NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Valesa:
"Bashkimi Evropian është intelekti, truri, shpirti qendror"

Interviste me fituesin i çmimit Nobel për Paqe në vitin 1983, polaku Leh Valesa.

Intervistoi: Albert BISAKU

Ndër figurat simbolike më të dalluara gjatë shkatërrimit të komunizmit në Evropën Lindore është edhe ish-presidenti polak, Leh Valesa (Lech Walesa). „E kam pasur për detyrë dhe obligim moral ta luftojë atë sistem“, thotë 61 vjeçari Valesa, i cili në vitet e 80-ta në Poloni kishte themeluar sindikatën e punëtoreve „Solidarnosc“, e cila pas rënies së diktaturës u shndërrua në organizatë të fuqishme politike në vend. Sot, partia e tij ështe nën hijen e vetvetës dhe thuajse e ka humbur çdo kuptim politik. Edhe për kundër rënies politike, 61 vjeçari me profesionin e elektricistit shpreson të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Në intervistën në vijim Valesa flet për rrugën e mundimshme drejt demokracisë dhe partneritetin që gëzojnë vendet anëtare në Bashkimin Evropian.




Z. Valesa, politikanët evropianë janë shprehur se ndër figurat simbolike që kontribuan për rrënimin e komunizmit në Evropen Lindore jeni edhe ju. A e keni menduar se një ditë Evropa do të jetë e bashkuar dhe popujt evropianë do të jetojnë në liri, paqe dhe harmoni me njëri tjetrin?

Valesa: Kjo ka qenë edhe dëshirë e ime në atë kohë. Në një kantier detar kishim hyrë në ditën e dytë të grevës. Në atë kohë jam shprehur se në politikën dhe shoqërinë tonë duhet të ndodhin ndryshime. Pra kam kërkuar të vijë një sistem tjetër. Kjo ishte në shtator të vitit 1980.

Një tjetër sistem! Si e paramendonit ju këtë?

Valesa: Në vitet e 80-ta, evropianët ishin dëshpëruar nga komunizmi - prej tyre edhe shumë komunistë. Aty e kam vërejtur se komunizmi kishte shpenzuar çdo mundësi veprimi dhe rrënjët e tij çdo ditë e më shumë lëkundeshin. Por, askush prej nesh nuk ia kishte idenë si mund të luftohej ky sistem. Atëherë ndodhi e papritura. Polaku Karol Vojtyla, Papa Gjon Pali i II-të u emërua në krye të Kishës Katolike. Përnjëherë e gjithë Evropa i drejtoi sytë drejt nesh. Këtu e tutje filloi lëvizja popullore që për qëllim kishte rrënimin e një sistemi totalitar dhe krijimin e një fryme të re politike dhe një shoqërie demokratike. Në fillim ishim një grup i vogël punëtorësh që na erdhi për dore të demonstrojmë. Nga kjo lëvizje lindi sindikata e parë në Bllokun e Lindjes, e cila u bë e njohur me emrin e soldaritetit - „Solidarnosc“.

Një lëvizje e cila i parapriu organizimeve tjera qytetare në Evropën Lindore dhe Juglindore?

Valesa: Po. Ne nga „Solidarnosci“ e kemi rrokullisur gurin së pari, i kemi mënjanuar barrierat. Pas kësaj pasuan rënia e Murit të Berlinit, revolucioni çek, përmbysja e diktaturave në Rumani, Hungari, Shqipëri dhe në vendet tjera, të cilat ishin të izoluara nga bota moderne.

Kështu filloi rënia e një diktature 50 vjeçare?

Valesa: Komunizmi humbi sepse për shekullin e 21-të nuk përputhej me kohën, pra ishte një sistem, të cilit i kishte kaluar koha. Për hirë të kësaj ne nuk dëshironim reforma, por kërkonim anulimin, zhdukjen e këtij sistemi.

z. Valesa, ndër figurat që kontribuan në këtë drejtim veçoni edhe Papën. Cili ka qenë roli i Atit të Shenjtë në përmbysjen e këtij sistemi?

Valesa: Një pyetje shumë me vend. Komunizmit një ditë do t’i vinte fundi. Politikanët perëndimorë ishin të ngopur me izolimin që iu bëhej vendeve fqinje, por askush nuk ia kishte idenë si mund të luftohej ky sistem. Në atë kohë unë kam komunikuar me presidentë, kryeministra dhe kancelarë të vendeve tjera. Me disa prej tyre jam takuar fshehurazi. Që të mos biem në sy të shërbimit sekret rus, shpesh herë jemi veshur me mantela të gjata. Kjo ishte në fillim të viteve të 80-ta. Në bisedë me ta unë jam shprehur se do ta shkatërrojmë komunizmin, ndërsa askush prej tyre nuk më besonte në lidhje me këtë. Asnjë nga këta politikanë nuk mund ta paramendonte se ne kësaj do t’ia arrinim. Në Poloni, në fillim ishte vetëm një grup shumë i vogël, i cili ishte i bindur se koha e këtij sistemi kishte përfunduar, të tjerët kishin frikë të flisnin në lidhje me këtë. Tash vjen historia me Papën. Ati i Shenjtë, pas emërimit të tij në kreun e kishës katolike, gjatë vizitës që i bëri vendlindjes, në një fjalim iu drejtua besimtarëve me fjalët: „Mos keni frikë, vazhdojeni misionin sepse do t’ia arrini qëllimit tuaj“. Pikërisht ishte bekimi i tij që solli çdo ndryshim. Pas vizitës së Papës, brenda një viti vetëm në Poloni më se 40 milionë qytetarë shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit. Po të mos ishte Papa do të kalonin edhe 20 vite dhe unë nuk do të arrija ta bëja këtë, por do të mbesja aty ku isha, pra me 10 vetë. Papa ka një meritë të veçantë edhe për arritjen e paqes në botë. Më vonë pasoi strategjia dhe ne i organizuam grevat, demonstratat, protestat, si dhe bisedimet. Nëse më lejohet të shprehëm në shifra, kush sa ka kontribuar në shkatërrimin e sistemit komunist, atëherë themë: 50 për qind Papa, 30 për qind „Solidarnosc“ dhe Leh Valesa. Pjesën tjetër e kanë siguruar Helmut Kol, Mihail Gorbaçov dhe ish-presidenti amerikan, i ndjeri Ronald Regan.

Gorbaçovi! A e ekzistonte frika se procesi mund të deshtojë dhe ky regjim mund të kthehej sërish?

Valesa: Në fillim frika ishte shumë e madhe. Çdo lëvizje, ndryshim dhe vendim duhej bërë me kujdes. Gorbaçovi nuk kishte për qëllim shkatërrimin e komunizmit, ai angazhohej për një reformim të këtij sistemi. Kjo ishte e padrejtë dhe ne e dinim mirë se ky sistem nuk kishte asgjë të mirë që ia vlente të bëhej reforma me të. Me këtë Gorbaçovi pa dashur ka luajtur një rol pozitiv. Nëse ideja e tij për reformimin e komunizmit do të fitonte, atëherë proceset që ne kishim filluar do të ktheheshin mbrapshtë. Ky proces u bë i pakthyeshëm pasi Jelcini shpalli pavarësinë e Rusisë nga Bashkimi Sovjetik. Nëse Jelcini nuk do të ndërmerrte një vendim të tillë, sigurisht se Kolin dhe mua do të na detyronin ta rindërtojmë edhe një herë Murin e Berlinit.

Dëshirë e juaj e kahmotshme ka qenë bashkimi i shteteve evropiane në një familje të madhe, ku do të mbretërojë paqeja dhe liria. Kjo duket se është në rrugë të drejtë.
Polonia bashkë me nëntë vende tjera që nga 1 Maji i këtij viti janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Sot, 25 shtete me kulturë, gjuhë dhe tradita të ndryshme jetojnë së bashku. Si e përshkruani këtë hap historik?

Valesa: Madhështore! Nëse i hedhim një sy të kaluarës dhe i analizojmë humbjet, të cilat i kemi pësuar deri tash, atëherë padyshim se është një gëzim i papërshkrueshëm. Perëndimi duke ia pasur frikën komunizmit ka zhvilluar një strategji politike konstante ndaj vendeve të dala nga diktatura. Këto vende edhe pas shkatërrimit të sistemit totalitar kanë pasur vështirësi të mëdha bashkëpunimi me fqinjët e tyre më të avancuar përëndimorë. Këta të fundit në vend se t’iu ofrojnë diqka të ngjajshme si Plani Marshall, shfrytëzuan potencialin e sistemit pas komunizmit. Kështu që as ne nuk kemi marrë sa duhet mbështetje në rimëkëmbjen e vendeve dhe as përëndimi nuk ka përfituar diqka të veçantë. Pra, të gjithë kemi pësuar humbje. Pas anëtarësimit të vendeve tona në BE, do të krijojmë një filozofi dhe dinamikë të re. Më kuptoni, Bashkimi
Evropian nuk është rruga, as sistemi dhe mënyra e mendimit sipas motos: Gjermania – një bashkim për gjermanët, Franca – një vend vetëm për francezët, Polonia – një union për polakët. Bashkimi Evropian është intelekti, truri, shpirti qendror për të gjithë ne. Kështu duhet vlerësuar secilin qytetar dhe vend evropian. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë BE ka vetëm humbje. Kjo është epoka e konkurrencës, e cila nuk duhet të njohë kriza. Konkurrencë si në sport, dy skuadra ndeshën me njëra tjetrën, por të dyja i kanë rregullat e njëjta dhe një gjyqtar të përbashkët.

Ç`i sjell vendi juaj Bashkimit Evropian?

Valesa:40 milionë njerëz, një shoqëri të ngritur dhe të arsimuar, një kulturë të veçantë dhe përvojë shumëvjeçare, të cilën edhe përkundër pushtimit gjerman dhe rus kemi arritur ta kultivojmë dhe ruajmë. Kjo eksperiencë kur ndeshet mbyll tentimet keqbërëse dhe fiton atë që është e mirë. Për këtë mendoj se BE-ja duhet të shihet pozitivisht në të gjitha aspektet dhe duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Bashkë me vendet tjera do të kemi një kontinent më të sigurtë. Nuk flas këtu vetëm për marrëveshjet politike, por edhe bashkëpunimet që do të vijnë në të ardhmën si në fushën e ekonomisë, shkencës, kulturës, etj.

Si mund të funksionojnë bashkëpunimet mes „Evropës së Re“ dhe „Evropës se Vjetër“?

Valesa:Dallimet në mes Lindjes dhe Perëndimit janë ende të mëdha. Vendet perëndimore mund të mendojnë në përparësitë dhe përfitimet e tyre brenda një kohë të shkurtër. Kjo nuk i përshtatet epokës sonë. Ndoshta do të kalojnë edhe disa gjenerata, që njerëzimi dhe politika të kuptojnë se popujt dhe kulturat janë të barabarta. Deri para një shekulli shtetet e frymëzuara me nacionalizëm kanë qenë në konflikte për ndarjen e territoreve dhe të kolonive. Në shekullin e XXI-të, betejat zhvillohen krysisht me arritjet ekonomike, përpunimin e informatave, ngritjen e cilësisë së teknologjisë, kompjuterëve, etj. Epoka e zhvillimit të teknikës zgjidh problemet dhe përplasjet tona. Pra periudha e shtetit tradicional shndërrohet në mënyrën e të menduarit globalisht. Ne së bashku ulemi në një tryezë dhe marrim vendime. „Vendet e vjetra“ bëjnë tregti me ne. Ne nga „vendet e reja“ vitet e kaluara kemi arritur të bëjmë shumë ndryshime, si në shoqëri ashtu edhe në politikë. Në këtë aspekt jemi në avantazh në krahasim me strukturën menduese të „të vjetërve“. Nëse të gjithë janë korrekt dhe asnjëri nuk mundohet t’ia heq tjetrit të drejtën e gjykimit, atëherë BE-ja do të funksionojë. Ne duhet të mundohemi të hapim më shumë vende pune dhe të forcojmë kontrollin ndaj korrupsionit. Nëse do të kemi punë, atëherë mund të blejmë edhe prodhime nga vendet perëndimore. Pra të gjithë do të përfitojmë nga kjo. Anëtarësimi në BE është me vlera të pakontesuseshme për të gjithë ne.

Në politikën e jashtme vendet e Bashkimit Evropian u ndanë në dysh sa i përket konfliktit në Irak. Britania e Madhe, Spanja, Italia dhe Polonia i mbështetën pa rezervë Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Në anën tjetër Franca dhe Gjermania e kundërshtuan një angazhim të tillë. Si e komentoni ju këtë?

Valesa: Zgjidhjet e problemeve dhe konflikteve si në rastin e Afganistanit dhe Irakut gjithmonë mund të shkaktojë ndarjen në dysh të shteteve me ndikim. Kjo vlen edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë rast Gjermania dhe Franca nuk e kanë kaluar provimin si fuqi të mëdha pasi nuk kanë arritur të realizojnë një marrëveshje të përbashkët me vendet e vjetra dhe ato të reja anëtare të Bashkimit Evropian në lidhje me konfliktin në Irak. Ka qenë më se i domosdoshëm një vendim i përbashkët i vendeve anëtare në lidhje me pozicionimin ndaj në Irak. Me këtë dua të them se edhe ne evropianët jemi përgjegjës për epilogun e ngjarjeve atje. Nëse një marrëveshje e tillë do të arrihej, amerikanët sigurisht se do ta merrnin parasysh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si e vetmja superfuqi qe e vendosur ta luftojë terrorizmin dhe ne nga vendet e koalicionit e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim. Paramendojeni se ç`mund të ndodhte, nëse SHBA-të nuk do ta luftonin terrorizmin pas 11 shtatorit? Ndoshta cak i sulmeve terroriste do të ishte Moska si reagim ndaj luftës në Çeçeni, apo Londra, Parisi, Berlini do të vinin në radhë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË