NUMĖR 73
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 08 MAJ 2003

Fidel Kastro ndëshkon (sërish) oponentët

Shkruan Jean-Michel CAROIT
(c) « Le Temps »

Kubë: Dënime deri në 27 vjet burg për 43 disidentë kubanez të akuzuar për kontakte me përfaqësinë diplomatike amerikane në Havanë

Gjyqësia kubaneze ka mëshuar shpejt e fort kundër disidentëve të arrestuar javët e fundit. Në një proces të madh gjyqësor, të mbajtur më 7 prill, 43 persona u dënuan me dënime të ashpra prej 12 deri në 27 vjet burg.

Gjykimet u kryen brenda disa orëve dhe në sallë nuk u lejuan gazetarët dhe diplomatët e huaj.

Shumica e të akuzuarve ishin gazetarë të pavarur të bashkuar rreth projektit Varela, që në fakt ishte një fushatë për grumbullimin e nënshkrimeve në favor të kërkesave për ndryshime demokratike e kushtetuese në vend. Arrestimet filluan më 19 mars të këtij viti edhe me pretekstin se të akuzuarit kishin komplotuar kundër regjimit në bashkëpunim me James Cason, përfaqësues i SHBA-së në Havanë.

Në mesin e të dënuarve është edhe personaliteti emblematik i disisdencës kubane, ekonomistja e pavarur Marta Meatrice Roque, e cila u dënua me 20 vjet burg. Prokurori kërkonte për të burg të përjetshëm.

Me 20 vjet u dënua edhe gazetari i pavarur Ricardo Gonzales, ndërkaq kryetari i partisë liberale kubane Osfaldo Alfonso u dënua më 18 vjet burg.

Hektor Palacios, njëri prej përgjegjësve të projektit Varela u dënua më 25 vjet burg. Ndërsa poeti i njohur edhe jashtë Kubës, Raul Rivero e njëherit themelues i agjencisë së lajmeve Kuba press, u dënua më 20 vjet burg. Po kaq u dënua edhe ekonomisti tjetër i pavarur Oscar Epinosa Chepe.

Familjet e disidentëve kanë vendosur të ankohen në gjykatën e shkallës së dytë, por pa ndonjë iluzion se regjimi komunist do të zbus dënimet.

„Kemi qenë të informuar se dënimet do të shqiptohen më 7 prill, në mesditë, por regjimi është informuar se pritet së shpejti rrënimi i regjimit të Sadam Hyseinit, prandaj kanë përshpejtuar procedurën gjyqësore, duke përdorur luftën në Irak si perde tymi për të mbuluar valën e dhunës“, u deklaroi gazetarëve Elizardo Sanchez, kryetar i Komisionit kuban për të drejtat e njeriut.

Pas shqiptimit të dënimeve, në selinë e Komisionit mësyen pjesëtarët e familjeve të disidentëve të dënuar. Të ulur përballë afishes me foton e Papës Jean Paul II, familjarët e dëshpruar përpiqen ta ngushëllojnë njëri-tjetrin: „Oscar nuk e ka parë fare avokatin e tij para procesit. Gjykimi ishte një farsë. E kanë akuzuar se ka favorizuar ligjin Helms-Burton, i cili ka sforcuar embargon e Shteteve të bashkuara kundër Kubës. Ndërkohë që ai vazhdimisht ka qenë kundër embargos, sepse i jep mundësi arsyetimi regjimit të Havanës për gjendjen katastrofike të ekonomisë së vendit. Jam krenare me të por edhe po shqetësohem për gjendjen e tij shëndetësore“, rrëfen Miriam Leiva, e shoqja e Oskar Chepe.


„Fidel Kastro vetë ka diktuar masën drakoniane të dënimeve, sepse askush tjetër nuk do të guxonte ta dënojë me 20 vjet burg një poet për fajin e vetëm pse ka shkruar“, shpërthen gruaja e Raul Rivero.

Ndërkaq Gisela Delgado, gruaja e Hektor Palacios, mëton për një solidaritet ndërkombëtar. „Qeveria po përpiqet ta çartikulojë opozitën duke ndërmarë masa drastike kundër disidentëve pacifistë, sepse pakënaqësia e popullit është në rritje e sipër.“ pohon Zonja Delgado, e cila udhëheq projektin e bibliotekave të pavarura.

Njëra prej bashkëshorteve më të indinjuara është Claudia Marquez, sepse burri i saj Osvaldo Alfonso, ishte njëri prej tre disidentëve që i ra moh aktivitetit të tij. Ai në deklaratën e tij para trupit gjykues la mundësinë të jetë manipuluar nga diplomatët amerikanë dhe kërkoi nga gjykata t’ia japë dhe një shansë të re. „Jam befasuar me faktin se ai ka pranuar akuzat, por deri më tash nuk kam pasur mundësi të flas me të dhe të mësoj se çfarë lloj presioni i është nënshtruar për ta bërë këtë.“

Në aktgjykimet e shqiptuara të posadënuarit janë shpallur fajtorë në përputhje me ligjin 88 që „mbron pavarësinë kombëtare dhe ekonominë e Kubës.“ Ata janë shpallur armiq të popullit kuban dhe mercenarë në shërbim të qeverisë amerikane...

Ata janë dënuar pse kanë mbajtur kontakte me diplomatët amerikanë, pse kanë marrë të holla prej tyre dhe pse u kanë dhënë të huajve informata „që kanë shpërfytyruar realitetin kuban“, pse kanë „përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme gjendjen e tyre ekonomike“ pa pasur një vendpune të përligjur...

Gjatë gjykimeve doli në pah se 11 agjent të shërbimit të sigurimit kishin qenë të infiltruar brenda disidencës, e të cilët ishin kthyer në dëshmitarë të prokurorit. Aleida Godinez, bashkëpunëtorja e Marta Beatriz Roque, kishte qenë agjente me nofkën „Vilma“, ndërkohë që kryetari i partisë për të drejtat e njeriut, Odilia Collazo, ishte agjentja me nofkën „Tania“. Mario Orrio, njëri prej „gazetarëve të pavarur“ që ishte më aktivi dhe i cili pati organizuar një atelie të etikës gazetare pranë përfaqësisë së SHBA-së, në gjykim doli se ishte agjenti „Miguel“.

„Më shumë se agjentë të dyfisht, fjala është për shpifarakë vulgarë. Lëvizja disidente po riorganizohet dhe regjimi do të mashtrohet keq nëse mendon se konflikti është vetëm mes tij dhe disidentëve. Në realitet, kundërshtia themelore është në mes kërkesave në rritje të shoqërisë kubane në njërën anë dhe të modelit totalitar të paftë për t’i realizuar ato, në anën tjetër.“ komenton z. Sanchez, kryetar i Komisionit kuban për të dejtat e njeriut.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:52
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË