NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

BALLKANI, MISION I AFATIZUAR?

Shkruan: Iliriana BAJO

Këshilli i Sigurisë vetëm një javë para vizitës së paralajmëruar për në Kosovë, me rastin e zgjedhjeve lokale të 26 tetorit, e shtyu atë për një kohë të pacaktuar. Arsyeja: Iraku dhe diskutimet për zgjidhjen e krizës atje.

Pentagoni, Departamenti i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, është plotësisht i përfshirë në analizat dhe planet për një luftë të mundshme në Irak. Shtëpia e Bardhë është përqëndruar tërësisht në Lindjen e Mesme. Në një situatë të tillë lind pyetja: Cila është e ardhmja e trupave paqeruajtëse amerikane në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë?


Zbritje efektivash

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, e kishte në programin e vet, madje para fillimit të luftës kundër terrorizmit, tërheqjen e trupave amerikane nga misionet paqeruajtëse. Misionet në Ballkan ishin ndër të parat në listë, për më tepër që ato renditen dhe ndër më të mëdhatë në numër.

Konflikti në Maqedoni, në vitin 2001, vendosja e një numri të kufizuar paqeruajtësish atje, nën flamurin e NATO-s, por me përbërje tërësisht evropiane, qe shembulli i parë i zbatimit të linjës Bush në Ballkan.

Ndërkohë ndodhi 11 shtatori dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë tërësisht në luftën kundër terrorizmit. Pas kësaj pasuan pranverën e kaluar njoftimet e aleancës veriatlantike për zvogëlimin e numrit të trupave paqeruajtëse në misionet e Bosnjës dhe Kosovës me 20 për qind deri në fund të vitit 2002.

Edhe forcat amerikane do të pakësohen. Pas pakësimeve të parapara deri në fund të këtij viti, brenda KFOR-it do të mbeten diku rreth 4 mijë trupa amerikane.

Megjithatë, ndërsa flitet për operacione të reja ushtarake në Lindjen e Mesme, burime të besueshme brenda Pentagonit vërtetojnë se ekziston nervozizëm rreth përkushtimit ushtarak në Ballkan. Arsyeja dihet botërisht. Planet paraprake parashohin se në rast të një sulmi të njëanshëm amerikan kundër Irakut, do të duhen nga 150.000 - 200.000 trupa amerikane.

Por, ka zëra me ndikim që argumentojnë fuqishëm për prani të vazhduar në Ballkan. Analistë në Institutin KATO në Shtetet e Bashkuara pohojnë se prania ushtarake në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, në kushtet e sotme ka rëndësi të veçantë strategjike për regjionin.

Në të njëjtën drejtim shkon edhe deklarata Sekretarit të Shtetit, Kolin Pauell, korrikun e kaluar lidhur me misionet paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë. "Ne atje vajtëm bashkë, e bashkë do të largohemi. Kjo mbetet politika jonë", siguroi ai.



Evropianët të shqetësuar...

E megjithatë, s'do mend se në planin afatgjatë vendet evropiane të NATO-s s'kanë se si ta flejnë mendjen rreth vazhdimit të pranisë amerikane në Ballkan. Aleatet evropiane të Amerikës po përgatiten "për më të keqen", si shprehen një sërë diplomatësh evropianë privatisht. E me ketë ata nënkuptojnë vazhdimin e operacioneve paqeruajtëse në Ballkan në regji tërësisht evropiane, pavarësisht se a do të vazhdojnë të jenë nën flamurin e NATO-s apo jo.

Ky shqetësim qe në qendër të takimit të mbajtur javën e parë të tetorit mes ministrave të mbrojtjes të Bashkimit Evropian, takim që u mbajt në Kretë të Greqisë. Atje, vendet evropiano-perëndimore bënë çmos t'i bindin Shtetet e Bashkuara që ta vazhdojnë angazhimin e vet ushtarak në rajon, qoftë edhe në numër të kufizuar.

Habitërisht, ngulmimi më i fortë në këtë drejtim vjen shi nga francezët. Ministrja franceze e mbrojtjes, Mishel Alio Mari, ka konfirmuar botërisht se e njeh dëshirën e Uashingtonit për t'u liruar nga detyrimet ballkanike. Por, Alio Mari njëherësh e ka pohuar rëndësinë e pranisë ushtarake në Ballkan, si tha ajo, "meqë gjendja është ende e paqartë".

Ministrat e mbrojtjes së vendeve të BE-së ishin të një mendimi se tërheqja e trupave amerikane nga Ballkani mund t'u dërgojë "sinjale negative" forcave të mbrapshta në rajon. Shule shqip, kjo do të thotë se BE-ja i druan një lufte të re ballkanike sapo të largohet çizmja amerikane prej regjionit - e se evropianët qartazi s'besojnë se mund t'ia vënë kapakun kusisë ballkanike dora vetë.


...e të papërgatitur

Në fakt, plot evropianëve - e më së shumti francezëve! - u ka fort ëndja ta sundojnë kontinentin krye në vete. Por puna është se vullneti nuk mjafton. Kur është fjala te evropianët, dëshira është një, e mundësia diçka krejt tjetër.

Lufta në Gjirin Persik, e sidomos ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, evropianëve u ka dhënë të kuptojnë se janë larg prapa kapacitetit operacional të amerikanëve. Cinikët në Uashington s'lënë rast pa përmendur se sikur SHBA-të t'i ngrinin shpenzimet ushtarake, e BE-ja t'i dhjetëfishonte qysh sot, evropianëve do t'u duheshin minimumi 20 vjet për ta arritur Amerikën në armatim!

Le që problemet e evropianëve s'janë vetëm ushtarake. Më shumë se aq, ato janë politike. Në thelb, BE-ja është si një martesë e përdhunshme, që ekziston vetëm falë hegjemonisë globale amerikane, Pax Americana. Evropianët janë ata që ia nxorën sytë njëri-tjetrit, e shkaktuan dy kasaphane botërore, hiç më shumë se 40 vjet më parë. E, sikur të mos ekzistonin culet shtërnguese amerikane, ata sigurisht që s'do të përtonin të çohen peshë sërish.

Duke pasur parasysh këto, s'do mend pse krerët e BE-së nxitojnë ngadalë. Para detyrave të tilla masive si misioni paqeruajtës në Bosnjë, evropianët do të dëshironin të provojnë vetveten në misione më të vogla, që drejtohen më lehtë. Një stërvitje të mirë ofron p.sh. misioni i tashëm i NATO-s në Maqedoni, "Dhelpra e kuqërremtë". BE-ja dukej fort e interesuar për këtë mision, por grindjet kronike Greqi -Turqi bënë që BE-ja ta shtyjë edhe për një kohë drejtimin e misionit në Maqedoni.

Mosmarrveshjet brenda BE-së e komplokojnë të ardhmen e misioneve paqeruajtëse në Ballkan. Në njëfarë mënyre, kjo është fatkeqësi për tërë regjionin. Rezultatet e zgjedhjeve të sivjetshme në Bosnjë, ku nacionalistët sërish dolën në krye, pastaj kriza politike në Serbi, si dhe statusi ende i pavendosur i Kosovës, e theksojnë nevojën e madhe që ekziston për prani evropiane.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:33
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË