NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 31 DHJETOR 2004

LDK e radikalët, humbës në zgjedhjet kosovare

Shkruan: Xhafer SHATRI

Sa për fillim

Të zgjedhësh dhe të zgjidhesh lirisht, kjo është njëra prej pamjeve më konkrete të Lirisë. Të votojmë do të thotë të kemi një spektër subjektesh politike, njërit prej të cilëve me votën tonë, ia japim një mandat për të vepruar e marrë vendime edhe në emrin tonë.
Të jemi të zgjedhur do të thotë të jemi ti, unë ose ai tjetri pjesëtar i një subjekti, i cili njërit prej nesh i ka besuar një mision përfaqësimi dhe ky mision mund të përligjet nëse me vota të lira na jepet një mandat, në emër të të cilit ndonjëri prej nesh merr vendime apo ngre probleme nga më të ndryshmet në parlament ose në institucione të tjera. Njëherësh duhen pasur gjithnjë parasysh interesat e zgjedhësve, që me votën e tyre jo vetëm japin besimin, por edhe detyrimin që ta respektojmë vullnetin e tyre.
Populli i Kosovës, për herë të parë në historinë e vet, mundi të organizojë zgjedhje të lira vetëm pas ndjekjes së shtetit serb dhe strukturave të tij nga vendi.

Që në krye duhet thënë se përkundër mungesës së plotë të një tradite zgjedhore demokratike në Kosovë, të gjitha zgjedhjet janë zhvilluar në një ambient normal, pa tendosje, pa incidente për t’u përmendur, natyrisht nëse në këtë rast lëmë anash ngjarjen tragjike me kryetarin e komunës së Therandës, Ukë Bytyqin, e cila megjithatë ishte një rastësi e dhimbshme. Natyrisht merita kryesore i takon një vetëdijeje kolektive politike të kosovarëve, që buron nga vuajtjet e tyre të shumta nën pushtimin serb, por edhe falë prezencës së faktorit të fuqishëm ndërkombëtar këtu.

1. Pasqyra e ndikimit të partive shqiptare nëpër komuna

Meqë ky punim më tepër mëton t’i japë lexuesit një pasqyrë të ndikimit që kanë partitë politike në vend në përgjithësi dhe në komuna në veçanti se sa të merret me analizat sociologjike të vetë elektoratit, po japim më poshtë ngritje-rëniet e subjekteve tona kryesore nëpër komuna.

Deçan

Në këtë komunë ka rënie të pjesëmarrësve në zgjedhje në raport me numrin e elektoratit. LDK-ja mbetet një subjekt me një numër të qëndrueshëm votuesish që arrin në rreth 10'000 veta.
AAK-ja ka ruajtur numrin e votuesve të saj, që arrijnë në rreth 7000 mbështetës.
PDK-ja ka ndikim të papërfillshëm në Deçan, vetëm me rreth 700 votues.

Gjakovë

LDK-ja ka humbur elektoratin e saj në mënyrë të konsiderueshme. Në vitin 2000 ajo kishte rreth 25 mijë votues, 4 vjet më vonë, 10 mijë më pak.
PDK-ja ka humbur gjithashtu elektoratin në këtë qytet, por humbje të thellë ka pësuar edhe AAK-ja. Në raport me zgjedhjet e fundit qendrore, kjo parti ka humbur rreth 2 mijë votues.
Këtu bën një çarje substanciale partia Ora, e cila me 6’731 votues, bëhet subjekti i tretë me peshë në qytet. Po qe se analizojmë vetëm numrat, pra pa hyrë në atë se a është fjala për votues të rinj, apo për votues të zhgënjyer, megjithatë më e besueshme duket se Ora votuesit e saj i ka «huazuar» kryesisht nga LDK dhe AAK. Në Gjakovë ka shënuar rritje edhe PSHDK-ja, e cila numrin e votuesve të saj nga 3’938 në vitin 2’000 e ka rritur në 5’468 në vitin 2004.
Ndërkaq partia lokale Unioni Demokratik në raport me numrin e votuesve në zgjedhjet komunale të vitit 2002, ka humbur të thuash ¾ e votuesve.

Gllogoc

PDK-ja mbetet forca politike dominuese në këtë komunë, duke pasur një elektorat të qëndrueshëm. LDK-ja ka humbur ndikimin, por AAK-ja ka rritur numrin e votuesve, nga 120 në zgjedhjet e vitit 2000, tash së fundi kishte 1’676 votues.

Gjilan

LDK-ja, edhe pse forca kryesore politike në komunë, megjithatë ka humbur mbi 20% të votuesve, ndërkaq PDK-ja dhe AAK-ja e kanë ruajtur madje edhe rritur numrin e zgjedhësve të vet. Lëvizja Ora, tashmë e shndërruar në parti, edhe këtu ka bërë një depërtim të konsiderueshëm: 7.43 të pjesëmarrësve në votime ia kanë falur besimin subjektit më të ri të Kosovës.

Sharr (Dragash)

Që të tri subjektet kryesore të Kosovës në këtë komunë kanë humbur votuesit e tyre, edhe pse në mes zgjedhjeve të para të lira (në vitin 2000) dhe këtyre të fundit elektorati është rritur për një të tretën. Në këtë rast shihet se elektorati është orientuar drejt partive politike të minoriteteve.

Istog (Burim)

Kjo komunë vazhdon të mbetet bastion i fuqishëm i LDK-së me numër të palëkundshëm votuesish. Edhe të dy subjektet e tjera, PDK-ja dhe AAK-ja kanë treguar stabilitet për sa u përket votuesve të vet, por me ndikim të vogël në numrin e përgjithshëm, përkatësisht 16.67 e 9.19%.
Nga partitë e vogla Partia Liberale ka rritur ndikimin në raport me zgjedhjet e para për dy herë: në vitin 2000 kishte 83 votues, ndërkaq në vitin 2004, 188.
PREK-u, nga 149 votues sa kishte në vitin 2002, 2 vjet më vonë bie në vetëm 26.

Kaçanik

Të tre subjektet kryesore të vendit në këtë komunë kanë ruajtur numrin e votuesve: LDK rreth 39%, PDK mbi 50%, AAK rreth 5%. Edhe pse numri i elektoratit është rritur për gati 7'000 votues të rinj, numri i pjesëmarrësve në zgjedhje ka mbetur i njëjtë.

Klinë

LDK ka humbur rreth 2'000 votues, PDK dhe AAK kanë ruajtur numrin e votuesve. Ndërkaq numrin e votuesve e ka rritur me një të tretën, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme PSHDK-ja. Kjo rritje mund të shpjegohet me numrin e konsiderueshëm të votuesve me besim katolik në këtë komunë.

Fushë-Kosovë

LDK-ja ka ruajtur numrin e votuesve, PDK-ja e ka rritur numrin e tyre, ndërkaq Aleanca ka humbur rreth 1/3 e votuesve.

Dardanë (Kamenicë)

LDK-ja ka humbur rreth 2000 votues, por megjithatë mbetet forca kryesore politike në komunë. Edhe PDK-ja ka humbur një pjesë të elektoratit. Ndërkaq AAK-ja brenda 4 vitesh ka dyfishuar ndikimin e saj në këtë komunë.

Mitrovicë

LDK-ja ka humbur rreth 5000 votues. Kjo humbje është më e thellë nëse llogaritet rritja e konsiderueshme e elektoratit: në vitin 2000 kishte 44’802 votues, ndërkaq 4 vjet më vonë 67’486.
Ndërsa PDK-ja e ka rritur dukshëm ndikim në këtë komunë.
Si duket edhe në Mitrovicë, LDK-ja i ka “huazuar” Lëvizjes Ora mbi 10% të votuesve të saj. Them kështu nga që edhe pse numri i elektoratit është rritur në Mitrovicë, megjithatë numri i atyre që kanë votuar është zvogëluar nga 32’362, më 2000 në 30’969 në vitin 2004.
Aleanca gjithashtu e ka rritur ndikim e saj për 1/3 e votuesve.

Lypjan

LDK-ja dhe PDK-ja kanë ruajtur numrin e votuesve, ndërkaq AAK-ja ka humbur gjysmën e tyre.
Në Artanë, Novobërdë, numri i votuesve mbetet gjithnjë i papërfillshëm.

Kastriot (Obiliç)

LDK-ja e PDK-ja kanë ruajtur numrin e votuesve, ndërkaq AAK ka humbur 1/3 e tyre.

Rahovec

LDK-ja dhe AAK-ja kanë humbur nga 1/3 e votuesve; e para rreth 5000 votues, ndërsa e dyta mbi 1000. PDK-ja ka ruajtur të paprekur numrin e votuesve.

Pejë

LDK-ja ka humbur rreth 8’000 votues, një pjesë e mirë e të cilëve, si duket qytetarët e vjetër janë përcaktuar për subjektin e ri Ora, përkatësisht 4'661 votues. Edhe PDK-ja ka humbur një pjesë të elektoratit, ndërkaq AAK-ja, ka ruajtur numrin e votuesve në raport me zgjedhjet e para të lira.

Podujevë

LDK-ja mbetet subjekti kryesor në komunë me një tendencë rënieje të votuesve, PDK-ja ka ruajtur ndikimin, ndërka AAK-ja ka humbur 1/3 e votuesve.

Prishtinë

Tri subjektet kryesore kanë humbur një numër të konsiderueshëm votuesish në raport me zgjedhjet e vitit 2000: LDK 15 mijë, PDK 3 mijë, AAK 2000 votues. Këta votues besimin e tyre kryesisht ia kanë falur lëvizjes Ora, e cila në këto zgjedhje pati 11'100 mbështetës.
Në Prishtinë edhe pse numri i elektoratit është rritur për 30 mijë, numri i atyre që kanë votuar ka rënë: në vitin 2000 kishte 83'860 pjesëmarrës, ndërsa 4 vjet më pas, numri i votuesve bie për 5 mijë: 78’752.
Në Prishtinë një humbje të thellë në votues ka pësuar PreK-u, që më 2002 kishte 1’623 votues, ndërsa sivjet 4 herë më pak, vetëm 377 votues.

Prizren

LDK-ja edhe në këtë komunë ka humbur rreth 15'000 votues. Në zgjedhjet e vitit 2000 për LDK-në kanë votuar 36'196 persona, ndërsa 4 vjet më vonë 21'591.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë rritur numrin e votuesve.
Si edhe në qytetet e tjera të mëdha të Kosovës, Ora ka bërë një depërtim të thellë: 5'056 votues, apo 7.9% të elektoratit kanë votuar për të. Një rritje të vogël në këtë qytet ka pasur edhe PSHDK-ja, e cila ka rritur ndikimin e saj për 250 votues.
Në Prizren një humbje të thellë ka pësuar sidomos PNDSH, e cila ka humbur dhjetëfishin e votuesve: Nga 792 persona që kishin votuar për të në vitin 2000, katër vjet më vonë për këtë parti me traditë të vjetër, kishin votuar vetëm 76 veta.

Skënderaj

LDK-ja ka humbur rreth 600 votues ndërsa PDK-ja ka ruajtur numrin e votuesve të saj. Edhe në këtë komunë PreK-u ka humbur pjesën dërrmuese të votuesve. Më 2002 për këtë subjekt kishin votuar 529 persona, ndërkaq më 2004 vetëm 21.

Shtimje

LDK-ja ka ruajtur të paprekur ndikim e saj, ndërka PDK-ja ka rritur numrin e votuesve. AAK-ja ka mbetur me rreth 300 votues.

Therandë

LDK-ja dhe AAK-ja kanë humbur një numër të votuesve, ndërsa PDK-ja e ka rritur numrin e tyre. Subjekt i tretë në këtë komunë mbetet partia më e vjetër politike e Kosovës, LPK-ja, me 960 votues.

Ferizaj

LDK-ja vazhdon të mbetet partia më me ndikim në këtë komunë edhe pse ka pësuar një rënie të vogël të votuesve. Ndikimi i saj ka mbetur i fuqishëm edhe në saj të autoritetit të pakontestueshëm të kryetarit të degës të LDK-së, Adem Salihaj. Ndërkaq PDK-ja ka mbetur me atë elektorat që ka pasur. AAK dhe Ora pothuajse kanë numër të njëjtë votuesish.

Viti

LDK-ja dhe PDK-ja kanë ruajtur numrin e simptaziantëve të tyre, ndërsa AAK ka dyfishuar numrin e votuesve, por një rritje të konsiderueshme ka pasur edhe PSHDK-ja.
Në këtë komunë Partia Liberale e Kosovës ka pësuar rrudhje të elektoratit për 4 herë.

Vushtërri

LDK-ja ka humbur rreth 3000 votues, PDK ka pësuar rritje të vogël në raport me zgjedhjet e vitit 2000, ndërsa AAK ka mbetur me numër të njëjtë të mbështetësve.

Malishevë

Në këtë komunë LDK ka humbur rreth 2 mijë votues, ndërsa PDK e ka shtuar numrin e simpatizuesve të saj po për aq zgjedhës. Meqë numri i votuesve nuk është rritur ndjeshëm, del se Rugova ia ka "huazuar" Thaçit 2000 mbështetës.

*Shih Tabelën nr. 1 ku shihen rezultatet e të gjitha partive shqiptare nëpër komuna

2. Partitë e mëdha

- Gjatë 4 zgjedhjeve të pasluftës elektorati i LDK-së ka pësuar ndryshime të mëdha. Në vitin 2000 për partinë më të madhe të Kosovës kishin votuar 398'872 persona, ndërsa në vitin 2004, 313'437 votues, kështu që ndërkohë ajo ka humbur në krejt Kosovën mbi 85 mijë votues, pra më shumë se 20% të elektoratit.

- Po qe se krahasojmë zgjedhjet e para dhe këto të fundit, PDK në nivel të Kosovës ka shtuar numrin e mbështetësve për 11'291 votues, por nëse i krahasojmë zgjedhjet e vitit 2001 e 2002 me këto të vitit 2004, del se PDK ka humbur rreth 8’000 votues.

- E njëjta gjendje paraqitet edhe me AAK-në. Vlen të përmendet këtu se kur flasim për AAK-në, shifrat nuk mund të merren si të tilla, për arsye se AAK-ja në zgjedhjet e para ka qenë një koalicion i 5 subjekteve, për t’u organizuar më vonë si subjekt i vetëm.

- Edhe pse PDK-ja duket të jetë subjekti politik më stabil për sa i përket numrit të votuesve, megjithatë kjo tregon se në nivel vendi asnjëra nga 3 partitë kryesore nuk ka bërë një hepim sado të vogël përpara. Dhe nuk është çudi, sepse përkundër lëvizjeve të rëndësishme që kanë ndodhur në vend, që të tri partitë kryesore politike kanë drejtuesin e njëjtë dhe po të njëjtën strukturë udhëheqëse.
Me sa shihet strukturat e tyre udhëheqëse, nuk kanë marrë mundimin deri më tash që të analizojnë në mënyrë kritike veprimtarinë e tyre, ndërkohë që brenda këtyre 4 zgjedhjeve elektorati është shtuar për 30%, ndërsa problemet për dhjetë herë.
Nëse në vitin 2000 kishim një korpus elektoral prej 913'179 personash, në vitin 2004 elektorati kishte arritur në 1'412'680 persona me të drejtë vote!
Nëse në vitin 2000 kishte një trend të sforcuar ndihmash të jashtme të të gjitha llojeve, tash ato kanë rënë në një masë të madhe, ndërkohë që numri i të papunëve, me problemet e tjera përcjellëse, është shtuar. Megjithatë, deri më tash opinioni kosovar nuk ka parë të jetë zhvilluar një debat i brendshëm në cilëndo prej partive kryesore për problemet jetike me të cilat përballet vendi. Për me keq në kuadër të tyre nuk është parë asnjë përpjekje për të pasur një administratë dhe në të ekspertë të fushave të ndryshme dhe kuadro të rinj në udhëheqje.
Çështje më vete mbetet lëvizja, tash partia Ora, për të cilën ende nuk dihet se cilën shtresë votuesish ka tërhequr: masën e votuesve të rinj, që ka zëvendësuar shtresën e votuesve të mëparshëm që i kanë thënë politikës por dhe votës „mirupafshim“, apo votuesit e zhgënjyer të tri subjekteve kryesore, në radhë të parë të LDK-së?
Zgjedhjet e ardhshme do ta tregojnë ndoshta nëse lëvizja qytetare Ora ka tërhequr të rinjtë, konkretisht pjesën urbane të brezit të ri, apo vetëm votuesit që i takojnë shtresës së qytetarëve të vjetër, që në Kosovë ndryshe quhen edhe „sheherli“.

**Shih Tabelën nr. 2 ku jipet lëvizja e elektoratit për të gjitha partitë gjatë të gjitha zgjedhjeve

3. Partitë e vogla

Nga partitë e vogla duhet thënë që në fillim se ato që kanë dalë si disidencë e LDK-së, Partia e re e Kosovës e Bujar Bukoshit dhe Alternativa Demokratike e Edita Tahirit, kanë pësuar disfatë të plotë. Një mësim i veçantë do të duhej të jetë fati politik i PreK-u, e cila në zgjedhjet e fundit në krejt Kosovën kishte vetëm 1’568 votues. Ndërkohë që shumë më tepër mori vota kandidati i pavarur, Fuad Ramiqi. Për të votuan 2’265 persona.
Një rritje të qëndrueshme ka pasur Partia e Drejtësisë, e cila gati e ka dyfishuar numrin e mbështetësve. A është fjala këtu për aftësinë e udhëheqjes së saj apo për rritjen e ndikimit real të fesë islame në Kosovë është çështje që duhet analizuar. Në rast se është kjo e fundit në vitet që vijnë pritet se Partia e drejtësisë do ta zgjerojë edhe më tej ndikimin e saj.
Edhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK), përkundër trandjeve të brendshme që ka pasur, sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, megjithatë, pas luftës e ka shtuar dukshëm ndikimin e saj.
Kjo nuk ka ndodhur me Partinë Socialdemokrate të Kosovës (PSDK), partinë e vetme në Kosovë të deklaruar si e majtë, sepse PSDK-ja ka humbur 1/5 e votuesve.

Partia Liberale e Kosovës edhe pse nuk e ka shtuar numrin e mbështetësve në raport me zgjedhjet e vitit 2001, megjithatë kësaj radhe ka arritur ta ketë një deputet në Parlament, kryesisht në saje të rënies së numrit të pjesëmarrësve në votime.

4. Partitë nacionaliste

Partia Nacional Demokratike Shqiptare (PNDSH) dhe Balli Kombëtar (BK) jo vetëm nuk kanë arritur ta ruajnë elektoratin e tyre, por edhe e kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të tij.

5. Partitë radikale

LPK, LKÇK dhe Unikombi janë subjekte që vijnë nga një shtrat i njëjtë politik, nga ilegalja e Kosovës. LKÇK ka pësuar trandje të brendshme, sidomos pas luftës dhe nga sa shihet për pasojë të mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe për mungesë edhe të një shpjegimi më bindës për shkaqet e bojkotimin të tyre ka pësuar edhe shkapërderdhje radhësh.
Ndërkaq LPK në rrafshin elektoral edhe pse ka pasur rezultate modeste, megjithatë ka dëshmuar një qëndrueshmëri ndikimi. Numri i votuesve të saj nuk ka shënuar rënie. Por, kur jemi te Lëvizja Popullore e Kosovës, duhet pasur parasysh se ajo është i vetmi subjekt që pasluftës ka bërë diçka konkrete për vendin e vet. Siç dihet ajo ka filluar lëvizjen e armatosur dhe ka themeluar UÇK-në. Në këtë veprimtari ajo është mbështetur plotësisht nga LKÇK.
LPK pas luftës, edhe pse ka pasur rrëmet të brendshëm, sepse siç dihet nga gjiri i saj ka dalë PDK, megjithatë ka inicuar procese të rëndësishme politike:
- Ka themeluar UÇPMB-në dhe kështu ka faktorizuar popullsinë shqiptare në Kosovën Lindore;
- Ka organizuar kryengritjen e armatosur në Maqedoni dhe ka ndikuar që të mos përçahet faktori politik shqiptar atje;
- Në kohën kur Serbia vazhdon të abuzojë me minoritetin serb në Kosovë dhe të bëjë aneksionin kushtetues të vendit tonë, LPK doli me idenë për Unionin Kosovë-Shqipëri…

Prandaj nëse forca reale e partive politike matet me veprimet e tyre dhe jo me numrin e votuesve, nëse ndikimi e një partie matet me punën që ka bërë e jo me fjalët që ka thënë, atëherë del se LPK mbetet subjekti më me peshë reale në vend.

6. Partitë e pakicave

A. Serbët

Serbët e Kosovës kanë marrë pjesë vetëm në dy palë zgjedhje: në ato qëndrore të vitit 2001 dhe në ato lokale një vit më vonë. Në zgjedhjet e para qendrore kanë pasur një listë të përbashkët elektorale të njohur si Koalicioni Povratak (Kthimi) dhe për të kanë votuar 89'388 zgjedhës, apo 11.34% e krejt trupit elektoral kosovar. Prej tyre 53'447 veta kanë votuar në qendrat zgjedhore në Serbi, 2'871 në Mal të Zi dhe 1'708 me postë, që do të thotë nga mërgimi. Me një fjalë në Kosovë kanë marrë pjesë 31'362 zgjedhës të koalicionit Povratak.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2002 serbët e Kosovës dalin me 23 subjekte dhe 7 kandidatë të pavarur. Në mesin e subjekteve ka parti politike të Serbisë si partia e Koshtunicës (Demokratska stranka Srbije, DSS), partia e Drashkoviçit (Srpski pokret Obnove), Socialdemokracija (SD).
Krahas këtyre ka pasur edhe subjekte krejt lokale si Srpsko Nacionalno Veçe(Këshilli Kombëtar Serb), Gradjanska Inicijativa Gorazdevca(Inisiativa qytetare e Gorazhdevc-it), Osptanak (Mbijetesa), Spas (Shpëtimi) etj. Por subjekti politik serb më i madh mbetet koalicioni Povratak (Kthimi), i cili nga 37'451 zgjedhës serbë që votuan në Kosovë, fitoi 14'311 vota, ndërkohë që ta zëmë për partinë e Koshtunicës patën votuar 8'984 serbë të Kosovës.
Vlen të përmendet se në zgjedhjet e vitit 2002 serbët në Kosovë e rritën korpusin e tyre elektoral për 6000 votues.
Këto zgjedhje dëshmojnë se po qe se nuk do të përzihej Beogradi në punët e brendshme të qytetarëve të Kosovës, atëherë ata do të merrnin pjesë aktivisht në jetën politike dhe në institucionet e vendit. Shih

Shih Tabelën nr. 3.

B. Boshnjakët

Sipas regjistrimit të fundit që mbajtën autoritetet serbe të pushtimit në Kosovë, më 1991 si Muslimanë (boshnjakë) u deklaruan 66'189 persona. Edhe pse nuk është mbajtur ndonjë regjistrim pas luftës në Kosovë, megjithatë nga korpusi elektoral i boshnjakëve shihet se numri i tyre është zvogëluar dukshëm.
Për partitë politike boshnjake në zgjedhjet e para në vitin 2000 votuan 11’279 mbështës. Në zgjedhjet qëndrore të vitit 2001 diçka më shumë: 11’936 votues, ndërsa në dy zgjedhjet e më vonshme ky numër ra për një mijë votues.
Fillimisht subjekte kryesore të boshnjakëve të Kosovës ishin të dy fraksionet e Partisë së Aksionit Demokratik (Boshnjaçka stranka Demokratske Akcije Kosova, BSDAK (Partia Boshnjake e Aksionit Demokratik të Kosovës) dhe Stranka Demokratske Akcije (Partia e Aksionit Demokratik), të cilat para luftës vazhdimisht kanë mbështetur bllokun e partive politike shqiptare dhe kanë marrë pjesë në institucionet legjitime të vendit.
Në zgjedhjet e para lokale BSDAK pati 4'068 mbështës, ndërkaq në zgjedhjet e para qendrore vetëm 2'906. Tre vjet më vonë kjo parti ra në vetëm 1'452 mbështetës. Krahas kësaj partie në skenën politike të Kosovës janë edhe 3 subjekte boshnjake: Koalicioni Vakat (4'972 votues), SDA (2'520 votues), dhe Inisiativa e Prizrenit dhe Dragashit (1'342 votues).

Shih Tabelën nr. 4

Një parti tjetër që identifikohet se subjekt i goranëve është GIG, Nisma qytetare e Gorës për të cilën kanë votuar 1'358 persona.

C. Turqit

Partia Demokratike e Turqve të Kosovës, është subjekti i vetëm i kësaj bashkësie etnike. Më parë turqit e Kosovës kanë pasur disa grupime politike, por ky unifikim partiak është arritur sigurisht në sajëtë ndikimit të mirë që ka pasur kontigjenti ushtarak i Turqisë në Kosovë.
Turqit e Kosovës mund të llogarisin në një korpus elektroal prej rreth 8-9'000 votuesish. Kjo parti pjesën kryesore të korpusit të saj elektoral e ka në Prizren: 6’355 mbështetës.

ç. Romët dhe egjiptianët

Sipas regjistrimit të fundit që ka organizuar Serbia në Kosovë, më 1991 si romë kanë qenë deklaruar 45'745 persona. Mirëpo siç del nga rezultatet e votimeve një numër i konsiderueshëm i kësaj bashkësie etnike e ka lëshuar Kosovën. Dhe kjo mund të lidhet me manipulimin që kanë bërë me disa pjesëtarë të kësaj bashkësie etnike forcat pushtuese serbe.
Sidoqoftë aktualisht në skenë janë dy subjekte të romëve gjegjësisht egjiptianëve të Kosovës:
IRDK (Inisiativa e re Demokratike e Kosovës) me një elektorat të qëndrueshëm dhe me një udhëheqje solide që është imponuar gjatë gjithë fushatës elektorale me ide dhe propozime konkrete. Në zgjedhjet e sivjetme për këtë subjekt kanë votuar 2’658 persona;
IRDK ka mbështetës të saj kryesisht në Gjakovë, Pejë, Istog etj
Subjekt tjetër është PREBK (Partia Rome e Bashkuar e Kosovës), për të cilën në këto zjedhje votuan 1'049 zgjedhës. Kjo parti më së shumti ka mbështetës në Prizren dhe në Pejë.


Shih Tabelën nr. 5

D. Ashkalinjtë

Ashkalinjtë e Kosovës kanë filluar të identifikohen zyrtarisht si bashkësi etnike pas Luftës së fundit. Kjo bashkësi në zgjedhjet e deritashme ka pasur një elektorat prej rreth 3000 personash. Në zgjedhjet e fundit kanë marrë pjesë dy parti: PDAK (Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës) dhe PDASHK (Partia Demokratike e Ashkalinjve Shqiptarë të Kosovës).
Për PDAK kanë votuar 2'655 persona. Kjo parti më së shumti ka mbështetje në Ferizaj dhe Fushë-Kosovë. Në sajë të vendeve plotësuese që u janë dhënë pakicave në parlament, kjo parti ka një deputet.
Ndërkaq, për PDASHK kanë votuar 361 zgjedhës.

Shih Tabelën nr. 6


7. Përfundim

A. Mungesa e debatit

Në të gjitha zgjedhjet te partitë politike shqiptare fjala më e lakuar ka qenë: pavarësia.
Kjo fjalë, që personifikon ëndrrën e kosovarëve për ta përligjur lirinë e tyre, sidomos gjatë fushatava elektorale ka lënë nën hije probleme të vala të shoqërisë tonë, siç janë:
- fati i personave që nuk dihet se ku i kanë varret, familjet e të cilëve kolektivisht janë kthyer në pengje të një ankthi të papërshkrueshëm;
- papunësia katastrofike, që përfshin mbi 80% të të rinjve;
- rritja e numrit të skamnorëve;
- reformat e munguara në sistemin shëndetësor, në atë të arsimit dhe në administratë;
- privatizimi apo lënia përtokë deri në shkatërrim e ndërmarrjeve që përbënin kurrizin e ekonomisë së vendit;
- lënia krejtësisht pasdore e mjediseve rurale dhe vështirësitë e mëdha për ringjalljen e bujqësisë e blegtorisë;
- dëmtimi rëndshëm i hapësirës, konkretisht shkatërrimi i pamëshirshëm i pyjeve;
- shpërfaqja e një strategjie për KEK-un;
- rritja e korrupsionit, shtrirja e krimit të organizuar;
- Mitrovica dhe enklavat, problemet e pakicave etj, etj;

Këto probleme të vala janë mbuluar me retorikë patriotike, të cilës i kanë ndihmuar jo vetëm mediat partiake, por edhe ato të pavarura e publike, para të cilave eksponentët politikë të të gjitha niveleve vazhdojnë të ndihen në një komoditet të plotë, sikur të kishin dalë në korzo, për ta ekspozuar para kalimtarëve, kryesisht të papunë, kostumin apo kravatën e re.
Eshtë vendi të thuhet se RTK si medium publik, duhet të heqë dorë nga përballja e kandidatëve nëpër komuna para një publiku heterogjen dhe në vend të tyre të ketë ekipe gazetarësh profesionistë që mbulojnë fusha të ndryshme dhe të cilët u shtrojnë pyetje konkrete kandidatëve dhe me komentet e tyre penalizojnë me vonë injorantët dhe demagogët e shumtë nga të cilët gëlon skena politike e Kosovës.
Eshtë gjithashtu koha e fundit që mediat publike në radhë të parë RTK, të marrë rolin që i takon, duke e bërë ekranin, veç të tjerash, edhe një podium debati aq të munguar edhe për çështjet më jetike të vendit. RTK duke qenë publik duhet t’ia kthejë gazetarit sovranitetin e domosdoshëm përballë atyre që vendosin për fatin tonë e për çka bashkë me mandatin nga zgjedhësit marrin rroga të majme nga tatimpaguesit.

Duhet nënvizuar dhe njëherë se te partitë politike shqiptare asnjëherë nuk ka pasur debat as të brendshëm e as të “jashtëm” se si do të mund të zgjidhen problemet e serbëve, se cila duhet të jetë politika e Kosovës ndaj Serbisë, se si mund të bashkohet territori i ndarë i Kosovës etj...
Politikanët tanë të të gjitha niveleve asnjëherë nuk janë zënë ngushtë nga ekipe gazetarësh profesionistë, të cilët do të ngulmonin pa droje duke kërkuar përgjigje konkrete në pyetjen themelore për Kosovën sot: Zonjë, Zotëri, si doni ta bëni shtetin ju?
Gazetarët tanë në vend se në mediumet ku punojnë, pakënaqësinë e tyre me ‘fajkojtë’ e ndryshëm të partive e të pushtetit e shprehin në muhabete kafenesh. Askush prej kolegëve tanë nuk ka bërë një reportazh për parkun e makinave të partive, për truprojet, që kanë më ndikim se anëtarët e kryesive, për keqorganizimin e administratave partiake, për sjelljet e pahijshme të atyre që është rrezik të kenë jo pak pushtet mbi ne etj...


B. Komunikimi i ndërsjelltë: parti - media

Asnjëra prej partive të Kosovës nuk ka ekip me përgatitjen më minimale për të komunikuar me publikun. Kur kjo çështje aq e lehtë për t’u zgjidhur dhe aq e rëndësishme për të fituar votat u lihet në dorë sharlatanëve, mund ta marrim me mend se sa pushtet meritojnë të marrin ato parti.

Fundja nga funksionimi i udhëheqjes së një partie mund të shohim se çfarë pushteti dhe institucionesh mund të ndërtojnë sot apo nesër njëra ose tjetra.

Mjerisht, askush nga kolegët tanë nuk ka ngritur si çështje sjelljen e padinjitetshme të funksionarëve partiak apo të zëdhënësave të partive të ndryshme. Në morrinë e këtyre personazheve gazetarët më me ëndje tregojnë "bëmat" e njërës prej tyre, që vonesën e stërzgjatur në takimin me gazetarë e justifikon me tharrjen e flokëve. Të njëjtin personazh kur e pyesin për ndonjë anëtarë kryesie të partisë, me të cilin personazhi apo shefi i tij ka ndonjë problem: përgjigjet janë të tipit: „valla o shku m’e bo shurrën!“
Partia që lejon të flasin në emër të saj protagonistë të tillë paraqet rrezik publik sidomos nëse e merr pushtetin.
Dhe nëse partitë e tilla e marrin pushtetin një përgjegjësi të veçantë kanë dhe mediat.

C. Politikanët

Nga përshjeguesit e programeve partiake në debatet e mërzitshme apo nga aktiviteti i tyre publik përgjithësisht edhe vrojtuesi i rëndomtë ka mundur të dallojë tri shtresa politikanësh:

- përfaqësuesit e atyre që përbëjnë pjesën dërrmuese të Kosovës e që politkën e kanë ritual si çajin e rusit pasdarke. Këto zonja apo këta zotërinj nuk dinë të mendojnë, nuk dinë të flasin, nuk dinë të qeshin dhe çka është më keq nuk dinë, të paktën, të heshtin.

- ata që kanë udhëtuar nëpër fakultete të ndryshme e që kanë marrë edhe tituj të lartë akademikë, por që kënaqen me vetëdijen se janë "intelektual" (Këtu do duhej harruar definicioni i Sartërit për intelektualin dhe iu duhet kthyer kritereve ballkanike që intelektualin e marrin si njeri që di të shkruaj e të lexojë e që krejt informacionin e merr nga gazeta e partisë së vet dhe nëpër kafene e oda.). Në këtë shtresë gëlojnë snobët dhe narcizistët që notojnë në detin e padijes.

- Shtresa e tretë ata që mëtojnë të përfaqësojnë pjesën më urbane të Kosovës dhe këtë krahas sjelljes përpiqen ta bëjnë me dije edhe përmes gjesteve dhe veshjes ekstravagante.
Kjo shtresë e personave publikë boshllëqet e shumta që ka përpiqet t’i mbulojë me një arrogancë të pacipë. Sjellja e tyre, fjalori i tyre, mënyra e komunikimit etj., të bën të mendosh seriozisht se Kosovën realisht po e mbyt provincializmi. Sepse këta zotërinj apo zonja vishen dhe flasin urbanisht, por me mentalitet janë tmerrësisht provincialë.

Natyrisht se ka dhe përjashtime, përjashtime që i gjejmë te të gjitha partitë dhe në të gjitha mjediset, por në sasi tragjikisht të vogël.

Koha do të tregojë se sa do të jenë ato-ata në gjendje t’i ndryshojnë gjërat, aq më parë kur kanë përballë "bjeshkët" e padijes e të papërgjegjësisë dhe një mendësi provinciale krejt dominuese. Shkaqet kësaj të fundit nuk duhet t’i kërkojmë te pushtimi i gjatë, por edhe si arsye e këtij pushtimi e që lidhen me etnopsikologjinë tonë dhe me mungesën e vazhdueshme të elitës.

Në fakt problemi kryesor me të cilin do të përballet Kosova në vitet që vijnë është mungesa e elitës. Sepse, fundja, këmbët kurrë nuk mund të bëhen kokë dhe anasjelltas.

Por kjo është një temë tjetër, një temë e dhimbshme sa dhe përditshmëria jonë, e cila ka aq shumë nevojë për një guxim e ndershmëri qytetare që e nxjerrin kryeproblemin në shesh në mënyrë që Ai të shihet dhe të flitet për të.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË