NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Revolti kundër taksave kaplon Kosovën

Shkruan: Skerdi Sika

Po ta pyesje shumicën, përfshirë artikullshkruesin, para një muaji se kur do ta ngrisë zërin qytetari i Kosovës kundër të paprekshmëve të Unmikistanit, përgjigja do të ishte e thjeshtë: "kur të puqen buzët e Ramushit", dtth kurrë.

Njeriu s'duhet kurrë të thotë kurrë. Me risitë e këtij muaji, përgjigja e saktë do të ishte: "jo kur t'i puq buzët Ramushi, po kur t'i vjedh paret askushi". Qytetari i Kosovës jo vetëm që ka ngritur zërin, po kërcënohet ta ngrit edhe grushtin, jo për bashkim kombëtar a të ngjashme, po i stimuluar nga vendimi i Autoritetit Qendror Fiskal (AQF) për dyfishim (!) të taksave në të ardhura.

Vendimi është firmosur nga shefi i AQF-së e miku i Kosovës, pakistanezi Kvaxha Sulltan dora vet. Ky, i prekur nga vendosmëria e kosovarëve për pavarësi, ka vendosur Kosova duhet të ketë nivel tatimor si të shteteve tjera të pranuara. Ndryshe s'bën: meqë Kosova, sipas kryetarit të saj, hë për hë "pret pranim formal" e duhet të ketë edhe hymn e flamur të vet si të tjerët, amin jarabi që duhet t'i ketë edhe paret e veta si të tjerët.

Porse ky vendim i një institucioni legal, në shtetin gati të pranuar të Kosovës, ka hasur në rezistencë të papritur. Më sakt, duket se qytetarët e Kosovës duan të pranohen si shtet me hymn e flamur të vetin, por me para të huaja!

Më i lezeçmi është reagimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës. Sindikatat, të cilat (për të paditurin) janë organizata profesionale që merren me organizim të protestave, e befasuan opinionin duke paralajmëruar, ia qëlluat, një protest. Krerët e indinjuar të sindikatave njoftuan që taksat e reja do ta ulin standardin e anëtarëve. Ato do ta fikin ekonominë e do t'i flakin në rrugë punëtorët. Andaj sindikatat do të protestojnë, duke i nxjerrur në rrugë punëtorët. Njëherit, ata përkujtuan se taksat s'janë shkaku i vetëm po pika që derdhi kupën, meqë ata tash sa kohë kanë kërkuar më shumë mjekë për anëtarët e tyre, si dhe më shumë edukatore, mësuese e shkolla për fëmijët e anëtarëve.

Krerët e sindikatave nuk njoftuan se ku kanë pirë çaj tash 6 muaj, qëkur Kvaxha Sulltani i AQF-së nisi ta hetojë mundësinë e dyfishimit të taksave. Por ata lanë të kuptohet se protesti i tyre, që po vje tamam në kohën e duhur, është konstruktiv. Ai do ta zbraps rrotën e historisë. AQF-ja do ta zbraps rritjen e taksave, bin Ladeni do ta zbraps Xhihadin, bashkësia ndërkombëtare do t'i zbraps uljet e ndihmave Kosovës, Serbia do ta zbraps pushtimin e 1912-s, e sindikalistët e bashkuar do të zbrapsen dorë për dore në epokën e lumtur ilire kur secili anëtar i sindikatës gëzonte mirëqenie ekonomike tek kulloste lopët.

Revolti konstruktiv e ka infektuar edhe Administratën e Tatimeve (AT), madhoria që duhet t'i zbatojë vendimet e AQF-së. Kreu (shqiptar) i AT-së njoftoi botërisht se ai dyshon në urtësinë e Mr. Sulltanit, i cili për momentin fatkeqësisht nuk ndodhet në Kosovë po në atdheun e vet. E i cili e paskësh zënë gafil edhe shefin e AT-së, të shkretin, krejt i painformuar tash e 6 muaj. Si shef i taksambledhësve, ai u ndje i obliguar moralisht të përmendë, sa s'ishte bërë vonë, se 1/3 e taksave avullohen përditë në mënyra të paligjshme. Gjë që, sipas tij, s'është shkas për hetime të fajësisë në administratë a - ruana Zot! - në zyrën e tij, po për të mos i rritur taksat.

E kështu me radhë. "Mos na i rritni tatimet!", ky është kushtrimi për momentin në Kosovë, si dikur që ishte "Prite Azem Galicën!". Kritikët, të cilët e përbëjnë shumicën intelektuale, kanë ofruar edhe alternativa tjera konstruktive, si p.sh. "Mos i shtoni taksat!", "S'duam taksa!" e "Mos na i vjedhni paret!". Për alternativën më të sofistikuar qëndron një kafeterist në Prishtinë, yll i makiatos e i kontrabandës, që më gostiti dje zemërgjërësisht me makiato kundrejt asaj që t'ia botoj pikëpamjen e tij, konfrom rezolutës 1244: "Së pari standardin, pastaj taksat!"

Kjo farsë do të quhej komike, sikur të mos ishte tragjike. Por gazi të mbetet në fyt kur kujton pasojat. Puna është se Unmikistani, për mangësitë e administratës së vet tatimore, po e ndëshkon qytetarin e ndershëm.

Dyfishimi i taksave do t'i shtojë 10 mil euro në buxhetin e Kosovës. Prej të njëjtit buxhet avullohen përvjet 20 mil euro, nga mallrat, shërbimet dhe puna e patatimuar në tregun e zi. E sa bastisje ia ka bërë Unmikistani tregut të zi? Sa u dënuan kontrabandistët që u arrestuan së fundi? Në sa restorante iu këqyrën kontratat shërbyesve? Sa bujqve iu matën tokat me pëllëmbë, e të korrat e të vjelat me kandar?

S'është këtu fjala për rastësi, po për prioritete të dijshme. Kur vje fjala te krimi i organizuar, Unmikistani loz Zotin: kur punët vejnë mirë, është meritë e tij, e kur vejnë në ps është faji i shoqërisë civile. "Krimi është në radhë të parë përgjegjësi e qytetarëve", është alibija zyrtare.

Ndërkohë, zyrtarët e Unmikistanit mund të vazhdojnë komfor të merren me lodra politike. E pse jo, kur unë e ti paguajmë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË