NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 31 DHJETOR 2004

Daullja bie për atë që dëgjon!

S
hkruan : Prof.As.Dr. Aleksandër KOCANI

(c) Shekulli

Gati dy vite më parë (në muajin mars të vitit 2003) shkrova dhe botova në gazetën “Shekulli” një artikull me titull “Një sugjerim dashamirës për institucionet arsimore kosovare”. Në të ngrihej një shqetësim që lidhej me difektet në arsimimin bazë të rinisë kosovare. Shqetësimi kishte lindur nga vëzhgimet disavjeçare personale dhe të profesionistëve të tjerë mbi shkallën e formimit dhe koherencën logjike në arsyetim të nxënësve dhe studentëve shqiptarë nga Kosova. Dilte se për shkak të deformimeve në mësimdhënien në nivelet primare dhe elementare, në rradhë të parë, të matematikës dhe gjuhës shqipe, nuk ishte “krijuar” si duhet dhe/apo nuk funksiononte normalisht e ashtuquajtura (nga Ajnshtajni) “makine logjike e të kuptuarit”. Kështu që i gjithë procesi i “bluarjes” së informacionit të marrë gjatë shkollimit për të krijuar modele (shprehi) të zbatimit praktik të njohurive “prodhonte” shprehi apo skema zbatuese difektoze. Kjo ishte arsyeja që më nxiti të shkruaja artikullin në fjalë, të cilin në muajin maj të këtij viti (kur qëndrova për afro 3 javë në Prishtinë) u përpoqa, por pa sukses, ta botoja në një gazetë kosovare. Nga vajtjet e mëpastajme dhe kontaktet që kam nuk më del se ka ndonjë reagim serioz qoftë edhe për të debatuar për problemin. Dhe kjo më trishton! Është një problem serioz, një nga pasojat e sundimit serb, dhe askush nuk do të mendojë dhe veprojë për ta zgjidhur. Që do të thotë se, në mënyrë paradoksale, shkollimi në Kosovë vazhdon të formojë breza të rinjsh duke mbajtur po ato difekte në “themelet” e veta që ia shkaktoi sundimi serb (kështu, detyrimi për të bërë mësim nëpër godina banimi për 10 vite e ka dëmtuar seriozisht mësimdhënien në Kosovë).

Përse ndodh kështu ?

Kosova po “thith ajrin e lirisë” dhe ka ndjesinë e një mëvetësie të afërt e, ndërkohë nuk po punon për t’i shëruar të gjitha plagët që i la kolonizimi serb. Natyrisht nuk do të ishte e drejtë dhe, nuk do t’i përgjigjej realitetit, që të fajësoheshin strukturat e UNMIK-ut për këtë mosveprim. Ato kanë mjaft “gjynahe”, që lidhen kryesisht me një mungesë të vizionit dhe difekteve në rekrutimin e personelit të tyre. Por ato nuk do të mundnin vërtetë që të merreshin me zgjidhjen e këtij problemi. U takon institucioneve shqiptare dhe intelektualëve të Kosovës që të mendojnë dhe, sidomos të veprojnë për kapërcimin e pasojave që la pushtimi sërb edhe në fushën e shkollimit të shqiptarëve në Kosovë. E theksojmë veprimin, sepse intuititvisht kemi ndjesinë që ai përbën një farë “përmase” jo efikase në shoqërinë kosovare dhe ndoshta është një nga shënjat e difekteve në fjalë në sistemin e shkollimit. Në jo pak raste të vëzhguara del se të shkolluarit shqiptar në Kosovë tregojnë një farë shkëputje midis pranimit për të bërë diçka dhe veprimit për ta realizuar konkretisht atë. Domethënë veprimi i pranuar tek ata realizohet kryesisht në rafsh virtual, mendor dhe nuk konkretizohet më tej në atë praktik. Dihet se gjithçka fillon nga idetë dhe nga një veprim, si të thuash, virtual, për të kaluar më pastaj në një “konvertim” apo sendërtim të tij në veprim praktik. Në se nuk kryhet ky “konvertim” ka rrezik që të mbetesh rob i një realiteti virtual, domethënë i “mbërthyer” në një botë iluzore. Rreziku është i dukshëm dhe ai lidhet me mosfunksionimin deri në fund të “makinës logjike”, e cila, ashtu siç përmbyll një arsyetim, po ashtu edhe duhet të përmbyllë procesin e shndërrimit të veprimit virtual në veprim real, praktik. Në se nuk funksionon kjo makinë në shoqërinë kosovare, fjala vjen, kërkesa e komunitetit ndërkombëtar për arritjen e standarteve (para apo mbas pavarësisë, kjo është një çështje që kërkon debat) nuk do të realizohej veçse virtualisht, duke kërcënuar kështu realisht ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe, ndoshta edhe të vetë shtetit në Kosovë.

Për ata që duan të kuptojnë

Nxitës për të bërë këtë artikull u bënë përgjigjet e një pjese të konsideruar të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Konstatova me keqardhje se, ndonëse u përsërit tri herë e njëjta tezë, shumica e studentëve që kishin hyrë për të dytën ose të tretën herë tregonin një nivel konstant në rënie në përgjigjet e tyre. Një gjë e tillë, në përgjithësi, nuk ndodh me studentët e universiteteve në Shqipëri, sidomos atyre të Tiranës, ku edhe as që “do të guxonim” të bënim një përsëritje të tillë. Përveç kahes rënëse, në përgjigjet vihen re disa gabime logjike të përsëritura në mënyrë të qartë (domethënë, se ato nuk janë lapsuse!). Kështu është i pranishëm gabimi i kontradiksionit logjik: për të njëjtën gjë, në të njëjtin drejtim pohohen njëkohësisht dy gjëra të kundërta. Për konkretizim, mungesa e variablit njëkohësisht konsiderohet edhe si shkak, edhe si pasojë e mungesës së lidhjeve shkakësore. Ka mungesë koherence logjike: i atribuhohen tiparet e cilësisë dhe sasisë mosqënies (pohohet se nuk ka variabël të varur dhe shtohet se ky është sasior!). Në raporte statike, pjesa merret si më e madhe se e tëra (propozojnë që, për të njëjtin tip studimi, kampionimi (grupi i atyre që do të pyeten) për Prishtinën të jetë dyfishi i atij për Kosovën, a thua se Prishtina nuk përfshihet në Kosovë!) etj.etj.

Për ata që nuk duan të “dëgjojnë”

Duam apo nuk duam, difektet në formimin shkollor të nxënësve dhe studentëve shqiptarë të Kosovës janë dukshëm të pranishëm. Ato janë një sfidë me të cilën u takon të përballen veçanërisht institucionet arsimore të Kosovës. Në se dikush, apo disa me një kryeneçësi provinciale të nxitur nga sedra e sëmurë apo një farë xhelozie nuk do të donin ta shikonin këtë problem, apo me pasivitetin e tyre do të përpiqeshin ta fshihnin atë, atyre do t’u kujtonim fjalën e urtë popullore që thotë se “nuk futet minarja në thes”! Por, sigurisht që problemi mbetet dhe, për më tepër, me kohë ai rëndohet. Shqiptarët që përmbyllin sistemin e shkollimit në Kosovë janë ata që do të marrin gradualisht drejtimin e punëve, duke filluar nga arsimi, ekonomia, drejtësia, mjekësia e deri tek politika. Merret me mend lehtësisht se çfarë produkti do të japin këta individë që kanë kaluar nëpër një sistem formimi shkollor difektoz. Nuk mund të pretendohet që me kuadro të tilla Kosova të bëjë përpara drejt qytetërimit perëndimor kur ajo të jetë e mëvetësishme.

Çfarë kërkohet që të bëhet ?

Thjesht një ndërgjegjësim për problemin dhe rëndësinë e tij si fillim. Më pastaj një njohje në nivel studimor të përmasve dhe shtrirjes në thellësi të tij. Për këtë është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë pa komplekse inferioriteti midis institucioneve arsimore të Kosovës dhe Shqipërisë, që nga niveli ministror e deri tek ai i mësuesve me përvojë të shkollimit primar. Theksi do vënë në krahasimin e potencialive formuese, logjike të sistemit të shkollimit në të dy vendet dhe në nxjerrjen në pah të përvojës pozitive që do shkëmbyer. Po të hyet në këtë rrugë edhe do t’i dilet mbanë, sepse për këtë garanton sistemi shkollimit në Shqipëri që ndjek një logjikë relativisht përmbyllëse. Ajo që kërkohet është pak vision qytetar dhe vullnet politik për t’i çuar përpara gjërat. Për përforcim po citoj këtu sugjerimet e dhëna në artikullin e parë: “Kështu që sugjerimi dashamirës që do t’u bëja institucioneve arsimore të Kosovës është që të shikojnë mundësinë për të bërë objekt të një studimi serioz sistemin shkollor primar dhe elementar të tyre (që do t’i korrespondonte atij fillor dhe 8 vjeçar në Republikën e Shqipërisë), duke pasur si fokus lëndët matematike dhe gjuhën shqipe për rolin e tyre të veçantë në formimin e mendimit logjik. Le të mos harrojnë se kanë qenë për një periudhë të gjatë nën pushtimin serb, një nga më të sofistikuarit nga pikëpamja e dinakërisë, forcës dhe efektshmërisë së veprimit asimilues”.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË