NUMĖR 72
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 24 MARS 2003

Mëma e të gjitha luftërave

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Thonë se e keqja është e vetmja që këputet prej së trashi. Po sikur kjo të ishte e vërtetë, Sadam Huseinit të Irakut do t'i kish ardhur fundi atëhere kur vrau mëse 1 mil njerëz gjatë agresionit kundër Iranit, ose kur i mbyti me gaz 6 000 civilë kurdë në qytetin Halabxha. Apo, fundja, atëhere kur e pushtoi vendin e vëllezërve të vet arabë, Kuvajtin, e kur ushtarët e tij i hedhën dhjetëra foshnje kuvajtiane prej kuvozave për t'i transportuar këto për në Bagdad.

Si shumë shprehje tjera "të urta", edhe kjo për të keqen ngjan se është shpikur për ta ngushëlluar të dobëtin. Në fakt, historia s'ta ofron as një shembull të "këputjes prej së trashi", ndërsa vlon prej rasteve kur diktaturat janë rrëzuar tek pas dobësimit. Amerikanët sot po ia marrin masën Sadam Huseinit jo pse është më i fortë se kurrë, po përkundrazi, pse është pjekur tamam për ta këputur.

Sikur Sadam Huseini të mos ishte ai maniak që është, sigurisht se do ta hidhte një sy vetes. Plak trashalluq e me peruke, që nuk shfaqet dot me syze për t'i fshehur shenjat e plakjes, i leqitur prej botës, i urrejtur prej shtetasve të vet, i braktisur prej familjarëve, e i mnershëm edhe për fëmijët e vet.

Sekush tjetër në lëkurën e tij doemos që ta nxirte veten në pension, për ta shmangur një luftë shkatërruese e krejtësisht të pashpresë. Por jo ai. Në vend të kësaj, ai planon skëterrën. Për amerikanët. Për shumicën e irakianëve që janë kundër tij. E në fund, sigurisht, edhe për veten e fëmijët e vet. Paralelet me Hitlerin janë të dukshme, ndonëse thonë se diktatori i Irakut e mban në mur portretin e Stalinit.

E megjithatë, qëmoti një diktator s'ka gëzuar më shumë mbështetje në opinionin perëndimor se sa sot ky Sadam Huseini i Irakut. Nota bene që thashë mbështetje, e jo simpati. Të gjithë kritikët e luftës në Irak e ndjekin ritualin e distancimit prej tij si person - thuase kjo lozka rol.

Ajo që loz rol, është se Uashingtoni e ka ndërmend ta spastrojë një ndër diktaturat më të përgjakshme të botës arabe. E se kritikët po protestojnë kundër. Duke e trimëruar kështu Sadamin ta bëjë namin. Me arsyetimin se për ta, kjo luftë "it's nothing personal", s'ka motive personale.

Ne e dimë se Sadam Huseini i ka vdekur mëse 1 mil (!) njerëz. Se ai absolutisht e ka ndërmend të bëjë sherr sërish, sapo t'i jepet rasti. Se 6 500 armë kimike për shkatërrim masiv janë "zhdukur pa gjurmë" prej bazave të tij, në pritje të këtij rasti. E që ai ka lozur si macja me miun me inspektorët e OKB-së, të cilët i pat thirrur vet solemnisht och të cilëve u pat premtuar "çfarëdo lloj ndihme".

Pika e parë e shkel tërë kartën e OKB-së. Mbetja e shkel çdo nen të çdo rezolute që është votuar për Irakun në KS të OKB-së gjatë këtyre 20 vjetëve të mbrama. Por kritikët e luftës s'e çojnë mendjen deri atje për OKB-në.

Kjo hipokrizi ma kujton kohën kur amerikanët bombardonin serbët. Millosheviçi qe njëmend një antipatik i cili kutërbonte krim prej së largu, por prapë së prapë, lufta qe gabim, obobo! Ishte gabim parimor, kushtonte jetëra, dhe fundja s'po luftonte OKB-ja po NATO-ja...

Argumentet po përsëriten. Sikur edhe thënësit e tyre.

"Të bombardosh për paqe është si të qihesh për të mbetur virgjëreshë", citohej asokohe një thënie e vërtetë a e trilluar e gazmorit Zhak Shirak. Ndërsa gjyshja ime 72 vjeç, mbesa 6 vjeç, e rreth 1 mil njerëz tjerë po zboheshin prej vatrave të veta të rrënuara, për t'u grahur si bagëtitë matanë Alpeve Shqiptare.

Në qytezën e Trelleborgut në Suedi, një majtist i trullosur e thirrte tim at në telefon për ta ftuar atë të marrë pjesë në demonstratat kundër "imperializmit amerikan": ndoshta s'kam nevojë të sqaroj në detaj se si mbaroi ajo telefonatë.

Pika e dobët e kësaj opozite kundër luftës, dje sikur sot, mbetet falsiteti i saj. Sepse nuk është fjala për opozitë kundër luftës, po për kritikë të panuancuar antiamerikane.

Mbaj mend që ishte bukur zbrazët nëpër barrikada atyre viteve kur protestoja kundër luftërave të Millosheviçit nëpër Evropë. Të cilat, meqë ra fjala, kanë kushtuar më shumë jetëra se të gjitha luftërat amerikane këtyre 20 vjetëve të fundit. Njësoj është sot kur azilantët irakianë demonstrojnë pro bombardimit të Sadamit. Dhe deri tani s'më ka rënë të shoh ndonjë mësymje shesheve e rrugëve të Evropës për të demonstruar kundër gjenocidit rus në Çeçeni, apo atij kinez në Tibet. Asnjë politikan, aktor a celebritet tjetër s'shihet atje as me tejqyrë, ju premtoj.

Kritikët e luftës janë, si të themi, bukur sqimatarë kur i zgjedhin luftërat e veta. Sa për vete, unë s'ju besoj fare. Në fakt, i trembem mendjemadhësisë së tyre e s'besoj në moralin tyre vezullues: sa më e lartë diploma e tyre akademike, aq më e rrezikshme dyfytyrësia.

Ekziston edhe një problem tjetër me këtë lloj "pacifizmi". Opozita e mirëfilltë, humaniste, kundër çdo lufte bazohet te brenga për fatin e viktimës, të njeriut të thjeshtë. E sot s'ka bir nëne që guxon të pohojë se njeriu i thjeshtë, irakiani i thjeshtë, humbet nëse rrëzohet Sadam Huseini; madje përkundrazi.

Kritikët e luftës mbase kanë të drejtë kur thonë se humbet OKB-ja, se humbet ligji ndërkombëtar, madje ndoshta edhe kur thonë se SHBA-të kanë motive të dyshimta: unë s'ia mbaj qiririn Bushit që të di se ç'mendon ai. Por një gjë e di: irakiani i thjeshtë fiton me rënien e Sadam Huseinit. Kjo mjafton për mua.

Kurse OKB-ja, paj le të humbas! Le të humbas edhe e drejta ndërkombëtare! Në rrotë të s'ëmës le të vejnë të gjitha konstruksionet juridike, që u kanë shërbyer e u shërbejnë ende diktatorëve për t'i ruajtur fronet e veta të përgjakura! Në fund të fundit, OKB-ja dhe e drejta ndërkombëtare janë shpikur për njeriun e thjeshtë, e jo anasjelltas.

Lufta në Irak kushton jetëra? Pse, Sadam Huseini s'paska kushtuar e s'kushtoka ende jetëra - përditë?

Lufta destabilizon? S'dua të përsëritem si papagall. Vetëm të shtoj se një shtet të cilit i duhet një Sadam për t'u mbajtur më këmbë meriton të destabilizohet. Të destabilizohet në rrotë të samës, në më ndjeni.

Mos mendoni se besoj në motivet amerikane, larg qoftë. Dora në zemër, s'më kërset fare për motivet amerikane, a për motivet e Bushit.

Ajo që më intereson është ajo se të gjithë irakianët që s'janë masha të Sadam Huseinit e lavdërojnë Allahun, ashtu si gjyshja ime para pak vjetësh, që amerikanët e paskan gjetur një shkas për të ndërhyrë. Ndoshta ata e lavdërojnë edhe Bin Ladinin që u bë shkas, ku ta di: faktikisht, do të kishin plotësisht të drejtë.

Por kaq kupton edhe kjo rradakja ime, se pa një shkas të vetin s'i jep kush dy qindarka për irakianët. Ashtu si s'i kishin dhënë dje për shqiptarët. Ashtu si s'i japin as sot për çeçenët, e për tibetanët.

SHBA-të kërkonin Bin Ladinin, e rrëzuan talibanët. Ata kishin interesa të vetat në Bosnje e në Kosovë, për ta ruajtur imazhin e vet nëmos diçka tjetër, e ndërmorrën operacione masive për relata me publikun, me ndihmën e zëdhënësve të vet B17 e Tomahavk. 20 mil afganë, 2 mil boshnjakë, e 8 mil shqiparë do t'u jenë mirënjohës për jetë të jetës, edhe në mos u qoftë mirënjohës askush tjetër. E nëse irakianët kanë fat, kalorësia amerikane do të arrijë edhe te ata në momentin e fundit, bash si në filma: "Yeeehaa Yankeeees!"

E vetmja që më mbetet të shpresoj është se SHBA-të pas Irakut do të kuptojnë se Al Kaida është jashtëzakonisht aktive edhe në Arabinë Saudike, në Kuvajt, në Kashmir, e në Algjeri. Meqë ra fjala, e kam nga një burim shuuuumë i sigurtë se Bin Ladini po fshehet në Çeçeni. Apo mos qe në Turkistanin Lindor në Kinë...?


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË