NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 1 JANAR 2003

Marrëveshja për tregti të lirë në mes Kosovës dhe Shqipërisë
SHANS, QË DUHET SHFRYTËZUAR

Shkruan: Gjergj BUXHUKU

Nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe UNMIK, është një nga lajmet më pozitive të vitit 2002. Rëndësia e marrëveshjes qëndron para së gjithash në tejkalimin elementit diskreminues katërvjeçar në raport me vendet e tjera të rajonit për produktet e eksportit me origjinë shqiptare në tregun kosovar. Potencialisht, tashmë një numër i madh produktesh shqiptare i shpëtojnë një barrë fiskale, që arrinte një vlerë më të madhe se 25%, duke krijuar potencialisht mundësinë e hyrjes reale dhe konkurrencës së barabartë në tregun e pasur të Kosovës. Nuk duhet të harrojmë se fuqia financiare thithëse e tregut kosovar arrin në vlera, qe vetëm në importe kalojnë shifrën prej mbi 1 miliard euro/vit.

Rëndësia e marrëveshjes së mësipërme bazën e ka të leverdia dhe interesat ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë, si entitete të ndryshme shtetërore, por i tejkalon ndjeshëm ato kur eshtë fjala për ardhmërinë e kombit shqiptar në tërësi. Praktikisht krijohen kushtet baze të nisjes së procesit të riintegrimit kombëtar, tashmë nisur jo nga elementë thjesht ideale, subjektive dhe idole heronjsh, por duke filluar nga baza e historikisht e palëvizshme e krijimit dhe ekzistencës së një kombi: interesat ekonomike të pjesëve të ndryshme të popullsisë dhe qytetarëve.

Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1912, goditi tmerrësisht dhe në afatgjatë bazën ekonomike të ekzistencës së kombit shqiptar. Krijuar në shekuj si një treg unik si pasojë e shkëmbimeve të natyrshme tregtare, shkëputja e trevave shqiptare në veri dhe lindje të vendit nga trungu etnik, shkatërroi vetë tregun kombëtar duke varfëruar popullsinë dhe ndalur zhvillimin e kombit në tërësi. Shkëputja e Kosovës, Maqedonisë Perëndimore, Ulqinit, etj bëri, që vetë shteti shqiptar formuar mbi pjesën e mbetur të kombit, të humbiste në afatgjatë ekuilibrin ekonomik dhe si pasojë edhe ekuilibrin social dhe psikologjik duke të humbur edhe objektivisht mundësinë e zhvillimit normal. Pjesa veriore e shtetit shqiptar, që mbeti pa burimet bazë të ekzistencës shekullore të saj, bazuar në shkëmbimet tregtare me pjesët e shkëputura të tregut kombëtar, u detyrua që për mbijetesë t'i mbivendosej pjesës qendrore dhe jugore. Por, ekuilibrat ekonomike të vendosur me shumë vështirësi në shekuj janë mjaft delikate dhe nuk mund të mbajnë për një kohë të gjatë goditje të tilla të tmerrshme. Si pasojë edhe vetë shteti shqiptar gjatë gjithë shekullit të fundit u karakterizua nga jostabilitetit i plotë ekonomik, social dhe politik, ku një nga rrënjët bazë të këtij realiteti ishte çintegrimi kombëtar dhe ekonomik i vitit 1912.

Kushtet e reja politike të krijuara pas çlirimit të Kosovës dhe liberalizimi i tregtisë ndërmjet gjymtyrëve të njëjtit trup krijojnë shanse të shkëlqyera për të rivendosur ekuilibrat natyrore të zhvillimit kombëtar në të mirë të gjithë shqiptarëve pavarësisht në cilin entitet shtetëror jetojnë. Eshtë detyrë e shtetit shqiptar para se gjithash, për të përpunuar politikat ekonomike të domosdoshme me qëllim shfrytëzimin e këtyre mundësive, që bashkësia demokratike ndërkombëtare me në krye SHBA u krijoi shqiptarëve. Sesa të aftë jemi për të përmbushur këtë qëllim strategjik madhor këtë le ta shohim. Deri më tash qeveritë kanë dështuar totalisht edhe në politikat ekonomike të zhvillimit të brendshëm të vetë shtetit shqiptar! Megjithatë le të shpresojmë se të paktën ekziston dëshira politike për riintegrim real kombëtar, sepse puna ka arritur deri në atë pikë dhe shembujt, që tregojnë për të kundërtën janë kaq të shumtë, sa edhe kjo mund të vihet në dyshim!

Riintegrimi kombëtar duhet të fillojë pikërisht nga ekonomia sipas parimit: përpara se të jemi shqiptarë, jemi njerëz që duam të jetojmë!
Marrë nga "Shekulli"


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:41
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË