NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
EDITORIAL VITI VI - 21 TETOR 2004

Pas Humnerës së Gjëgjanit, pyetjet trokasin në derë

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Është një shenj i kohës që humbja më e madhe e jetëve këtyre viteve të fundit ndodhi në një aksident trafiku. Vdekja e një të riu në lulen e rinisë është përherë një tragjedi. Pësimi i 15 të rinjve përnjëherë në Humnerën e Gjëgjanit jashtë Fushë Arrëzit është tragjedi e 15-fishtë.

Revista PASQYRA bashkëndjen me familjarët e të aksidentuarve. Ky është çasti i tyre i zorit, koha e dhembjes dhe e pikëllimit të tyre më të thellë.

Doket shqiptare ta imponojnë të mbahesh stoik para vdekjes. Thuase ky popull, që është djegur e përcëlluar sa e sa herë në flakët e historisë, ka mësuar filozofi prej Senekës a Mark Aurelit dora vet. Por në fatkeqësira si kjo, nuk është lehtë të përmbahesh. Në xhaminë e Malishevës janë larë kufomat e fëmijëve, vëllezërve, motrave, që këtë botë e lanë papritur mu kur duhej ta nisin jetën. Në dhe prehen xhenazet e djemve dhe vajzave, që mund të ishin bërë shkrimtarë, mjekë, advoketër, kompozitorë, mekanikë, bujq, mësues, aktorë a lojtarë të mirë. Malisheva e Kosova, të vogla e pa krah në botë, kishin nevojë për ta; shqipëria anembanë kishte nevojë për ta.

Aq më prekëse kjo humbje, kur dihet sa ç’gjëmë ka provuar Malisheva e tërë Drenica vetëm pak vjet më parë. Këta të rinj, që u plandosën drejt vdekjes në humnerat e Pukës, qenë ndër ata që mbijetuan dhunën e serbit. Ata qenë ngushëllimi i familjeve të tyre. Ngushëllimi i vetëm, le të shtojmë: mjerisht, për faqe të zezë të tërë Kosovës, Malisheva e tërë Drenica kanë mbetur zonat më të varfëra të shqipërisë, pothuajse të harruara nga pushtetarët, të cilët hypën në pushtet falë tyre.

Tradita e lashtë i ngushëllon familjarët me miq e dashamirë. Ata vërtet s’ta heqin dot, por mbase ta zbusin sado pak, dhembjen e pikëllimin. E në Malishevën e tronditur, ku qendrat mjekësore pas kumtit të zi u mbushën me familjarë, miku i mirë është gjetur gjithmonë në ditë të vështirë. Në shkollën e të ndjerëve s’ka reshtur rendi i vizitorëve, që kanë lënë lulëkuqe në karriket e zbrazëta të nxënësve.

Kur të mbarojnë rreshtat e vizitorëve në gjimnazin e Malishevës, kur të mbarojë edhe kjo e pame, kur drenicakët krenarë t’i mbyllin dyert e ta mëshelin dhembjen në gjokset e veta, do të na duhet t’ia shtrojmë vetes ca pyetje. Ato mund të fillojnë lirisht prej së poshti. Mua personalisht, e sigurisht edhe familjarëve të viktimave, do të më interesojë p.sh. të di nëse automjetet në këtë aksident e kishin të kryer kontrollin teknik. Nëse jo, ahere kush e mban athua përgjegjësinë juridike për lëshime të këtij lloji.

Po njëherit, do të doja të di edhe për përgjegjësinë e pushtetarëve në këtë mes. Aksioni i kërkim-shpëtimit u bën nder planuesve e zbatuesve, por s’e çliron askë prej përgjegjësisë eventuale. E pra, kjo përgjegjësi s’mbaron me një konstatim të thatë se kush e ngau makinën shpejt në çastin e aksidentit. Ka pyetje tjera këtu që trokasin në derë.

Athua sa fonde janë derdhur gjer sot për në malësinë e gegërisë? E sa më sakt për rrugë, për ndreqje, zgjerim, sinjalim, e patrullim të tyre me polici rrugore? Dhe ku kanë vajtur këto fonde, gjersa kalamajtë po na plandosen ende nëpër gremina?

Dhe së fundi, sa për krahasim: sa janë shpenzuar për modernizim të bulevardeve tjetërkah? Ku është më e rëndësishme të derdhen fondet, në projekte që shërbejnë për t’u fryrë krerët tanë, apo atje ku po na vdesin fëmijët?

Malësorët thonë, që gjendja e rrugëve të tyre do të ishte fort më e mirë po të trafikoheshin ato rregullisht nga kalamajtë e Fatos Nanos. Aq më tepër arsye, pra, për të mos i harruar këto pyetje si fantazma në Humnerën e Gjëgjanit. Në vende tjera, një tragjedi si kjo do të rezultonte urgjentisht në një komision hetimor nën madhorinë e parlamentit.

Se si më duket që bart një amanet ky ogur që i rrëmbeu nxënësit drenicakë më 14 tetor. Nxënës shqiptarë nga treva më e braktisur e Kosovës, mbaruan kepave të greminës në trevën më të braktisur të Shqipërisë. Unë s’do habitesha fare nëse gjejmë fakte, që mu kjo braktisje e dyfishtë ka luajtur gishtin, për t’i vrarë aty ku i vrau, çunat e gocat tona.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË