NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

"Një natë e paharrueshme" – me Luçiano Pavarotin

Albert BISAKU, Deutsche Welle

Ylli i muzikës klasike, tenori Luçiano Pavaroti e ka paralajmëruar fundin e karriereë së tij artistike. „Një natë e paharrueshme“ - kështu titullohet projekti, me të cilin tenori i famshëm në shenjë falënderimi ka vendosur të realizojë turneun e fundit, atë lamtumirës në qendrat më të njohura në botë. Këtë radhë ndarja e tij nga publiku gjerman ndodhi në qytetin e Hamburgut.
Afër 10.000 adhurues të muzikës klasike në stadiumin e tenisit, Center Court – Rothenbaum e kanë përshëndetur dhe duartrokitur furishëm idolin e tyre në koncertin lamtumirës.

"
Jam i bindur se në fund të vitit 2005 do të pensionohem. Pejzat e zërit tim kanë filluar të ndiejnë lodhje. Me koncertet e planifikuara dua të argetojë dhe falënderojë adhuruesit për mbështetjen që më bënë gjatë karrierës sime“, është shprehur tenori, i cili në katër dekadat e fundit me zërin e tij fascinues u dallua për suksesin e arritur në skenën e operës.

Maestro Pavaroti para adhuruesve të muzikës klasike u prezentua me disa arie operistike, të cilat tenori me dashuri i ka interpretuar gjatë karrieres së tij të suksesshme. Në program ishin veprat e komponistëve italian si Tosti, Belini, Verdi dhe Puçini. Në skenën e fundit të aktit të parë „Boeme“ të Puçinit, që trajton historinë e një dashurie tragjike, si dhe atë „Miku Fric“, Pavaroti këndoi në duet me sopranon Karmela Remigio, talente kjo e cila u zbulua nga tenori para disa viteve në një garë konkurrimi në Filadelfia të SHBA-ve.

Edhe shoqëruesi i tij, pianisti dhe dirigjenti Leone Magiera, i cili me tenorin ka një miqësi të afërt që nga koha e studimeve, tregoi formë të shkëlqyer, ndërsa Filharmonia Koncertale e Budapestit dëshmoi profesionalitetin dhe mjeshtërinë e veçantë në ekzekutimit e veglava.

Tek Pavaroti në 60 minutëshin e parë të interpretimit vërehëj një lodhje, e cila e kishte kapluar artistin. Mbështetur me gjysmën e peshës në piano dhe i padisponuar, ai kohë pas kohe fshinte djersët me një shami të bardhë që mbante në dorën e majtë. Në pjesën e dytë të programit, Pavaroti me disa minuta vonesë e ka fituar formën e dëshiruar. Ikona e operës në vazhdim bëri një paraqitje të mrekullushme, duke treguar cilësinë e zërit dhe tonet e qëlluara.

Tenori më i popullarizuar në historinë e muzikës klasike me zërin e tij fascinues, i cili dallohet edhe për personalitetin e tij të veçantë e ka entuziazmuar publikun sidomos në minutat e fundit të koncertit, kur ai pos „Toska“ dhe „Boeme“, interpretoi edhe tri vepra të tjera jashtë programit.
„Gratë i duan shumë tenoret, sepse zëri i tenorëve ndikon në mendjen e tyre“ është shprehur me humor Pavaroti. Në shenjë falendërimi ndaj gjinisë së bukur ai këndoi „Granadën“, pastaj për fund „O sole mio“ dhe këngën argëtuese të mirëpritur „La Traviada“ të Xhuzepe Verdit.

Gjatë qëndrimit të tij katër ditor në njërën nga suitat e hotelit „Le Royal Meridien“ buzë liqenit të qytetit verior gjerman, maestro Pavaroti rëndësi të veçantë i kushtoi ushqimit dhe veshjes. Për përgatitjen e pastave italiane ai me vete kishte sjellur një kuzhinë dizajne të markës „Emocion“ nga Siemens.

Ylli i muzikës klasike nga Modena, në konferencën për shtyp para koncertit u paraqit me një shall shumëngjyrësh me lule, të hedhur mbi supe, që është shndërruar në simbol identifikues për tenorin. Edhe pse i shtyrë në moshë dhe me peshë të shtuar, legjenda Pavaroti ka premtuar se do të jap maksimumin në turneun lamtumirës, të cilin ka planifikuar ta vazhdojë në Evropë, Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe SHBA.
„Do të jap maksimumin tim. Në turenun falënderues do të këndojë me dashuri dhe përkushtim ariet më të bukura operistike, si dhe këngët më të dëgjuara napolitane“, është shprehur miti i muzikës klasike.

Nuk është vetëm pesha prej më se 160 kilogram ajo që e bënë Pavarotin të dallohet nga të tjerët. Paraqitjet koncertale nuk janë vetëm një argëtim për të, por një profit i madh material. Albumet e tij kudo në botë janë bestseller i vërtet. Shkelja e skenave më të njohura operistike, si në „Skalën“ milaneze, „Operën Shtetërore“ të Vjenës, por edhe ato përtej oqeanit e kanë zhytur Pavarotin në një det të madh parash. Pasuria e tij llogaritet të kalojë shumën prej 250 milionë euro.

Luçiano Pavaroti, i cili dallohet edhe për angazhimet humanitare, bashkë me miqtë e tij para disa viteve i ka ndihmuar edhe fëmijët kosovarë. Fituesi i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare ka paralajmeruar se me 12 tetor të vitit të ardhshëm kur edhe feston 70 vjetorin e lindjes të përfundojë karrierën e tij të sukssesshme në koncerte dhe t’i kthehet jetës private. Sigurisht se për praninë dhe ngrohtësinë e tij veçanërisht do të gëzohen bashkëshortja Nikoleta Mantovani dhe vajza e tyre një vjeçare, Alise.

Për maestron publiku në Hamburg dhuroi lule, duartrokiti gjatë, derisa dritat e neonit ndriçonin në shenjë falënderimi, duke emocionuar Pavarotin në misionin e tij lamtumirës. Për të stacioni i ardhshëm është Nju Xhersi në SHBA. Të shpresojmë se për adhuruesit e muzikës klasike koncertet e fundit të Pavarotit të jetojnë gjatë në kujtesën e tyre.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË