NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 01 SHKURT 2003

Thuhet "FJALA E LIRË", Jo "FJALA E SJELLSHME"

Shkruan: Shqiptar Oseku

Ky numër i revistës PASQYRA i kushtohet gati kryekëput temës së korrupcionit. Jo rastësisht, meqë ky fenomen çmohet prej të huajve si pengesa nr 1 e zhvillimit të shqiptarëve si komb.

Shumëçka është shkruajtur, e shumëçka do të mbetet pa thënë rreth kësaj teme. Te PASQYRA do t'i gjeni disa analiza të mprehta, dhe besoj e shpresoj bukur të pasjellshme, ndaj plot institucioneve e miteve në kokën tonë. Sepse detyra e analistit është të analizojë, jo të bëhet çun a gocë e sjellshme para pushtetmbajtësve.

Kur mbytet anija, përgjegjësia kërkohet së pari te kapiteni, e pastaj te oficeri i parë, te oficeri i dytë, e kështu me radhë deri te kuzhinieri e te detari i thjeshtë. Jam thellësisht i bindur që shqiptarët duhet ta mishërojnë këtë varg komande edhe në politikë. Kur shoqëria vlon prej korrupcionit, aq sa zyrtarisht quhet "më e korruptuara në kontinentin e Evropës", atëhere është koha të rrokullisen kokat. Jo të doganierit të thjesht, ndonëse edhe ai bën mirë të qërohet nga posti: po të presidentit, të kryeministrit, e të ministrit. Për sa kohë që shoqëria shqiptare hedh gur e dru mbi peshkun e vogël, kurse e lë t'i ikë peshkaqeni, atje bukë s'do të ketë.

Meqë ra fjala te çunat e gocat e sjellshme, shumë prej tyre ishin shashtisur pas numrit të kaluar të revistës PASQYRA. Absolutisht jo rreth analizave të holla në një varg temash, a jo: kjo s'është në natyrën e tyre. Po prej një artikulli të thjeshtë prej meje, që qe menduar të jetë më tepër si nekrolog (tekst në rrasën e varrit, porse në verzionin gazetaresk) ndaj viktimës së dyfishtë Tahir Zema.

Një pjesë e çunave e gocave të sjellshme që më kanë shkruar e kishin graduar veten në Musketarë të Presidentit. Ata më kritikuan pse kisha shkruar aq pasjellshëm (po, po, lexuat drejt: bash "pasjellshëm") ndaj të ndjerit Tahir Zema, i cili, si ma përkujtuan ata sjellshëm, paska qenë aq i madh sa është pikëpyetje a do të kish arritur t'ia xiglojë vegët edhe i madhi Skënderbe maje kali, po të ngrehej maje gishtash e t'i shtrinte duart drejt qiellit. Ata më informuan katërçipërisht se si Tahir Zema me kallash në dorë i paskësh ndjekur serbet hap pas hapi deri në Beograd, duke e lënë pa mend Naton; se ai i paskësh "koritur shkiet" edhe në zemër të Serbisë, duke u marrur femrat për gra; e se si në pauza të këtyre lufrave ai paskësh arritur t'u thejë dhëmbet, duart, këmbët e pjesët tjera vitale të trupit edhe rusëve, francezëve, grekëve e armiqve tjerë të popullit shqiptar. E se ai, fundi i fundit, paska qenë edhe shok i Ibrahim Rugovës (ky argument vinte gjithnjë i mbrami, si për t'i vënë pikë të gjitha paqartësive).

Taborri tjetër i çunave e gocave të sjellshme, për dallim prej atij më lart, më kritikuan pse kisha shkruar pasjellshëm - për atentatorët. Ata e dinin qindpërqind se Tahir Zema paskësh bashkëpunuar me serbët, rusët, francezët, grekët e armiqtë tjerë të popullit shqiptar, e se qenkesh martuar me serbe enkas për ta kurorëzuar veprimtarinë e vet tradhëtare, për inat të UÇK-së e të Hashim Thaçit. Ky taborr e dinte qindpërqind se vrasësit e Zemës nuk ishin narkotrafikantë, meqë një tradhëtar aq i madh s'bën të vritet nga një narkotrafikant, kjo s'ka hije: korrektesa e kërkon që ai të vritet nga një trim drangua atdhetar, që e shpreh dashurinë ndaj atdheut me patllake në dorë.

Incidentalisht, asnjeri nuk më kritikoi për të vetmin lëshim në atë nekrolog. Që aty nuk përmendet fare se bashkë me Zemën shkuan, pa bërë asnjë pikë faji, edhe çuni i tij e një kushuri.

Pas botimit të artikullit, jam menduar e munduar gjatë rreth asaj se si u bë që unë, ndonëse konsideroj se kam një standard timin etik e moral, megjithatë kisha harruar (!) ta përmend edhe vrasjen e dy të pafajshmive. E di p.sh. që ai detaj ishte i pari që e zura n'gojë kur dëgjova për atentatin, e di se shumë netëve pa gjumë kam menduar me dhembje për fatin e keq të çunit të Zemës. Kam fëmijë edhe vet, andaj mund ta ndaj dhembjen me familjarët e tij: nëse ndonjë patriot me bateri do ta ngacmonte bijën time nesër-pasnesër, për shkak se më urren mua për këto që po i shkruaj sot, atëhere do ta çoja në ps atë bashkë me të gjitha idealet e tij: sikur të ngadhnjejnë aso "patriotësh", gjysma e shqiptarëve të Kosovës do të detyroheshin të kërkoj azil në Çaçak.

Kam menduar gjatë, pra, si më humbën nga harta mendore dy të vrarë të pafajshëm, e spjegim tjetër s'kam pos asaj se më ka infektuar zjarmia kosovare, përmes gazetave, radios, televizionit. Për këtë - po vetëm për këtë! - duhet të kërkoj ndjesë publikisht. Fjala e lirë duhet të jetë edhe fjalë e ndërgjegjshme.

Shpresoj se bashkë me mua ndjesë do të kërkojnë, jo para meje po në veten e tyre, edhe shumë prej atyre që më kanë shkruar rreth atij nekrologu. (Sa për informacion, as musketarët e vetshpallur të Ibrahim Rugovës, e as Che Guevarët a-la Muçibaba, s'i përmendin fare në mejlat e vet dy viktimat e pafajshme!)

Përndryshe, për sa i përket vet Tahir Zemës, s'kam se ç'të shtoj - të paktën s'kam gjëra pozitive. Thuhet "fjala e lirë", e jo "fjala e sjellshme": detyra ime si publicist s'është të flas sjellshëm për të ndjerin, por ta them të vërtetën për lexuesin. S'është punë e gazetarit të merret me ngushëllime. Një ndër leksionet e para të gazetarisë profesionale është neutraliteti para konsekuencave. Mua s'më intereson, e as që guxon të më interesojë, se çfarë konsekuenca do të ketë fjala ime - përderisa është e vërtetë. Ai/ajo që s'do ta kuptojë këtë parim bazë të gazetarisë moderne, tani e tutje as mos të lodhet më të më shkruajë, as lavdata e as kritika.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:39
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË