NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Raporti suedez kritikon vendet e Ballkanit

Shkruan: Shqiptar Oseku

Shtetet e Ballkanit janë në rrugë të mbarë drejt respektimit të të drejtave të njeriut, por abuzimet janë ende të numërta dhe mu organet zyrtare janë fajtore për shumë prej tyre.

Ky përfundim e përshkon si pe i kuq vlerësimin e qeverisë suedeze rreth të drejtave të njeriut.

"Raporti për Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Botë", si quhet zyrtarisht ky vlerësim, përpilohet nga ambasadat suedeze nëpër botë e përmbledhet për qeverinë një herë në vit nga zyrtarët e Departamentit të Jashtëm. Deri sot, ky raport ka qenë sekret shtetëror e është ruajtur rreptësisht në kasafortat e departamentit dhe të qeverisë. Heqja e siglave të sekretit nga dosja e raportit u vendos nga qeveria suedeze pas Vitit të Ri, si "një hap simbolik drejt transparencës ndërkombëtare në fushën e të drejtave themelore të njeriut".

Ndër të papriturat e këtij raporti janë toni kritik kundër Greqisë, partnere e Suedisë në BE, si dhe vështrimi jashtëzakonisht kritik ndaj IRJM-së (Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë).

Greqia përmendet si shtet që e pranon vetëm ekzistencën e komunitetit "mysliman" konform Ujdisë së Lozanës nga v. 1923, por që hedh poshtë ekzistencën e minoriteteve tjera. Qeveria suedeze vëren se ka pikëpyetje rreth lirisë religjioze në vend. Vërehet, poashtu, se Greqia nuk e ka ratifikuar "Konventën për Mbrojtje të Minoriteteve Kombëtare" të Këshillit Evropian, e as "Kartën për Gjuhë Regjionale e Minoritare". Qeveria suedeze vëren se "Ligji për hyrjen dhe banimin e ardhësve" që u miratua në prill 2001 është kritikuar për shkelje të të drejtave themelore të ardhësve, mes të cilëve shumica dërmuese janë shqiptarë. Poashtu, raporti i cekë edhe kritikat e shpeshta për keqtrajtime policore kundër ardhësve në Greqi.

IRJM-ja është shteti i vetëm që bukvalisht "shitohet" nga ky raport. Ai cilësohet në parim si republikë bananesh, ku "korrupsioni është i përhapur", ku administrata është ende "shumë largë standardit perëndimor", ku "legjislacioni e gjyqësia janë të mangëta", e ku "ekonomia është në prag të katastrofës".

Qeveria suedeze vëren veçmas se IRJM-ja nuk e ka nënshkruar "Kartën për Gjuhë Regjionale e Minoritare". Stokholmi zyrtar i vlerëson luftimet më 2001 si "kryengritje" e thekson se mbarimi i saj e gjeti UÇK-në në kontroll të mbi 130 fshatrave.

Raporti thekson se ka "kallëzime të shpeshta" për tejdhunë policore kundër minoriteteve, e se "keqtrajtimi i personave është pjesë e 'punës normale' të policisë". Raporti veçon masakrin në Luboten, "me ç'rast u vranë dhjetëra civilë, u shkatërruan shtëpi, e u arrestuan dhe u keqtrajtuan brutalisht qindra burra". "Sipas mediave lokale, Ministri i Brendshëm ishte prezent në katund gjatë tërë kohës", thotë raporti. Poashtu përmendet rasti i keqtrajtimit policor të katër vizituesve shqiptarë në spitalin e Shkupit, të cilët së pari "u rrahën në rrugë nën brohori të turmave, pastaj brenda në spital, e së mbrami në stacion policor. Një prej të katërve më vonë vdiq."

"Në asnjërin prej rasteve të dhunës policore, prokurori as që është lodhur ta nisë procedurën hetimore", vëren veçmas qeveria suedeze. Pas luftës, "brutaliteti policor po vazhdon e të eksponuarit janë në parim pa mbrojtje juridike. Policët në praktikë janë të çliruar prej ligjit".

Aspak më pozitiv s'është as vlerësimi rreth gjyqësisë në IRJM. "Gjyqtarët zgjedhen nga parlamenti dhe e mbajnë detyrën përjetë. Vendimet gjyqësore kanë shpesh motive politike apo janë të prekura prej korrupsionit", vlerëson qeveria suedeze. "Nëse pala e dobët përkundër të gjitha gjasave fiton kundër palës së fortë, s'ekziston ndonjë menkanizëm për ta çuar në vend vendimin e gjyqit".

Për sa i përket lirisë së fjalës, qeveria suedeze mendon se cilësia gazetareske "është fundosur edhe më thellë" gjatë dhe pas kryengritjes. "Pohimet e pavend e akuzat për ta përçmuar grupin tjetër etnik dhe bashkësinë ndërkombëtare janë rregull e jo përjashtim", shkruan raporti, me adresim të qartë ndaj mediave sllave. Raporti vëren se qeveria e ka ndërprerë disa herë punën e kanalit MTV2 në TV-në e shtetit, për shkak të "mosmarrëveshjeve se si duhet prezentuar lajmet". Qeveria suedeze vëren, poashtu, se gazeta më e madhe e vendit, "Dnevnik", e cila pjesërisht financohet edhe me ndihma prej Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar SIDA, gjatë luftës "shpesh herë hoqi dorë prej pavarësisë redaksionale".

"Sllavo-maqedonët dhe shqiptarët jetojnë ndarazi në shoqëri… Nxënësit shqiptarë përbëjnë 30 % në fillore, 17 % në gjimnaz dhe vetëm 5 % të ulta në fakultet. Andaj, mund të thuhet se ndarja e fondeve arsimore i diskriminon shqiptarët për sa i përket arsimit sipëror. Në vitin 2020 parashikohet se nxënësit shqiptarë do ta përbëjnë 50 % të fillores. [Andaj] është me rëndësi që të rritet numri i shqiptarëve që i vijojnë studimet", konstaton qeveria suedeze.

"Sipas shifrave zyrtare shqiptarët janë rreth 24 % e popullsisë, ndonëse në realitet çmohet se ata përbëjnë rreth 1/3-tën, por ata vetë dhe maqedonasit i vështrojnë [shqiptarët] si shtetas të dorës së dytë, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Niveli arsimor ndër shqiptarët është më i ulët, papunësia më e lartë, e përfaqësimi i tyre në organet e institucionet shtetërore i mangët. Shumica e vlerësuesve ndërkombëtare janë dakord se komuniteti shqiptar ka qenë i privuar në shumë aspekte", konstaton në një pasus të veçantë raporti i qeverisë suedeze.

"Ligji për shtetësi nga viti 1992 është kritikuar ashpër prej vlerësuesve ndërkombëtarë. Maqedonasve u jepet shtetësia automatikisht. Për shqiptarë bëhet dallim mes atyre që kanë banuar në vend një kohë të gjatë dhe atyre që kanë ardhur 'rishtazi', dtth qe 10 vjet, e që për shkaqe të ndryshme nëpër pasaportat e vjetra jugosllave nuk e kishin të shkruar troç se ishin me banim në Maqedoni. Lënda është e koklavitur, por rezultati është se persona me banim më të shkurtër në këtë vend, sidomos ata në katundet malore të veriut, ende s'e kanë të rregulluar as shtetësinë", thekson qeveria suedeze.

Federata serbomalazeze lavdërohet për taktin e ndërrimeve pas rrëzimit të Millosheviçit, por kritikohet për reforma të ngadalta në gjyqësi, në ushtri e në polici, si dhe për bashkëpunim "të mangët" me gjykatën e Hagës. Qeveria suedeze vëren se Beogradi nuk e ka ratifikuar Protokolin Fakultativ për Ankesa Private, që do t'ia mundësonte çdo shtetasi të ankohet direkt pranë Komitetit të OKB-së për të Drejta të Njeriut.

"Shqiptarët në RFJ kanë ende qasje më të mangët në punëra komunale e në shërbime publike, gjë që vërehet veçanërisht qartë në Serbinë jugore", thekson qeveria suedeze.

Poashtu, Stokholmi zyrtar vëren se rastet e raportuara të brutalitetit policor hetohen tepër rrallë. Raporti i përmend edhe dyshimet se politikanët e tanishëm "janë munduar ta ndikojnë" procesin gjyqësor p.sh. në raste kur të akuzuarit kanë qenë punonjës të sigurimit shtetëror.

Shqipëria lavdërohet për progesin politik të arritur me dakordim të blloqeve oponente. "Ekziston shpresë se ky klimat i bashkëpunimit mes qeverisë e opozitës do ta promovojë stabilitetin e vendit", konstaton raporti. Raporti e lavdëron "pavarësimin e shtuar" të mediave shqiptare, "të analistëve të pavarur e të komentatorëve", kundrejt pushtetit, por tërheq vëmendjen se shteti po orvatet të gjejë mënyra për të ushtruar ndikim të paligjshëm kundër mediave.

Qeveria suedeze vëren se Tirana "i ka nënshkruar të gjitha dokumentet qendrore" për të drejta të njeriut. Por Shqipëria kritikohet për institucione të dobëta, për korrupsion të lidhur me krimin e organizuar, si dhe për "shoqëri fisnore ku mbretëron dhuna ". "Nuk ka dëshmi për vrasje a zhdukje politike, por meqë dhuna mbretëron në shoqëri e politika s'është shkoqur gjithmonë krejt prej krimit, prapavija e disa vrasjeve dhe akteve të dhunës mbetet e turbullt", shkruan në raport.

Raporti i lavdëron nismat e qeverisë shqiptare për bashkëpunim regjional kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, por cekë se ka pasur raporte për brutalitet policor. Kritika më e ashpër drejtohet kundër gjyqësisë shqiptare, e cila quhet "inefektive, thellësisht e korruptuar dhe një ndër pengesat më serioze kundër zhvillimit të vendit në drejtim demokratik". "Palët në gjyqësi kanë mosbesim ndaj njera-tjetrës, ndërsa shpesh herë bashkëpunojnë ngusht me krimin e organizuar", thuhet në raport.

Qeveria suedeze vëren, poashtu, se ligjet e ashpra të kanunit i kanë ngujuar 5 000 familje shqiptare, duke ndikuar keq në ekonominë vendore, si dhe në fëmijët e gratë e burrave të ngujuar. "Niveli i dhunës është aq i lartë sa vendasit nuk ndjehen të sigurtë natën jashtë shtëpive të veta", veçon raporti.

Në raport theksohet veçmas pozita e rëndë e gruas dhe e fëmijës në shtetet e Ballkanit, për shkaqe jo vetëm socioekonomike, por edhe kulturore. Veçmas përmendet Shqipëria, si "patriarkat" ku gruaja "më shumë nga tradita se sa nga religjioni" është e diskriminuar. "Vetëm 2 nga 19 ministrat dhe 8 nga 140 parlamentarët janë gra", theksohet në raport. "Dhuna shtëpiake nuk dënohet, kurse trafikimi i femrave ka nisur ta prek edhe moshën 14-17 vjeç", vëren qeveria suedeze. "Vajzat e trafikuara dhunohen, kërcënohen e vriten prej pronarëve të tyre, kurse po shpëtuan gjallë, atëhere gjykohen e leqiten prej familjeve të veta".

Shqipëria veçohet për të keq edhe në lëmin e kujdesit shoqëror për fëmijët. Ajo ka rënë në vendin e 90 nga gjithsejt 175 përnga mortaliteti i fëmijëve nën 5 vjeç, ndërsa ¼ e fëmijëve në Veri vuajnë nga malnutricioni. Askush nuk gjobitet për fëmijët që s'vejnë në shkollë e që vihen në punë ilegale qysh në moshë të re, ndërkaq dhjetëra-mijëra shqiptarë të vegjël janë të prekur prej gjakmarrjes, përfundon raporti.

Në anën tjetër, raporti suedez e veçon Shqipërinë si shembull të respektit për minoritete etnike. Raporti përmend se ka pasur kontraversa rreth numrit të minoritetit grek, por e lavdëron frymën liberale ndaj shkollimit të minoritarëve si dhe punësimin e tyre në adminsitratën e shtetit. Është interesant p.sh. të vërehet se Greqia përmendet në ton shumë më kritik se Shqipëria në këtë aspekt. Se a varet kjo nga kandari fort i saktë suedez, a nga njohja më e madhe me Greqinë, apo nga niveli më i lartë i ambicieve ndaj një vendi anëtar në NATO e në BE, kjo mbetet për t'u qartësuar.

Botimi i këtij raporti ishte befasi për opinionin suedez. Përmbajtja e tij është mbajtur supersekret, meqë është druajtur se botimi do t'i sillte dëm marrëdhënieve ndërkombëtarë të Stokholmit zyrtar. Por vet ekzistenca e raportit ka qenë fshehtësi publike tash sa kohë. Pos tjerash, ky raport ka pasur gisht edhe në fatin e dhjetëra mijëra azilantëve shqiptarë në këtë vend, meqë të dhënat nga ky raport janë përdorur si nënshtresë nga autoritetet e imigracionit - pa iu ofruar për shikim as azilantëve, e as avoketërve të tyre.

Pikëpamjet e Stokholmit zyrtar kanë rëndësi edhe për shkak të peshës së konsiderueshme të Suedisë në organet e institucionet e bashkëpunimit ndërkombëtar. Diplomacia suedeze, e painkuadruar në NATO e anëtare në BE, loz një rol kyç në shumë prej arenave ndërkombëtare, e para së gjithash në OKB. Ku, poashtu, vepron një numër i madh i frilansëve joqeveritarë suedezë.

Raporte të ngjashme për të drejtat e njeriut bëjnë shumë shtete të botës, e ndër ta më i njohuri është sigurisht ai i Departamentit të Shtetit amerikan. Vitin e kaluar, një raport të tillë e botoi për herë të parë edhe Kina komuniste. Në raportin kinez për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë u sulmuan egërsisht SHBA-të për abuzime masive: incidentalisht, raporti amerikan 1 muaj më herët e kish kritikuar ashpër pikërisht Kinën.

Pos shteteve të përveçme, raporte të këtilla përpilojnë rregullisht edhe shumë organizata joqeveritare, si p.sh. Human Rights Watsch, Amnesty International etj, si dhe aso që merren me këqyrjen e të drejtave të grupeve të veçanta, si të grave, të fëmijëve, etj.

Edhe institucionet ndërkombëtare e kanë zakon t'i përpilojnë raportet e veta. Para dy javësh, vet Suedia u gjykua në një raport të ekspertëve të Këshillit të Evropës për "tejdhunë policore kundër ardhësve" si dhe për "një klimat ku policët nuk preken prej ligjit."

(Raporti suedez për vitin 2002 gjendet këtu)


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:02
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË