NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Femra shqiptare ia jep votën – Evropës!

Shkruan: Ardiana SHALA

Gjersa Kosova po u avitet zgjedhjeve të radhës, grave kosovare u shtohet mundi. Në demokracinë tentative kosovare, atyre u cokatet koka që të votojnë mes premtimesh të bukura pa mbështetje në realitet. Si pasojë, gjithnjë e më shumë femra kanë hequr dorë krejt nga votimi, duke hequr dorë njëherësh edhe nga demokracia a-la Unmikistan.

Jetmira është 26 vjeç, vajzë e hasretit që banon ende te prindërit. Në intervistën tonë erdhi me Golfin e vet, dhuratë prej tyre. E megjithatë, asaj i është mbushur mendja që këtu s’ka jetë. Jetmira studion ekonominë në Prishtinë por s’ka shpresa që të gjejë punë kur ta lë fakultetin.

„Për të gjetur punë duhet të kesh krah“, thotë Jetmira. „Kolegët meshkuj kanë më tepër shansa, neve femrave na hëngri dreqi. Merreni me mend, mua që jam absolvente e ekonomisë më ofrojnë punë si sekretareshë.“

Prindërit e Jetmirës s’janë aspak reprezentativë për Kosovën. Ata janë akademikë, të punësuar, e me banim në qytet, në një vend ku shumica janë katundarë, të papunë, e pa arsim superior. Nëse Jetmira ndjehet e dështuar ende pa e lënë fakultetin, athua si ndjehen femrat tjera pa privilegjet e saj?

„Katastrofë“, përgjegjet Jetmira pa iluzione. „Mua më ngushëllon sadopak stili im urban i jetës, por shumica e moshatareve të mia s’e kanë as këtë.“

Shifrat kosovare e flasin gjuhën e vet kryeneçe. Imponimet e ndërkombëtarëve mezi mundësuan që femrat ta përbëjnë çerekun e deputetëve në parlamentin kosovar. Parë në pasqyrë, kjo nismë madje mund të ketë qenë kontraproduktive, meqë faktori ndërkombëtar me të sikur i lau duart nga problemi i diskriminimit mashkullor.

E vërteta është që femrat mbeten edhe sot e kësaj dite të nënpërfaqësuara në të gjitha lëmitë e jetës shoqërore. Madje kjo edhe në organet që drejtohen direkt prej ndërkombëtarëve. Ndryshe s’ka, meqë ndërkombëtarët edhe vet (!) janë shumica meshkuj.

Në një vend ku diskriminimi mashkullor është pengesa më e fortë kundër progresit dhe modernitetit, vetdija publike për këtë problem pothuajse s’ekziston fare. Këtu nuk ekziston asnjë ministri, ent a drejtori që do ta bashkërendiste punën e autoriteteve drejt barazisë gjinore. ”Përgjegjësia është e të gjithëve”, thuhet ironikisht: me fjalë tjera, e askujt.

Si pasojë, ato pak vende pune që janë hapur në administratën qendrore e lokale kosovare drejtohen pothuajse ekskluzivisht prej meshkujsh. Drejtueset femra mungojnë gjithandej. Kuptohet, një politikë e drejtuar prej meshkujsh rezoluton natyrshëm në politikë për meshkujt. Gjer tani, asnjë degë e administratës kosovare s’ ka publikuar ndonjë dokument që do t’ia qartësonte ambiciet gjinore as në çështjet elementare siç është p.sh. politika e punësimit.

Nëse politika e administrata është e tillë, atëherë merre me mend, të lutem, se si duken lëmitë tjera të jetës. Në shkollë, piramida femërore ka bazë numerike më të ngushte se ajo e çunave që në shkollën fillore, e ngushtohet drastikisht sa më lart të hypësh. Rrjedhimisht, majat intelektuale të femrës doemos që arrijnë më ulët se ato të mashkullit. Në fakultete mungojnë institutet për hulumtime gjinore. Arsimi kosovar e ndjek rrugën e politikës zyrtare, duke i lënë në baltë femrat.

I njëjti imazh konfirmohet gjithandej. Në banka femrat e kanë shumë më vështirë se meshkujt të nxjerrin kredi. Në treg mezi gjen ndërmarrje që drejtohen prej femrash. Në shtëpi rolet gjinore tradicionale janë të patundshme. Në gjykatore femrat humbasin lëndët shumë më shpesh se burrat. Sipas raportit të fundit të OSBE-së, madje edhe Qendrat për punë sociale (!) kanë anim të fortë gjinor kah burri gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Në një sfond të këtillë, një numër i femrave ambicioze i ka shpallur luftë patriarkatit dhe synon të ndryshojë rrethanat. Mjerisht, femrat aktiviste janë në pakicë drastike. Shumica e femrave të vetdijshme lypin derëdalje tjera më të lehta, e me rezultate më konkrete.

”Unë nuk jam don Kishote”, më thotë Jetmira kur e pyes se a do të votojë sivjet. ”E kam ndërmend ta takoj një ndërkombëtar e të dal jashtë. Sa më shpejt, aq më mirë”.

Jetmira e lë të hapur edhe mundësinë që ta takojë një shqiptar me banim jashtë. Por kjo mundësi është më e vogël, meqë shqiptari s’ndërron lehtë as jashtë. Le që edhe po të ndërroi ai vet, s’i ndërron e ëma, i jati…

”U pa puna, problemet e mia s’i zgjidhin partitë. As lodhet t’i zgjidh UNIK-u. Unë për vete do t’ia jap votën Evropës”, thotë ajo duke qeshur.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË