NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë:
PAQETA E RE, POR MALLI I VJETËR

Shkruan: Skerdi SIDA

Data e 26 tetorit ka zënë të avitet, por Kosova s'po zjen që s'po zjen në valë zgjedhore. Debati ka mbetur i vakët, tamam për merak të opinionit si duket, që është lodhur dukshëm nga grindjet serial të krerëve. Shumë prej atyre me të cilët më ka rënë të flas, aq më tepër të rinjtë kosovarë, s'e kanë ndërmend të votojnë fare sivjet. Gjasat janë, pra, që pjesëmarrja zgjedhore në këtë vjeshtë të lagët kosovare t'i thejë shumëfish rekordet e ulta të vitit të shkuar.

Por kjo s'do të thotë se kosovarët s'janë të interesuar për politikë. Këtu me këdo të rrish patjetër që politikë do të flasësh. Në këtë nënqiell tonin, zor se gjen një vend më të politizuar se Kosova.

Ajo që kërcënon t'i zbojë 1.3 mil zgjedhësit e regjistruar të Kosovës prej lokaleve votuese është pikërisht e kundërta. Kosovari i rëndomtë ka një hundë të zgjuar politike, të cilën do t'u duhej t'ua kishin lakmi udhëheqësit e tyre. E cila hundë, si duket, ka nuhatur zgjuarësisht që prej këtyre zgjedhjeve bukë s'ka.

E vërteta e hidhur është, se zgjedhjet lokale në Kosovë janë një ritual i shtrenjtë por i kotë, i pavlershëm e thellësisht i mërzitshëm, që mjafton ta kujtosh për të t'u hapur goja. Sepse bashkitë e Kosovës, apo komunat si i quajnë ende këtu, s'kanë realisht gjë prej gjëje në dorë. Kosova Anno 2002 është UNMIK-istan i veshur me një cipë të hollë demokratike. Këtu përkthyesi i bosit të radhës amerikan, gjerman, sik indian, suedez a bengalas ka më shumë pushtet, se sa të gjithë zyrtarët indigjenë tok së bashku.

Në letër, bashkitë kosovare kanë përgjegjësi një sërë punërash të lehta lokale, nisur prej shkollave e deri te parqet. Në praktikën kosovare, ato as këto punë s'i kanë në dorë. Shkollave mund t'u vësh emrin "Skënderbeu" e "Adem Jashari" sa herë të duash, po paratë për t'ia vënë te porta tabelën me emërtim do të vijnë prej bosit UNMIK-as. I cili mundet, por s'është i detyruar, ta pëlqejë idenë tënde. Njësoj si do t'u nisen prej tij edhe rrogat prej mësuesve e deri te pastruesit e shkollave - si dhe, të mos i harrojmë, fshesarëve të parqeve.

Kështu kanë vajtur punët që pas shporrjes së Beogradit, kuptohet që kështu do të vejnë edhe pas zgjedhjeve sivjet. Paqeta zgjedhore është fjongo e re, por malli brenda saj është bajat. E kjo është kuptuar tamam në çarshinë e zgjuar kosovare. Të vetmit viktima të etheve zgjedhore duket se janë politikanët e imtë lokalë, të cilëve bukvalisht u varet buka e gojës te kjo ceremoni.

Vlerësuesit këtu si duhet i kanë çuar duart prej kësaj vjeshte. Në fakt, s'do mend se kërkohen reforma të ngutshme ligjore qysh sot për t'i evituar defektet demokratike në të ardhmen. Pikë së pari, UNMIK-u do të bënte mirë t'u lërë ca më shumë pushtet në dorë vendësve, nëse do që këta ta marrin demokracinë si ofertë serioze. Së dyti, partitë lokale duhet ta luftojnë korrupsionin, që i ka shndërruar adminstratat bashkiake në zgjoje gjarpërinjsh.

E treta e vërteta, bashkive u duhet mundësuar t'i vjelin vet direkt taksat bashkiake. Një sistem që i vjel taksat anembanë Kosovës, i dërgon në Prishtinë, e që andej oburra i shpërndan sërish gjithandej bashkive, është projekt çmendurak i byrokratëve.

Taksatimi direkt bashkiak do të ishte më i lirë e më efektiv. Ai do të krijonte një vegël stimuluese kundrejt ndërmarrësve lokalë. Por ai do t'i kthente drejt edhe lojalitetet bythëprapa të politikanëve lokalë.

"Politikanët tanë janë si pëllumbat. Sa kohë që s'kanë krihë, të hanë nga dora. Kur të fluturojnë, të dhjejnë në kokë", - më tha buzagaz një çun 19 vjeç para ca ditësh. Politikanët komunalë s'varen prej zgjedhësve të tyre, por prej qendrës në Prishtinë. E si të mos jenë, kur zgjedhjet komunale de facto s'janë veçse matje opinioni?

Decentralizimi ekonomik është shmangur deri tani, kryesisht për shkaqe politike. Në mjedisin paranoik kosovar, ku sekush dyshon se tjetri e mpreh sëpatën për të, askush s'ka qenë i gatshëm ta mendojë një reformë të tillë. UNMIK-u s'ka dashur ta humbas kontrollin financiar mbi bashkitë, qendrat e partive shqiptare s'kanë dashur ta humbasin kontrollin mbi degët, e të dy tok s'kanë guxuar t'u besojnë serbëve qeset bashkiake.

Por parakushtet mund të ndërrojnë rrast gjer herën tjetër, kjo s'ka dyshim. UNMIK-ut, të cilit i vijnë gjithnjë e më pak fonde prej botës, do t'i duhet të efektivizohet, e partitë shqiptare do të zbulojnë herët a vonë se politika e maadhe s'ta mbush barkun, po ekonomia. Dhe mu ekonomia, e jo pallavrat (e jo që jo dhuna, që shqiptarët s'e kanë takat) do t'i mbajë - nëse ka diçka që i mban! - serbët pa u shkëputur prej Kosovës.

Puna është, se kjo gjendje kështu s'vazhdon dot kësisoj pa pasoja serioze. Nëse zgjedhësit kosovarë përnjëmend i braktisin zgjedhjet, atëhere kjo do të ishte fatkeqësia absolutisht më e madhe për një vend që s'ka arritur ende të krijojë shtet.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:35
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË