NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

NACIONALIZMI SHQIPTAR, RREZIK E MUNDËSI

Shkruan: Ullmar QVICK

Nacionalizmi si fenomen shoqëror e politik u zhvillua në shekullin XIX, pjesërisht si rezultat i kërkesave për liri, barazi dhe vëllazërim, të frymëzuara nga Revolucioni Francez, pjesërisht për arsye të dobësimit të perandorisë osmane dhe më vonë të kolonializmit evropian, së pari në Amerikën Veriore dhe në Amerikën Latine, e më vonë - në shekullin XX - edhe në Afrikë dhe në Azi.

Nacionalizmi ka luajtur një rol shumë të madh në zhvillimin botëror gjatë këtyre dy shekujve të fundit. Nga njëra anë mund të themi se nacionalizmi pozitiv, i cili kërkon të drejta demokratike e etnike, mundësi zhvillimi ekonomik, shoqëror dhe kulturor për cdo popull dhe minoritet etnik, me respekt të plotë për popuj të tjerë sipas parimit "to live and let live" (afërsisht "jeto e lëri të jetojnë") rreshtohet me forcat më përparimtare të botës dhe bën pjesë në proceset demokratike ndërkombëtare.

Nacionalizmi negativ, nga ana tjetër, është i lidhur ngushtë me racizmin, me manipulime politike, fetare e ekonomike për të fituar pushtetin në një vend. Kur ai synon drejt zaptimit të territoreve tjera, jashtë njësisë etniko-shtetëror ku vepron, quhet shovinizëm. Disa prej rrymave politike të kohës sonë e kanë si themel atë mendim, se një racë apo një popull është epror, se racat dhe popujt e tjerë janë inferiorë, më të ulët, nga të gjitha pikëpamjet. Qëndrime të tilla ideologjike dhe praktike ushqehen nga fashizmi, sionizmi, pansllavizmi e rryma tjera ultranacionaliste. Në disa shtete të botës, pra, kjo ideologji negative është bërë pjesë e politikës zyrtare shtetërore dhe ka shkatuar dëm të pallogaritshme: luftëra, masakra, urrejtje, skamje. Mund të them se në mënyrë më të fshehtë, edhe në atdheun tim, në Suedi, veprojnë organizata me karakter jashtëzakonish negativ nacionalist.

Të kthehemi tani te nacionalizmi shqiptar. A kemi në historinë e shqiptarëve shembuj të nacionalizmit pozitiv? Doemos që po. Lufta dhe puna e rilindasve duhet vlerësuar pozitivisht, sepse pa aktivitetin e tyre të madh patriotik, me siguri Shqipëria nuk do të ekzistonte sot. Dua të përmend edhe Mit'hat Frashërin, alias Lumo Skendo, (1880-1949), i cili si politikan, publicist dhe shkrimtar meriton shumë respekt edhe në ditët tona. Meqë ai u bë eksponenti numër një i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas luftës bëri që ai të bëhet objekt i sulmeve më të ndyra nga ana e komunistëve; kjo ka lënë gjurmë deri në kohët tona, kështu që Lumo Skendo mbetet mjaft i panjohur. Mundet që disa prej krerëve të Ballit Kombëtar bënin një politikë të dyshimtë, ndoshta edhe kundër interesave shqiptare, mirëpo kjo nuk duhet të kushtëzojë qëndrimin tonë ndaj Mit'hat Frashërit si ikonë e nacionalizmit pozitiv shqiptar.

Dihet se shqiptarët për më shumë se 120 vjet kanë përjetuar vuajtje, vrasje - bile masakra - dhe dëbime nga trojet e tyre për arsye të politikës shoviniste të shteteve fqinj. Për fat të keq, ideologjia helmuese shoviniste ka pasur ndikim edhe tek botëkuptimi i popujve të shteteve përkatëse. Shpeshherë janë kombinuar sulme reaksionare politike e fetare kundër shqiptarëve, për t'i përligjur synimet rrëmbyese të pushtetarëve fqinj. Nga ana tjetër duhet pranuar - dhe në këtë aspekt shumë shqiptarë duhet të largohen pak nga egocentrizmi i tyre - se barbarizmat e shovinizmit kanë prekur gati të gjithë popujt e Siujdhesës Ballkanike. Studimet historike na mësojmë se vuajtjet më të tmerrshme janë shkaktuar nga luftërat midis Turqisë dhe Greqise në fillim të shekullit XX, nga politika makabre e sadiste që kanë ndjekur ustashët në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe nga ngjarjet në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1990. Problemi i shqiptarëve ka qenë kombinimi i prapambetjes ekonomiko-shoqërore, e cila e ka bërë popullin të pambrojtur, me faktin se sidomos Serbia dhe Greqia kanë pasur interese, kryesisht të natyrës gjeostrategjike, për të zaptuar territoret shqiptare.

A janë shqiptarët të prekur nga ndjenja shoviniste apo jo? A vepron ndër shqiptarët racizmi dhe intoleranca ndaj popujve tjerë?

Për fat të keq besoj se jo vetëm te të tjerët, por edhe te shqiptarët ka mjaft njolla, të cilat ndonëse nuk duken në pamje të parë, prapë vazhdojnë ta kenë ndikimin e vet.

Disa shqiptarë flasin me përbuzje për popuj të tjerë. Sigurisht se shqiptarët kanë arsye të ndiejnë dëshpërim dhe neveri, por duhet kuptuar se racizmi në thelb është i shëmtuar. Si mik i shqiptarëve, më duhet të pranoj sinqerisht se mërzitem kur dëgjoj shprehje si "Hitleri u dha sllavëve trajtimin e merituar", ose "serbët e kanë ligësinë në gjene."

Hitleri ishte armik numër një i tërë njerëzimit, e politika e tij çnjerëzore s'e ka asnjë fije pozitive. Në fund të fundit, ai u bë katastrofë edhe për vet popullin gjerman. Fakti se populli serb është ushqyer me mite antishqiptare nuk do të thotë se ky si popull është i prishur nga pikëpamja gjenetike. Ndikimi shoqëror luan rol qendror, të mendosh se serbët e kanë "trashëguar gjenetikisht" urrejtjen ndaj shqiptarëve është njësoj idiotike si të pohosh se shqiptarët qenkan njerëz me bisht! (Çmenduri kjo e një "shkencëtari" serb në fillim të shekullit XX).

Poashtu, dëgjoj mjaft shqiptarë të dëshpëruar tek thonë se "serbët duhet të kthehen në vendet nga ku kanë ardhur, Karpatet." I shkreti shqiptar, i cili flet në këtë mënyrë, duhet të dinte se fjala "Karpatet" rrjedh nga fjala ilire "Karpë, krapë" me kuptimin "shkrep". Dihet se edhe fjala "Beskidet", një pjesë e Karpateve, mund të shpjegohet vetëm me fjalën ilire "bjeshkë", fjalë që gjallon në gjuhën shqipe edhe sot e kësaj dite. Ilirët i lanë toponimet e veta atje, shi për arsye të qëndrimit të vet të gjatë në atë territor. Kështu, nëse u dashka zbuar serbët deri në Karpate, atëhere le t'u bëjnë shoqëri atyre edhe shqiptarët, këta të fundit për arsye të prejardhjes së vet ilire!!!

Nacionalizmi i mbrujtur me tolerancën dhe respektin ndaj popujve tjerë duhet të lavdërohet. Personalisht unë pranoj se nuk jam pa paragjykime, fundja kush është në këtë botë? Një politikë e mirë, në fund të fundit, është të jesh intolerant vetëm kundër - intolerancës!

Synimi i këtij artikulli nuk ka qenë aspak të irritoj njerëz me pikëpamje të kundërta, do të gëzohem nëse ata marrin parasysh mendimet e shprehura këtu, ndryshe lirisht çdonjëri le të mbetet te pikëpamjet e veta personale. Kam ëndrra, si shumica e shqiptarëve intelektualë, se një ditë do të zhduken kufijtë, se një ditë njerëzit do të llogariten thjesht si njerëz, duke gëzuar respekt e mirëkuptim nga të gjithë, duke ruajtur vlerat e tyre etnike dhe duke vlerësuar vlerat e të tjerëve.

Kjo është një ëndërr e bukur, por edhe po të ishte e paarritshme, ne duhet të punojmë në drejtim të realizimit të saj. Sepse, pa ëndërra njeriu nuk mbijeton dot.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË