Plaku
që nderohej nga Zogu e Enveri
Shkruan:
Dashnor KALOÇI
Një
nga ato familje të mëdha të Jugut të Shqipërisë
e cila ka nxjerrë burra të shquar që kanë lënë
emër dhe gjurmë në historinë e vëndit tonë,
është dhe familja Butka e Kolonjës, për të
cilën ka shkruar një nga librat e tij të parë,
("Plaku i Butkës") edhe shkrimtari e politikani i
njohur, Sabri Godo.
Ajo
familje e madhe me origjinë të hershme nga Frashëri
i Përmetit, është e njohur më së shumti
prej patriotit të madh, Sali Butkës, dhe të birit
të tij, profesor Safet Butkës, njërit prej eksponentëve
kryesorë të çetave nacionaliste të Ballit
Kombëtar, gjatë viteve 1943-44, të cilin regjimi
komunist i Enver Hoxhës për afro gjysëm shekulli
me rradhë, e shpalli tradhëtar dhe e sulmoi me të
gjitha mjetet propagandistike që dispononte.
Lidhur
me të kaluarën dhe historinë e kësaj familje,
si dhe burrat e shquar që dolën prej asaj dere të
madhe, na njeh me dëshmitë e tij, një nga pinjollët
e saj, 65-vjeçari Uran Butka, ish-deputet, publicist dhe
politikan i njohur, i cili është marrë gjatë
edhe me studimin e asaj pjesë të historisë së
Shqipërisë të shtrëmbëruar nga komunistët
dhe historinë e panjohur të krerëve të nacionalizmit
shqiptar.
Kush ishte Safet Butka
Përveç
patriotit të madh, Sali Butkës, i njohur ndryshe si Plaku
i Butkës, i cili u njoh dhe u nderua edhe nga Monarkia e Zogut
dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke zënë një
vënd të nderuar në Historinë e Shqipërisë,
një prej burrave të tjerë që dolën nga
dera e famëshme e Butkës, ka qenë edhe i biri i tij,
Safeti, arsimtari i njohur i viteve '30 dhe eksponenti i famshëm
nacionalist i Ballit Kombëtar, emri i të cilit vazhdon
edhe sot të ngjallë polemika të mëdha në
dy kampet kundërshtare të përbërë prej
politikanëve dhe historianëve shqiptarë të njohur
si të majtë e të djathtë.
Safet
Butka u lind më dhjetë gusht të vitit 1901 dhe ai
ishte djali i pestë i Sali Butkës, i cili kishte dhe gjashtë
fëmijë të tjërë: Qenamin, Iljazin, Ganiun,
Muharremin, Xhaferrin dhe Naxhijen. Nga të gjashtë fëmijët
e Sali Butkës, plakut të famshëm që kishte marrë
në mbrojtje, mësuesin e parë të shqipes, Petro
Ninin, dhe që shkruante poezi e lexonte veprat e patriotëve
të Rilindjes, vetëm Safeti pati mundësinë që
të shkollohej jashtë shtetit. Kështu pas mbarimit
të mësimeve të para të fillores në vëndlindjen
e tij, në vitin 1917, Safet Butka shkoi për studime në
Austri, ku u regjistrua dhe mbaroi me nota shumë të mira,
shkollën e mesme në qytetin e Lincit.
Gjatë
asaj kohe që ai studjoi në atë qytet, mori me vete
edhe djalin e xhaxhait të tij, Qemal Butkën, (arkitektin
e famshëm që ka projektuar ndërtesat e rrugët
kryesore të Tiranës në vitet e Monarkisë dhe
që ka ushtruar zanatin e tij për vite me rradhë deri
në Neë York) babai i të cilit, Myftari, kishte vdekur
në Vlorë në vitin 1914. Pas mbarimit të liceut
në Linc, Safeti ndoqi studimet e larta universitare për
Filozofi në qytetin e Gracit, ku u diplomua me rezultate të
larta në vitin 1928.
Gjatë
asaj kohe që studjoi në atë qytet, Safeti mori pjesë
dhe ishte një nga themeluesit e organizatorët e shoqërisë
studentore "Albania" me qëndër në Vienë
dhe e revistave prestigjoze "Djalëria" e Minerva",
të cilat botoheshin asokohe nga studentët shqiptarë
që studjonin në Austri. Ashtu si i jati i tij, Saliu i
cili shkruante vjersha dhe kishte si idhull e shënjt të
tij, Naim Frashërin, edhe Safeti ishte i dhënë i
tëri pas poetit të madh frashërlli duke mos i hequr
kurrë nga dora librat e tij.
Nisur
nga pasioni i madh që kishte për Naimin, në atë
kohë Safeti botoi përmbledhjen "Naim Frashëri,
vjershëtori dhe edukatori kombëtar" ndërsa studimin
e tij për jetën dhe veprën e poetit të madh,
të titulluar "Naim Frashëri një shëmbull,
një udhëheqës dhe një ideal për djalërinë
shqiptare", e botoi si libër më vete në vitin
1925.
Pas
afro 11 vjet studimesh në Austri, Safet Butka u kthye në
Shqipëri në vitin 1928 dhe fillimisht u emërua si
profesor në Liceun francez të Korçës. Në
vitin 1929, Safeti u martua me Hatixhe Lubonjën, vajzën
e patriotit të njohur, Ramiz Lubonjës, i cili ishte vrarë
që në vitin 1911 nga turqit, në bashkëpunim
me Dalan bej Qafzezin. Atë ditë që ishte vrarë,
Ramiz, e shoqja e tij, Reko, duke mos e duruar dot dhimbjen e madhe,
helmoi veten duke lënë si amanet që ta varrosnin
në një varr me të shoqin.
Familja që e masakruan grekët
Patrioti
i madh Sali Butka, i njohur ndryshe si Plaku i Butkës, i cili
u lind në vitin 1852 në fshatin Butkë të Kolonjës,
ka qenë një nga udhëheqësit e famshëm dhe
luftëtarët e shquar të lëvizjes kombëtare
shqiptare që luftuan me armë në dorë në
krye të çetave atdhetare gjatë çerekut të
parë të shek XX-të. Origjina e familjes Butka është
nga fshati Frashër i Përmetit dhe të parët e
tij, të cilët janë njohur me mbiemërin Aliçkaj,
ishin shpërngulur nga trojet e tyre aty rreth vitit 1630 dhe
u vendosën në Butkë të Kolonjës.
Babai
i Saliut,Tahiri, i cili është njohur si një burrë
i urtë dhe atdhetar i madh, gjatë gjithë jetës
së tij ai u mor me administrimin e pronave të familjes
dhe rritjen e edukimin e pesë fëmijëve të tij:
Saliut, Selmanit, Myftarit, Sabires dhe Hedijes. Saliu i cili ishte
më i madhi i fëmijëve, që në moshë
fare te re lexonte veprat e rilindasve dhe librat e tyre nuk i hiqte
kurrë nga dora. Aty nga dekadat e fundit të shekullit
të XIX, Sali Butka u lidh ngushtë dhe bashkëpunoi
për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar
atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe
në Kolonjë.
Saliu,
së bashku me Nasuf Bej Novoselën, ishin dy njerëzit
që e morën në mbrojtje Petro Ninin nga armiqtë
e kundërshatërt e tij që e kercënonin vazhdimisht
për të eleminuar fizikisht. Pas mbylljes së shkollave
shqipe nga qeveria turke, gjë e cila u bë me ndërhyrjen
e Patriarkanës greke, Petro Nini e Sali Butka e vazhduan fshehtas
veprimtarinë e tyre për përhapjen e gjuhës shqipe
të shkrurar, duke menduar se vetëm prej sa mund të
zgjohej ndërgjegjia kombëtare.
Asokohe,
Sali Butka filloi të sillte nga Manastiri dhe Selaniku libra
dhe gazeta të shkruara në gjuhën shqipe, të
cilat më pas i përhapte në krahinat e Kolonjës,
Korçës e Përmetit. Në atë kohë Saliu
filloi të shkruante vjershat e para me temë patriotike
të cila më pas u bënë këngë popullore
shumë të njohura dhe ai mori emër duke u bërë
një poet shumë popullor. Nga poezitë e shumta që
kishte shkruar, Sali përzgjodhi e botoi edhe një përmbledhje
me vjersha, të cilat i titulloi "Ndjenja për Atdheun".
Në
vitin 1905, me nismën e Bajo Topullit, në qytetin e Manastirit
u themelua Komiteti "Për lirinë e Shqipërisë",
i cili organizoi çetat e para patriotike. Sali Butka ishte
një nga bashëkthemeluesit e atij komiteti dhe anëtar
i tij. Ai bëri një punë të madhe për krijimin
e degëve të këtij komiteti për përgatitjen
e kryengritjes së armatosur kundër pushtimit osman.
Në
dhjetor të vitit 1905 Bajo Topulli shkoi vetë në
fshatin Butkë, në shtëpinë e Sali Butkës,
ku u formua çeta e parë kombëtare dhe u shpall
fillimi i kryengritjes së armatosur. Në këtë
çetë, me komandant Sali Butkën, bënin pjesë
edhe patriotë të tjerë si: Qani Starja, Qamil Panariti,
Riza Veleishti, Selim Pojani, Sefer Panariti, Dilaver Lubonja, Hasan
Qinami, Myftar Butka, Pituli etj.
Në
vitin 1907, çeta e Sali Butkës dhe ajo e Çerçiz
Topullit e Mihal Gramenos, organizuan një aksion të përbashkët
për vrasjen dhespotit grek, Fotit, i cili konsiderohej si një
nga armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë.
Pas atij aksioni, qeveria turke e futi në burg Sali Butkën
dhe i dogji shtëpitë në fshatin Butkë. Më
pas Porta e Lartë vuri Dajlan Bej Qafzezin, veglën e saj
në Kolonjë, për të vrarë vëllanë
e Saliut, Selman Butkën. Dajlan Beu e vrau Selmanin, teksa
ai ishte duke lëruar me parmendë në tokat e tija.
Në
vitin 1910, Sali Butka së bashku me 2500 kolonjarë, mori
pjesë në mitingun e madh të shkronjave shqipe që
u organizua në qytetin e Korçës. Lidhur me këtë
ngjarje të shënuar, patrioti i madh Mihal Grameno, në
shkurtin e vitit 1910, në gazetën "Lidhja Orthodhokse",
midis të tjerash shkruante: "Gjithë qyteti, burra
e gra, kishin dalë për të pritur kolonjarët,
që çuditën botën me taktikën e tyre".Në
atë kohë Sali Butka, ishte një nga patriotët
shqiptarë që nënshkruan protestën kundër
Portës së Lartë, duke kundërshtuar përdorimin
e gërmave arabe. Në fillim të vitit 1911, në
Kolonjë u krijua Komiteti Kryengritës me në krye
Sali Butkën, si dhe vëllanë e tij, Myftar Butka,
e Ganiun, të birin e tij, të cilët u bënë
krahë të fuqishëm duke e ndjekur kudo nga pas Plakun
e Butkës.
Në
mars të vitit 1911 patrioti i njohur, Spiro Bellkameni, u kthye
nga mërgimi dhe shkoi në fshatin Butkë duke qëndruar
disa ditë në çetën e Kolonjëse cila udhëhiqej
nga Sali Butka. Me qëllim që të zgjerohej lëvizja
kryengritëse, Sali Butka i dha Bellkamenit, vëllanë
e tij, Myftarin, djalin, Ganiun dhe Thoma Pitulin, për të
formuar një çetë më vete në Fushë
të Korçës, e cila u bë e njohur në luftën
e Orman-Çifligut, ku mbetën të vrarë gjashtë
pjestarë të saj të cilët më pas u shpallën
dëshmorë të atdheut.
Në
maj të vitit 1912 Sali Butka mori pjesë në kuvendin
e Pejës, i cili mori vendime për fillimin e kryengritjes
kundër Turqisë. Pasi u kthye nga Kosova, ai, bashkë
me Tajar Tetovën, organizuan në fshatin Frashër një
mbledhje të madhe, ku morën pjesë krerët kryesorë
të çetave e kryengritëse të Shqipërisë
së Jugut. Gjatë rrugës për të shkuar në
atë mbledhje, çetës së Sali Butkës, i
zunë pritë forcat turke dhe në grykën e Rrungajës,
mbeti i vrarë, djali i dytë Sali Butkës, Iljazi,
i cili më pas u shpall dëshmor i atdheut.
Thuhet se kur mori vesh vrasjen e të birit, Plaku i Butkës
u shpreh: "Hallall Shqipërisë"dhe më pas
shkroi elegjinë "Vajtim për Iljaz Butkën".
Në krye të forcave të bashkuara kryengritëse,
Sali Butka çliroi Ersekën dhe më pas, bashkë
me çetat e Spiro Ballkamenit e të Kajo Babjenit në
gushtin e vitit 1912, ato çliruan Korçën. Lidhur
me këtë ngjarje, gazeta "Koha" e datës
19 gusht të vitit 1912, midis të tjerash, shkruante: "Në
ballë të çetës së dytë ishte kapedani
dhe trimi i Shqipërisë, i dëgjuari patriot Sali Butka,
burrë i thjeshtë shqiptar dhe me gjithë zemër
mëmëdhetar".
Në
nëntorin e vitit 1912, Sali Butka e përshëndeti ngritjen
e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë
nga Ismail Qemali. Në atë kohë ai organizoi mbrojtjen
e shtetit të ri shqiptar nga sulmet e ushtrisë greke dhe
lëvizja e andartëve grekë që vepronin në
jug të vëndit. Lidhur me këtë, në atë
kohë gazeta "Liri e Shqipërisë",midis të
tjerash shkruante: "Sali Butka ka zhveshur pallën dhe
po bën luftra të rrepta. Ai po lufton me grekët nga
ana e Naselishtës dhe nga an' e Korçës dhe po tregon
trimërinë e tij si në kohë të Skënderbeut".
Duke
parë kontributin e madh në mbrojtjen e krahinave të
Jugut dhe Qeverisë së Vlorës, Kryeministri Ismail
Qemali e thërriti Sali Butkën në Vlorë dhe e
priti atë përzemërsisht. Plaku i famshëm i Butkës
u takua aty edhe me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin
etj dhe Qeveria e Vlorës e ngarkoi atë që të
mbronte Vlorën nga vërshimi i taboreve turke të Xhavit
Pashës. Forcat e Sali Butkës zunë frontin tek Ura
e Mifolit dhe e penguan Xhavit Pashën të zinte Vlorën.
Safeti, reformator i arsimit
Nga
viti 1928 që u kthye në Shqipëri e deri në shtatorin
e vitit 1942, djali i patriotit të famshëm, Sali Butka,
Safeti, shërbeu si arsimtar në disa nga gjimnazet e vëndit
si në Liceun e Korçës, në Instutin Tregtar
të Vlorës dhe në Normalen e Gjirokastrës, ku
ishte dhe drejtor i saj. Lidhur me këtë periudhë
kohe, i biri i tij, 63-vjeçari Uran Butka, dëshmon:
"Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë
së Zogut e deri në vitin 1942, babai ynë, Safet Butka
dha një kontribut të madh në reformimin e arsimit
shqiptar dhe për këtë gjë ai është
cilësuar "Pestaloci" i Shqipërisë. Gjatë
kohës që sherbente si drejtor i Normales së Gjirokastrës,
ai e ktheu atë në një shkollë pedagogjike model
për të gjitha shkollat e tjera.
Si
kryetar i shoqatës dhe i klubit të parë të arsimtarëve
në Shqipëri, ai inicoi dhe organizoi një sërë
aktivitetesh patriotike dhe kulturore, si: vendosjen e pllakës
përkujtimore tek Rrapi i Mashkullorës në kujtim të
dëshmorëve të çetës së Çerçiz
Topullit, realizoi memorialin e Koto Hoxhit dhe përkujtimin
e figurave të tjera të shquara si: Hoxhë Tahsini,
Bajo Topulli etj. Po kështu, Safeti u bë një nga
nismëtarët që sollën eshtrat e Naim Frashërit
në atdhe. Gjatë viteve '30, ai bashkëpunoi ngushtë
me Ministrin e Arsimit, Mirash Ivanajn, duke punuar për reformimin
e shkollës shqiptare.
Krahas
kësaj, Safeti u muar edhe me studime pedagogjike, shoqërore
dhe filozofike dhe botoi mjaft shkrime problemore në shtypin
e asaj kohe si: "Për të nesërmen shqiptare",
"Për zhvillimin e gjuhës", "Mbi edukatën
kombëtare", "Po shqiptarizmit dhe Perëndimit"
etj. Por kulmin si edukator në shërbim të brezit
të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si
drejtor i Gjimnazit Shtetëror të Tiranës, ku iu priu
intelektualëve dhe studentëve në demostratave të
para antifashiste në prag të pushtimit të vëndit,
në ditët e para të prillit 1939.
Në
ato ditë Safeti u bë një nga organizatorët kryesorë
të manifestimeve studentore të cilat nxitën urrejtjen
dhe rezistencën ndaj pushtuesëve italianë që
priteshin për të zbarkuar në Shqipëri. Po kështu
ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të demonstratës
antifashiste të 28 nëntorit të vitit 1939 në
qytetin e Tiranës dhe për atë shkak ai u arrestua
nga autoritetet italiane dhe pasi u burgos në Tiranë,
më pas u ineternua në ishullin e Ventotenes në Itali,
ku u mbajt i izoluar për tre vjet me rradhë së bashku
me ajkën e intelektualëve shqiptarë antifashistë,
si: Selman Riza, Abaz Ermenji, Masar Shehu, Zef Mala etj, të
cilët kishin organizuar e frymëzuar demostratat e para
kundër pushtuesëve italianë", shpreht Uran Butka
për babanë e tij, Safetin, lidhur me periudhën afro
pesëmbëdhjetëvjeçare që ai shërbeu
si pedagog dhe drejtor në disa nga gjimnazet e vëndit.
Lirimi
nga Ventotene
Pasi
qëndroi për tre vjet i internuar në ishujt e Italisë,
në gushtin e vitit 1942, Safet Butka u lirua që andej
dhe u kthye në Shqipëri, duke u vendosur pranë shtëpisë
së babait të tij, Saliut në Butkë të Kolonjës,
ku kishte lënë bashkëshorten, Hatixhe Lubonjën,
me katër fëmijët: Saliun, Iljazin, Uranin dhe Teftën.
Para
se të shkonte në vëndëlindjen e tij, Safeti
qëndroi disa ditë në Tiranë ku u takua dhe bisedoi
gjatë me, Mit'hat Frashërin, të cilit pasi i tregoi
peripecitë e gjata të internimit në Itali, i tha
se do të kthehej në Butkën e tij për t'u çmallur
me fëmijët që e prisnin dhe për të vazhduar
luftën që kishte nisurqë në shtatë prillin
e vitit 1939.
Plaku që u nderua nga Zogu dhe Enveri
Kur
taboret e shpartalluara të Xhavit Pashës u nisën
drejt Shqipërisë juglindore, Sali Butka me forcat e tij
u nis drejt Skraparit, Korçës dhe Kolonjës për
t'i çliruar ato nga ushtritë greke. Beteja e parë
e rëndësishme u bë në Qafën e Martës
(Ostrovicë) ku u vra trimi Nasi Qafzezi, të cilin Sali
Butka e kishte si djalin e tij, ndaj shkroi elegjinë e njohur
"Trimit Nasi Spiro Butka".
Në
atë kohë Themistokli Gërmenji i shkruante Qeverisë
së Vlorës: "Luani i Kolonjës, Sali Butka, na
pret në Skrapar". Forcat e Sali Butkës çliruan
Panaritin, Trebickën, Treskën, Stratobërdhën,
Selenicën etj. Në Shkëmbin e Qesarakës u bë
një luftë e ashpër, ku ushtritë greke u thyen
dhe nisën tërheqjen. Këtu u shquan sidomos komandantët
Dilaver Lubonja, Qamil Panariti dhe Gani Butka, komandanti më
i ri i çetave të Sali Butkës. Çetat e Sali
Butkës çliruan Kolonjën dhe Korçën,
por Konferenca e Londrës e ndëshkoi Shqipërinë.
Fuqitë
e mëdha e copëtuan atë, duke lënë jashtë
Kosovën, Çamërinë e vise të tjera shqiptare.
Shqipëria e cunguar u vu nën protektoratin europian dhe
u soll në Shqipëri princ Vidi. Në atë kohë,
kundër shtetit të ri shqiptar, Esat Toptani nxiti kryengritjen
e Haxhi Qamilit, i cili i vuri zjarrin Shqipërisë dhe
vrau patriotët më në zë të vendit. Kryengritësit
me flamurin turk në dorë pushtuan pjesën më
të madhe të Shqipërisë dhe arritën deri
në Pogradec, ku u ndalën nga batalioni i Kolonjës
i komanduar nga Izet Zavalani dhe Gani Butka.
Në
betejën e Pogradecit që u zhvillua më 2 korrik 1914,
u vranë Gani Butka dhe Zalo Prodani, të cilët luftuan
heroikisht. Vëllai i Saliut, Gani Butka mori nëntë
plagë por nuk u thye e luftoi gjer në frymën e fundit
të shpirtit. Në atë beteje u vranë edhe 60 kolonjarë
të tjerë të cilët luftuan për të mbrojtur
shtetin shqiptar. (Në vitet që pasuan, Gani Butka dhe
Zalo Prodani u shpallën dëshmorë të atdheut)
Kur delegacioni me Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon dhe
Abdyl Ypin shkuan për ta ngushëlluar Saliun, ky, ndonëse
i dëshpëruar për vdekjen e të birit 23 vjeçar,
u tha: "Të rrojë Shqipëria".
Ai
hapi defterin e vjershave dhe i shkroi të birit një këngë,
"Malet e Gramozit qajnë". të cilën e këndojnë
edhe sot e kësaj dite banorët e Kolonjës, Përmetit,
Korçës, Skraparit, Dangëllisë e Beratit. Në
vitin 1914 kur Shqipëria u bë shesh betejash i ushtrive
të Fuqive të Mëdha, Sali Butka bashkë me mijëra
refugjatë të Kolonjës u hodh në Vlorë dhe
u sistemua në ullishtet e saj. Në fund të vitit 1914,
Saliu shkoi në Itali për të operuar syrin e plagosur
në betejën e Nikolicës kundër grekëve (1914)
ku u shqua nipi i tij, Hysen Nikolica.
Në
spitalin e Barit, ai nuk pranoi t'a nxirrnin syrin e plagosur me
narkozë madje nuk pranoi as ta lidhnin. "Jam shqiptar"
tha ai dhe qëndroi pa u tutur kur i nxorrën syrin dhe
i vunë një të qelqtë në vend të tij.
Gazeta "Corriere della Puglia" shkruante atë ditë
se një shqiptar e kishte nxjerrë syrin pa narkozë.
Gazeta "Koha" e Mihal Gramenos midis të tjerash shkruante:
"Atë ditë të mos e harrojmë kurrë!
Vanë gjithë atdhetarët ta ngushëllojnë,
kur Sali Butka na thotë: Mos kini frikë o vëllezër,
që mbeta me një sy, se nuk do ta turpëroj Shqipërinë,
se kundër armiqve s'ka për të shkuar kot asnjë
plumb. Jo syri, por le të shuhem me gjithçka, vetëm
Shqipëria të rrojë!".
Kur
ushtritë franceze që kishin okupuar Korçën
dhe qarkun e saj, mbështesnin kërkesat e Venizellosit
për Shqipërinë e Jugut, Sali Butka, në krye
të forcave të tij, dha kushtrimin për ta shpëtuar
atë dhe u nis drejt Korçës. Në Voskopojë,
ku ndodhej një kompani franceze dhe një forcë e konsiderueshme
ushtarësh grekë, forcat e Sali Butkës u ndaluan të
ngrenë flamurin shqiptar. Sali Butka i dërgoi Pleqësisë
së Voskopojës këtë letër: "Sipas vendimti
të Konferencës së Ambasadorëve në Londër,
Gjirokastra dhe Korça i mbeten Shqipërisë".
Prandaj, si kryetar i çetave shqiptare, po vij ta marr në
dorëzim me shpresë se ju do të mirëprisni ardhjen
tonë aty…"
Sali
Butka (komandant i çetave shqiptare) Pas kundërshtimit
të forcave greke, Saliu e rrethoi Voskopojën, por nuk
veproi se kishte hallin e popullsisë së pafajshme shqiptare.
Kur andartet grekë nisën luftën, Sali Butka i hapi
rrugën popullsisë së qytetit që të shkonte
në Korçë dhe luftoi nga njëra anë me
andartët grekë dhe nga ana tjetër me kriminelët
e plaçkitësit shqiptarë. Të nesërmen
Sali Butka me forcat e tij që arrinin në 1500 veta rrethoi
Korçën. Në krah të tij ishte edhe çeta
e Themistokli Gërmenjit me 22 vetë.
Këta
dy kapedanë bënë planet e marrjes së Korçës
nga duart e francezëve. Të rrethuar si në një
darë, francezët kërkuan bisedime. Themistokliu shkoi
në Korçë, ndërsa Sali Butka qëndroi me
ushtritë e tij në rrethinat e qytetit. Ndërsa bisedimet
e Themistokliut me autoritetet franceze po zvariteshin, Sali Butka
u dërgoi atyre kërkesat shqiptare prej 14 pikash për
vetëqeverisjen e Kazasë së Korçës nga
ana e autoriteteve shqiptare. Nën presionin e brendshëm
dhe sidomos atë ushtarak të forcave të Sali Butkës,
autoritetet franceze e shpallën "Vetqeverisjen e Kazasë
së Korçës me gjithë rrethet nga autoritetet
shqiptare".
Sali
Butka mori nga komandanti francez i Qarkut të Korçës,
Koloneli Dekoen, një letër ku thuhej: "Zotit Sali
Butka. Shpallja e vetqeverisjes së Korçës nga administrata
shqiptare, ishte një fitore e forcave kombëtare dhe në
mënyrë të veçantë e Sali Butkës".
Po kjo punë nuk vazhdoi gjatë. Në fund të luftës,
autoritetet franceze e kthyen fletën, arrestuan Themistokli
Gërmenji dhe e pushkatuan në Selanik si dhe u përgatitën
t'ja dorëzojnë Korçën Greqisë.
Atëhere
Sali Butka mblodhi forcat që arriti në 20.000 dhe mbasi
e rrethoi Korçën, përsëri, i dërgoi komandantit
të forcave franceze një ultimatum. Plaku i famshëm
i Butkës mbrojti jo vetëm Korçën, por të
gjithë Shqipërinë Juglindore nga synimet e sulmet
e shovinistëve grekë.
Nisur
nga kontributi dhe fama e madhe që mori Plaku i Butkës
gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore,
në 1920 ai u zgjodh dhe mori pjesë si delegat i Korçës
në Kongresin e Lushnjës. Ai mbështi shtetin e ri
shqiptar të dalë nga ai Kongresi dhe deri sa ndërroi
jetë në vitin 1938, ai u vlerësua dhe u nderua nga
regjimi monarkik i Zogut si një patriot i madh që kishte
luftuar me armë në dorë për Shqipërinë.
Po kështu edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës e vlersoi
dhe e nderoi Plakun e Butkës, duke i dhënë vëndin
që i takonte në Historinë e Shqipërisë. |