Falmerajeri,
dijetari që rrëzoi mitin grek
Shkruan:·
Prof. Dr. Peter BARTL | © Tema
"Vetëm
kur je i frymëzuar nga një e vërtetë dhe vetëm
kur qëndron larg interesit të përgjithshëm mund
të vihesh në kontradiktë me gjithë ndjenjat
e kohës tënde dhe me korifejtë e saj". Kur Falmerajeri
(Fallmerayer) shkroi këta rreshta, ai tanimë ishte quajtur
"Fragmentisti" dhe mbahej si njëri prej shkencëtarëve
e publicistëve më të nderuar, por njëkohësisht
edhe nga më të diskutueshmit. Ai qe historian, gazetar
dhe politikan i lavdëruar për gjuhën e tij. Franc
Babingeri (Franz Babinger), p.sh., e quan atë "forca e
interpretimit" dhe shprehet: "Bukuria e gjuhës së
tij të lë pa mend".
Falmerajeri
lindi më 10 dhjetor 1790 në Vajler Pairdorf (Weiler Pairdorf),
komuna e Çëçit (Tschoettsch) në Briksen
(Brixen), në Tirolin Jugor të sotëm, ku u rrit në
kushte të mjerueshme. Prindërit e tij ishin fshatarë
të varfër. Falmerajeri ishte i katërti ndër
dhjetë fëmijët e familjes. Hyri në shkollën
popullore të Çëçit dhe, që nga viti
1801, kur i ati hoqi dorë nga ferma (e cila ekziston ende sot),
vazhdoi shkollën në Briksen. Më 1803 u fut në
korin e shkollës së katedrales së atjeshme, ku mori
një "formim të përsosur humanist". Më
1809-1811 studioi teologji dhe filozofi në Salcburgun që
dikur i përkiste Bavarisë, por shumë shpejt tregoi
më tepër interes për historinë dhe gjuhët
semitike. Pasi kishte hequr dorë nga dëshira për
t'u bërë prift, më 1812 Falmerajeri shkoi në
Landshut për të studiuar jurisprudencë. Por edhe
kjo nuk e kënaqi plotësisht. Më 1813 vendos të
bëjë karrierë ushtarake, prandaj hyn në ushtrinë
bavareze si nëntoger. Mori pjesë në fushatën
e Francës, ku edhe u shqua. Më 1818 u shkëput nga
ushtria dhe punoi si mësues në gjimnazin e Augsburgut,
ndërsa më 1821 dha mësim në gjimnazin e Landshutit,
ku u bë përfundimisht "mendimtar i lirë liberal".
I nxitur nga çmimi i Shoqërisë Mbretërore
Daneze për Shkencat në Kopenhagë, më 1822 filloi
të merrej me historinë e Perandorisë së Trapezundës,
e cila në atë kohë ende nuk ishte hulumtuar plotësisht.
Për
studimet e tij Falmerajeri nuk shfrytëzoi vetëm kronikat
bizantine, por edhe dorëshkrimet e pabotuara greke, turke e
perse të bibliotekave të Parisit, Vjenës dhe Venedikut,
që iu vunë në dispozicion nga bibliotekarët
e atjeshëm. Ndër ta qe edhe sllavisti Bartolome Kopitar
(Bartholemeus Kopitar), i cili i mundësoi konsultimin me dorëshkrimet
orientale nga Vjena. Shoqëria e Kopenhagës e vlerësoi
punimin e Falmerajerit. Ai qe i vetmi konkurrues i regjistruar që
pretendonte këtë çmim.
Më
1827, në Mynih doli nga shtypi "Historia e Perandorisë
së Trapezundës" (Geschichte des Kaiserthums von Trapezunt).
Në parathënien e saj, Falmerajeri, jo pa njëfarë
krenarie për veten, pohon meritën se "fillimisht
historinë kritike dhe të dokumentuar të Perandorisë
së Trapezundës ka filluar ta shkruajë pa pasur një
paraardhës, udhërrëfyes apo ndonjë yll orientues
(f. XV)". Kjo vepër edhe sot e kësaj dite vlen si
bazë për historinë e mbretërisë së
Komnenëve të famshëm. Me historinë e Trapezundës
u përcaktua edhe drejtimi themelor i përpjekjeve shkencore
të Falmerajerit në vitet e mëvonshme. Që prej
vitit 1826, profesori i historisë së përgjithshme
në liceun e Landshutit vazhdoi të merrej me Bizantin dhe
grekët. Këtu ai zhvilloi teorinë e vet për grekët,
e cila u hodh poshtë nga shumë bashkëkohës të
tij.
Në
parathënien e veprës "Historia e Perandorisë
së Trapezundës" ai kishte shkruar se "kombi
i famshëm i helenëve është zhdukur nga radhët
e popujve dhe është zhytur në errësirën
e një nate katërshekullore" (f. XV). Kjo tezë
u zhvillua më tej në veprën tjetër të Falmerajerit
"Historia e gadishullit të Moresë gjatë mesjetës"
(Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters),
vëllimi i parë i së cilës doli në Shtutgart
më 1830. Sërish në parathënie gjejmë informacion
për idetë e autorit. Ajo fillon me tezën provokuese:
"Fisi i helenëve është asgjësuar në
Europë. Bukuria e trupave, fluturimi diellor i shpirtit, harmonia
dhe thjeshtësia e zakoneve, arti, pista e vrapit, qyteti, fshati,
madhështia e kolonave dhe tempujt, madje edhe emri i tyre thuajse
është zhdukur fare nga sipërfaqja e kontinentit grek"
(f. III).
Grekët
e sotëm janë një popullsi e përzier sllavësh,
"sepse në dejet e popullit të krishterë të
Greqisë së sotme nuk rrjedh asnjë pikë e vetme
gjaku të pastër helen". Tani atje "jeton një
fis i ri i vëllazëruar me fisin e madh të sllavëve".
Si element i dytë i popullsisë së atjeshme janë
për t'u përmendur shqiptarët: "Dhe një
revolucion i dytë, ndoshta jo më pak i rëndësishëm,
i sendërtuar nëpërmjet dyndjes së shqiptarëve
në Greqi e plotësoi skenën e asgjësimit. Sllavët
skithikë, arnautët ilirë, fëmijët e vendeve
veriore, të një gjaku me serbët e bullgarët,
dalmatët e moskovitët (rusët) janë ata që
ne sot i quajmë helenë" (f. IV).
Kundër
teorisë së Falmerajerit për grekët shpërthyen
menjëherë protesta e kundërshtime. Por, prapëseprapë,
ajo teori ua hoqi filohelenëve objektin e admirimit të
tyre.
Për
njerëz si mbreti i Bajernit, Ludvig I, vetëkuptohej që
grekët rebelë ishin pasardhësit e drejtpërdrejtë
të helenëve antikë. Megjithatë, më 1830
Falmerajeri u pranua në Akademinë Mbretërore Bavareze
të Shkencave si anëtar korrespondent. Gjatë viteve
1831-1834 Falmerajeri shoqëroi gjeneralin rus, kontin Aleksandër
Ivanoviç Osterman - Tolstoj në një udhëtim
të gjatë drejt Orientit: në Aleksandri, Kajro, Siri,
Jeruzalem, Kostandinopojë, Peloponez e Atikë. Gjatë
qëndrimit në Greqi ai ndeshi vërtetësinë
e tezave të tij, sidomos të atyre për karakterin
shqiptar të popullsisë së Atikës dhe të
Beotisë. Në një letër të 11 shkurtit 1834,
ai thotë se "e tërë Atika është e
populluar nga njerëz shqipfolës dhe në kryeqytet
gjejmë njerëz që e dinë greqishten vetëm
se u nevojitet. Në Beoti, përjashtuar tre lokalitete,
vihet re e njëjta gjendje".
Në
gusht të vitit 1834, pas një mungese trevjeçare,
Falmerajeri rikthehet në Bajern. Liceu i Landshutit ishte zhvendosur
në Frajzing (Freising), pra ai s'kishte më ku të
jepte mësim. Por, më 1835, ai u pranua në Akademinë
e Shkencave si anëtar i rregullt, ku do të merrte një
rrogë, e cila paguhej nga buxheti i liceut të Frajzingut.
Kështu Falmerajeri u bë dijetar privat dhe, më 1835,
botoi në Shtutgart një tjetër studim, me anë
të të cilit synonte të përforconte teorinë
e tij për grekët. Ai titullohej: "Ç'ndikim
pati për fatin e qytetit të Athinës dhe të krahinës
së Atikës pushtimi i Greqisë nga sllavët?".
Studiuesi
konstaton se popullsia e famshme e athinasve të lashtë,
ashtu si grekët klasikë të Peloponezit, është
shkatërruar nga dyndjet e fiseve barbare. Në rastin e
Athinës pasardhës të grekëve paskëshin
qenë sidomos shqiptarët. Shqipja atje paska qenë
gjuhë zotëruese.
Përktheu
nga origjinali: Nestor Nepravishta
|