NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Ikja nga liria

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, besohej se Rusia, e cila tashmë ishte çliruar nga komunizmi, do të merrte një qëndrim të vendosur pro-perëndimor. Kjo nënkuptonte demokratizimin e sistemit politik, njohjen dhe respektimin e të drejtave civile për qytetarët dhe hyrjen në bashkësinë ndërkombëtare. Këto ishin edhe disa nga premtimet e bëra nga presidenti Boris Jelcin, kur morri detyrën. Por pas më shumë se një dhjetëvjeçari nuk ka ndodhur asgjë nga ato që priteshin. Nga ardhja në krye të shtetit e ish-kolonelit të KGB-së Vladimir Putin në vitin 2000, institucionet demokratike në vend janë ngulfatur, liria e individit është kufizuar dhe bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare duket më pak i sigurt se asnjëherë më parë.

Po ku qëndron përgjegjësia? Anketat e opinionit dhe një morri burimesh ofrojnë një përgjigje shumë më komplekse se ç'mund të duket në pamje të parë. Ndonëse masat e marra nga Putini dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ndikuar në gjendjen aktuale të Rusisë, ka një morri faktesh që dëshmojnë se veprimet antidemokratike dhe që cënojnë lirinë, të marra nga adiministrata aktuale, jo vetëm që nuk kanë hasur në kundërshtimet e popullit rus, po përkundrazi mbështeten prej tyre. Bazuar në anketat e opinionit jo më shumë se një në dhjetë rusë është i interesuar për të drejtat e liritë e njeriut.

DÉJÀ VU

Përpara se të shohim se çfarë thonë dhe mendojnë rusët sot është e nevojshme t'i hedhim një vështrim të shkuarës së Rusisë. Pavarësisht imazhit që ekziston për Rusinë si një vend i paparashikueshëm, Rusia në fakt është një vend shumë konservativ, mendësia dhe sjelljet e të cilit ndryshojnë shumë ngadalë, për të mos thënë aspak, pavarësisht se cili është regjimi politik.

75 vjet më parë, 80% e popullsisë ruse jetonte nga bujqësia, në fshatra të mëdha, që mund të vetfinancoheshin. Në atë kohë vendi kishte vetëm dy qytete të mëdha, Rusinë dhe Shën Petërsburgun, një pjesë e madhe e popullsisë së të cilave përbëhej nga popullsi fshatare e vendosur në qytet. Në një shoqëri fshatare si ajo ruse, kohezioni social, që shoqëritë perëndimore e merrnin për të mirqënë, ishte shumë pak i pranishëm. Rusia më shumë se një shoqëri i ngjasonte një bashkësie prej dhjetëra mijëra vendbanimesh fshatare. Edhe ndjenja kombëtare ishte pak e zhvilluar, me përjashtim të periudhave kur vendi sulmohej apo pushtohej nga fuqi të huaja. Deri vonë fshatarët rusë më shumë e identifikonin veten si të krishterë ortodoksë se si rusë. Qeveria cariste e para 1917, e cila ndëshkonte çdo përpjekje të individëve për t'u përfshirë në çështjet politike, ishte një forcë kontrolluese: Qeveria në fjalë mblidhte taksat, grumbullonte ushtarë, por në shkëmbim nuk i jepte asgjë qytetarëve. Deri në vitin 1861 shumica dërrmuese e popullsisë ruse ishte bujkrobe dhe e varur nga shteti apo pronarët e mëdhenj të tokës. Bujkrobërit sipas ligjit mund të rriheshin, të dëboheshin, të dërgoheshin ushtarë, por ligji nuk u jepte të drejtën të ankoheshin për keqtrajtimet. Të drejtat e njeriut ishin një nocion plotësisht i huaj për ta.

Konceptet e pronës private dhe sistemit të drejtësisë ishin shumë të pazhvilluara, dhe hynë relativisht vonë në shoqërinë ruse, madje edhe kur hynë ndodhi në formën më të keqe. Derisa në Angli pronësia mbi tokën ishte diçka normale që në shekullin e 13-të, në Rusinë raciste gjitçka i përkiste kurorës mbretërore, deri në mesin e shekullit të 18-të, kur mbreti ia shpërndau një pjesë të tokës fisnikërisë. Pjesa më e madhe e fshatarëve jetonin në bashkësi, dhe toka iu shpërndahej për përdorim sipas numrit të anëtarëve të familjes. Vetëm një numër i vogël zotëronin tokën si pronë e tyre. Një sistem gjyqësor efektiv në Rusi nisi vetëm pas 1864. Por edhe atëherë ato që cilësoheshin si krime politike nuk trajtoheshin nga gjykatat, por gjykoheshin në mënyrë arbitrare përmes proçedurave administrative. Të gjithë këta faktorë, mungesa e një kohezioni social dhe kombëtar, padija rreth të drejtave civile, mungesa e nocionit real mbi pronën private dhe një sistem joefikas juridik, bënë që rusët të dëshironin rendin e fortë carist. Me pak mardhënie sociale rusët mbështeteshin tek shteti për t'u mbrojtur nga njëri-tjetri. Ata i donin sunduesit e tyre të fortë dhe të ashpër, epitete që të dyja i shihnin tek Car Ivani i IV. Përvoja i ka mësuar rusët që të lidhin pushtetin e dobët, e këtu fusin dhe demokracinë, me mungesën e ligjit dhe anarkinë.

E tillë është dhe trashëgimia kulturore ruse, çfarë i bën rusët edhe në kohët moderne, popullin më pak të socializuar dhe më pak të politizuar në kontinentin evropian. Dy herë brenda një shekulli, më 1917 dhe më 1991, rusët kanë parë shpërbërjen e qeverisë së tyre brenda natës, por njerëzit dukeshin plotësisht indiferent ndaj fatit të tyre. Në të dyja rastet rusët dukej se e justifikonin rënien e qeverive, pasi në sytë e tyre ato nuk ishin të ashpra sa duhet.

MOSPRANIMI I TË DREJTAVE

Disponimin aktual të rusëve e tregojnë më së miri anketat e opinionit. Sipas këtyre anketave rusët e sotëm simpatizojnë paraardhësit e tyre dhe e ndiejnë të huaj shtetin. Lidhjet e tyre lidhen me familjarët dhe miqtë e ngushtë, derisa nuk ndjejnë ndonjë lidhje të posaçame me komunitetin më të gjerë. Tek rusët mungon në një shkallë të gjerë besimi ndaj të huajve dhe veçanërisht ndaj qytetërimit perëndimor. 35% e rusëve e identifikojnë atdheun me vendin ku kanë lindur, derisa vetëm 19% quajnë atdhe shtetin në të cilin jetojnë. Krahasuar me vendet e tjera si SHBA-të, Suedinë, Britaninë e Gjermaninë qytetarët rusë nuk besojnë aspak tek shteti, derisa amerikanët dhe suedezët kanë shkallën më të lartë të besimit. Demokracia në sytë e rusëve është vetëm një mashtrim i madh, derisa politikën ruse e shohin si një fushë të privatizuar nga klane të fuqishme. 73% e rusëve e shohin demokracinë si një mbulesë që i shërben qeverisë për të kontrolluar klikat e pasura ekonomikisht. Të pyetur nëse zgjedhjet shumëpartiake ndihmojnë apo dëmtojnë, 52% e rusëve thonë se më shumë shkaktojnë dëme. Shumica e rusëve është e kënaqur të jetojë në një sistem njëpartiak. Forcimi i të drejtave dhe lirive të njeriut nuk paraqet interes të veçantë për qytetarët rusë. 88% e rusëve janë të gatshëm të japin lirinë në shkëmbim të rregullit, derisa 11 % janë të gatshëm ta japin lirinë e tyre individuale në shkëmbim të asgjëje. Për rusët është i huaj koncepti se liria dhe rregulli janë gjëra që shkojnë bashkë. 76% e rusëve mbështesin kufizimin e lirisë së shtypit. Aleksandër Jakovlelv, një nga autorët e Perestrojkës dhe personalitet në Rusi ka vëzhguar se asnjë nga partitë që morrën pjesë në zgjedhjet e 2003 nuk përdorën në slloganet e tyre fjalën liri.

ME DY MENDJE

Imazhi që rusët kanë për vetveten është kontradiktor. Nëse i pyet se si ndihen ata fillojnë të flasin me krenari për rusët dhe Rusinë, duke kujtuar "historinë dramatike, kulturën e pasur, miqësinë, ndershmërinë, ndjeshmërinë dhe qetësine". Rusët veçanërisht kanë dëshirë të flasin për fitoren në Luftën e Dytë Botërore dhe faktin se kanë qenë të parët në eksplorimin e hapësirës. Madje ata besojnë se kanë aftësi të pakrahasushme me popujt e tjerë të botës për të lidhur dhe mbajtur miqësi.

Por ky imazh ndryshon në mënyrë dramatike kur kërkon nga rusët të flasin për veten krahasuar me popujt e tjerë. Bazuar në anketat e opinionit rusët vuajnë nga një shkallë e lartë inferioriteti, madje ata kanë nivelin më të ulët të vetvlerësimit krahasuar me pesë shtete të tjera që përfshinte studimi në fjalë. Ky fakt të çon në shpjegime të besueshme lidhur me një morri dukurish në politikën aktuale ruse. Rusia pasi humbi identitetin e vet kombëtar pas 1991, tashmë përpiqet të krijojë një identitet të ri bazuar në carizmin, komunizmin dhe stalinizmin. Fakti që njerëzit e identifikojnë veten me një qeveri të fortë, është në qendër të këtyre përpjekjeve. Dhe një qeveri e fortë në konceptin e tyre do të thotë fuqi ushtarake, të cilën të huajt e respektojnë apo thjesht i tremben. Ende shumë rusë e shohin veten të rrethuar nga të çmendur. Dy të tretat e rusëve të anketuar i përgjigjen pozitivisht pyetjes a ka Rusia armiq, duke renditur në mesin e tyre rrethet industriale financiare, SHBA-të, NATO-n, oligarkët rusë, demokratët dhe ekstremistët islamistë. Njohësit e Rusisë thonë se ky vend ka nevojë për armiq si e vetmja mënyrë mbi të cilën ngrejnë identitetin kombëtar, derisa vetë rusët pohojnë se ideali i lirisë nuk mund të krijojë një bazë të nevojshme psikologjike për këtë identitet. Për të frustruar armiqtë e saj imagjinativ 78% e rusëve këmbëngulin se Rusia duhet të jetë fuqi e madhe. Pjesa më e madhe e nostalgjisë që kanë rusët për kohën e Bashkimit Sovjetik lidhet me faktin se në atë kohë Rusia njihej si fuqi botërore, status që e ka humbur aktualisht. 48% e rusëve të pyetur se si dëshirojnë që vendi i tyre të perceptohet nga vendet e tjera përgjigjen se duan të shihet si fuqi botërore e pashkatërrueshme. Vetëm 6% duan që vendi i tyre të perceptohet si vend i zhvilluar e arsimuar dhe vetëm 1% duan që të huajt ta shohin Rusinë si demokraci dhe shtet ligjor.
Pyetjes se si do reagonin në një grusht të mundshëm shteti nga komunistët 23 për qind e tyre do ta mbështesinin, 19% do bashkëpunonin, 27% do përpiqeshin të mbijetonin, 16% do emigronin dhe vet m 10% do bënin rezistencë.
Kjo shpjegon edhe faktin se rusët nuk e duan perëndimin, madje 56% e tyre thonë se kurrë nuk janë ndier evropianë.

NJERIU I POPULLIT

Rezultatet e anketave të opinionit në Rusi nuk janë aspak inkurajuese, megjithatë ato dëshmojnë se politika e ndjekur nga Vladimir Putini mbështetet në një shkallë të gjerë nga njerëzit. Mbështetja e tyre vjen nga fakti se ai po e kthen Rusinë në një shtet një partiak e të centralizuar, ashtu siç është modeli rus për shtetin e fortë.

E vetmja dëshirë që Putini nuk ia ka përmbushur ende rusëve është statusi i një fuqie ushtarake botërore për Rusinë.

Marrë dhe përshtatur nga revista amerikane “Foreign affairs”


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË