NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 31 DHJETOR 2004

Ngritja e një udhëheqësi

Shkruan : Iliriana BAJO

U quajt "Fenomeni Obama", pas fjalimit që mbajti në Kuvendin e Demokratëve amerikanë dhe fytyra e re e politikës amerikane. Sipas mediave dhe ekspertëve të politikës Obama ndoshta në dhjetëvjecarin e ardhshëm do jetë kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara.

Barack Obama, afro-amerikan, që sapo i ka kaluar të 40-at është zgjedhur anëtar i Kongresit amerikan në zgjedhjet e 2 nëntorit. Obama ishte një nga pikat e pakta të shpresës për demokratët amerikanë, që jo vetëm humbën zgjedhjet presidenciale, por ulën dhe përfaqësimin e tyre në Kongres përballë republikanëve.

Ndërkaq republikanët, jo pa keqardhje, kanë deklaruar se do të donin ta kishin Obamën pjesë të tyre. Por ish-këshilltari i presidentit Regan deklaroi për mediat se më e rëndësishme se përkatësia partiake e Obamës është fakti se ai është amerikan.

Obama, një nga kritikët e ashpër të presidentit Bush në fushatën presidenciale, vetëm një javë pas zgjedhjes në Kongres, është ftuar nga presidenti George Bush, në një mëngjes pune, për të diskutuar bashkëpunimin mes dy partive në legjislaturën e ardhshme. Obama premtoi bashkëpunim me republikanët në cështjet me interes për Amerikën dhe qytetarët e saj.

Komunikimi e koalicionet janë pjesë normale e politikës edhe kur pozicionet e mbajtësve të tyre duken të papajtueshme. Koalicionet mes grupimeve me qëndrime të ndryshme në momente kthese, në shumicën e rasteve në historinë e kombeve që e duan përparimin, kanë dëshmuar sukses.

OBAMA: " GJENIALITETI I AMERIKËS, BESIMI I NGRITUR NË ËNDËRRAT E THJESHTA, NË FORCËN E MREKULLIVE TË VOGLA"

Fjalimi i mbajtur në Kuvendin e Demokratëve amerikanë

Në emër të shtetit të mrekullueshëm të Illinoisit, këtij udhëkryqi të kombit, tokës së Linkolnit, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë që po i drejtohem këtij Kuvendi. Sonte është një nder i madh për mua, sepse le ta themi hapur, prania e dikujt si unë në këtë podium nuk është dicka e rëndomtë. Im atë ishte një student i huaj, i lindur dhe i rritur në një fshat të vogël në Kenia. Ai u rrit duke kullotur dhitë e duke shkuar në shkollën e fshatit më të afërt. Ati i tij, gjyshi im, ishte guzhinier, që shërbente në familje të ndryshme.

Por gjyshi im kishte ëndrra më të mëdha për birin e tij. Përmes punës dhe suksesit në shkollë im atë fitoi një bursë studimi në vendin magjik të quajtur Amerikë, që qëndronte si pishtar i lirisë dhe mundësive për shumë të tjerë të ardhur më parë në këtë vend. Derisa studionte në Amerikë im atë u njoh me nënën time. Ajo kishte lindur në Kansas, një qytet që i takonte një pjese tjetër të botës, nga ajo që vinte im atë. I ati i saj kishte punuar në ferma thuajse gjatë gjithë kohës së Depresionit të Madh. Një ditë pas Pearl Harbour ai u regjistrua për shërbimin ushtarak dhe marshoi me ushtrinë amerikane nëpër Evropë. Ndërkohë gjyshja ime punonte për të rritur foshnjën e saj, nënën time. Pas lufte ata vazhduan studimet, blenë shtëpi dhe lëvizën në perëndim të vednit, në kërkim të mundësive më të mira.

Edhe ata të dy kishin ëndrra të mëdha për bijën e tyre, një ëndërr e përbashkët lindur në dy kontitente. Prindërit e mi nuk ndanin vetëm një dashuri të madhe me njëri-tjetrin por dhe një besim të padiskutimtë në mundësitë që ofronte ky komb. Ata do më vinin mua një emër afrikan Barack, që do të thotë "bekim", duke besuar se në Amerikën e tolerancës emri nuk është pengesë drejt suksesit. Ata dëshironin që unë të shkoja në shkollat më të mira, në një vend ku nuk duhet të jesh i pasur për të shkuar në shkollat më të mira, pasi në Amerikën zemërgjerë nuk është e nevojshme të jesh i pasur për t'u realizuar në bazë të aftësive. Ata të dy nuk jetojnë sot, por e di se sonte nga lart më shohin me krenari.

Unë jam sonte këtu para jush, mirënjohës për laramaninë në origjinën time, i ndërgjegjshëm se ëndrra e prindërve të mi jeton tek bija ime e shtrenjtë. Jam këtu para jush dhe e di se historia e jetës sime është pjesë e historisë amerikane. Ndaj unë i detyrohem të gjithë atyre që erdhën para meje dhe kjo pasi në asnjë vend tjetër në këtë rruzull, historia e jetës sime nuk do të ishte e mundur. Sonte jemi mbledhur të përsërisim madhështinë e vendit tonë, madhështi që nuk qëndron në lartësinë e rrokaqiejve, fuqinë e ushtrisë sonë apo në ekonominë tonë. Krenaria dhe fuqia jonë mbështetet në atë deklaratë të thjeshtë të formuluar 200 vjet më parë: "Ne i pranojmë si të vërtetë të mirëqenë faktin se të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë. Nga Krijuesi ynë ata kanë ardhur në jetë më disa të drejta të padiskutueshme, ku mes tyre janë jeta, liria dhe rruga drejt lumturisë".

Ky është gjenialiteti i Amerikës, një besim i ngritur në ëndërrat e thjeshta të njerëzve të saj, në forcën e mrekullive të vogla. Se ne e dimë se kur i mbulojmë fëmijët tanë natën ata janë të ushqyer, të veshur dhe të mbrojtur nga rreziku. se ne flasim atë që mendojmë, shkruajmë cfarë mendojmë, pa u trembur se dikush do vijë të na trokasë në derë. Ne mund të kemi një ide, mbi të cilën nisim sipërmarrjet tona, pa qenë të detyruar të paguajmë rryshfet apo të punësojmë të birin e dikujt, për të na mundësuar biznesin. Ne mund të marrim pjesë në procesin politik pa pasur frikën se dikush do hakmerret dhe se votojmë e votat tona numërohen cdo herë, ose së paku shumicën e herëve.

Këtë vit, në këto zgjedhje, ne duhet të riafirmojmë vlerat dhe angazhimet tona, t'i ruajmë ato përballë një realiteti të ashpër dhe të masim se si po e ruajmë traditën e të parëve dhe premtimet për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Bashkëqytetarë të mitë amerikanë, demokratë, republikanë, të pavarur, ju them sonte se kemi shumë punë për të bërë. Kemi shumë për të bërë për punëtorët që unë takoj në Galesburg, Illinois, që po humbin vendet e punës në uzinën e madhe Maytag, që po zhvendoset në Meksikë. Ne kemi shumë për të bërë për babanë që kishte humbur vendin e punës dhe i mbytur në lot nuk dinte se si do përballonte tani 4'500 dollarë në muaj medikamente për të birin, që nuk kishte sigurim shëndetësor. Kemi shumë për të bërë për atë zonjën e re nga St.Loius lindor, dhe mijëra të tjerë si ajo, që kanë notat e mira, vullnetin, dëshirën por jo dhe paratë e mjaftueshme për të shkuar në kolegj.

Mos më keqkuptoni. Njerëzit që kam takuar si në qytetet e vogla dhe në ato të mëdha, në dreka, në zyra apo gjithkund tjetër nuk presin që qeveria të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Ata e dinë se duhet të punojnë shumë për të arritur atë që dëshirojnë. Nëse shkon në rrethinat e Cikagos njerëzit do të thonë se nuk dëshirojnë që të ardhurat nga taksat e tyre të shpërdorohen në Pentagon apo struktura të tjera qeveritare. Në cdo qytezë njerëzit e dinë se qeveria e vetme nuk mund t'u japë mësimin e dëshiruar fëmijëve. Ata e dinë se prindërit duhet të përmbushin detyrimet e tyre si prindër ndaj fëmijëve, pasi fëmijët tanë nuk mund të arrijnë shumë nëse ne nuk i ushqejmë synimet e tyre sa më lart dhe ato cfarë presim nga ata. Nëse nuk ia mbyllim televizorin dhe nuk i lejojmë që të mendojnë me klishe të tilla si "një fëmijë me ngjyrë me libër në dorë, sillet sikur të jetë një fëmijë i bardhë". Jo, njerëzit nuk presin që qeveria të zgjidhë gjithë problemet e tyre. Por ata e ndiejnë thellë deri në asht se me një ndryshim në përparësitë e qeverisë, ne mund t'i sigurojmë cdo fëmije në Amerikë një jetë dinjitoze dhe se dyert e mundësive mbeten të hapura për të gjithë. Ata e dinë se ne mund ta bëjmë më mirë dhe ata e dëshirojnë këtë zgjedhje.

Pak kohë më parë unë takova një djalë të ri të quajtur Shamus nga Illinois. Ishte një djalë i gjatë e i pashëm, me sy të kaltër e buzëqeshje që nuk i ndahej nga fytyra. Më tha se do t'i bashkangjitej marinsave në Irak. Derisa e dëgjoja kur më thoshte se përse donte të shërbente në ushtri, besimin e tij të padiskutueshëm tek ky vend dhe udhëheqësit e tij, përkushtimin ndaj detyrës dhe shërbimit, mendova se ky djalë ishte fëmija që cdonjëri nga ne do dëshironte ta kishte djalë. Por në mendje më goditi pyetja: A po i shërbejmë ne Shamusit ashtu si po na shërben ai neve? Dhe mendimet shkuan tek ata 900 djem e vajza ushtarë, njëherësh bij e bija, bashkëshortë dhe bashkshorte, shok e fqinj që nuk do ktheheshin kurrë në shtëpitë e tyre, në qytetin e lindjes, pasi kishin mbetur në fushën e betejës në Irak. Mendova dhe për mijëra familje që po përpiqen të mbijetojnë me një rrogë më pak, derisa të afërmit e tyre janë nisur në luftë, apo të tjerët që më të dashurit e tyre iu kanë kthyer të gjymtuar nga lufta, por sërish nuk kanë paketën e plotë të sigurimeve shëndetësore të paguar nga shteti, pasi ishin rezervistë. Nëse i dërgojmë djemtë dhe vajzat tona në zona të rrezikshme atëherë kemi detyrimin maksimal për t'u kujduesur për familjet e tyre, pa fshehur asgjë. Njëherësh asnjëherë nuk duhet shkuar në luftë pa pasur numrin e nevojshëm të trupave që duhet për të fituar luftën, për të siguruar paqen dhe për të merituar respektin e botës.

Më lejoni të jem i qartë. Ne kemi armiq në botë, armiq që duhen gjetur, luftuar dhe duhen mundur. Përgjatë individualizmit tonë, për të cilin jemi të njohur është, dhe një tjetër përbërës i sagës amerikane. Ky është besimi se jemi të lidhur si një popull. Nëse është një fëmijë diku në jug të Cikagos që nuk mund të lexojë, atëherë ky është shqetësimi im. Nëse diku një e moshuar që nuk mund të blejë medikamentet e nevojshme zgjedh mes qirasë që duhet ta paguajë apo barnave, atëherë jeta ime është më e varfër, edhe pse ajo zonjë e moshur nuk është gjyshja ime. Nëse diku një familje arabo-amerikane nuk ka mundësi për të paguar një avokat mbrojtës kur i duhet të përballet me një proces gjyqësor, atëherë edhe të drejtat e mia janë të cënuara. Është një besim themelor që e bën këtë vend të funksionojë dhe ky është besimi se jam unë që e mbaj vëllanë tim, jam unë që e ndihmoj motrën time. Është pikërisht kjo që na lejon të realizojmë ëndërrat tona individuale dhe sërisht të jemi sëbashku si një familje amerikane.

Për të gjitha këto i them atyre që duan të na ndajnë se nuk ka një Amerikë liberale dhe një Amerikë konservatore, por ka vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka Amerikë të bardhë dhe të zezë, Amerikë të latinëve apo aziatikëve, por ka vetëm një Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përcarësit duan të na ndajnë në shtete të kuqe e shtete blu, ku shtetet e kuqe i takojnë republikanëve dhe ato blu demokratëve. Por unë kam lajme dhe në këtë drejtim. Ne jemi fëmijët e Zotit dhe se edhe në shtetet blu ashtu si në shtetet e kuqe nuk duam që agjentët e sigurimit të kontrollojnë kartelat tona në biblioteka. Ne kemi miq që janë homoseksualë edhe në shtetet e kuqe. Ka patriotë në mesin e atyre që e kundërshtuan luftën në Irak dhe në mesin e atyre që e mbështetën atë. Ne jemi një popull dhe i falemi të gjithë flamurit me yje dhe të gjithë ne mbrojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne duhet të marrim pjesë në politikën e shpresës dhe jo të cinizmit. Këtu nuk flas për optimizmin e verbër, që në fakt është i barsvlershëm me padijen, kur mendon se duke mos folur për papunësinë problemi do të zgjidhet, apo duke mos u marrë me krizën në sistemin shëndetësor ajo do të kalojë. Jo unë kam parasysh dicka më thëemelore. Bëhet fjalë për shpresën e skllavit që këndon këngë lirie rreth zjarrit, për shpresën imigrantit që kërkon realizimin e ëndrrës në brigje të largëta, shpresën për atë ushtarakun e ri që patrullon ujërat tona, për shpresën e atij fëmije kockë e lëkurë me emër qesharak, që gjithashtu beson se Amerika është një vend edhe për atë.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË