NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Legjitimiteti dhe multietniciteti

Vetëm shteti i legjitimuar është garancë për shoqëri multietnike

Skicë për një studim hulumtues

Shkruan: Salihe SALIHU-Abazi, politologe

Një ndër temat më aktuale në Kosovën e pasluftës është ajo lidhur me multietnicitetin. Njëkohësisht ky është edhe një ndër pretendimet më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Ky objektiv nuk është aspak i lehtë në një vend si Kosova, e cila ende i ka të freskëta plagët e luftës. E megjithatë, duhet ecur përpara, drejt Perëndimit euro-atlantik. Prandaj, shtrohet pyetja: si mund të ndërtohet një shoqëri multietnike dhe çfarë mjete kërkohen për të realizuar këtë përcaktim politik?

Përgjegjia këtu nuk synon mbështjen apo kundër-shtimin e vetë konceptit si të tillë, domethënë konceptit për shoqëri multietnike, apo politikën ndërkombëtare për plotësimin e standarteve parase të legjitimohet shteti. Qëllimi është që të shihet ky standard politik me një vështrim të shkurtër nga aspekti historiko-teorik për të parë se si është sëndërtuar gjetiu koncepti i shoqërisë multietnike dhe për të konstatuar se si do të mund të sendërtohet multietniciteti edhe në Kosovë.

Ideja e shoqërisë multietnike

Ideja e parashtruar për shoqëri mutlitetnike në Kosovë është marrë si mostër nga vendet demokratike, disa prej të cilave janë deklaruar si shtete mulitietnike. Por mostra e huazuar nga këto vende duket jo pragmatike për Kosovën. Shkaqet e mosrezultateve në aplikimin e kësaj mostre janë të shumta. Një ndër to është se ekziston një distinkcion radikal në mes atyre vendeve që kanë aplikuar idenë për shoqërinë multietnike dhe rrethanave të përgjithshme kosovare ku synohet përshtatja dhe aplikimi i saj. Si një nga dallimet më fundamentale është se shteti i Kosovës nuk është ende legjitim, dhe këtu qëndron një ndër sfidat më të mëdha me të cilat Kosova po përballet.

Mostra e multietnicitetit është e sjellur nga vendet që gëzonin legjitimitet. Kjo do me thënë se në fundament të sëndërtimit të kësaj ideje qëndron legjitimiteti, domethënë shteti i njohur ndërkombëtarisht. Pikërisht nga segmenti i legjitimitetit duhet të shikohet procesi i filluar në Kosovë, nga që parakusht për të krijuar kondita të volitshme për të vazhduar aplikimin e mostrës multietnike është pikërisht legjitimiteti. Si hap i parë për implementimin e një ndërmarrjeje kaq serioze sikurse është multietniciteti është që të ekzistojë kredibiliteti i shtetit, që nga nënshtetasit të rritet mirëbesim ndaj shtetit - gjë që nënkupton se mund të dakordohen të gjithë, institucionet dhe qytetarët, që të përballen me vështirësitë si dhe defektet e parashi-kueshme apo të paparashikushme që mund të ndodhin gjatë etablimit të shoqërisë multietnike.

Pra, le t'i rikthehemi pyetjes se si mund të aplikohet ideja për një shoqëri multietnike dhe çfarë mjete apo parakushte kërkon ky proces? Si kusht paraprak dhe princip bazë për etablimin e një shoqëri multietnike është legjitimiteti i shtetit, nga i cili përcaktohet procesi i integrimit i të gjithë qytetarëve në këtë shtet. Dhe pikërisht ky integrimi të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, në shoqëri është objektiva e standardit për shoqëri multietnike: përmes interakcioneve të grupeve të ndryshme etnike arrinë të balancojë raportet mes tyre.

Vetëm shteti legjitim mund të krijojë raporte të reja me nënshtetasit

Nga praktikat e deritashme ku është jetësuar koncepti multietnik vetëkuptohet se çështja e legjitimitetit duhet të jetë e zgjidhur dhe e etabluar e më pas të parashtrohen disa kritere të tjera të domosdoshme për këtë shoqëri. Kriter i parë për këtë proces është integrimi, por çështja është se si duhet të fillojë rrugën e sendërtimit ky kriter. Ndër nevojat primare për këtë është raporti i shtetit me nënshtetasin - të drejtat por edhe obligimet që kërkohen për të shtruar rrugën drejt integrimit.

Nga kjo mund të konstatohet se vetëm shteti i legjitimuar mund të kërkojë aplikimin e objektivave nga nënshtetasit e vet. Kur shteti të gëzojë këtë të drejtë, atëherë dhe vetëm atëherë ai obligohet dhe duhet të zotohet për hapjen e perspektivave për të gjithë. Në kuadër të kësaj hulumtohen mënyrat dhe kërkohen drejtimet se si dhe nga mundet shteti të përfitojë dhe të bënë realizimin e planeve në të tashmen dhe të ardhmen. Në këtë mënyrë, duke u shtruar si proces ardhmërie nga shteti legjitim do të shtoheshin përpjekjet, si një shtytje më e favorshme për procesin integrues, nga të gjithë nënshtetasit pavarësisht cilit grup etnik i përkasin.

Ligjet e vlefshme për të gjithë nënshtetasit

Në rast se shtetit i mungon bërthama kryesore e fuqisë, siç është legjitimiteti, atëherë çfarë roli mund të luajë shteti në proceset për integrimin e nënshtetasëve? Roli dhe autoriteti i shtetit mund të kërkohet kur shteti ka legjitimitet. Nga një njohje e këtij legjitimiteti shtohet reliabiliteti i shtetit për të ardhmen, sidomos kur është fjala për shoqëri multietnike apo për integrimin e grupeve të ndryshme etnike në një shtet. Kur shteti është legjitim atëherë ekziston bazë që të respektohen edhe vendimet e tij, të respektohen ligjet e vendit. Përmes këtyre ligjeve, të vlefshme dhe obliguese për të gjithë pa dallim, mund të evitohet çdo hezitim që shkaktohet si rezultat i interesave të ndryshme, si nga grupet etnike ashtu edhe nga tendencat e ndryshme që tentojnë ta devijojnë etablimin në praktikë të çdo vizioni e ideje të shoqërisë multietnike. Ky është, njëherit, edhe fundamenti për domosdosh-mërinë e legjitimitetit të shtetit. Kosovës i nevojitet legjitimtet shtetëror. Me ndihmën e legjitimitetit shteti, Kosova do të kishteautoritetindhe besueshmërinë te qytetarët që të mund të caktojë direktivat për të ecë përpara në procese. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se shteti i cili ka legjitimitet posedon edhe mjetet për ngritjen, kultivimin dhe mbrojtjen e shoqërisë multietnike.

Shteti kërkon nga nënshtetasit përgjegjësi dhe participim

Si komponente në kuadër të legjitimitetit përfshihen dy principe: njohja dhe pranushmëria e shtetit. Shteti i legjitimuar mundëson udhëheqjen e shoqërisë multietnike nga të gjithë nënshtetasit, nga të gjitha grupet etnike. Përmes kësaj shteti fiton pushtetin për udhëheqje dhe mund të furnizohet me fuqinë për të vendosur rend dhe mirëkuptim në mes grupeve etnike duke pas gjithëherë parasysh realizimin e objektivës së shtruar për mbrojtjen e të gjithë nënshtetasve dhe hapjen e ofertave për progres.

Pra, realizimi i këtij projekti kërkon substancë përmbajtësore, legjitimitet, që të mund të jetësohet plani apo objektiva e paraparë. Për objektiva të determinuara caktohen regulla të cilat përpunohen nga shteti legjitim. Një gjë e tillë është e domosdoshme edhe për projektin e shoqërisë multietnike, e cila si pjesë përbërse ka procesin e integrimit. Legjitimiteti është mekanizmi më i fuqishëm për shtetin, pa të cilin as procesi integrues nuk mund të realizohet - ngase legjitimitetit i shtetit është bazë për çdo zhvillim shoqëror. Njohja e këtij principi është themeli në të cilin mundet të përpilohen projekte e të përcaktohen objektiva, sepse kur legjitimiteti ekziston atëherë mund të priten rezultate për punët dhe obligimet e caktuara e në rast të kundërt mund të kërkohet edhe përgjegjësi.

Will Kymlicka, në librin e vet ”Multicultural Citizenship. A Liberal Theory of Minority Rights” , potencon se të gjitha shtetet të paktën presin dhe shtrojnë një kusht minimal për nënshtetasit sipas të cilit kërkohet që nënshtetasi të mbajë përgjegjësi dhe të participojë në shoqëri.   Kjo do të thotë që nënshtetasit të jenë të vetëdijshëm për qëndrimet ndaj vendit.

Dimensioni social dhe psikik i çdo procesi

Legjitimiteti i shtetit duhet shikuar edhe nga dy dimensione tjera, nga ai social dhe ai psikik, të cilat drejpërsëdrejti kanë ndikim në shoqërizimin e nënshte-tasëve. Në dimensionin e parë, atë social, çështja e interesit për zhvillimin e shteti është prioritare dhe për këtë caktohen obligime për çdo organ kompetent i cili ka për detyrë t'i implementojë vendimet dhe mban përgjegjësi të plotë për to. Ndërsa nga dimensioni tjetër, ai psikik, obligimet për implementimin e tyre bëhen pjesë e veprimtarisë së përditshme të vetë nënshtetasëve dhe në këtë mënyrë kjo formë e veprimtarisë depërton edhe në psikiken e nënshtetasëve të cilët bëjnë planifikime dhe shohin të ardhmen e tyre brenda mundësive dhe pranojnë ofertat që janë në kornizën shtetërore. Kjo është mënyra nga e cila shteti mund ta shtrijë veprimin e vet drejtpërdrejtë në interes të vendit tij dhe nga kjo bazë mund ta orientojë vendin në transformime dhe formacione ekonomiko-shoqërore që janë në leverdi të vendit dhe të nënshtetasve të tij.

Duhet të kuptohet nga të gjithë se vetëm kur shteti është i legjitimuar ka të drejtë për nxjerrjen e direktivave ndaj nënshtetasve të vet dhe nuk lë vend për ndonjë ndasi për shkak të përkatësisë etnike. Por në të njejtën kohë ky legjitimitet e obligon shtetin për ta vetëdijësuar qytetarët se në çfarë drejtimi duhet të integrohemi dhe në cilat aspekte duhet të integrohemi, si për shembull në ato kulturore, ekonomike, sociale etj.

Është shumë kërkesë racionale nga çdo nënshtetas i cili kërkon detalizim, konkretizim dhe qartësim të procesit të integrimit. Çdo qytetar ka nevojë të dijë se në çfarë drejtimi duhet të integrohet dhe çfarë kërkohet nga ai që ta pranojë këtë integrim. Këto janë ndër nevojat më elementare që ndihmojnë grupin etnik apo cilindo individ që ta kuptoj rëndesinë e këtij procesi dhe me këtë mundet të pranohet ideja e projekti, shoqëria multietnike, si dhe të ndërrmiren hapat për procesin e integrimit në shoqërin multietnike.

Lidhshmëria në mes të këtyre dy dimensioneve, interesi si çështje sociale por edhe veprimtaria e përditshme si mjet për shoqërizimin e nënshtetasve janë të pamohushme për çdo proces shoqëror dhe pikërisht nga ky interaksion ngritet edhe më lart domosdoshmëria e legjitimitetit të shtetit të Kosovës.

Pra, nga një këndvërshtrim i tillë duhet të shikohet legjitimitetit dhe roli i shtetit. Legjitimiteti duhet të sendërtohet sa më parë që të jetë e mundur me qëllim që të ketë vazhdimësi integruese. Në të kundërtën, mund të ketë shumë difuzion dhe të shkaktohet trazira për çdo situatë të krijuar, siç ndodhi në mars të këtij viti.

Multietniciteti dhe integrimi

Sa na mëson historia e vendeve tashmë të shpalluara multietnike si për shembull Kanadaja, Australia e Suedia nuk mundet të supozohet një shoqëri multietnike apo të fillohet me procesin e integrimit në rast se mungon principi bazë me të cilën forcohet shteti për të ushtruar ndikimin e vet dhe për të ndërmarrë masa ndaj personave që i shkelin ligjet e shoqërisë multietnike. Legjitimiteti është mekanizmi më i fuqishëm për shtetin.

Përgjegjësi për procesin e integrimit mund të bartë shteti legjitim dhe pushteti i tij i pranuar. Në këtë mënyrë mund të bashkohen të gjitha forcat kundër devijimeve eventuale apo ndonjë tendence destabilizues. Kësisoji fuqizohet shteti dhe ka mundësi për t'i orientuar veprimet e nënshtetasve me qëllim që ta ruajnë suvranitetin e shoqërisë multietnike.

Një shtet multietnik mund të krijohet kur të gjitha interesat e grupeve etnike shkrihen në interes të këtij shteti për të cilin angazhohen të gjithë pjestarët e saj. Kjo nënkupton njëherit që në këtë shtet të legjitimuar krijohet një lojalitet në mes të nënshtetasit dhe shtetit, pra forcohet besimi i nënshtetasit ndaj shtetit. Përveç kësaj, legjitimiteti i shtetit është i domosdoshëm ngase secili nënshtetas obligohet të kontribuojë për të ardhmen e shtetit të vet dhe shikuar nga ky këndvështrim bëhet ndarja e detyrave në mënyrë proporcionale me potencialin përkatës në mes të të gjitha grupeve që bashkëjetojnë në shoqëri. Në këto suaza mundet shteti i legjitimuar t'i garantojë të gjithë nënshtetasit për të drejta të pacenueshme, por edhe për obligime për ndërtimin dhe ruajtjen e shoqërisë multietnike.

Si mund të etablohet shoqëria multietnike

Për mbrortjen e shoqërisë multietnike si masa pozitive më emergjente llogaritet ruajtja e kufijve politik, gjeografik dhe administrativ. Duke u bazuar në këto masa pozitive mund të përcaktohet një program politik normativ me ndihën e të cilit analizohen mënyrat konstruktive që mund të aplikohen për procesin e integrimit. Përmes këtij programi kultivohet një frymë e re për bashkëjetesë në mes të të gjitha grupeve etnike, të cilat synojnë ta ruajnë dhe forcojnë shoqërinë multietnike. Por kjo mund të arrihet vetëm nga shteti i legjitimuar dhe kjo njëherit indikon se pa njohjen e shtetit nuk mund të shkohet me sukses përpara, përkundër pretendimeve. Sepse në rrethana të mungesës së legjitimitetit siç është rasti në Kosovë, mund të përjetohet procesi si i imponuar, i diktuar, i dhunshëm e i njëanshëm etj.

Nëpërmes formulës së shtetit legjitim mund të etablohet shoqëria multietnike dhe nga zbërthimi i kësaj formule mund shikohet e tërë ngecja në Kosovë. Duhet të bëhet e qartë se faza integruese mirëfilli mund të fillojë kur shteti është i plotëfuqishëm, domethënë ka legjitimitet, dhe ndërmerrë masa që të mobilizojë forcat nga të gjitha grupet etnike brenda një territori të dhënë për ta ndërtuar shoqërinë multietnike.

Shoqëria multietnike mund të etablohet vetëm kur janë të skicuara, nga shteti legjitim, drejtimet dhe të qartësohen orientimet se në cilën fushë mund të integrohen grupet etnike apo individët. Kjo kërkesë është një ndër më elementaret për etablimin e një shoqërie multietnike, ngase në perspektivë etnike përmblidhen interesat e përbash-këta dhe përpilohen strategjitë politike për një proces integrues i cili duhet të jetë në dobi të të gjithë nënshtetasëve. Kur kornizat e shtetit janë të vendosura dhe të legjitimuara, atëherë brenda kornizave të saj mund të bëhen plane afatshkurtëra dhe afatgjata me qëllim që të sigurohet, përforcohet dhe të jetësohet objektiva për një shoqëri multietinike.

Rasti i Kosovës

Rasti i Kosovës është një sprovë e veçantë, ku pretendohet të ndryshohen standartet e deritashme për etablimin e shoqërisë multietnike, dhe mu për këtë edhe po shfaqën probleme nga më të ndryshmet dhe vështirësi serioze. Pikërisht mungesa e legjitimitetit të shtetit është një ndër konsekuencat më të rrezikshme për shoqërinë kosovare ngase mbetet një vakuum që secili grup etnik tenton ta shfrytëzojë ekskluzivisht për interesat e veta. Kjo dukuri është përçarëse dhe shkakton zvarritje për unifikim të interesave të përbashkëta. Përfshirja e të gjitha grupeve në shtetin legjitim i eliminon mundësitë për spekulime apo infiltrime nga kundërshtarët e shoqërisë multietnike. Në rastin konkret, legjitimiteti i shtetit të Kosovës i bën të ndryshojë edhe qëndrimet e kundër-shtarve të cilët e refuzojnë shoqërinë multietnike.

Legjitimiteti i shtetit të Kosovës është çelësi kryesor i formulës, nga e cila mund të vazhdohet ndërtimi i shoqërisë. Përmes legjitimitetit, Kosova dhe pushteti i saj vendor mundet, në radhë të parë, të fitojë kredibilitetin tek nënshtetasit e vet. Shkëmbimi i kredibilitetit dhe lojalitetit në mes të shtetit dhe të nënshtetasve është rruga e vetme për një bashkëpunim në mes të të gjitha grupeve etnike, të cilat synojnë të bashkëjetojnë në kuadër të shtetit. Prandaj, kërkohet domosdoshmërisht legjitimititeti i shtetit të Kosovës sa më parë si imperativ i kohës, që të mund të realizohet çdo lloj progresi i mirëfilltë, e në këtë kontekst edhe ideja për shoqërinë multietninke. Përndryshe, sipas bindjes sime, pa legjitimitetin e shtetit të Kosovës, përkundër dëshirës, do të mbetet iluzive shoqëria multietnike dhe objektivi i përcaktuar edhe si standard do të mbetet vetëm shprehje e dëshirës për etablimin e shoqërisë multietnike kosovare si për bashkësinë ndërkombëtare ashtu edhe për kosovarët.

Autorja është magjistre e politologjisë pranë Universitetit në Lund, Suedi


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 24.10.2004 5:44
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË