NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Secesionizmi serb në Kosovë:
Simbole e hymn edhe për serbët lokalë

Shkruan: Xhafer SHATRI

"Instikti ma thotë se mu tash është koha për ta shtruar çështjen e Kosovës. Mu tash është koha të fillojë debati për statusin e Kosovës, për shkak se koha nuk po punoen për ne" Kështu e filloi rundën e dytë të betejës së tij për Kosovën, kryeministri i Serbisë, Z. Gjingjiç.

"Ne kemi strategjinë tonë dhe këtu nuk asnjë dilemë. Aspekti i parë i kësaj strategjie konsiston në kërkesën që serbët të njihen si element konstituiv në Kosovë me të drejtat që do të ishin kolektive", ka thënë Zoran Gjinxhiç.

"Në Kosovë po lind një shtet i pavarrur dhe po ndodhin procese që Kosovën de fakto e shëndrrojnë në shtet që në një çast do të njihet edhe de jure... Brenda dy vitesh ky proces do të jetë shumë vështirë të ndalet dhe rrjedhimisht kërkoj që menjëherë të fillohet të bisedohet për statusin final të Kosovës", ka vazhduar ai.

Prej që ka përfunduar lufta, asnjëherë Beogradi nuk e ka ngritur çështjen e Kosovës me kaq urgjencë e këmbëngulje si në muajin e parë të këtij viti.

Njohësit e rrethanave në Serbi, duke e njohur mirë Gjingjiçin, u habitën me rafalpropozimet e tij. Disa e lidhën këtë ofensivë me zgjedhjet në Serbi që, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen brenda një viti, dhe ai ka nevojë për një diskurs patriotik; disa të tjerë e lidhin këtë me faktin se kryeministri serb, si takticien i shkathtë që është, duke parë përqëndrimin e Amerikës në Irak dhe kundërshtitë gjithnjë e më të mëdha të Francës dhe Gjermanisë me Washingtonin përpiqet të shfrytëzojë nga rasti dhe të rikonfirmojë disi, por ndërkombëtarisht sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.

Por mund të ketë dhe shkaqe të tjera, siç është edhe nevoja e madhe e Serbisë për investime serioze, të cilat nuk po duken askund për faktin se askush nuk investon në një vend politikisht tektonik: rivendikimet e Serbisë ndaj Kosovës, ndaj Bosnje e Hercegovinës, gjegjësisht Republika Srpskes, pavarësisht nga llahtaritë që kanë ndodhur,vazhdojnë të përseriten nga pozita dhe opozita.

I pari që kundërshtoi Gjingjiçin ishte V. Koshtunica, rivali i tij kryesor, i cili tha se është tepër herët që të bisedohet për statusin final të Kosovës. Ndërkaq eksperti për çështje etnike në Ballkan, Dushan Janjiç deklaroi se "...në politikën ndërkombëtare ekziston një rrymë që përfaqëson Steiner, një pjesë e kongresit amerikan dhe një pjesë e politikanëve serbë, pra Gjingjiçi, që konsiderojnë se duhet relativisht shpejt të njihet pavarësia e kushtëzuar e Kosovës, pra protektorati i Bashkimit Evropian. Por ekziston dhe rryma tjetër më dominuese që thotë se për këtë do të duhen edhe 10-15 vjet që Këshilli i Sigurimit të vendosë se a do të jetë Kosova e pavarur apo jo."

Lidhur me debatin që hapi Zoran Gjingjiç, gazeta "Glas javnosti" publikoi një hulumtim për të pasur një pasqyrë se cili prej opcioneve ka më shumë mbështetje në Serbi: 35.95% të anketuarve i japin të drejtë Gjingjiçit, 33.96% mendojnë se as Gjingjiçi e as Koshtunica nuk kanë të drejtë, sepse është tepër vonë të ndërmirret çkadoqoftë në mënyrë që statusi i Kosovës të jetë i favorshëm për Serbinë. Në vendin e tretë, më 14.10% mbështetet strategjia e Koshtunicës; 4.64% thanë se nuk mendojnë fare për këtë çështje 11.35% deklaruan se nuk dinë apo se nuk duan të japin ndonjë përgjigje.

Kjo është hera e parë që Gjingjiçi e "mund" Koshtunicën lidhur me çështjen nacionale.

Propozimin e Gjingjiçit e quajtën të hershëm dhe të panevojshëm si Bruksesli poashtu dhe Washingtoni, ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Mongomeri deklaroi:

Për statusin e Kosovës duhet të vendoset në të ardhmen. Kemi një politikë të fuqishme që kërkon përmirësimin e standardeve të jetës dhe çështjeve themelore siç është kthimi i refugjatëve, liria e çarkullimit, ndërtimi i institucioneve para se të marrim çfarëdo vendimi lidhur me statusin final të Kosovës. Jemi thellësisht të vebndosur për këtë politikë dhe se do të ishte gabim që të përshpallim qysh tash se cili do të jetë ai status. Të gjitha opcionet mbeten të hapura." ("Vesti", 31.01.03).

I detyruar të marrë pjesë në debat, Unmiku përsëriti dhe njëherë se "Rezoluta 1244 vazhdon të jetë Bibël për Kosovën".

Por cilido qoftë shkaku që nxiti Gjingjiçin ta hapë këtë temë të valë, megjithatë shihet se Beogradit po i ngutet, sepse gjërat filluan të lëvizin:

- Më 20 janar këshilltarët serbë të katër komunave: Leposaviçit, Zveçanit, Zubin Potokut, dhe Mitrovicës veriore formuan "Bashkësinë e Komunave serbe të Kosovës dhe Metohisë"

Siç e tha Marko Jakshiç deputet në Kuvendin e Serbisë dhe këshilltar komunal në Zubin Potok qëllimi është që të krijohet një bashkësi e të gjitha komunave me serb në Kosovë: "Shqiptarët le ta formojnë etnitetin e tyre, ne do ta ndërtojmë tonin, por etniteti i shqiptarëve nuk mund të dalë jashtë kuadrit të Serbisë." Bashkësia do ta ketë Kuvendin, kryetarin, qeverinë, flamurin, stemën etj.

- Gati njëkohësisht erdhi edhe deri te pajtimi i dy subjekteve të rëndësishme të bashkësisë serbe në Kosovë: Kuvendit Kombëtar serb të 'Kosovës dhe Metohisë' Veriore me qendër në Mitrovicën dhe Kuvendit Nacional Serb të 'Kosovës dhe Metohisë' me qendër në Graçanicë.

- Më 27 janar, në Beograd u mbajt një tubim i përbashkët i përfaqësuesve të këtyre Këshillave dhe të përfaqësuesve të koalicionit Povratak me kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç. Ata biseduan dhe u pajtuan për strategji dhe veprimtari të përbashkët në Kosovë. Sipas burimeve të informuara mirë në Beograd, të cilat i citon agjencia Beta, qëllimi është që "të krijohet një gjendje në Kosovë, ku Serbia do të mundë të jetë faktor aktiv, madje dhe në rast të pavarësimit, të krijohet mundësia që, në përputhje me parimin e vetëvendosjes së qytetarëve, ndoshta territori i Kosovës veriore të ketë status të veçantë, si dhe Republika Srpska, ose në një fazë t'i bashkangjitet Serbisë..."

Vlen të përmendet se përfaqësuesit e bashkësisë serbe të Kosovës takuan dhe Koshtunicën, por siç po shihet ata nuk ndërtuan strategjinë për Kosovën me të, por me Gjigjiçin.

Këtë strategji, që tash për tash, në shumë pika, mbetet sekrete, më së qarti e përshfaqi, Branisllav Krstiç, nënkryetar i Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, pra zëvendësi i N. Qoviç-it.

Sipas tij, Serbia nuk kishte strategji për Kosovën. Projekti fillestar i Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën kishte një projekt që Kosova të ndahet në dy entitete dhe këto të jenë nën protektoratin ndërkombëtar.

Mirëpo shumë gjëra kanë ngecur e ndër kryesorët është se "Ministria federale e Punëve të Jashtme ende nuk e ka zgjidhur një çështje themelore dhe pikënisjeje me Këshillin e Sigurimit të OKB-së: me rezolutën 1244 a është hequr apo vetëm është suspenduar sovraniteti i RFJ-së mbi Kosovën?

Fuqitë e mëdha në Ballkan nuk po arrijnë ta zgjidhin as çështjen nacionale shqiptare e as atë serbe, sepse Kosova është territor që, që të dy kombet do të dëshironin ta kenë në kuadër e vet shtetëror. Serbët, për shkak se Kosova është territor i tyre historik, ndërsa shqiptarët, sepse janë popullsi shumicë.

Dhe B. Krstiç këmbëngul që këto dy "të drejta"të trajtohen baras dhe të definohen territorialisht. Në këtë vijë Krstiçi këmbëngul për atë që Kosova të trajtohet se Qiproja.

Pra të copëtohet dhe të përligjet copëtimi i saj. Dhe si territor i ndarë, ashtu si dhe Qipro, kur t'i vijë koha të integrohet në Bashkimin Evropian.

Me një fjalë, strategjia serbe nuk ka ndryshuar. Copëtimi i Kosovës edhe pas të gjithë asaj që ka ndodhur mbetet opcioini i fundit dhe i vetëm i tyre. E keqja është se serbët e Kosovës ende nuk janë mbushur mend për ta kuptuar një gjë krejt të thjeshtë: se interesat e tyre dhe interesat shtetërore të Serbisë, megjithatë nuk përputhen.
Për faktin e thjeshtë se copëtim të Kosovës nuk mund të ketë pa luftë, sepse ky do të rrezikonte ekzistencën biogjike të vendit.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:35
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË