NUMĖR 77
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 DHJETOR 2003

28 Nëntori nuk u kremtua në IRJM

Shkruan:· Naser SELMANI

28 Nëntori, Dita e Flamurit Shqiptar nuk u festua nga shqiptarët e IRJM-së. Në Shkup, ditëlindja e kombit shqiptar s’u përmend fare. Teatri shqiptar s’ kishte shfaqje, shkencëtarët nuk mbajtën akademi. Artistët nuk recituan, këngëtarët nuk kënduan, artistët nuk eksponuan.

Të vetmin festivitet e bëri Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Shkëlqesia Vlladimir Prela me zonjën, për nder të Ditës së Flamurit, organizuan një pritje zyrtare.

Çështë kjo kthesë radikale në IRJM ndaj flamurit? Deri tani, edhe pse me patetizëm e dyftyrësi politike, subjektet politike shqiptare dhe satelitët e tyre të kulturës dhe medias e shënonin me pompë Ditën e Flamurit.

Tashti shqiptarët në IRJM heshtin si qyqet, e kremtën ia lënë barrë atij që zyrtarisht është mysafir në Shkup: shtetit shqiptar. Kthesa është radikale, prej manifestimeve të zhurmshme, në heshtje të plotë. Hap i paramenduar, apo vetëm rastësi?

Përgjegja është e thjeshtë, në politikë s’ka rastësi. Te partitë shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi në IRJM mbretëron një dyftyrësi e habitshme ndaj flamurit. Nëpër odat, lagjet, katundet, dasmat, ditëlindjet, e selitë partiake, atmosfera stoliset me flamuj shqiptarë. Atje asnjeri s’e pranon flamurin shtetëror të IRJM-së. Gjersa ky, njësoj si emblemi, hymni, monedha e të gjitha simbolet tjera të shtetit, spastruar me kujdes nga çdo përkujtesë shqiptare, vlen si flamur shtetëror; pra, si flamur zyrtar edhe i shqiptarëve në IRJM.

E kur shqiptarët bëhen ministra, deputetë, drejtorë, më s’u pengon fare “flamuri i sllavomaqedonasve": flamuri me diell u rri i palosur katullaq mbi tavolina. Më asnjë gjurmë prej flamurit të lagjes, të dasmës e të ditëlindjes. Shqiponja dykrenare sikur e humbet udhën, sa herë që i afrohet Shkupit.

Se sa kanë qenë në shërbim të flamurit partitë tona gjer tani, rrëfen fakti që ai, në rastin më të mirë, është ende i hapur për diskutim. A s’është faqe e zezë për të gjitha partitë në IRJM që, në dhjetë vjet sistem shumëpartiak dhe dy vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohërit, kjo çështje ende nuk është zgjidhur në respekt për shqiptarët?

E drejta, Ministri i Drejtësisë, Ixhet Mehmeti, thote se “fryma e Marrëveshjes Kornizë” e ngërthen këtë të drejtë të shqiptarëve. Ai ka kasnecuar se “ka disponim” për të miratuar ligjin në fjalë. Por kjo s’dtth asgjë, përderisa ligji s’hyn në procedurë parlamentare.

E kjo punë, nuk është e një ministri. Kryeministri sllav Cërvenkovski dhe Ali Ahmeti para një viti thanë se çështja e flamurit nuk është prioritet. Më troç: flamuri është bira e mbramë e kavallit për këta zotërinj.

Madje Ali Ahmeti s’ka zbuluar as se ku dëshiron të arrijë kur t’i vijë radha, nëse i vje ndonjëherë, edhe flamurit. Do të kërkojë që shqiptarët të përfaqësohen me dy flamuj, në përjashtim nga praksa ndërkombëtare? Apo do të kërkojë flamur të ri, që do të përfshinte edhe ndonjë simbol shqiptar? E ç’do të ndodh pastaj me dykrenaren? Dhe sa varet Ahmeti prej “opcioneve” të ndryshme të flamurit, që janë shfaqur në Kosovë?

Krijohej përshtypja se shqiptarët flamurin deri tash e përdornin për inat të sllavëve. Këtyre, në anën tjetër, në rethana të reja ndoshta s’do t'u pengonte aq flamuri shqiptar, sa injorimi fyes i flamurit shtetëror. Normalisht që edhe kjo çështje duhet adresuar. Dhe normalisht që as këtë çështje s’e kanë prioritet Cërvenkoski dhe Ahmeti – si zakonisht. Ndërkohë, gjersa Ahmeti dhe Cërvenkoski aplikojnë teorinë “atë që mund ta bësh nesër, shtyje për pasnesër”, debati i përflakur rreth simboleve etnike e shtetërore është grabitur prej ekstremistëve e të dy palëve.

Këtij 28 Nëntori, prijësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nuk gjendej fare në IRJM. Kishte vajtur në diasporë, të festojë me emigracionin gjithandej nëpër Evropë.

Nëse e kishte paramenduar, ndoshta bëri mirë. Ai ndoshta mund ta arsyetojë veten. E, arsyetim do t’i ofronin vetëm dy gjëra: Nëse i jep fund manipulimit politik me flamurin; dhe nëse formulon një strategji për të zyrtarizuar përdorimin e flamurit shqiptar në IRJM. Sa për ta valvitur nëpër çati e huj gardhi, ashtu si është përdorur deri sot, atë e bën edhe çobani: detyra e politikanit është ta shpalos atë aty ku e ka vendin, në qendër të Shkupit.

Maqedonasve sllavë duhet t'u sqarohet se shkaba për shqiptarët është si Ylli i Davidit për hebrenjtë; jo vetëm simbol shtetëror, por edhe simbol etnik, pavarësisht se ku kanë lindur. Se shqiptaret e IRJM-së nuk e festojne autoritetin e një shteti fqinj, por ditëlindjen e tyre të vështirë etnike, shpëtimin e tyre nga gjenocidi e pranimin e tyre si komb.

Për këtë kanë sakrifikuar shqiptarët e IRJM-së. Kjo nuk do të thotë se kerkojmë kthimin prapa të historisë, por vetëm se nuk jemi të gatshëm të heqim dorë nga kjo sakrificë e të parëve të tanë, që kanë vepruar në rrethana të tjera politike. Thjeshtë nuk pajtohemi se gjaku i tyre ka shkuar huq.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË