NUMĖR 82
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VII - 6 PRILL 2005

Institucionet, jo rruga, ta mbrojnë zt Haradinaj

Reagimi më konstruktiv në këtë situatë është ai institucional. Tubimet nëpër rrugë s’e mbrojnë dot as zt Haradinaj, as luftën e UÇK-së. Përkundrazi, ato mund të bëhen barrë për të dyjat.

Një njoftim në TV, një kumtesë për shtyp: kryeministri i Kosovës jep dorëheqje e shkon në Hagë. Një goditje e fortë, pa dorashka, që na ka lënë të stepur të gjithëve. Meqë lënda mbetet e sigluar, opinioni shqiptar s'i di ende detajet e padisë kundër zt Haradinaj. Por të gjithë ne e dimë se me çfarë juridike merret Haga.

Zt Ramush Haradinaj e mori dje avionin për të fluturuar drejt Hagës. S'kemi asnjë dyshim që ai atje do të dijë ta mbrojë veten dhe luftën e vet. Por ne që lobojmë në botën e jashtme pro Kosovës, kemi mbetur me sy drejt Prishtinës, duke pritur se si do të reagojë opinioni kosovar.

Ne u druajmë shpërthimeve të dhunshme, që mund t'i kushtojnë shtrenjtë interesave jetike të Kosovës. Shpresa jonë është, që opinioni i gjërë dhe formuesit e politikës kosovare (brenda e jashtë institucioneve) do t'i binden amanetit të zt Haradinaj që të fashiten tensionet, për hir të interesit të vendit.

Ne e tunjohim të gjithë kontributin madhor dhe flijimet sublime që i ka bërë zt Haradinaj e tërë farefisi i tij për vendin. I njohim edhe humbjet e dhembjet e tyre: të burgosur me pleq e fëmijë gjatë okupimit shumëvjeçar, të përvëluar me shtëpi e katandi, të rënë me armë në dorë nëpër frontet e luftës çlirimtare.

S'do mend se edhe ne e ndajmë brengën e opinionit shqiptar, që zt Haradinaj mund të jetë përdorur si kusur në pazare politike me Beogradin. Njihet botërisht p.sh. refuzimi kryeneç i Beogradit që t'i dorëzojë kriminelët e luftës. Poashtu, është sekret publik se lënda kundër zt Haradinaj bazohet mbi informata të përpunuara nga sigurimet serbe, një ndër qerthujt më të inkriminuar në gjakderdhjet e Ballkanit. Sigurimet serbe, të pareformuara si kanë mbetur, janë gjenerator të krizave në Ballkan; s'është larg menç që edhe ky rast mund të jetë një produkt i tyre i radhës.

Por këto brenga, sado serioze që të jenë, nuk janë arsye për ta cenuar ardhmërinë e Kosovës. E ardhmëria e Kosovës do të cenohet padyshim, nëse atje ndodhin shpërthime të dhunës kundër pranisë ndërkombëtare e/a minoriteteve.

Në realitetin tonë të përditshëm, ne kemi kontakt të vazhdueshëm me politikanë e formues të opinionit në Skandinavi. Ne konstatojmë se opinioni skandinav ngopet përditë me informata të shtrembëruara e të turbulluara për Kosovën. Njësoj është puna edhe në shtetet tjera të Evropës, si dhe në SHBA.

Shpërthimi i 24 marsit vjet na tregoi qartë të gjithëve se ka qarqe të caktuara në botë, të cilat mezi presin për t'u fryrë trumpetave antishqiptare. Mjerisht, në situata të tilla, Kosova bje në pozitë tejet të disfavorshme. Për dallim të Beogradit me aleatë, Kosova është pa shërbim diplomatik jashtë; në rast krize, imazhi i saj ndërkombëtar përplaset andej-këndej nga stihitë e opinionit.

Kjo mungesë shpien edhe në gafe të panevojshme në planin e brendshëm. Ne do të kishim dashur p.sh. që qeveria të ishte formuar më urtësisht që në krye të herës, pa e vënë në lojë kësisoj imazhin e vendit. Ne besojmë se zt Haradinaj thotë të vërtetën kur pohon, se s'e ka marrë kurrë me mend se mund t'i ngjante kjo që i ngjau. Mjerisht, kjo është edhe një dëshmi që politika kosovare s'e ka honepsur ende se si funksionon bashkësia ndërkombëtare e institucionet e saj kyçe, si p.sh. gjykata e Hagës. Na thotë mendja se kjo mosdije varet, të paktën pjesërisht, nga regjimi i karantinës diplomatike ku është vënë klasa politike e Kosovës.

Sido që të jetë, tani është koha për të ushtruar kontroll mbi dëmin e shkaktuar. Prandaj, ne u lutemi kosovarëve që të tregojnë urti e maturi maksimale në këto orë e ditë të ndjeshme për vendin. Ardhmëria e tyre do të dëmtohej rëndë, ta zëmë, nëse CNN e BBC përhapin pamje të dhunshme, të drejtuara kundër bashkësisë ndërkombëtare e/a minoriteteve. Kjo do t'u shpiente ujë në mulli atyre armiqve të kosovarëve që trumpetojnë se ky vend gjoja nuk është i pjekur për t'iu njohur pavarësia, e se s’meriton të trajtohet si partner serioz në rajon.

Jemi thellësisht të bindur se reagimi më konstruktiv në këtë situatë është ai institucional. Tubimet nëpër rrugë s’e mbrojnë dot as zt Haradinaj, as luftën e UÇK-së. Përkundrazi, ato mund të bëhen barrë për të dyjat.

Na thotë mendja që hapi më i mirë për fillim është miratimi parlamentar i një ushtruesi të ri të detyrës së kryeministrit. Qeveria e parlamenti s’duhet të humbasin kohë me fjalë, por, nëse duan ta ndihmojnë konkretisht zt Haradinaj, ta ngritin një komision hetimor nga juristët më të fortë kosovarë enkas për lëndën e tij, meqë s’ekziston asnjë pengesë formale për hetim paralel, në Hagë e në Kosovë. Një komision i tillë do të mund ta pajiste mbrojtjen e zt Haradinaj me fakte, dëshmi e dëshmitarë që mund të jenë lënë mënjanë. Në përgjithësi, mendojmë që qeveria kosovare dhe institucionet tjera duhet të koncentrohen për ta mbijetuar këtë krizë krye në vete, pa pasur nevojë për ndërhyrje emergjente nga ndërkombëtarët.

Besojmë e shpresojmë se zt Haradinaj do të lirohet sa më shpejt, e se do të kthehet në shtëpi me vërtetim zyrtar të pafajësisë lëshuar nga Haga. Gjer atëhere, është obligim i kosovarëve ta çojnë në vend amanetin e kryeministrit të vet.


Avni Dervishi
Sekretar politik i liberalëve në parlamentin suedez

Ullmar Qvick
Albanolog, Komiteti Suedezo-Shqiptar

Shqiptar Oseku
Publicist, Komiteti Suedezo-Shqiptar


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË