NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 31 DHJETOR 2004

Ekstremisti serb në Tiranë

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit, thotë zakoni. Gjithçka në rregull, sikur zakoni të vlente: sikur shtëpia të qe ende, miku të mos qe armik, e Zoti të mos e kish braktisur nevojtarin. Por kur shtëpia është rrënojë, armiku të kërcënon, e Zoti të harron, ahere tradita e lashtë zakonore të lë disi në baltë.

Si kosovar e bir albanologu, i brymosur prej fëmijërisë me traditën, jam mësuar t'i marr me rezervë disa nga nenet e saj. Ja p.sh. kjo vizita e bujshme e Vuk Drashkoviçit, Ministër i jashtëm serb, në Tiranë, e para e këtij lloji në historinë e dy vendeve. Shqiptarët do ta presin mikun me bukë e krypë, pa qoftë ai edhe gjakës. Më optimistët ndër ne trumpetuan, pa aterruar zt. Drashkoviç ende në aeroport, se ky na qenka një fillim i ri.

Dora në zemër, këtu ka njëmend diçka të re. Shqiptarët kanë bërë aty-këtu vizita te Vëllai i Madh në Beograd; kujtoni Esat Pashën, Zogun dhe Enverin. Por serbët s'kanë denjuar gjer sot asnjëherë të shpiejnë në Tiranë një titullar kaq të lartë.

Por a ishte kjo ardhje e mikut të mirë, apo trokitje e rrezikut? Zemra e ngrohtë, mendja e ftohtë, thotë populli. Zt Drashkoviç dhe shteti që ai përfaqëson kanë ende shumë rrugë për të bërë që të quhen miq të shqiptarëve.

Vizituesi i tha pa ngurruar fjalët që priteshin prej tij. Frymë e fqinjësisë së mirë. Bashkërendim i luftës kundër krimit. Bashkëpunim ekonomik e politik. Fjalët Demush. Por punët kurrkush - e ky është problemi nr 1, si këtë herë, si përherë, i Serbisë në raport me shqiptarët.

Punët e mira vijnë ngadalë, do të thoni ju. E vërtetë. Mirëpo, dita e mirë shihet në mëngjes. E zt Drashkoviç dhe kolegët e tij në Beograd kanë gdhirë mëngjese të panumërta duke sharë e luftuar shqiptarët, si në kohën e Millosheviçit, njësoj edhe pas tij.

Shqiptarëve s'besoj se duhet t'u kujtosh që zt. Drashkoviç e startoi karrierën e vet politike duke u kërcënuar botërisht në media se do t'ua priste dy gishtat e fitores fëmijëve shqiptarë. Ditëve që pasuan pas kërcënimit, çetnikët e tij zunë t'i prejnë në parqet e Prishtinës edhe pemët që kishin formën e V-së! -Të njëjtët çetnikë, pra, që morën pjesë aktive më vonë në masakrat e pamëshirshme kundër joserbëve në Kroaci, Bosnje e Kosovë. Është i njëjti Drashkoviç që, në kohën e Luftës Çlirimtare në Kosovë, nga posti i ministrit të Millosheviçit, u kërkonte perëndimorëve në CNN e në BBC që t'i ndërprejnë sulmet kundër Serbisë, se s'ia vlente të luftonin për "shqiptarët primitivë".

Dikush do të thotë që punët kanë ndërruar në Beograd qysh atëhere. Ndoshta ka ndërruar edhe zt. Drashkoviç...

Le të mos e gënjejë mendja askënd. Ballkani ka ujq që e ndërrojnë qimen. Si dhe ka Drashkoviçë, që as qimen s'e ndërrojnë. Apo s'e kultivon zt. Drashkoviç ende atë imazhin e vjetër mjekërrosh, për të cilin ka thënë publikisht se e mban "në frymën e traditës çetnike"?

Ndoshta dikush do t'ia falte imazhin ministrit serb, sikur të ndërronte mendjen. Fundja qimja s'kafshon, qoftë ajo edhe e ujkut, po dhëmbët. Mirëpo zt. Drashkoviç vazhdon t'i mpreh dhëmbët e vet, e të politikës serbe, pikërisht për shqiptarët.

Gjatë tërë periudhës pas Millosheviçit, zt Drashkoviç është shquar si lider i rrymës nacionaliste në politikën serbe, që kërkon riokupim të Kosovës e copëtim administrativ të saj, si mjete për ta ndërruar atje raportin demografik mes serbëve e shqiptarëve. Shule shqip: shporrjen e shqiptarëve, e rikolonizimin e Kosovës me serbë. Ai ka marrë pjesë aktive në orkestrimin e luftës ekonomike kundër Kosovës, e është ndër krerët e politikës së jashtme serbe rreth Kosovës. -Nuk është fare e rastit, pra, pse mu Drashkoviçit, që flet anglisht më dobët se tërë politikanët serbë, iu dha posti i ndjeshëm i Ministrit të Jashtëm!

Tani së fundi, mu në javën që do të vinte në Tiranë, Partia e Përtërirjes Serbe e udhëhequr prej zt Drashkoviç arriti të ngre në parlamentin serb një ligj, me të cilin barabarësohen ligjërisht luftëtarët partizanë nga LDB, që luftuan nën Titon, me çetnikët mjekërroshë të Drazha Mihailloviçit. Çetnikëve do t'u paguhen pensione të veteranëve, e do t'u ngritet një përmendore në të njëjtin vend ku Titua u ngriti përmendore partizanëve më 1948. Çetnikët e rinj të Drashkoviçit, pra, që sundojnë në pushtet, po i pajisin me pensione e përmendore çetnikët e vjetër, një ditë para se të vijë kreu i tyre për vizitë në Tiranë!

Nuk është që Drashkoviçi s'e di se çfarë hatash kanë bërë çetnikët kundër joserbëve në Ballkan gjatë LDB. Ai e di fort mirë, që çetikët vranë pamëshirshëm mijëra shqiptarë, përfshirë këtu edhe foshnjet në djep. Ai e di fort mirë që Serbia, në vjeshtën 1942, u bë shteti i parë në Evropën e pushtuar prej nazistëve që u shpall "Judefrei", i pastruar prej hebrenjve. Shqipëria, ku numri i hebrenjve gjatë LDB u shumëfishua falë ikanakëve prej Serbisë, mund t'ia kujtonte këto, po t'i kish harruar. Po puna ështe se zt Drashkoviç s'i ka harruar ato: përkundrazi, ai i njeh mirë e i çmon ato vepra - ndryshe s'do t'i shpallte heronj kriminelët e vjetër.

Detajet makabre s'mbarojnë atje. Mu në orën që zt Drashkoviç aterroi në Tiranë, gjeneralshtabi i ushtrisë serbe zgjodhi të kumtonte se do të shpiente përforcime të reja në Luginën e Preshevës, zonë kjo e mbetur brenda Serbisë ku shqiptarët janë shumicë dërmuese. Ca më vonë, në kohën kur zt Drashkoviç po nisej prej aeroportit drejt qytetit të Tiranës, dy batalione serbe me pajisje të rënda, nga përbërja e "Korpusit të Kosovës" (quhet ende ashtu!), kishin nisur rrugën drejt qyteteve shqiptare Preshevë, Medvegjë e Bujan. Citoj ministrin serb të mbrojtjes, Pravosllav Darviniç: "Jo për luftë, se situata është e qëndrueshme, po për parapengim!" -Apo për t'u dhënë të kuptojnë të dy palëve në terren, si serbëve, ashtu edhe shqiptarëve, se asgjë s'ka ndërruar, e se gjithçka do të vazhdojë me të vjetrën.

Në Kosovë, sipas ndërkombëtarëve, ka ende ca 100 000 shqiptarë (!) që kanë mbetur rrugëve të botës, meqë serbët u kanë zënë a rrënuar shtëpitë nëpër enklavat e tyre. Por mendja më thotë se zt Drashkoviç s'erdhi në Tiranë për ta diskutuar problemin e tyre.


Ndonëse OSBE-ja ka konstatuar se minoritarët serbë janë të privilegjuar ekonomikisht e në rrafshin social, zt Drashkoviç s'pushon së enduri gjithandej nëpër botë për ta pmbpo zt. Drashkoviç vazhdon t'i mprërrallosur "holokaustin shqiptar kundër serbëve të martirizuar", që, sipas tij, po ndodh përditë (!) në Kosovë. Në qoftë zt Drashkoviç ai i moçmi, e unë jam i bindur se është, këtë përrallë do t'ua ketë rrëfyer edhe mikpritësve të vet shqiptarë.

Ahere pse e mori vallë zt Drashkoviç mundin të vijë në Tiranë, kur s'ka asgjë të re te serbët?

Arsyet janë dy. E para është ekonomia. Serbia, ku banorët sot kanë të ardhura për kokë banori ndjeshëm më të ulëta se në Shqipëri, kërkon dorështrirë kredi nga bota. Meqë bota u ka kushtëzuar kreditë, duke kërkuar bashkëpunim me gjykatën e Hagës dhe me fqinjët, Beogradi orvatet si e si të shtiret sikur po bën diçka, mundësisht sa më "historike", pa pasur nevojë të bëjë asgjë konkrete. E pra, ku ka më "historike" e më jodetyruese, se sa një vizitë e Drashkoviçit në Tiranë?

E dyta, Kosova. Zt Drashkoviç, që e njeh urrejtjen e fortë të kosovarëve kundër Beogradit, është bërë propagues i një ideje "të re" të nacionalistëve serbë, sipas të cilës Beogradi më kollaj do të dakordohet me Tiranën, se sa me Prishtinën, rreth Kosovës. Po ata serbë, pra, që dikur shpienin divizione në kufirin shqiptar për ta trembur Tiranën sa më larg Kosovës, hetojnë sot nëse do të kishin përfitim nga një ndërhyrje e Tiranës.

Dy zogj me një gur, pra. Por jo zogj për gojën shqiptare, po për atë serbe.

Ec e thuaj, pastaj, se pleqtë s'dinin më mirë se ne... Apo s'e thotë tradita, që me të pabesin besë nuk ka?

Zt Drashkoviç vërtet denjoi të vinte në Tiranë. Por ai nuk është miku i mirë i zakonit. Përderisa shtëpitë shqiptare të mbeten gërmadha, e Beogradi të luftojë ethshëm interesat e shqiptarëve, ne s'kemi pse të shpresojnë në mrekullira të Zotit. Miqve të tillë duhet thënë ashtu si i thonë kosovarët mikut ngucakeq: "Mirë se erdhe, e edhe më mirë se shkove. Herën tjetër ndoshta për të mirë!"


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË