Pse
grinden peshkopët serbë ?
Shkruan:
Xhafer SHATRI
Kosova
prej shekujsh vazhdon të jetë epiqendër tektonike
në jetën politike e shpirtërore të serbëve.
Ajo ngre saora në qiell personalitete politike, intelektuale,
fetare, ushtarake etj., por ndonjërin prej e tyre e çon
edhe atje ku nuk duhet. Në Hagë, për shembull.
Javën
e fundit Kosova është bërë shkak për sherre
të mëdha edhe atje, ku më së paku pritej; në
kryesinë e Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Personazhe kryesore
të këtij sherri janë peshkopi i Rashkës dhe
Prizrenit, pra i Kosovës, Artemije Radosavljeviç dhe
mitropoliti i KOS-it për Malin e Zi dhe Bregdetin, Amfilohije
Radoviç. Në dukje të parë shkak për sherr
u bë Memorandumi për mirëkuptim të ndërsjelltë
dhe për rindërtimin e monumenteve kishtare serbe (që
shqiptarët i shkatërruan vitin e kaluar), të cilin,
më 24 mars 2005, e kanë nënshkruar patriku serb Pavle
dhe ministri i Kulturës i Kosovës, Astrit Haraçia.
Memorandumi
parasheh formimin e një Komisioni të përbashkët
prej 5 vetash: përfaqësuesi Kishës ortodokse serbe,
ai i Entit të Serbisë për mbrojtjen e monumenteve,
përfaqësuesi i Entit të Kosovës për mbrojtjen
e monumenteve dhe ai i Ministrisë së Kulturës të
Kosovës. Komisionin do ta udhëheqë një ekspert
që e emëron Këshilli i Evropës.
Memorandumi
në 13 pika precizon fushëveprimtarinë e Komisionit,
të cilit nga buxheti i Kosovës do t’i jepen 4.2
milionë euro për të filluar rindërtimin e kishave
serbe, të cilat i dogji e i shkatërroi marrëzia perandorake
e shqiptarëve.
Dy
ditë pas nënshkrimit, patriku serb Pavle tërhoqi
nënshkrimin e tij me arsyetimin se nuk ka qenë krejtësisht
i informuar për pasojat që mund të ketë Memorandum
për interesat kombëtare serbe. Diçka e ngjashme
kishte ndodhur edhe më 1995, kur Millosheviçi kërkoi
nënshkrimin e patrikut Pavle, për të pasur de jure
edhe aprovimin e tij, për vendimet që do të merreshin
më vonë në Dayton. Edhe atëherë, patriku
i plakur pati gjysmëtërhequr nënshkrimin e tij.
Kundër
Memorandumit të fundit për Mirëkuptim u ngrit peshkopi
i Kosovës, Artemije. Kundërshtimi i tij u bazua në
dy arsye:
-
Memorandumi nuk duhej të nënshkruhej pa miratim e tij
;
- Realizimi i tij në këtë formë është
kundër interesave të serbëve dhe të kishës
së tyre, sepse nuk mund t’i rindërtojnë kishat
ata që i kanë sdhkatërruar, pra shqiptarët dhe
institucionet e tyre.
Megjithatë,
më 27 mars 2005, në mbledhjen e sinodit, që është
qeveria pesëanëtarëshe e Kishës serbe, e të
cilën e udhëhoqi patriku Pavle, u vendos që Memorandumi
megjithatë të miratohet.
Mirëpo
peshkopi Artemije e kundërshtoi menjëherë dhe publikisht
vendimin e Sinodit duke e quajtur atë të pavlefshëm,
sepse ishte marrë pa pjesëmarrjen dhe pa ftesën e
tij për atë mbledhje. "Ky është një
puç i atyre që po duan të marrin në dorë
frerët e Kishës serbe", akuzoi Artemije, por pa veçuar
ndonjë emër.
Një
konflikt i ngjashëm ka shpërthyer edhe kur Artemije, para
disa muajsh, ngriti pranë Gjykatës Ndërkombëtare
për të Drejtat e Njeriut në Strasburg aktpadi penale
kundër 4 Fuqive të Mëdha evropiane, duke i fajësuar
ato për shkatërrimin e kishave serbe në Kosovë,
apo të paktën për mosmbrojtjen e tyre…
Sinodi
i Kishës serbe kërkoi disa herë nga Artemije që
ta tërheqë aktpadinë, sepse nuk dëshironte që
të acaroheshin marrëdhëniet me Fuqitë evropiane
(Anglinë, Ghjermaninë, Italinë dhe Francën).
Por kot, sepse Artemije as që ua mori në dorë.
Duhet
nënvizuar se qëndrimin e Artemijes e mbështeti edhe
ministri serb i Kulturës Kojadinoviç, i cili përmes
një kumtese, të lëshuar në emrin e Entit të
Serbisë për mbrojtjen e monumenteve, krahas të tjerash
vuri në pah se, përmes këtij nënshkrimi, sinodi
i Kishës serbe "po i njeh institucionet e Kosovës"!
Edhe
pse peshkopi Artemije nuk permendi askënd me emër, shihej
se përmes reagimeve të tij ai shënjonte shefin e
vërtetë të Kishës serbe, mitropolitin Amfilohije
Radoviç. Sepse ky i fundit, prej vitesh haptas ose fshehtas,
duke shfrytëzuar moshën e shtyrë të patrikut
Pavle, (vitin e kaluar mbushi 90 vjet), po vepron në emrin
e tij, dhe po përgatit terrenin për t’u bërë
patriku i ardhshëm i Kishës serbe.
Mu
në kohën kur shpërtheu konflikti më i ri në
kreun e KOS-it, një delegacion i lartë i Kishës serbe
shkoi për vizitë zyrtare në SHBA, ku, veç
të tjerëve, pritet të takojë edhe presidentin
Bush. Këtë delegacion e udhëheq peshkopi i Hercegovinës
Grigorije, që njihet "si i moderuar". Ky delegacion
po qëndron në SHBA me qëllim "që t’i
mbrojë para administratës amerikane qëndrimet e Kishës
serbe lidhur me Kosovën".
Injorimi
që mund t’i jetë bërë Artemijës pse
nuk e ka udhëhequr delegacionin apo pse nuk ka qenë pjesëtar
i tij mund të jetë ndoshta edhe shkaku kryesor i reagimeve
të tij kaq të ashpra.
Sidoqoftë,
kjo ndarje hap shumë dilema, aq më tepër kur dihet
se deri vonë Artemije njihej si "i moderuar", ndërsa
Amfilohije si koka dhe shpirti i nacionalizmit serb; si njeriu që
ka mbështetur të gjitha luftërat bashkë me krimet
përcjellëse që kanë bërë ushtritë
serbe sidomos 15 vitet e fundit. Amfilohije është edhe
njeriu që për dhjetë vjet rresht po strehon me shumë
sukses Radovan Karaxhiçin, të shumëkërkuarin
për krime të luftës në Bosnje e Hercegovinë
dhe për më tepër po i bën ballë Lëvizjes
malazeze për pavarësi më vendosmërisht se edhe
vetë gjeneralët e Koshtunicës.
Zbutja,
në pamje, e qëndrimit ultranacionalist të mitropolitit
Amfilohie, por edhe e Kishës serbe, që u shpërfaq
përmes Memorandumit për mirëkuptim dhe një qëndrim,
kohëve të fundit më i butë, i kabinetit të
Koshtunicës, kur përmendet pavarësia e Kosovës,
nuk duhet të mashtrojnë askë. Sepse nuk është
fjala për ndryshim qëndrimesh politike, por për një
taktikë të re, të kushtëzuar nga një presion
i fortë ekonomik e politik që shtetet vendimmarrëse
po ushtrojnë mbi Serbinë dhe për herë të
parë edhe mbi KOS-in.
Mu
prandaj, kisha dhe politika serbe po i kthehen taktikës së
para luftërave ballkanike në territoret shqiptare: të
bashkëpunojnë me sunduesit e mirëfilltë në
Kosovë, me UNMIK-un dhe NATO-n, si dikur me Turqinë, në
pritje të ditëve më të mira. Një tërheqje
e kujdesshme para sulmit ultim për krijimin e Serbisë
së Madhe.
|