NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

HEMINGWAY NË KUBË - SË SHPEJTI EDHE NË INTERNET

Shkruan: Iliriana BAJO

Michael Reynold është një nga studiuesit më të njohur të veprës dhe jetës së Ernest Hemingway, autorit të një morrie librash të mrekullueshëm, në mesin e të cilave padyshim janë dhe kryevepra si "Plaku dhe deti".

Në biografinë 5 - volumëshe për Hemingway të Reynold, tre prej tyre mbulojnë 30 vitet e para të jetës së shkrimtarit, ndërsa vetëm një volum përqëndrohet në 21 vitet e fundit të tij.
Ernest Hemingway i kaloi dy dekadat e fundit të jetës në Kubë dhe kjo është periudha më pak e njohur e jetës së shkrimtarit.

Për afro 40 vjet Kuba nuk ka lejuar askënd, përfshirë këtu dhe studiuesit vendas, të ketë qasje në shtëpinë ku ka jetuar Hemingway. Ajo është kthyer në muzeum, një pjesë të së cilës mund ta vizitosh ndërsa dhomat ku gjenden letërkëmbimi, shënimet, librat dhe objekte të tjera të tij, mund t'i shohësh vetëm nga dritaret.

Në bodrumet e shtëpisë që gjendet në të dalë të Havanës, llogariten të jenë rreth 3000 letra e dokumente, 3000 fotografi, 9000 libra, shumica e të cilave janë me shënime të mbajtura nga shkrimtari - çfarë sipas Scott Berg, një prej biografëve është skaneri i trurit të Hemingway.

Në mesin e gjërave më të çmuara që gjenden në Havanë, biografët duket se bien dakort për skenarin e një filmi bazuar tek "Plaku dhe deti", me shënimet me dorë nga autori, dialogje të ngjarjeve të jetuara gjatë luftës së Dytë Botërore, të cilat mund të përdoreshin për librat ardhshëm si dhe disa variante të para të disa prej librave të tij.

Duket se frustrimit të studiuesve dhe botuesve të Hemingway po i vjen fundi, pasi pritet që në nëntorin e ardhshëm të nënshkruhet një marrëveshje me Kubën, që i lejon ekspertët e veprës së tij, dhe raujtësit e dokumentave, të ruajnë në mënyrë elektronike gjithë dokumentat që gjenden në shtëpinë e tij në Havanë, po natyrisht që origjinali do të mbetet në Kubë.

Për Sandra Spanier, një tjetër studiuese e Hemingway ky është kufiri i fundit në njohjen e veprës dhe jetës së shkrimtarit. Sipas Spanier nuk dihet shumë rreth jetës së tij në Kubë, përveç faktit që ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe relativisht shumë e gjatë.

Varianti elektronik i arkivës kubaneze të Hemingway do të ruhet në bibliotekën John Fitzgerald Kennedy dhe muzeumin e Bostonit.

Madje përmbajtja e këtij arkivi do të bëhet publike dhe përmes internetit.
Hemingway jetoi në Kubë më gjatë se në çdo vend tjetër, gati një të tretën e jetës së tij dhe aty shkroi "Plaku dhe deti" dhe "Për kë bien këmbanat". Lidhja e tij me këtë vend qe shumë e fortë dhe e thellë, aq sa ai i dhuroi medaljen e çmimit Nobel, që e fitoi në vitin 1954, faltores së shenjtit mbrojtës të vendit.
Por ai morri të njëjtën dashuri nga Kuba, ashtu si e thotë dhe djali i tij, Patrick Hemingway, në një intervistë se "kubanezët nuk e kuptonin dot se Hemingway nuk qe nga Kuba".
Për të gjitha këto arsye ekspertët dhe studiuesit e veprës së tij mendojnë se është më shumë se e nevojshme studimi i kësaj periudhe të jetës së shkrimtarit.

Arkivi i Havanës merr një rëndësi të veçantë kur bëhet fjalë për jetën private të Hemingway. Llogaritet që aty të jenë 26 letra të shkruara nga Adriana Ivancich, kontesha e re italiane që e magjepsi shkrimtarin. Gjenden gjithashtu letra të poetit të madh Ezra Paund dhe të ish gruas së Hemngway, Martha Gellhorn.
Shënimet e atyshme flasin shumë për karakterin e shkrimtarit. Të ruajtuara janë shënimet e mjekut pediatër sa herë vizitonte fëmijët, recetat për ushqimet e tij të preferuara dhe rradhën se si duhet të shërbeheshin.

"Të keshë shpirtin e përditshmërisë së shkrimtarit, kjo është diçka që ëndërrojnë të gjithë biografët", veçon Berg, një nga negoaciatorët e marrëveshjes me Kubën.
Jeta e Hemingway në Kuba, nuk është vetëm një tërheqje e jashtzakonshme për studiuesit, por ka një rëndësi të posaçme për miliona lexuesit dhe admiruesit e veprës së tij.
Të kalosh nëpër përditshmërinë e autorit që shkruajti "Plaku dhe deti", i kalon kufijtë e kuriozitetit. Kjo është e vërtetë dhe për lexuesin shqiptar të Ernest Hemingway.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË