NUMĖR 82
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VII - 6 PRILL 2005

Vdekja e një ikone

S
hkruan : Ardiana SHALA

Me vdekjen e papës Gjon Pali II nga kjo botë u nda një ndër ikonat e shek XX. Sikur shekulli që e formoi, edhe papa ishte një figurë komplekse, kampion i lirisë për disa, e mishërim i intolerancës për të tjerët. Shqiptarët kanë shpallur ditë zije për kujtim të papës së parë që puthi tokën shqiptare, por roli i tij në historinë e shqiptarëve mbetet për t'u konstatuar.

Thonë se kundërshtitë e mëdha mishërohen në njerëz të mëdhenj. Nëse kjo është e vërtetë, ahere papa Gjon Pali II do të përmendet si një ndër emrat e mëdhenj të katolicizmit. Në nekrologjet e botuara për të ndjerin ndjehet rëndimi i peshave në kandar. Epopeja antikomuniste, orvatja e pashembullt për dialog ndërfetar. Kontra qëndrimit konzervativ, p.sh. kundrejt grave a viktimave të sidës.

Karol Vojtyla lindi më 18 maj 1920 në Poloni, në Vadovicë afër Krakovit. Ai do të bëhej studenti më i ri i filozofisë në fakultetin e Krakovit, e aktor i talentuar pranë grupit teatror Studio 38. Pas shpërthimit të LDB-së, ai do të shquhej edhe si gurthyes shembullor, meritë kjo që mezi e shpëtoi nga deportimi nazist për në Gjermani.

S'do mend që rrita në një mjedis të sertë katolik do t'ia ketë trasuar udhën polakut të ri. Sidomos viti 1941 do të ketë qenë vendimtar. Ishte koha e triumfeve të totalitarizmit, kur polakëve, të shkelur dyfish prej Hitlerit e prej Stalinit, u kish mbetur shpresa veç te Hyu. E Karol Vojtylës, 21 vjeçar, edhe kjo fije e shpresës do t'i jetë tëholluar tmerrësisht me vdekjen e të jatit. Jetim që herët nga e ëma, e mbetur fill pas vëllathit të vdekur, bonjaku Karol Vojtyla mund ta ketë ndjerë se si e mishëronte fatin e hidhur të Polonisë: braktisur në rrugë të madhe, krejt vetëm, duarthatë para vërsuljes së fatkeqësive.

Në këtë moment të zi sterrë, pa shpresë nga robi, Karol Vojtyla do t'i kthehej Hyut me mish e shpirt. Ai e lë filozofinë, e zë të studiojë me pasion teologjinë. Aty e tëhu, qiriri do t'i ndrinte vetëm për kishën. Pas mbarimit të LDB, më 1946, ai shugurohet pater e vete në Romë për studime postdiplomike. Më 1964 papa Pali VI e emëron arqipeshkop të Krakovit, e më 1967 kardinal - e çfarë kardinali se! Ai i lë pa mend madhoritë komuniste që në krye, kur i flak prej kishës kolaboracionistët e regjimit, e kur i shpall luftë botërisht besimit ateist në paraqitjet e veta publike. Më 16 tetor 1978, në një akt që e trand tërë botën katolike, ai zgjedhet i pari papë jo-italian qëkur, e pagëzohet nunc Gjon Pali II.

Ndoshta s'është për t'u habitur, pra, pse një papë evrolindor, e aq më shumë një papë polak, ia përkushtoi veten aq shumë mu luftës së pakompromis kundër sovjetëve. Ai njëmend s'kishte dorë në tanke e avionë; qesëndisja e moçme e Stalinit për Vatikanin vlente ende. Por papa Gjon Pali II e kishte në dorë t'i shpallte luftë ideologjike komunizmit, duke ia sfiduar fuqinë e besimit. Si u pa më vonë, mu kjo ishte edhe arma më mortore kundër sovjetëve.

Ka nga ata që thonë, se papa s'u kënaq as me aq. Se ai i vuri në shërbim të kauzës antikomuniste edhe xhirollogaritë e Vatikanit, prej Nikaraguas, nëpër Afrikë, e gjer në Kore. Andaj ndoshta s'të habit që, kur u plagos në atentat prej turkut marksist Mehmet Ali Agxha, më 13 maj 1981, gjurmët e atentatit shpienin gjer te sigurimi bullgar, e më tej gjer në Moskë.

Jo, papa Gjon Pali nuk qe ai që e themeloi Solidaritetin. As ai që e rrëzoi Murin e Berlinit. Madje papa s'ishte askund afër atë natë të 9 nëntorit 1989, kur turmat e gjermanëve të dëshpëruar e bënë copë e grimë simbolin madhor të luftës së ftohtë.

Por ato skena s'ftillohen dot, pa përmendur edhe emrin e papës.

E megjithatë, ta shpallësh Karol Vojtylën "patriot polak" tingëllon -edhe është!- tejet vulgare. Tërë vepra e tij pontifike, përfshirë këtu shkresat ex kathedra, kumtesat, udhërrëfimet për katolikë, etj etj, zbulon se ai e kishte një besim të patundur në Hyun, e në kishën romano-katolike si mëkëmbëse të Tij në tokë. I ndjeri besonte, matanë hijes së çdo dyshimi, se shëlbimi i trupit e shpirtit të njeriut varet prej kishës.

Andaj, pyetja është nëse Polonia përdori papën, apo ky Poloninë. Fushata e tij sypatrembur kundër sovjetëve, paq sa mund të interpretohet si fushatë nacionale e një polaku, mund të shihet - madje edhe më shumë! - si fushata e një fanatiku fetar, që përdor vendin ku lindi si lloz, për ta flakur në skëterrë "pushtetin e djallit".

Besimi në Hyun - ky është kodi që zbërthen jetën e Karol Vojtylës. Si dhe bindja e tij pa rezerva se ateizmi ishte shpikje e Qoftëlargut, për ta degjeneruar Njeriun: krijesën unike, krijuar prej Hyut mbas shembëlltyrës së Tij.

Mistike, s'ka fjalë. Por pa trokitur në kjo portë, s'e ftillon dot personin e të ndjerit.

Në anën tjetër, ai s'ishte si ndonjë kryqtar i mesjetës. Për dallim prej pararendësve, ai ia hedhi një sy botës e kuptoi, që rreziku s'vinte prej feve garuese, por prej ateizmit. E meqë s'ish leshko të mejtohet sa engjuj pushojnë majë gjilpëre, ai s'ngurroi të bëhet papa i parë ndonjëherë që vë këmbë në sinagogë (Romë, 1980) e në xhami (Siri, 2001). Një vit më parë, më 2000, papa Gjon Pali II e kish shkelur një tjetër tabu të kishës katolike, duke pranuar se ishte Faji im, Mea Culpa, përndjekja papore në histori kundër hebrejve, heretikëve, e grave.

Me ç'rast arritëm, dashur-padashur, te pika më e përflakur e këtij nekrologu. Përkundër Mea Culpas: për sa u përket grave, papës së ndjerë i rrihte fort delli i mesjetës. Në këtë pikë, si thonë malësorët, papa e pat kryqin e fortë, derisa dha shpirt.

Papa Gjon Pali II mund të ketë qenë kampion për të drejtat e njeriut, por gratë katolike reformiste mendojnë që ai harronte rregullisht gjysmën e njerëzimit. Ai i ndejti besnik gjer në fund traditave më konzervatore të kishës. Për shugurim të femrave s'bëhej fjalë, sikur as për planim të familjes, kondome, a abort. Përmes emisarëve të vet, ai madje u orvat sa e sa herë t'i anullonte edhe vendimet e Këshillit të dytë të Vatikanit, që u njohu grave një rol ca më aktiv në liturgji.

Si te shumë burra tjerë, ashtu edhe te Karol Vojtyla, intoleranca kundrejt lirive të femrës shtohej me pleqërinë. Vitin e kaluar Vatikani vajti gjer atje sa ta lëshonte një dokument kundër feminizmit. Atje thuhej se feministët janë "armiq të meshkujve", se minojnë familjet, e se i hapin udhë martesave homoseksuale.

Gjithashtu, rezistenca kryeneçe e papës kundër prezervativëve, e qëndrimet joshekullore rreth seksualitetit, u kanë kushtuar jetën miliona njerëzve. Kisha katolike nën Karol Vojtylën s'ia vari kurrë realitetit që sot shumica, edhe te katolikët -e, si u pa këto kohët e fundit në skandalet seksuale të kishës në Amerikë e në Evropë, madje edhe te fretërit! - kanë më shumë se një partner seksual. Duke kërkuar prej njerëzve të papërsosur të sillen si engjëj (apo, të paktën, më mirë se fretërit e skandalizuar), duke i damkosur prezervativët si imoralë, e duke lidhur aleanca me shtetet më fundamentaliste islamike, kisha arriti ta siluronte fushatën globale kundër sidës. Burrave e grave të infektuar të të gjitha moshave, e foshnjeve të lindura me sidën, u mbetet të ngushëllohen që kisha i ka sakrifikuar për hir të vlerave më të larta.

Edhe nëse ata s'ngushëllohen tamam, Vatikani sigurisht që s'e ka fort problem. Në planin afatgjatë, e vështruar nga këndi i kishës, rreziku sot vje prej tjetërkund.

Sovjetët janë harruar. Gratë e bezdisshme, që kërkojnë trajtim të njëjtë si burrat, janë ende pak. Kurse masat e infektuara të Azisë dhe Afrikës janë në largësi komode gjeografike, kulturore e emocionale. Papa i ri duhet të merret në radhë të parë me tëhuajësimin e kishës në trojet e veta amtare, në Evropë. Këtu ku një numër në rritje i njerëzve ia ka kthyer shpinën dogmave të kishës, e jeton jetën sipas vlerave e normave të veta morale. Karol Vojtyla s'arriti dot ta zbërthente këtë problem: pragmatizmi i tij s'para kish më se me çfarë të joshte, kurse fanatizmi vetëm sa trembte. Para se të vdiste, ai arriti të shihte se si po binte ndikimi i kishës madje edhe në vendin e tij të lindjes, në Poloni.

Ndër shqiptarët, vdekja e papës ka shkaktuar zije kombëtare. Liderët nacionalistë të shqiptarëve te papa shihnin një njeri të lidhur pa rezerva në koalicionin antisovjetik, që doemos se do të mbante qëndrim më drejt se tjerët kundrejt synimeve kombëtare të shqiptarëve. Dhe vërtet, sa rrojti, papa i priti e përcolli shumicën e liderëve shqiptarë, prej kryetarëve të radhës të Shqipërisë, e deri te kryetari asokohe ilegal i Kosovës, dr Ibrahim Rugova. Shoqërimi kulminoi më 25 prill 1993, papa Gjon Pali II u bë nunci i parë ndonjëherë që puthi tokën shqiptare.

Por, dora në zemër, është vështirë të thuhet nëse ky shoqërim sporadik me papën i solli dobira konkrete shqiptarëve. S'mund të thuash p.sh. se ai mbronte shqiptarët nga akuzat për "islamizëm", meqë ky shoqërim s'u bë shkak që të ndërronin mendje as akuzuesit, as mbrojtësit e shqiptarëve. Poashtu, gjatë dhunës serbe në Kosovë që prej vitit 1981 e tëhu, Vatikani mbajti një qëndrim të rezervuar, që dallonte shumë prej qëndrimit proaktiv të Vatikanit në plot vatra tjera të krizës. Në prag të ndërhyrjes së Natos në Kosovë, eksponentë të Vatikanit organizuan madje edhe një manovër të fundit për ta shmangur bombardimin e Serbisë, duke "ndërmjetësuar" një lëshim të parëndësishëm të Millosheviçit ndaj Rugovës rreth disa godinave shkollore. Në fakt, duke njohur fanatizmin fetar të papës Gjon Pali II dhe të Vatikanit, s'të mbushet mendja assesi që ata do të kenë synuar ndonjëhjerë shporrjen e serbëve ortodoksë nga Kosova, për t'ia dorëzuar këtë vend "shqiptarëve myslimanë".

Mundësisht mund të thuash, ndoshta, që shembëlltyra e papa Gjon Palit II ishte operacionale për liderët e shqiptarëve, në orvatjet e tyre interne për ta ruajtur karakterin sekular të lëvizjes nacional-çlirimtare. Gjë që, doemos, s'është t'u flakur poshtë. E që, mbase, mund të ketë qenë edhe një ndër qëllimet e papës. Por dyshoj thellë nëse ky moment do të zë vend qendror kur të shkruhen librat e ri të historisë.

Sa për vete, mund të pranoj këtu se spektakli i prolonguar publik rreth vdekjes së papës më shkaktoi një trazim të mundimshëm, sikur ndodh shpesh herë te njerëzit kur bëhen dëshmitarë të një ndërrimi të zorshëm të epokave.

Në njërën anë, më dhembsej fëmija i vetmuar bonjak, i braktisur prej robit e i kthyer në ankth drejt Zotit; polaku që po vdiste njësoj i vetmuar si kish lindur, atje larg në Itali, i mërguar prej atdheut; plaku i kyçur në sistemet jetëmbajtëse gjer në grahmat e fundit, flia e tij e fundit dhënë besës katolike.

Në anën tjetër, kujtoja debatin nga Kuvendi Popullor në mars 2003. Deputetët katolikë, nën ndikimin e fortë të klerit, në aleancë me deputetët më reaksionarë myslimanë e ortodoksë, tek bllokonin miratimin e një ligji modern për bashkëjetesë e për partneritet homoseksual. Një ligj që do ta modernizonte brenda natës legjislaturën e vjetëruar të Shqipërisë, por që ra pré e konzervatizmit të Vatikanit.

Mbi të gjitha, orvatesha të mos harroj që ai debat mbase as që do të ish mbajtur ndonjëherë, po të mos kishte qenë bonjaku polak Karol Vojtyla. Si feministe shqiptare, figura e tij më ndan në dysh. Gjithçka që kam: lirinë kombëtare, shkollën, standardin tim ekonomik, e kam pjesërisht falë punës së tij. E njëherit, gjithçka që kam mund ta humbas brenda natës, nëse ngritet lugat në Evropë vizioni papor për femrën.

Nëse qëndron ajo, se kundërshtitë e mëdha mishërohen në njerëz të mëdhenj. Atëhere papa Gjon Pali II, ndjesë pastë, meriton një minut heshtje nga të gjithë. Madje edhe nga skeptikët e tij.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË