Kadare: ”Haradinaj, shembull qytetarie”
©
Zëri i Amerikës
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare në një intervistë
për Zërin e Amerikës, jep mendimet e tij për
gjendjen në Kosovë pas dorëzimit të ish-kryeministrit
Ramush Haradinaj në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara
për Krimet e Luftës.
Zëri
i Amerikës: Zoti Kadare, çfarë ndikimi
mendoni se do të ketë për zhvillimet e këtij
viti në Kosovë ngritja e akuzave ndaj zotit Haradinaj
dhe mënyra si iu përgjigj ai Gjykatës së Hagës?
Ismail Kadare: Kjo ngjarje e fundit, pavarësisht
se është krejt e pakëndshme, i jep rast popullit
të Kosovës për të treguar pjekuri, gjakftohtësi
dhe ndërgjegje të lartë demokratike. Me fjalë
të tjera tregoi se është një popull që
meriton të jetë brenda familjes evropiane me të gjitha
të drejtat dhe dinjitetin që kanë kombet në
këtë kontinent. Mendimi im ka qënë edhe më
parë që shqiptarëve nuk u lejohen më gabime
në Kosovë, ashtu siç nuk u lejohen më gabime
në Shqipëri. Në këtë rast gabimi i pafalshëm
do të ishte që ky incident të pritej me nervozizëm,
me gjaknxehtësi, me sentimentalizëm, e, aq më keq,
të pritej me trazira, ose me acarim kundër pakicës
serbe dhe forcave ndërkombëtare. Kjo gjë do të
ishte vërtetë një dëmtim i rëndë i
lirisë së Kosovës dhe i pavarësisë së
saj. Asnjë veprim i pamatur që prek lirinë e Kosovës
nuk lejohet nga kurfarë motivesh. Zoti Haradinaj, me dorëheqjen
e tij të menjëhershme dhe me nisjen e menjëhershme
për në Hagë dha një shembull qytetarie që
e nderon atë vetë dhe qeverinë që kryeson. Ne
e dimë se si kanë shkuar të tjerët në Hagë.
Një pjesë kanë shkuar me pranga, një pjesë
i kanë zvarrisur, për të mos përmendur disa
që nuk janë paraqitur ende atje. Por kjo është
e pamjaftueshme. Këtë shembull gjakftohtësie duhet
ta ndjekë gjithë populli i Kosovës e sidomos klasa
politike të saj.
Zëri i Amerikës: Në periudhën
që çoi deri në ngritjen e aktpadisë ndaj zotit
Haradinaj ishte thënë shpesh nga analistët se, në
rast se aktpadia do të ngrihej, Kosova do të përballej
me dy sfida serioze: e para, si do të pritej ngritja e akt-padisë
dhe dorëzimi i tij në Hagë, që, siç u
shprehët ju, Kosova e priti me gjakftohtësi, dhe elementi
i dytë, po kaq i rëndësishëm, është
se çfarë do të bëjë tani klasa politike
shqiptare për ta kapërcyer këtë moment, ndoshta
mund të mos e quajmë ende krizë politike, por këtë
moment boshllëku politik. A mendoni se klasa politike në
Kosovë do të jetë në gjendje ta përballojë
me sukses situatën e re në politikën e brendshme,
në kushtet e përçarjeve që ekzistojnë
tashme mes tyre?
Ismail Kadare: Për të parën, për
profecitë që u bënë që në Kosovë
do të ketë turbullira, unë shoh në këto
profeci ogurzeza një mosbesim të hapur që shfaqet
për shqiptarët e Kosovës. Bile do të thosha,
disa herë nga disa rrethe të caktuara, jo nga të
gjithë natyrisht, është edhe një lloj sugjerimi,
një lloj propozimi që u bëhet në mënyrë
të tërthortë që kjo duhet të ndodhë
tani, që ju duhet të bëni trazira, ashtu siç
bëtë vitin që shkoi, në mars dhe në këtë
mënyrë do të varrosej çdo ditë liria
e Kosovës. Në këtë qëndrim gjakftohtë
që mbajti Kosova, i theu këto profeci të errëta
dhe vërtetë e ktheu këtë gjendje krejtësisht
të disfavorshme dhe të pakëndshme, po e kthen dhe
do ta kthejë, në se vazhdon me ketë stil, në
të mirën e saj. Përsa i përket klasës politike
shqiptare në Kosovë, ajo duhet ta përballojë
këtë gjë, të zhvishet nga sentimentalizmi i
tepruar, që, për fat të keq, na karakterizon disa
herë ne shqiptarëve, sidomos kur është fjala
për atë koceptin e besnikërisë ndaj dikujt,
ndaj shokëve, ndaj një klani politik, ndaj një partie,
domethënë duhet të shikojë në radhë
të parë interesin e vendit dhe ajo duhet ta kapërcejë
këtë gjë. Unë besoj se do ta kapërcejë,
pasi hapi i parë, shembulli i parë u dha dje dhe sot dhe
unë kam besim se duhet të tregojë se është
një klasë politike qytetare, në kuptimin më
të thellë të kësaj fjale. Gjyqi ndërkombëtar
i Hagës është një gjyq i botës demokratike,
nuk është një gjyq i huaj për ne, nuk duhet
ta konsiderojmë një gjyq armiqësor. Ky gjyq deri
tani nuk ka dënuar ndonjë njeri të pafajshëm.
Duke patur besim tek ky gjyq, populli i Kosovës dhe klasa politike
e Kosovës do të shpallin besimin e tyre në parimet
e larta universale të demokracisë. Prandaj këtu nuk
ka vend mendoj unë për ligështim, për askënd,
as për popullin e Kosovës, as për klasën politike,
pasi ky incident është një provë e madhe dhe
prova mund të kthehet për të mirë, ose për
të keq. Ky incident i trajtuar gabim do të kthehej në
një faktor të dëmshëm për Kosovën,
por ky incident, i trajtuar siç duhet, jo vetëm nuk
e dobëson Kosovën, lirinë e Kosovës, por përkundrazi
mund ta forcoj atë. Unë në këtë të
fundit shpresoj.
|