NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 15 JANAR 2003

Nuk është momenti për negociata me Beogradin

Shkruan: Sqiptar Oseku

Vlerësuesit e ndryshëm kanë mundur të vërejnë se si janë hedhur në opinion propozimet e para ngurruese për nisje të negociatave mes Prishtinës e Beogradit. Propozimi i parë konkret erdhi, jo edhe aq befasueshëm, prej palës që ka arsye të pret favore, më saktë prej Zoran Xhinxhiçit në dhjetor 2002. Si çdo përçapje e parë, edhe ajo ishte e kujdesshme, asgjëthënëse e optimiste, ashtu që t'i japë zemër taborrit vetjak e t'i sigurojë poena kasnecit të saj.

Përgjegja kosovare, ashtu si çdo herë deri tani, zbuloi se krerët (?) shqiptarë vazhdojnë të jenë të përçarë. Radiostacioni beogradas B92 zgjodhi, sigurisht jo krejt rastësisht, që ta ndjek këtë scoop duke e mbështetur me shpatulla për muri kryeministrin (e jo kryetarin) e Kosovës: a do të merrte ai pjesë personalisht në negociata nëse ato do të hapeshin sot?

Rugovës xheloz s'i bëri përshtypje që kryeministri i tij u përgjegj në të vetmen mënyrë të mundshme, se do të merrte pjesë vetëm me dakordim të të gjithë aktorëve shqiptarë (lexo Rugovës, por edhe Thaçit e Haradinajt) dhe në prani të botës. Batarja kryetareske që u shkreh pas intervistës duhet t'i ketë argëtuar gazetarët e zgjuar beogradas, e ca më shumë pushtetarët e atjeshëm.

Fatlumërisht për Kosovën, negociata momentalisht nuk do Koshtunica. Meqë pushteti i tij bazohet vetëm mbi sharmin nacionalist, kuptohet që ai nuk është i disponuar të bëjë kompromise moderne dhe krejtësisht jonacionaliste me "shiftarët". Pasta, negociata nuk do as BE-ja, që e kupton se ato për momentin veçse mund të shkatojnë trazira. Dhe, së fundit me rend por absolutisht jo me rëndësi, as Uashingtoni nuk mendon se ka ardhur momenti për negociata.

Përsëris: fatlumërisht. Meqë druaj se negociatat në momentin e sotëm do të kishin rezultat katastrofik për shqiptarët.


Kosova kafshore e vogël

SHBA-të në mbarim të shek. XX si aleat përgjysmë e zgjodhën, e përgjysmë s'patën çare pa e zgjedhur, popullin shqiptar. Kosova ish vërtet e vogël sa një kafshore, madje as aq, por ajo shtrihej krejt afër Bosnjes, për të cilën gjatë viteve 1990 kish dëgjuar tërë bota. Edhe aktori kryesor, Millosheviçi, ishte i njohur nga koha e Bosnjes. Amerikanët e kishin larë Millosheviçin disi në Dejton, duke e ftuar atje si pëllumb paqeje, meqë çdo alternativë tjetër do të kërkonte angazhim ushtarak amerikan. Por në Kosovë ai nuk do të lahej dot më, edhe po të donin amerikanët.

Uashingtoni e dinte se kafshorja e vogël e Kosovës s'do të gëlltitej fshehurazi, për shkak të gazetarëve që i kishin mësuar rrugët nëpër Ballkan. E para së gjithash, ajo nuk do të gëlltitej gjakhumbëse si Bosnja. Asnjeri me dy fije mend në kokë s'do të besonte se Millosheviçi as tash s'paska faj, ose e paska vetëm gjysmën e fajit: prej Sllovenisë e deri në Kosovë, pushteti i tij e kish lënë gjithnjë pas si fërkem një det gjaku.

Sidomos Bosnja qe absolutisht relevante për fatin e Kosovës në çdo aspekt. Uashingtoni zyrtar në Bosnje e kish mbajtur çehren veç me zor fort të madh. Millosheviçi në Bosnje u kish ofruar shembull shkollor maniakëve në tërë botën se si i bëhet karshillëk Amerikës e prapë dukati në ballë. Andaj s'do mend se amerikanët nuk përtuan t'ia lajnë borxhin me kamatë, kur sherri plasi.

Në anën tjetër, shqiptarët asokohe ishin faktor njëmend i papërfillshëm ushtarak, por me peshë të konsiderueshme politike. UÇK-ja s'mund ta shporrte ushtrinë federale prej Kosovës, por mund t'ia bënin bam deri të premten e kuqe, meqë as Millosheviçi s'mund t'i qëronte ata pa e pastruar etnikisht tërë Kosovën. E një pastrim i ri etnik, këtë Millosheviçi e dinte fort mirë, ishte një kartë tepër provokative për Amerikën, të cilën ai s'guxoi ta loz deri në momentin absolutisht të fundit.

Fanatizmi i UÇK-së e lozi edhe një rol tjetër, që në këtë kontest doli pozitiv. Liderët e UÇK-së e shprehnin publikisht në media armiqësinë ndaj Rugovës, e atyre megjithatë u shtoheshin vullnetarët përditë. Kjo dëshmi përfundimisht se politikat pacifiste të këtij të fundit ishin shtjerrur, ndofta jo absolutisht por doemos si faktor relevant. Amerikanët u detyruan të pranojnë se Rugova më nuk ishte digë e qëndrueshme kundër luftës.


Alternativat e Uashingtonit

Në ato momente dramatike, Uashingtoni zyrtar i kishte dy mundësi. O ta braktisë revoltin e UÇK-së, duke i braktisur ashtu edhe miliardat e investuara në opozitën serbe, duke e forcuar edhe më shembëlltyrën e Millosheviçit në Serbi, e duke lënë botën të shohë direkt në CNN se si i kthehet fjala Amerikës mu në zemër të Evropës. O ta përkrah revoltin e UÇK-së, duke rrezikuar acarime me aleatët evropianë dhe me Rusinë. Më në fund, në kandarin e Klintonit më rëndë hoqi verzioni i dytë se sa i pari. Në retrospektivë mund të themi se ai kandar doli i saktë, meqë as NATO nuk u shpërbë, e as Lufta e Tretë Botërore nuk nisi, përkundër vërejtjeve zëlarta të kritikëve të Klintonit.

Është interesant të vëresh se në fillim, përderisa UÇK-ja nuk e bëri të qartë se alternativa e Rugovës s'ishte më reale, Departamenti i Shtetit amerikan bëri ç'mos për ta përmbajtur maksimalisht revoltin shqiptar. Ai u damkos fillimisht si "terrorizëm" nga zyrtarë të lartë të departamentit, të cilët vazhdimisht shprehnin shpresën zyrtare se do të mbizotërojë "një zgjidhje paqësore" etj etj, mediat amerikane zunë t'i thurrin hymne "vijës paqësore" në Prishtinë, ndërsa Millosheviçit iu dërguan lutje e kërcënime përmes emisarëve "neutralë" që të merret vesh urgjentisht me Rugovën. Kujtoni emisarët e San Exhidios, ujditë e arsimit, etj etj - e ku do t'i bënte Beogradi zyrtar këto marrëveshje, pa një zor fort të madh!

Por ku u pa kthjelltë se Millosheviçi po ngulmonte te një status quo e tejkaluar, se UÇK-ja do të vazhdonte ta sfidojë atë fanatikisht deri në fundin e hidhur, e se Rugova kish dalur prej lojës, Uashingtoni e kuptoi se Kosova po shndërrohej në serial të CNN-it njësoj si Bosnja. Atëhere, Klintoni ia la duart e lira Medlin Ollbrajtit, e cila, në kontrast ndaj diplomatëve të karrierës, kish kohë që kërkonte ta qes në të pestën. Në dhomën e situatave speciale të Klintonit u instaluan petritët e Departamentit të Mbrojtjes, si gjen. Klark & Co., të cilët mezi prisnin t'ia kthejnë Millosheviçit ca borxhe të vjetra. Amerika, thjesht, vendosi që s'mund ta linte Millosheviçin ta pastrojë etnikisht edhe Kosovën si Bosnjen, meqë një zhvillim i tillë do ta fundoste imazhin e Amerikës.

Kësisoj, pra, mund të thuhet lirisht se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte kryesisht produkt masmedial. E drejta, të kish pasur UÇK-ja prijës veç ca më pak fanatikë, a Rugova një personalitet më bindës, sigurisht se do ta kishim Serbinë ende brenda në Kosovë, e Millosheviçin në pushtet në Beograd. Mirëpo pa CNN-in, Millosheviçi do të mbetej në Beograd pa marrur fare parasysh asnjë krah shqiptar.


Aleancë interesash

Aleanca faktike mes Amerikës e shqiptarëve, ndonëse, pra, e kundërvulletshme për palën e parë, madje gati e rastit, tani që ka nisur doemos që do të vazhdojë edhe ca kohë sipas ligjit të inercionit.

Sa për shqiptarët, alternativë tjetër nuk ka. Shumica absolute e shqiptarëve e dinë fort mirë se vetëm dhe vetëm prezenca amerikane, e asgjë tjetër mbi këtë tokë, e mban larg Serbinë prej Kosovës, e de facto në duar të shqiptarëve. Vetë shqiptarët nuk janë të organizuar e s'kanë resurse që krye në vete ta mundin Serbinë as ushtarakisht, as ekonomikisht, e as diplomatikisht. Ky, pra, është interesi jetik që e kemi ne shqiptarët te amerikanët.

Në anën tjetër, as amerikanët nuk mund të ikin aq shpejt prej Kosovës. Për dallim prej shqiptarëve, ata duan të ikin sa më herët meqë interesa jetike këtu nuk kanë; kufiri i interesave amerikane kundrejt Rusisë sot mbrohet direkt në Ukrainë, në Gjeorgji e në Kazakstan. Por ata s'mund të lejojnë gjakderdhje të re masive në Ballkan, gjë që për momentin do të ishte absolutisht e pashmangshme në rast të ikjes së tyre, meqë diçka e tillë (sërish) do ta rrëmihte imazhin serioz të SHBA-ve në botë. Andaj, interesi i amerikanëve në Kosovë është që ta ruajnë fytyrën. Ata duan të largohen sa më herët por me nder, duke lënë prapa një dakordim stabil mes shqiptarëve e serbëve rreth një status quoje, që të vlejë të paktën për disa vjet. Ky dhe vetëm ky është ai peri jashtëzakonisht i hollë, për të cilin varet fati i Kosovës dhe i tërë kombit shqiptar.

Mbarimi i kësaj aleance nuk shihet dot sot. Ajo nuk është hedhur në letër, meqë shqiptarët s'kanë koqe të lidhin kontrata me shkrim me Amerikën. Ne jemi të varfër e të përçarë, jetimë të pakultivuar ballkanas. Aleanca amerikano-shqiptare mbetet thjesht aleancë interesash, që për ne është punë jete a vdekjeje e për amerikanët punë fytyre. Ky relacion s'është pak për momentin, por mbaron sapo t'i mbarojnë interesat njërës palë: lexo sapo ta konstruktojë Amerika një dalje faqebardhë.

Në strategjinë dalëse të Amerikës, me të cilën është dakorduar edhe Beogradi i sotëm zyrtar, si hap i parë nga gjithsejt tre përmendet krijimi i masave të mirëbesimit. Kjo po ndodh tani, në parlamentin e Kosovës, në Mitrovicë, në Luginën e Preshevës, në trevat e minoritarëve serbë.

Disa shqiptarë mendojnë se nëse e sabotojnë këtë hap të parë, p.sh. duke i provokuar serbët ose të ngjashme, zgjatet qëndrimi i Amerikës në Kosovë. Unë për vete jam i bindur se për një shqiptar, s'ka lajthitje më vetvrasëse se sa kjo! Arsyeja është e thjeshtë. Çdo grindje etnike ku shqiptari del doras e serbi viktimë e zvogëlon në botë simpatinë, madje edhe tolerancën, për kërkesat e shqiptarëve. Rrjedhimisht, kjo e zvogëlon edhe interesin që i mban këtu amerikanët: ata po rrijnë ende sall pse s'duan ta humbin fytyrën, por fytyra s'humbet nëse heq dorë prej një axhamie. Kurse edhe po ndejtën amerikanët, çdo grindje etnike sot do të përdoret prej Beogradit nesër, kur të hapet dialogu rreth statusit, si argument politik e moral që dëshmon se Serbia duhet patjetër ta ushtrojë pushtetin e vet edhe brenda në Kosovë.


Përçarja bën fuqinë?

Faza e dytë do të jetë një dialog mes Prishtinës e Beogradit. Atëhere do të ndodhin dy gjëra: e para, amerikanët do të kërkojnë që t'i implikojnë të gjitha palët shqiptare, për të siguruar respektim të marrëveshjes kur të kenë ikur. E dyta, s'do mend se Prishtina si palë e dobët, e jo Beogradi, do të ndjejë trysni të fuqishme amerikane për të lëshuar pe në detaje.

Këtu, përkundër mësimeve të folklorit politik se bashkimi bën fuqinë, taktika negociuese kërkon që ndër shqiptarët të ekzistojë edhe një grupacion abstenues me potencial për t'ia bërë bam. Që ta marrim një shembull të afërt: ne shqiptarëve do të na duhet një Sheshel, pra një njeri racional, i përmbajtur e me shkollim intelektual, por që shprehet si bishë, për t'i lëkundur ndërmjetësit e për t'i siguruar favore ekipit negociator.

Në fazën e tretë do t'i qitet pika me zbatim konkret të marrëveshjes. Një trup simbolik amerikan do të rrijë sigurisht në Kosovë deri në fund të kësaj faze, për ta mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes kundrejt sfidave eventuale në terren. SHBA-të sigurisht që do ta lënë pas si ngushëllim një dërgatë diplomatike edhe pas mbarimit të kësaj faze, por ajo s'do të ketë më ndikim vendimtar në politikat që do të përthehen edhe më në Kosovë.

Prognozat në përgjithësi, e apo politike në veçanti, janë punë fort e pamiradijshme, por absolutisht të parezistueshme për këdo që mendon e shpreson me afsh diçka. Me sa po shihen shenjat tani, druaj se ajo që mund ta nxjerrim ne shqiptarët sot për sot nga negociatat e hapta me Beogradin është një si njësi e mëvetshme në kuadër të federatës serbomalazeze. Nëse mund t'i lexoj shenjat si duhet, druaj se negociatat më të përflakura do të zhvillohen jo për pavarësi, por për margjinat e autonomisë kosovare në kuadër të Republikës së Serbisë, dhe kjo pavarësisht prej asaj se a do të shkëputet Mali i Zi apo jo prej federatës.

Në rastin më të mirë, gjykuar e pakta prej perspektivës së sotme, Kosova do t'i ketë ingerencat e pushtetit në duart e veta, përfshirë këtu policinë, TMK-në, presidentin, parlamentin dhe gjykatën e lartë. Por do të detyrohet ta pranojë një masë të integrimit zyrtar me Serbinë në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes e të doganave, e të politikës së jashtme; e sigurisht edhe në fushën e sigurimit shtetëror.

Druaj se negociatat kaq mund të sigurojnë maksimalisht, jo më shumë. Andaj, unë personalisht jam kundër asaj që negociatat të niset tani. Për aq sa kemi në dorë, ne shqiptarët do të bënim më mirë ta zhagitim këtë proces maksimalisht: zgjat Zot kësi moti, pse të lypim ndryshime kur ato mund të jenë vetëm negative?

Për të siguruar më shumë, pavarësi a bashkim kombëtar, kërkohet që të ndryshojë vet rrëza (themeli): që Beogradi të heq dorë prej Kosovës vullnetarisht, p.sh. duke e joshur me anëtarësim në BE apo diçka të ngjashme, ose alternativa që Tirana ta kryejë energjikisht një mrekulli ekonomike e të bëhet aktor politik real edhe në Kosovë. Por këto janë spekulime të avancuara, që më mirë t'i lihen kohës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:10
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË