NUMĖR 74
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 25 QERSHOR 2003

Rekujem për etikën

Shkruan: Skënder SHKUPI

Parashikimet kobëzeza të OSBE-së për trazira në Shqipëri po japin shenjat e para. Është vënë në shënjestër etika qytetare. Tashmë është e qartë se mungesa e saj nuk përbën thjesht një demonstrim primitivizmi politik por, në të njëjtën kohë, shënon edhe hapin e parë të madh drejt destabilizimit ngjethës që po na troket në derë.

Të enjten e kaluar shefi i Opozitës, z. Berisha, e cilësoi drejtuesen e seancës së Kuvendit Popullor, znj. Makbule Çeço me epitetin "bushtër". I pozicionuar qysh në fillimet e pluralizmit në Shqipëri, në spektrin e djathtë të politikës, ndjeva të skuqem thellë për atë që po dëgjoja. Unë nuk e njoh zonjën Çeço dhe nuk kam kurrfarë ideje për motivet që e shtynë z. Berisha të shprehej me atë gjuhë. Por, çfarëdo qofshin arsyet, më duket dhjetë herë e papranueshme t'i drejtohesh një femre me një cilësim të tillë, njëqind herë e papranueshme kur ajo është deputete dhe njëmijë herë e papranueshme dhe e patolerueshme kur është drejtuese e një seance të Kuvendit.

Këtu nuk është çështja nëse je me PD-në ose jo, nëse je me PS-në apo kundër saj, nëse je me një parti aleate apo kundërshtare të kabinetit të sotëm qeveritar. Është një nga rastet e ralla kur forma kapërcen përmbajtjen. Këtu kemi të bëjmë me shkeljen e rregullave elementare të lojës në demokraci, shkelje që shpie në shkërmoqjen e vetë demokracisë. Nëse një personalitet i kalibrit të z. Berisha flet me një gjuhë të tillë atëhere ç'mund të pritet nga anëtarë të thjeshtë apo militantë të asaj partie? Ne po varrosim etikën elementare që siguron vazhdimësinë e ekzistencës të një rendi pluralist. Dhe një qëndrim i tillë aq mospërfillës ndaj rregullave të mirësjelljes do t'i sjellë një dëm të pariparueshëm të gjithë sistemit të partive që kompozojnë mozaikun pluralist shqiptar por, në radhë të parë, partisë që drejton njeriu i cili huazon krejt pa kuptim një fjalor që nuk përputhet as me postin e tij, as me kulturën e tij e as me moshën e tij.

Të nesërmen e ngjarjes së lartpërmendur një shfaqje e madhe në Komisionin Hetimor për shpenzimet financiare të Bashkisë së Tiranës dhe ato të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pothuajse e fshiu përshtypjen e hidhur të një dite më parë të incidentit Berisha-Çeço. Një pasdite e gjatë, tepër e gjatë, nuk mjaftoi për të zgjidhur një çështje të thjeshtë procedure - si dhe qysh do të pyetej dëshmitari kryesor, z. Edi Rama apo, në rast nevoje, edhe dëshmitarët e tjerë të Bashkisë. Anëtarët e Komisionit bërtisnin të gjithë së bashku dhe gati gjysma e debateve ishte krejt e pamundur të ndiqej për shkak të një kakofonie shurdhuese që më tepër i shkonte tifozerisë së një stadiumi sesa një komisioni parlamentar. Dhe më interesante se çdo gjë tjetër ishte motivi i sherrit - a duhej të ngrihej në këmbë z. Rama gjatë betimit apo jo dhe a duhet të qëndronin bashkëpunëtorët e tij 50 cm më prapa apo më përpara në platenë e vogël të dëshmitarëve. Këmbëngulja nga të dyja palët e Komisionit ishte aq e madhe sa ngjante sikur e gjithë rëndësia e dëshmisë së z. Rama varej nga cikërrimat e lartpërmendura. Ndërkohë që çështja e betimit, në këmbë apo ndenjur, u kapërcye me sforcime të mëdha, "problemi" i dytë, ai i radhëve me numër 1 apo 2 të platesë së dëshmitarëve, doli që ishte më i rëndësishmi nga të gjitha çështjet që shqetësojnë sot vendin, popullin dhe parlamentin e shqiptarëve.

Tek shihja përplasjen e madhe PS - PD në atë Komision, ndofta edhe nën efektin e ca libërthave me përralla që kishte marrë me vete z. Rama për të dëshmuar vlerësimin e tij për komisionin në fjalë, m'u kujtua një përrallëz me dy dhi që kërkonin të kalonin nëpër një urë të ngushtë, mbi një humnerë. Asnjera nuk prapsej në mënyrë që ta kalonin të dyja urën pa probleme. Çështja ishte se kush do të kalonte e para. Meqenëse kryeneçësia dhiore ishte e patundur, ato iu vërsulën me shumë zjarr njera tjetrës dhe arritën "suksesin" e pritshëm duke përfunduar të dyja në humnerë. Veçse ato ishin përgjegjëse vetëm për veten e tyre, ndërkohë, sa miliona shqiptarë do të marrin me vete gjatë rrokullisjes në humnerë dy "dhitë" tona të nderuara, PS e PD, që këmbëngulin të kalojnë secila e para urën e "krenarisë epike shqiptare"?

Për çdo vërejtës të huaj (dhe ata nuk mungonin atë ditë në sallë) është krejtësisht e pakuptueshme se si mund të dështojë një komision për shkak të mosmarrëveshjes ndërmjet dy palëve se në cilën radhë do të qëndrojnë dëshmitarët, të thirrur ose jo nga i gjithë efektivi i komisionit apo nga ndonjë pjesë e tij. Nëse anëtarët e të dy krahëve do të ishin të interesuar të vazhdonte puna normalisht, atëhere do të mjaftonte një takim mënjanë prej vetëm 2 minutash të zotërinjve Olldashi dhe Agasi, që do ta sqaronte çështjen "shumë të rëndësishme" se ku e kishin vendin ata 14 apo 15 veta që shoqëronin z, Rama në dëshminë e tij të pritshme.

Mirëpo, me përjashtim të z. Ndoka (PDr) që përpiqej më kot të gjente një rrugëzgjidhje, të gjithë të tjerët ngjante se ishin më shumë të interesuar të shpalosnin platformat e partive apo të tyret personale sesa t'i shërbenin detyrës që kishin marrë përsipër. Madje m'u krijua përshtypja se pjesa socialiste e komisionit, pa dashje, po e fyente z. Rama duke i dalë atij në mbrojtje kur të gjithë e dinë fare mirë se një nga armët më të forta të kryetarit të Bashkisë së Tiranës është pikërisht aftësia e tij debatuese. Pjesa opozitare e Komisionit gabonte kur shprehej dukshëm, si për një fakt të vërtetuar, për fajësinë e z. Rama ndërkohë që socialistët, gjithashtu gabonin kur këmbëngulnin në pafajësinë e tij. E mira do të ishte që vetë z. Olldashi të merrej vesh paraprakisht me krahun tjetër të Komisionit se ai do të hiqte dorë nga etiketimi i kryetarit të Bashkisë si "hajdut" dhe "mashtrues" me premtimin që socialistët nuk do të nënvizonin orë e çast se z. Rama është "engjëll i pafajësisë". Nuk e kam të qartë se çfarë e pengoi një rrjedhë të tillë të qetë të procedimit. Përshtypja e krijuar është se të dyja palët nuk ishin dhe aq të interesuara nëse do të dilte i larë apo jo z. Rama nga e gjithë kjo përplasje tragjikomike e deputetëve tanë me njeri tjetrin. Parësor ishte "triumfi" i kauzës së partive përkatëse të cilat "vigjëlonin" në largësi sjelljen e të dërguarve të tyre "specialë". Këta të fundit ishin shumë më tepër të angazhuar të bënin "trimin" në Komision sesa të ndihmonin në suksesin e tij. Dhe për të qenë tërësisht objektiv, kam përshtypjen që vendin e nderit për të dyja palët, ose më thjesht, "medaljen e trimërisë" e meritoi z. Braçe.

Gjendja e sotme e luftës politike, mungesa e etikës dhe primitivizmi në rrahjen e problemeve, ndërmjet të tjerash, kanë dy burime historike - kapadaillëkun karakteristik shqiptar të trashëguar qysh para 1944-ës dhe mungesën e edukatës e të mirësjelljes të kultivuar pas 1944-ës. Për fat të keq, shumë nga intelektualët tanë më të spikatur, kanë një shkallë kulture të kënaqshme por një nivel edukate krejtësisht të pakënaqshëm. Në të tilla kushte, për të gjitha partitë politike, pa përjashtim, ka ardhur koha të vendoset si kriter bazë në përzgjedhjen e drejtuesve, krahas nivelit politik, kulturor e profesional, edhe niveli i edukatës dhe i mirësjelljes së tyre, mungesa e të cilave parathotë një tragjedi të afërt. Zotërinjtë deputetë shajnë njeri tjetrin me ç't'u vijë për goje duke harruar se çfarë mesazhi i përcjellin pasuesve të tyre atje poshtë. Në kushtet e një krize ekonomike të gjatë, të një varfërie të skajshme, të një demokracie ende të pakonsoliduar si duhet, sherret e tyre meskine janë vërtetë një shkrepëse e vogël por që në mjedisin shqiptar mund të shkaktojë një zjarr të madh. Nuk është çështje etike. Kemi të bëjmë me rrezik real. Duke demonstruar për më shumë se katër orë në ekranet televizive një nivel të vajtueshëm të edukatës qytetare, deputetët tanë po e afrojnë krizën, atë fantazmën e frikshme të 1997-ës. Krizën e kemi në derë. Dhe hapi i parë drejt triumfit të saj u hodh. Atë hap e bënë baballarët e kombit të cilët, javën e shkuar, varrosën pa ceremoni etikën qytetare në marrëdhëniet institucionale brenda Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:21
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË