NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 31 DHJETOR 2004

Shqipëria fortifikohet para Vitit të Ri

Shkruan : Skerdi SIKA

Në këtë mbarim të dhjetorit në Shqipëri, mediat ia kanë kallur datën publikut. Në gazeta, TV e radio transmetohen pa kritikë komikata luftarake nga Ministria e Rendit, që spikasin numrin e efektivave të policisë rrugore të komanduar në të gjitha udhëkryqet e vendit. Policia kriminale, sigurimi, doganat, deri edhe ushtria e shtjerrur nga fondet, të gjithë kanë nxituar kolektivisht të shpallin gjendjen e gatishmërisë, thuase pritet të aterrojë jo Babadimri, po Bin Ladeni & Co.

Shikuesi i mësuar i teatrit politik në Tiranë s’e ka të vështirë (po mbase të pështirë) ta njohë aktrimin entuziast të dhelprës socialiste, tek loz „mbrojtësin e shtetit“ këtyre ditëve të fundit të vitit të vjetër. Mjerisht për shqiptarët, dhelpra s’është rojtar i mirë i koteceve.

Sigurisht që po t’i kish mbrojtur qeveria socialiste përnjëmend vezët e shqiptarëve, atëhere bashkësia ndërkombëtare s’do t’i kish kritikuar për agresivitet politik, pasivitet politik, e korrupsion. Shqipëria s’do të ishte edhe simjet e mbrama në rreshtin e gjatë drejt BE-së, e jashtë të gjitha listave për anëtarësim në Nato.

Natyrisht, Nano & Co. do t’ju shprehin bindje krejt tjera. Po t’i shikoni statistikat zyrtare të shtetit, të krehura nga floktarët socialistë, do të mahniteni me një bum të pashembullt ekonomik. Sipas tyre, rritja ekonomike e Shqipërisë, 6 përqind, ka ritme më të larta se në të gjitha vendet e BE-së, madje më të larta se krejt BE marrë tok, që mezi rrok 3-4 përqind. Inflacioni shqiptar, zyrtarisht 3 përqind, është më i ulët se sa ai suedez. Rezervat valutore të Shqipërisë, 1.2 md USD, janë proporcionalisht më të mëdha se sa ato në atdheun dhe burimin e dollarëve, në SHBA – gjithnjë sipas statistikave vjetore të qeverisë socialiste.

Në rastin më të mirë, këto shifra janë komplet gënjeshtra. Në rastin më të keq, ato madje mund të jenë edhe gjysmë të vërteta. Gjë që do të shpiente në pyetjen normale, se athua ku vajtën lekët nga tërë kjo ngritje marramendëse e ekonomisë shqiptare?

Një gjë është e prerë, që te qytetari i rëndomtë shqiptar s’gjen dot lekë edhe po ta shtrydhish. E ku të ketë, me një papunësi të regjistruar prej 25 përqind, më të madhen në tërë Evropën pas Kosovës? Ka qytete si Shkodra e Kuçova, papunësia i kapërcen 40 përqind! Ndërmarrësit shqiptarë s’mund ta ngopin tregun vendor as me bukën e gojës, 90 përqind të ushqimeve importohen. As shteti s’ka përfituar gjë për të qenë: investimet e shtetit simjet ishin 5 md lekë më të ulëta se ato të planifikuara për vitin 2001. Pra, ku vajtën lekët?

Përdoreni metodën e eliminimit, pa do gjeni përgjegjen. Përfituesi i vetëm eventual nga një rritjeje ekonomike në Shqipëri është krimi i organizuar. Rrjeti i trafiqeve ilegale të njerëzve, lëndëve, e armëve. Elementare, i dashuri Uotson. Elimino të pamundurën, e ajo që mbetet, sado e pabesueshme, është e vërtetë.

Ju mund të mos më besoni mua. Por do t’i besoni Bankës Botërore. Në raportin e vet zyrtar për v. 2004, eksperët e BB thonë troç që s’mund ta konstatojnë, por as ta përjashtojnë, një rritje eventuale në brutoprodhimin kombëtar të Shqipërisë. E nëse ai ekziston, atëhere sigurisht që burimin s’e ka te nismat qeveritare, po te ”ekonomia gri”. Te emigracioni, trafiqet, prostitucioni. Pa më thoni ju, kush qëndron pas këtyre në botën e civilizuar, shteti apo krimi?

Problemi është, se Shqipëria nuk numërohet dot në botën e civilizuar. Më vje keq ta them, por atdheu s’ndihmohet dot nëse gënjejnë edhe gazetarët. Hapi i parë drejt shërimit është diagnoza e saktë.
Në Shqipëri dallimi mes shtetit e krimit është fshirë qëmoti, qysh në kohën e regjimit të Sali Berishës. Shteti e krimi janë bërë partnerë, që nganjëherë vërtet vriten e priten, po që në shumicën e rasteve bashkëpunojnë për ta rritur profitin e përbashkët. Me pasoja të mnershme për qytetarin e rëndomtë. Për mua e ty, e për fëmijët tanë gjer në brezin e tretë – kur shpresoj se do t’i vje radha edhe Shqipërisë të integrohet në Evropë.

Këtu kah fundi, mos ta gënjejë askënd mendja se ata tjerët, pra opozita, janë tëlyen i shkrirë. Një gjëmë si kjo s’do ta godiste vendin po të kishte opozitë të pastër. Një opozitë e pakomprometuar do ta kish përmbysur regjimin qëmoti, si të mos kish qenë fare. Por shtetasit nuk i besojnë opozitës, meqë shohin te ajo shpresa tinzare që të bëjë njësoj si qeveria, sapo të marrë pushtetin. E në rrethana të tilla, shtetasi i urtë më mirë e lë në pushtet kriminelin e ngopur, se sa e ngrit atë të uriturin.

Në dritën e këtyre fakteve, s’do mend që qeveria socialiste do të shpallë shtetrrethim virtual para Vitit të Ri. Po të mos ishte ky eveniment ceremonial, athua si do të bënte qeveria për ta përhapur iluzionin se gjoja në vend mbizotëron rend e rregull?


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË