NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ - ANALIZË VITI V - 1 JANAR 2003

RREZIQET E ANARKISË PRESIDENCIALE

Shkruan: Xhafer SHATRI

Më 4 mars bëhet një vit prej që Kuvendi i Kosovës, më një marrëveshje paraprake të forcave kryesore politike të vendit, ka zgjedhur z. Ibrahim Rugova, në postin e kryetarit të Kosovës.
Sipas Kornizës Kushtetuese, kryetari ynë nuk ka shumë kompetenca, por megjithatë ka mjaft hapësirë manovruese për të luajtur rol parësor në jetën politike të vendit, duke dalur me nisma konkrete apo edhe vetëm duke vënë në spikamë çështje që lidhen jo vetëm me të ardhmen e Kosovës, vendin e saj në botë, por edhe për probleme të vala të përditshmërisë si papunësia, reformimi i shkollimit, funksionimi i administratës, problemet sociale, të pastrehët etj. Pra për probleme të tranzicionit që Kosova, për shkaqe që dihen, i ka shumë më të theksuara se vendet e tjera poskomuniste.
Dhjetë muajt e parë, nëse përjashtojmë pritje përcjelljet e diplomatëve të ndryshëm, ne, qytetarët e vdekshëm, nuk kemi pasur rastin të mësojmë apo të bindemi për ndonjë aktivitet me vlerë të kryetarit tonë. Mirëpo erdhën dy muajt e fundit të vitit dhe z. Rugova bëri disa veprime që vazhdojnë të bëjnë zhurmë e të çojnë pluhur përkundër motit me shi e me borë… Konkretisht:

Më 7 nëntor 2002, me dekret të posaçëm dhe "Në bazë të kompetencave të Presidentit të Kosovës, unë emëroj senatorin Bob Dol, Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA. Senatori legjendar Dol është mik i madh i Kosovës dhe për më shumë se një dekadë e ka përkrahur çështjen e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Zyra e senatorit Dol do t'i përfaqësojë interesat e Kosovës në Uashington D.C. pranë Administratës, Kongresit, Senatit dhe komunitetit të biznesit amerikan. Emërimi i senatorit Dol është një moment i rëndësishëm për mua dhe për popullin e Kosovës."

Më 28 nëntor 2002, në manifestimin e organiziar për Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, kryetari Rugova deklaroi: "Njëherësh me Ditën e Flamurit të viteve 1910-1912, është e lidhur edhe kënga e ushtarëve të asaj kohe "Kushtrimi i Kosovës", apo "Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë", që ishte këngë popullore dhe përdorej si himn kombëtar. Këtë himn apo këngë të asaj kohe e kemi propozuar për himn kombëtar - shtetëror të Kosovës.

Dita e Flamurit tashmë është bërë festë tradicionale e shqiptarëve që e festojnë në të gjitha territoret e tyre dhe në diasporë. Kosova së shpejti do të bëjë caktimin e simboleve dhe të festave shtetërore apo kombëtare përmes institucioneve të saj dhe në konsultim me popullin dhe qytetarët."

Më 23 dhjetor 2002, me rastin e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari ynë bëri: "përurimin e 'Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës... Mund të themi se pas Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, që ishte shtëpi e lidhjes së gjithë shqiptarëve, sot në kryeqytetin e Kosovës po e përurojmë 'Shtëpinë e Pavarësisë', që do të jetë shtëpi e lirisë, e pavarësisë, e popullit të Kosovës"

Por t'u kthehemi fakteve:

1. Për institucionin e Presidentit, në buxhetin e Kosovës për vitin 2002 janë paraparë 1 milionë euro. Kjo është shumë e konsiderueshme që krijon mundësinë për të pasur një kabinet komplet dhe të efektshëm. Por deri sot ne nuk kemi parë asnjë nëpunës, asnjë ekip të ri pranë kryetarit të Kosovës; nuk kemi mësuar të jetë emëruar shefi i kabinetit apo i protokolit, këshilltari diplomatik, këshiltari juridik etj., etj... Publikisht dihet se deri tash është emëruar vetëm një këshilltar, ai për mediat, i cili edhe ashtu ka qenë kuadër (padyshim kompetent) në QIK.
Në mungesë (të qëllimshme nga UNMIK) të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kabineti i Kryetarit të Kosovës do të luante rol jashtëzakonisht të madh në përfaqësimin dhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës në botë. Në mungesë të këtij kabineti, për ata që marrin vesh nga poltika e jashtme, emërimi i zotit Bob Dole si Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA, është, thënë më së buti, një veprim joserioz që ka për synim jo punën, por zhurmën. Sepse një ambasador sado i zoti qoftë, nëse prapa tij nuk qëndron një shërbim efikas diplomatik nuk mund të bëjë asgjë.

2. Pranë kryetarit të Kosovës ne vazhdojmë t'i shohim truprojat e mëparshme, edhe pse dihet se pranë Shërbimit Policor të Kosovës është formuar një njësi e veçantë e specializuar për ruajtjen dhe përkujdesjen e personaliteteve. Nëse këta truproje nuk janë pjesë e SHPK-së, atëherë shtrohet pyetja: a mos kryetari ynë nuk ka besim në këtë organ të Kosovës?
Ndërkaq, të gjithë kemi parë se kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit e përcjellin pjesëtarët e kësaj njësie.

3. Kryetarin e Kosovës edhe pse ka zyrën e tij, pranë personaliteteve të tjera (kryetari i Kuvendit, kryeministri), e shohim që ta zhvillojë gjithë aktivitetin e tij në shtëpinë ku jeton. Burime të ndërkombëtarëve në Prishtinë pohojnë se kryetarin tonë mund ta nxjerrin për takime me të huajt nga shtëpia e tij vetëm nëse mbi të bëhet një presion krejt i veçantë.

4. Kryetari ynë në vazhdimësi në të gjitha kontaktet me të huajt, qofshin ata diplomatë, ushtarakë, funksionarë të organizatave ndërkombëtare, e besa edhe humanitare etj., e shtron kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Madje nga jëherë edhe duke e zbutur këtë kërkesë e duke e kthyer në vetëm konstatim se pavarësia do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën.
Këtë kërkese jetike, e përsëris, tash të kthyer vetëm në konstatim, kryetari ynë e përcjell gjithnjë me një qeshje të zëshme.
Kërkesa për pavarësi dhe sidomos ajo për njohjen e saj është kërkesa më serioze në jetën e një populli. Në rrethanat që po kalon Kosova, pavarësia mund të kërkohet në shumë forma, por kurrsesi ashtu siç e bën kryetari ynë vend e pavend dhe sidomos para mediave.
Një prej formave, ndoshta më e pranueshmja, është përafërsisht kjo:
Në heshtje të plotë, kryetari i Kosovës do të duhej të mbledhë eskpertët më të mirë që ka vendi në fushën e të drejtës ndërkombëtare, kushtetuese, të shkencave politike etj. dhe t'u japë detyrë që ta përpilojnë një Memorandum që do t'i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Prej ekspertëve kërkohet të japin arsyetime bindëse historike, politike, juridike, ekonomike, morale etj., për plotësimin e kësaj kërkese. Në këtë rast do të duhej angazhuar edhe ekspertë të huaj.
Pasi të jetë rrumbullaksuar Memorandumi do të duhej të mbahet një takim i përbashkët i kryetarit me kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, liderët e forcave politike që përpiqen për pavarësinë e Kosovës dhe personalitetet me peshë. Kjo për të gjetur konsenzus për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë unikë në përputhje me Memorandumin.
Menjëherë pastaj do të duhej të caktohen njerëzit më të zotë që i ka Kosova për komunikim me të huajt dhe ata, në cilësinë e emisarëve të posaqëm të Kryetarit të Kosovës të dërgohen në Washington, Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Romë, Vjenë, Tiranë, Moskë, Pekin, Tokio, Ankara, Kairo, Athinë, Shkup… dhe shefave të këtyre vendeve dhe Kryetarit të Komisionit të Bashkimit Evropian t'u dorëzohet Memorandumi dhe të kërkohet mbështetja e tyre.
I njëjti, natyrisht i dorëzohet Këshillit të Sigurimit.
Krahas kësaj duhet të mobilizohen të gjitha forcat politike, krejt potenciali pozitiv që ka vendi, për të mbështetur zëshëm Memorandumin. Pa përjashtuar këtu edhe manifestimet publike e absolutisht paqësore ku kërkohet dhe mbështet pavarësia.
Natyrisht se me këtë rast nuk duhet lënë anash mediat e huaja me ndikim që të pasqyrojnë sa më realisht kërkesat e udhëheqjes së Kosovës dhe popullit të saj.
Ky aksion do të zgjaste ndoshta edhe me javë, por sipas një plani të detajuar e të përpunuar deri në përkryemje, shumë çështje do të lëviznin nga vendi.
Këto veprime ndoshta do të duhej bërë shpejt sa shteti serb është duke u përballur me probleme të mëdha të brendshme dhe të jashtme. Ose të paktën duhet pasur një strategji të përpunuar deri në detajet më të vogla të cilën e zbaton grupi i ekspertëve për këtë çështje.
Në këtë kuptim, mënyra se si e kërkon z. Rugova njohjen e pavarësisë, thënë më së buti, është tallja më e pafalshme që i bëhet kësaj kërkese sublime dhe jo vetëm asaj, por edhe të gjithë atyre që kanë rënë apo që kanë sakrifikuar në çfarëdo mënyre qoftë për lirinë e Kosovës.

5. Kryetari i Kosovës, siç u tha më sipër ka propozuar ndryshimin e Flamurit dhe Himnit kombëtar. Dhe këtë e ka bërë thuase po bën një superzbulim. Të gjithë e dinë se Kosova posa të bëhet shtet duhet ta ketë flamurin dhe himnin e vet. Madje jo vetëm kaq, por edhe flamuri edhe himni do të jenë kapitulli përmbyllës i statusit të ardhshëm të Kosovës dhe pjesë e negociatave, trysnive dhe pazarllëqeve të ndryshme, sepse faktori ndërkombëtar do të intervenojë edhe për këto çështje, siç ka intervenuar, ta zëmë, edhe në pamjen e pasaportit të Bosnje e Hercegovinës.
Pra nuk janë Flamuri e Himni ata që do të përcaktojnë statusin e Kosovës, por do të jetë statusi ai që përcakton, veç tjerash, pamjen e Flamurit dhe përmbajtjen e Himnit. Në këtë vijë "për të qenë shtet sipas të drejtës së sotme ndërkombëtare duhet përmbushur kushtet e parashikuara në konvendtën ndërkombëtare të Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve: 1. pasja e popullsisë, 2. pasja e territorit, 3. një qeverim të efektshëm të kësaj popullsie dhe këtij territori, dhe 4, aftësia e hyrjes në marrëdhënie me shtetet tjera dhe organizatat ndërkombëtare (Dr. Enver Hasani: "Simbolet kombëtare dhe shteti")
Nga ky këndvështrim hapja e çështjes së Himnit dhe Flamurit është krejt e panevojshme.
Në këtë vijë folklorike është edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarësisë që nëse e krahasojmë me detyrat dhe obligimet që ka kryetari i Kosovës, do të thotë as më pak e as më shumë se eja me mua që të shkojmë askund, afroma veshin të të them asgjë.
Eshtë historikisht e paqëndrueshme që pavarësia e Kosovës të lidhet vetëm me formimin e Lidhjes Demokratike. E përkujtoj Kryetarin e Kosovës, Shkëlqësinë e Tij, Zotin Ibrahim Rugova se më 1945 është formuar Partia Nacionaldemokratike Shqiptare, se më 1963 është formuar Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, se si vazhdimësi e këtyre prganizatave, para 20 vitesh, është formuar Lëvizja Popullore e Kosovës. Kjo Organizatë gjatë gjithë viteve tetëdhjetë ka qenë bartësja kryesore e gjithë aktivitetit atdhetar kundër pushtuesve komunist serbë, se brenda dekadës së fundit ka organizuar dhe i ka fituar tri lufta, ka prish statuskuon në rajon dhe drejtpërdrejtë ka kontribuar për ardhjen e Natos në Kosovë…
Eshtë rasti dhe vendi të thuhet se të ngritësh Barakën e Lidhjes së Shkrimtarëve në Shtëpi të Pavarësisë, ndërkohë që Pavarësia është larg, dhe njëherit të injorosh Hasan Prishtinën, prijësin e pazëvendësueshëm të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës nuk është gabim, por faj historik. Dhe në këtë faj nuk është i zhytur vetëm z. Rugova, por edhe i vetëquajturi 'krah i luftës', i cili poashtu ka injoruar qëllimisht e me ligësi Hasan Prishtinën.
Cila ishte ajo brigadë e UÇK-së, cili është ai institucion, shesh apo qytet me peshë në Prishtinë ose në Kosovë që është nderuar me emrin e shenjtë Hasan Prishtina, shefit suprem e prijësit shpirtëror të të gjithë idealistëve shqiptarë?

6. Në nenin 2, pika 7, të Kornizës kushtetuese, e aprovuar edhe me aminin e z. Rugova, thuhet se kryetari i Kosovës nuk mund të jetë njëkohësisht edhe bartës i ndonjë funksioni tjetër. Ndërkaq më 8 qërshor 2002 është mbajtur Kuvendi i Katërt i LDK-së. Në këtë Kuvend z. Rugova është zgjedhur me aklamacion, si në kohët e bukura të Titos, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Atë ditë në Kuvend merrnin pjesë 285 delegatë. Kuvendit iu propozua lista prej 102 kandidatëve, prej të cilëve 75 veta duhej të zgjedheshin si anëtarë të rinj të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Mirëpo procedura zgjedhore zgjati 5 orë, 2 herë më shumë se raporti i veprimtarisë, diskutimet dhe aprovimi i deklaratës politike, Programit dhe Statutit!
Kjo ndodhi për shkak të parregullsive të shumta në procedurën zgjedhore, dhe Kuvendi u rrezikua të kthehet në një dështim dhe kompromitim total të Lidhjes Demokratike dhe të z. Rugova. Prandaj ai i ra shkurt dhe vendosi: "…të gjithë kandidatët e propozuar janë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm!"
Prej atëherë e deri më sot, ky Këshill i përgjithshëm nuk ka zgjedhur as Kryesinë dhe as organet e tjera të LDK-së.
Me fjalë të tjera, prej një gjysmë viti Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe politike në vend, nuk ka udhëheqje.

7. Përballë këtyre fakteve, vetëvetu lindin edhe një mori pyetjesh:
A e di z. Rugova se anarkia në LDK do të thotë anarki edhe në Kosovë?
A e di z. Rugova se nuk kërkohet pavarësia vend e pavend dhe gjithsesi para para gazetarëve?
A e di z. Rugova se mosfunksionimi i institucioneve të Kosovës, i kryetarit, qeverisë dhe Kuvendit në radhë të parë e dëmtojnë substancialisht procesin e pavarësimit të Kosovës?
Atëherë, pse vepron kështu, apo thënë më mirë, pse nuk vepron z. Rugova në përputhje me kompetencat që ka dhe me nevojat jetike të Kosovës?

8. Shtrohet edhe pyetja tjetër: si është e mundur që përkundër të gjithave z. Rugova të mbijetojë kaq lehtë në fushëbetejën e rrëqshqitshme të politikës shqiptare dhe ballkanike?
Janë shumë faktorë. Por mund të përmenden disa:
- Z. Rugova ka një virtyt, që në politikë është shumë i vlefshëm: të mos e thotë kurrë fjalën e fundit të parën. Pra të jetë i matur dhe kjo maturi ka ndikuar shumë që Kosova të mos e pësojë keq që në fillim të përgjakjeve në Jugosllavi;
- Z. Rugova ka qenë në vazhdimësi i vetëdijshëm për rrezikun që paraqet për të ardhmen e Kosovës fakti se pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë të besimit musliman. Prandaj ka kultivuar marrëdhënie shumë të mira me Vatikanin;
- Z. Rugova marrëdhëniet me Shqipërinë i ka parë me shumë gjakftohtësi dhe nuk ka lejuar raporte ekzaltimi ose shprehje folklorike të emocioneve, i vetëdijshëm se qoftë dhe një përqafim i pamatur ka mundur e mundet edhe sot të dëmtojë rëndshëm të ardhmen e Kosovës. Në këtë pikë ka edhe gjëra të tjera që nuk mund të elaborohen gjerësisht në këtë artikull.
- Z. Rugova, për shkaqe të njohura e të panjohura, ka pasur fatin që në Kosovë të mos ketë kundërshtarë politikë që do të rrezikonin primatin e tij. Rivali i tij më serioz, z. Adem Demaçi, është eliminuar me kohën nga skena politike më tepër nga nxënësit e tij kryengritës se sa nga vetë Rugova.
- Z. Rugova ka pasur fatin që Kosova të ketë jo vetëm klasë politike, por edhe media që anarkinë, veprimet e tij (dhe jo vetëm të tij), apo thënë më qartë mosveprimet e tij (dhe jo vetëm të tij), që prekin drejtpërdrejt fatin tonë; që rrezikojnë drejtpërdrejt të ardhmen e fëmijve tanë dhe të Kosovës, t'i trajtojnë sikur të ishte fjala për veprime e deklarata të ndonjë kryetari të Somalisë e jo veprime e deklarata të njeriut (njerëzve) të parë në vendin tonë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:41
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË