj Gashi, që edhe sot, pas 70 vitesh, mbetet abetare e komunikimit me botën… Ato parashtresa dëshmojnë se paria e Kosovës sot është shumë më pak e emancipuar, e arsimuar, e aftë dhe e ndershme se ajo e një shekulli më parë.
Kjo nuk është shenjë e mirë për një popull.

Epilog…

Heronjtë e këtyre bëmave i kemi në garën elektorale për institucionet e ardhshme të Kosovës. Ata dhe klanet e tyre na kanë shurdhuar këto sidomos për pavarësinë. Do të ishte mirë që votuesit kur të ndodhen para kutisë së votës të mos harrojnë se, pikërisht këta zotërinj, ia kanë ngrënë pavarësisë, veç tjerash, edhe të gjitha shkronjat.

Por gjithsesi, më e rënda e këtyre veprimeve keqbërëse është se ato kanë goditur pamëshirë idealizmin e shqiptarëve të Kosovës, atë ndiesi fisnike që i ka bërë t’u qëndrojnë të gjitha furtunave shumë shekuj rresht.
Ai idealizëm që akuzon në heshtje sot, nesër do të kërkojë llogari.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË