NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 1 JANAR 2003

Lugina e Preshevës
VITI I KALAMENDJEVE POLITIKE

Shkruan: Mal BERISHA

Ky vit në Luginë të Preshevës ka kaluar pa ndonji rezultat të veçantë të shqiptarëve të këtyre trevave. Në Bujanoc është fituar pushteti lokal por ai pushtet është i brishtë dhe qëndron në këmbë të qelqta. Në Preshevë jeta politike është e bunkerizuar, e neveritshme dhe e paperspektivë. Në Medvgjë vazhdon shpërngulja e shqiptarëve të atjeshëm dhe ekziston rreziku që historia e dëbimeve të shqiptarëve nga ato vise të vazhdoj mu aty ku mbeti në viete 1876 - 77.
Jeta politike e shqiptarëve në Luginë të Preshevës i gjason njeriut të dehur në mbrëmjen e kaluar dhe kur ai e pyet veten "pse e bëra këtë!?". E liderët shqiptarë të kësaj treve nganjëherë në mos publikisht, të paktën vetë më vete duhet të pyesin ku mbeti realizimi i platformës shqiptare? A u shfrytëzua në maksimum përkrahja e faktorit ndërkombëtar? A u dogj karta e zgjidhjes së çështjes shqiptare në favor të shqiptarëve? Kur do të mësohen liderët tanë të mos jenë dyftyrësh, që oponionit shqiptar t'i flasin ndryshe e Nebojsha Çoviqit t'i përkulen si të mjerë!

Viti që po kalon

Ky vit në Luginë të Preshevës kaloi në shenjë të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.Zgjedhjet u mbajtën në fund të korikut. Ato ishin të rëndësishme për komunën e Bujanocit nga se atje me dekada shqiptarët edhe pse ishin shumicë nuk kishin lejuar nga serbët që t'a kryesojnë pushetin lokal. Por në korrik, më në fund edhe pas një muaji të mbajtjes së zgjedhjeve dhe pas shumë peripecive serbët e këtueshëm e pranuan realitetin dhe pikërisht më 29 gusht 2002 Nagip Arifi u emrua prefekt i komunës së Bujanocit.
Por edhe këtu pati mosmarveshje të cilat i poshtruan shqiptarët. Duke parë se puna nuk ishte dobro liderët shqiptarë luanin me fatine shqiptarëve të komunës së Buanocit nga se Medevgja tani ishte e vdekur! Luhej në kartën se në Preshevë nuk ka nevojë që të mbahen zgjedhjet lokale nga se situata gjithnji ka qenë më dobro se në Bujanoc dhe Medvegjë! Sikur nuk kuptohej se me këtë rrezikohej me prolongim të marrjes së pushetit nga shqiptarët e komunës së Bujanocit por qartë dukej se paternazlimi ndaj shqiptarëve të Bujanocit mbaronte dhe nuk ishte e vërtetë se "atje nuk ka lider shqiptar që di të udhëheq me pushetin lokal!" Me një fjalë marrja e pushtiti lokal në Bujanoc rrezikonte që të dalin sheshit marrëveshjet e fshehta në mes JUL -it të Mira Markoviqit dhe një pjese të liderëve shqiptarë!
Këto lojëra nuk i pëlqyen "kreatorit të paqes" këtu Nebojsha Çoviqit i cili shkurt tha dhe ashtu u bë: "Zgjedhjet do të mbahen edhe në Preshevë se kjo parashihet me planin tim."
Me sjelljet e tyre liderët shqiptarë disa herë e ndihmuan Çoviqin që të shënojë gol por jo nga aftësitë e tij sa nga gabimet e atyre të "moderuarve" që përçanë së pari komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshvës, Bujanocit dhe Medvegjës për hir të miqësisë së vjetër me boshnjakun Rasim Lajiq, i cili tani po i ndihmon pikërisht në mënyrë të ndërsjellë liderët shqiptarë për të bërë pishina nëpër oborre të shtëpisë dhe duke koordinuar politikën me atë të Koshtunicës për të cilin edhe publikisht ftohet popullata shqiptare të votojë në zgjedhjet e dështuara për president të Serbisë.
Serbët vetë nuk dëshirojnë për liderin e tyre ndërsa shqiptarët publikisht ftohen që të votojnë për Koshtunicën me kalashnikov në dorë! Megjithatë suksesi i vetëm është zgjedhja e prefektit në Bujanoc ku shqiptarët në këtë komunë vërtetuan se dinë të bashkohen dhe dijnë të kanalizojnë vetëdijen politike duke mos pasur nevojë më tutje që të udhëhiqen vetëm "nga një babë i kombit nga Presheva."
Nagip Arifi në Bujanoc iu qas punëve në mënyrë serioze dhe tani pas katër muajve ka arritur së pari t'a stabilizojë gjendejn në komunë duke punësuar njerëz të rinj në admnistratën komunale por për nga aftësia e jo për nga bindjet partiake. Me transparencën tij Arifi gjeti përkrahje tek ndërkombëtarët.
Bujanoci sot është komuna më e skajshme e tokave shqiptare ku ka filluar të lind një vullnet i ri i harmonizuar me kohën dhe i cili vullnet është në gjendje të ballafaqohet me realitete të reja.
Gjendje e rëndë vazhdon të mbretëroj në komunën e Medvegjës. Atje kanë mbetur vetëm 450 shqiptar, nga 4000 sa ishin më parë.

Fati i ish - luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medevgjë

Këtë vit disa herë radhazi ka ndodhur që nëpër shtyp të botohen vendime të gjykatave serbe se kësaj herë janë amnistuar filan komandanti apo fistek ushtzari i UçPMB-së...
Kjo shtyn të dyshosh se megjithatë ka ekzistuar një koordinim me palën serbe se kur dhe në çfarë kohe të amnistohen disa komandantë në mënyrë që ata "të mos e rrezikojnë paqen e Çoviqit."
Por shtrohet pyetja: çka bëjnë sot një numër i madh i ish - luftëtarëve. Një numër i tyre simbolikë është kyçur në policinë multietnike edhe pse trumpetohej se në polici do të kyçen eksluzivisht ish - luftëtarët shqiptarë por më së pari vrapuan ata të cilët ia dinin hujin pushetit serb dhe bënë të pamundurën për t'i bërë policë bijtë e tyre.
Një pjesë e ish - luftëtarëve gjendet në Kosovë. Atje punojnë ngapak dhe memzi gjallërojnë, ndërkaq këtu, në Luginë të Preshvës mund të ndëgjohen fjalë "se një gjë të tillë e kanë merituar nga se nuk kanë qenë të ndëgjueshëm ndaj politikanëve të këtueshëm."
Një numër gjenden këtu dhe punojnë punë krahu apo nuk punojnë fare. Ata mund t'i hasësh edhe duke shitur dru në treg për të mbijetuar. Por a ka mundur të gjendet punë bile në Preshevë. Po edhe jo! P.sh. Gjykata komunale në Preshvë edhe pse qyteti është i përbërë prej 97% shqiptarëve ka vetëm tre shqiptar! Pastaj ndërmarrja e Hekurudhës, jo vetëm udhëhiqet nga serbët e Vranjës por edhe përbërja etnike e të punësuarve është qind për qind serbe. Apo ta marrim si shëmbull Kuvendin Komunal të Preshevës, ku prej mbarimit të Luftës janë punësuar vetëm 5 veta dhe ata, të gjithë anëtarë të Partisë për Veprim Demokratik.
Shikuar realisht sidomos në Preshvë mbretëron një plogështi dhe kalamendje politike.

Flamuri i ndaluar shqiptar

Edhe këtë vit në Luginë të Preshvës për festën e Ditës së Flamurit pati tollovi protesta dhe m'u në këtë ditë të rinjtë me vullnetin dhe vrullin rinor dëshironin "ti shqiptarizonin liderët, për të cilët kishin votuar pleqët e tyre patriarkal". Ata brohoritën rrugëve të Preshevës dhe vendosën flamurin në ndërtesën e Kuvendit Komunal e në Bujanoc, flamuri u vendos edhe nëpër vendbaimet shqiptare.
Ligji i mikut të politikanëve shqiptarë, Lajiqit është cinik sa edhe vetë Lajiqi nga se "pakicat kanë të drejtë të përdorin flamurin por ndalohet flamuri i cili është simbol i ndonji shteti të huaj."
Lidhur me propozimin e kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova qytetarët e Luginës së Preshevës kanë mendime të ndara, më shumë contra se pro, sepse në këtë rast shtrohet pyetja cili do të jetë Flamur për shqiptarët e këtyre trevave të këputura nga trungu?
Çështje tjetër më vete, por që këtu peshon shumë më rëndë, është se njerëzit në Luginën e Preshevës, siç po i themi tash Kosovës Lindore, ditë e më tepër po e ndiejnë se janë lënë anash, për të mos thënë se janë harruar nga elita politike shqiptare përgjithësisht.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:41
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË