NUMĖR 73
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 08 MAJ 2003

Tri të vërtetat e moratoriumit

Shkruan Skerdi SIKA

Thonë se kur ujku i ra ta prejë dashin, ky i shkreti zuri të blegërijë me zë të lartë: ”Bëje Zot ëndërr!”. Deri tani, politika kosovare i ka ngjarë këtij dashi proverbial. Kot u botua në të gjitha mediat rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurisë, ku Kosova figuron qartazi si pjesë e ish Jugosllavisë. E kot vinin nismat nga Beogradi për nisje urgjente të negociatave qysh tani, sa vlen ende de jure kjo rezolutë.

Politika kosovare, prej të djathtës qytetare e deri te… e djathta nacionaliste (meqë të majtë kosovare nuk ka), kish rënë në trans nga mantra e pavarësisë. E kjo pavarësia e gjorë, që sipas politikanëv vendas hë-hë sa s’qenkesh pranuar, thuase ishte struktur diku në një bisht sorre, që assesi ta gjuanin kosovarët e ngratë.

Hashim Thaçi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, u bë i pari që heqi dorë nga ky gjah hutaqësh. Në fakt, e vërteta e hidhur është se Kosovës asnjeri s’ia pranon dot pavarësinë sot për sot – e as nesër, me sa po shihet. Më e mira që mund t’i ndodh Kosovës për momentin, në mos ndodhtë farë mrekullie, është që bashkësia ndërkombëtare ta mbajë trus protektoratin edhe për 100 vjetët e ardhme.

E vërteta e dytë e hidhur është që këtë punë e dinë fort mirë tash sa kohë të gjithë ata politikanë kosovarë që i kanë dy fije mend. E të tillë janë shumica. Por mantra e pavarësisë u ka shërbyer të gjithëve me radhë, edhe vet Hashim Thaçit, për konsum publik. Të gjitha zhgënjimet, dështimet, mashtrimet e shketërimet e jetës në Kosovë janë shpjeguar deri tani sipas një formule të thjeshtë. Mungesa e pavarësisë.

E vërteta e tretë e hidhur është se ideja e moratoriumit, mjerisht, kështu shkujdesshëm si është hedhur në opinion, rrezikon t’i çmersojë (çimentojë) plagët kronike të politikës kosovare. Nëse dyshoni, vëreni vetëm debatin pas botimit të saj.

Ideja është mbështetur nga ato qarqe që mund të thuhet se janë deridiku pozitive kundrejt aspiratave të shqiptarëve si komb. SHBA-të, Gjermania dhe Britania kanë shprehur ”optimizëm të matur”, ashtu si shprehet diplomacia rëndom ndaj një ideje që është e mirë po që dyshohet se s’gëzon mbështetje. Në anën tjetër, ashtu si mund të pritej, oponentët e PD-së e kanë sulmuar ideatorin z. Thaçi dhe rrethin rreth tij me artileri të rëndë, duke e akuzuar atë për jo më pak se tradhëti të lartë.

E keqja është se z. Thaçi duket qartazi që s’e paskësh ankoruar idenë e vet as në radhët e partisë së vet. Kumtesat e pastajme të besnikëve të tij e të prijatarëve të tjerë partiakë e kanë amortizuar idenë e tij gjer atje sa s’i ngjan më asgjëje.

E ky është problem madhor në politikën shqiptare. Demokracia kërkon që idetë të ankorohen së pari së brendshmi, para se t’i shpallen opinionit. Idetë më të mira rëndom gjithmonë kundërthënëse. Por asnjeri nuk fiton nga një ide, sado e mbarë të jetë ajo, që bombardohet gjer në thërrime prej oponencës, e të cilën s’mobilizohet dot askush ta mbrojë. Në rastin më të keq, kjo i shërben vetëm komprometimit të idesë.

Po të ishte Kosova demokraci, PD-ja parti e mirëfilltë, e Hashim Thaçi lider i vërtetë, kjo ide së pari ndoshta do të ish sonduar nga grupe pune, të cilat do ta kishin bërë gati edhe strategjinë e promovimin – dhe të mbrojtjes – së kësaj ideje. Pastaj ideja do të provohej kujdesshëm në opinion nga ndonjë partiak i dorës së tretë, për t’i vjelur e krehur reagime e para të opinionit. E veç në fund ajo do të zyrtarizohej nga një kongres partiak, eventualisht me mbështetje të hapur të kryetarit të partisë.

Kështu si ndodhi tani, që kryetari i partisë ta hedhte një margaritar para derrash pa e pyetur partinë e vet se kah i ka dajët, është mëkat. Kundër PD-së, kundër Kosovës, e kundër demokracisë. Por ndryshe s’kishte se si, në këtë ambient që ekziston këtu.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:48
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË