NUMĖR 61
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
KULTURË
MARKETING
KONTAKT
DOSJE
ARKIVI
 
 
Lëvizje reformatore apo parathënie e një krize të re në Shqipëri?

Një konflikt mes kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano dhe kryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, në pamje të parë me ngjyrime vetjake, duket se është kthyer në një lëvizje reformatore në mesin e politikës shqiptare.
"Meta duhet të largohet nga posti i kryeministrit dhe këtë nuk e ka dhuratë nga ne, por nga Fatos Nano", është shprehur pak kohë më parë kreu i opozitës shqiptare Sali Berisha.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Përse ikin diplomatët shqiptarë?

Largimi i njerëzve me nivel të lartë profesional dhe intelektual nga vendi i tyre drejt vendeve të zhvilluara apo, siç quhet ndryshe, "rrjedhja e trurit", është tashmë një fenomen i njohur për të gjitha vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim. Një fenomen i tillë zuri fill dhe në vendet e Evropës Juglindore, pas rrëzimit të komunizmit, duke njohur kurba të ndryshme zhvillimi, varësisht nga specifika e tranzicionit, e nivelit të zhvillimit ekonomik dhe emancipimit politik të çdo vendi të veçantë.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Pasojat ekonomike tė vonimit tė konsolidimit të qeverise dhe të institucioneve të tjera në Kosovë

Me fillimin e bombardimeve tė Natos, nė mars 1999, u bė definitivisht e qartė se Serbia nuk do tė ketė mė ndonjė ndikim legjislativ mbi rrjedhat nė Kosovė, madje gjasat pėr kėtė u zbehėn aq shumė saqė njė gjė e tillė neglizhohej fare. 

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Zgjedhjet kombëtare të 17 nëntorit 2001 i ka bojkotuar "partia e dytë" e Kosovës

Gjatë dy vjetëve të fundit -në vitet 2000 dhe 2001, shqiptarët e Kosovës i kanë mbajtur zgjedhjet lokale dhe ato qendrore. Dallimi ndërmjet zgjedhjeve të vitit 2000 dhe të tjerave të 2001-shit, nuk qëndron vetëm në faktin se në të parat është votuar për pushtetarët lokalë, ndërsa në të dytat është votuar për pushtetarët qendrorë.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Maqedonia midis paqes dhe luftës

Riaktualizohet ideja për ndarjen e vendit midis maqedonasve dhe shqiptarëve
Subjektet maqedonase nga fillimi i përleshjeve të armatosura në pranveren e viti të kaluar duke dashur që të kompromitojnë luftën e UÇK-se, vazhdimisht kanë akuzuar shqiptaret se nuk i rroken armet për me shume të drejta, por për të përvetësuar territore.

PËR MË SHUMË >>>

 
 
Lufta e të ardhmes

Pas 11 shtatorit është thënë shpesh herë, se sulmet terroriste në SHBA kanë patur efekte shumëdimenzionale në të gjitha segmentet e shoqërive demokratike. E kjo vlenë, më shumë se për çkado tjetër, për mendësitë e betonuara që mbretërojnë në fushën e mbrojtjes.

PËR MË SHUMË >>>
ARTIKUJ VITI IV - JANAR 2002

Mediat 

Morali i një shtypi apo shtypi i një morali?

Xhafer SHATRI

1. Titujt që vrisnin sytë
Një anekdotë franceze, që i kushtohet moralit në gazetari, u ka përballuar shekujve pa humbur as sot aktualitetin. Ajo lidhet me ikjen e Bonapartit nga burgu dhe mësymjen e tij të fundit për të marrë pushtetin.
Fillimisht gazetat shkruanin:
Ai, Përbindëshi, ka ikur nga burgu!
Më vonë:
Veprimet e Napoleonit, nuk përkojnë me interesat e francezëve!
Ndërkaq, kur Bonoparti hyri në paralagjet e Parisit, gazetat qëndisin edhe kësi kryetitujsh:
Gëzuar parizienë! Në kryeqytet po vjen Perandori i Francës!
Kështu përafërsisht mund të përshkruhet edhe pasqyrimi në mediat e Kosovës i luftës në Maqedoni, epopesë së guerilës ndër më të suksesshme të kohës sonë.
Mjafton të përkujtojmë disa kryetituj për të kuptuar në thelb nivelin shqetësues të gazetarisë kosovare (këtu do të trajtojmë ato gazeta që plotësojnë kriteret për t'u quajtur kështu):
"Askush nuk beson se do të ketë luftë në Maqedoni", "Koha ditore", 1. 3. 2001;
"Ngjarjet në Maqedoni janë thikë në shpinë kundër lirisë së Kosovës", "Koha ditore", 10. 03. 2001;
"Amerikanët ia vënë lakun Tanushecit", "Koha ditore", 6 mars 2001
"Ekstremistët e armatosur ia kthejnë pushkën Amerikës", "Koha ditore", 8. 3. 01;
"Lufta e ndytë e Maqedonisë dhe faktorizimi i UÇK-së", "Koha ditore", 30. 03. 2001;
"Këshilli i Sigurimit vlerëson se shqiptarët e kërcëniojnë paqen në Ballkan", Zëri, 9 mars 2001;
"Kush po e fut Kosovën në konflikt me amerikanët?", "Zërii", 8. 3. 01
"Filloi ofensiva për shkatërrimin e plotë të UÇK-së", "Zëri", 26 mars 2001;
"Guerilët shqiptarë në Maqedoni i shërbejnë Kremlinit dhe Beogradit", "Koha ditore", 1 prill 2001;
"Amerika jep dritë jeshile për intervenim ndaj grupeve të armatosura", "Koha ditore", 5 mars 2001
"Ky grup është i rrezikshëm jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Kosovën" ,"Koha ditore", 10. 3. 2001;
Dhe për të kuptuar efektin që kane titujt e tillë mjafton të përmend shkarazi një qortim që në fillimmarsin e vitit të kaluar vinte nga një akademik kosovar, të cilin e takova para Pallatit të Shtypit:
"Apo e sheh çka na banë, bre? Na morën në qafë!"
E vërejta me kujdes, për të dalluar ngjyrimet e shakasë në fjalët e tij, sepse është dëshmuar jo pak herë për qëndrueshmëri mendimesh. Por, jo, atij i ishin skuqur sytë. Mendonte në atë mënyrë…
Dhe më erdhi keq, jo për të, por për Kosovën…


2. Kur të gjithë bëheshinn se nuk po dinë çka po ndodhë…
Më 16 shkurt 2001, gazetarja e kanalit televiziv maqedon A1, S. Lupeska bëri një reportazh për fshatin Tanushë, të cilit prej vitesh edhe Zoti ia kishte harruar adresën. Aty Zonja Lupeska "zbuloi" kryengritësit e armatosur shqiptarë dhe lajmëroi menjëherë stacionin më të afërt të policisë...
Menjëherë pasoi përleshja e parë e hapur e armatosur e forcave maqedone me kryengritësit shqiptarë, me ç'rast u vra Muzafer Xhaferi, një i ri i Tanushës.
Përleshjet do të vazhdojnë disa muaj rresht dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare do të dëshmohet në fushën e betejës, jo vetëm si forcë ushtarake, por edhe si motor për të hapur dhe për të shtruar për zgjidhje problemet më të mprehta politike të vendit, që mbaheshin e mykeshin me vite nëpër sirtarë.
Në këtë luftë do të marrin pjesë aktive edhe mediat. Dhe shqiptarët më mirë se asnjëherë tjetër do të kenë rastin të shohin se çfarë gazetarie kanë.
Reagimi i parë i mediave dhe i politikës shqiptare është sikur të kishte vrarë reja për së kthjellti: "Si është e mundur!" Pastaj: "Kuku çka na gjeti!", "Kqyre bre çka na banë!" etj.
Thuase Maqedonia dhe shqiptarët aty ishin jo krejt afër nesh, por atje larg, ku jetojnë kangurët ose arushat e bardha.
Ky ishte faji i parë për këtë çështje i gazetarisë shqiptare; mungesë interesimi e profesionalizmi për të pasqyruar me kohë realitetin shpërthyes në Maqedoni.
Faji i dytë, ishte mënyra se si u pasqyra rrjedha e konfliktit. Mjaftojnë titujt që u cituan më sipër për të kuptuar bashkëpërgjegjësinë e mediave dhe të elitës politike.
Lufta në Maqedoni për ata që kishin vetëm njohuritë më themelore për rajonin nuk ka qenë kurrëfarë befasie. Sepse procesi politik i zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve në këtë vend u stërkeq në lojëra të papërgjegjshme me fatin e vendit nga ana e liderëve maqedonas; në korrupsion e në trafiqe ku ishte zhytur qëllimisht elita politike shqiptare, e cila përkundej në një vetëkënaqësi, që mbyllte me zhurmë e madje edhe me dhunë çdo alternativë.
Nuk ka mjaftuar rasti i Bit Pazarit, Ladorishtës, Gostivarit, Haraçinës etj., për të kuptuar se shqiptarët janë trajtuar gjerësisht si qytetarë të rendit të dytë. Mjafton të përmenden shembujt drastikë të diskriminimit, siç ishte mohimi i shkollimit të lartë në gjuhën amtare i mbi 30% të qytetarëve për të cilin ata paguajnë, papërjashtim, tatim dhe taksa… Madje as pas luftës liderët maqedonë nuk duan dhe liderët shqiptarë nuk këmbëngulin për zyrtarizimin e Universitetin e Tetovës!
Pastaj pjesëmarrja në administratë: shqiptarët merrnin pjesë në policinë e vendit vetëm me 2%. Ky diskriminim nuk bëhet vetëm në dikastere delikate për josllavët siç është policia, ushtria, makroekonomia etj. Por edhe ë sistemin shëndetësor, ku, nga 23'485 punonjës në shkallë vendi, vetëm 1'056, gjegjësisht 4.5% ishin shqiptarë, të cilët, kryesisht, punojnë në poste dytësore e tretësore.
Këtë hipokrizi kolektive shqiptare ato ditë më së miri e përshkroi në një intervistë dhënë VOA-s publicisti Kim Mehmeti, i cili tha: Ne të gjithë shtiremi se nuk kemi informata, se nuk dimë asgjë, por në fakt të gjithë e dijmë se çka po ndodhë atje (në Tanushë)…
Natyrisht se autoritetet dhe shërbimet maqedone e kanë ditur këtë që në fillim. Dhe nuk është për t'u habitur nëse ato vetë e kanë bërë publik këtë fakt përmes Zonjës Lupeska, thjesht për të përshpejtuar rrjedhën e kryengritjes, e cila nga organizatorët, kryesisht autoktonë, përgatitej të shpërthejë jo në janar, por në fund të pranverës…
Përshpejtimi i konfliktit është bërë edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për kufijtë mes Trajkovskit dhe Koshtunicës dhe këtë në kuadër të samitit të vendeve ballkanike, mbajtur në Shkup, më 22 shkurt 2001, që ishte mbledhur për të zgjidhur e jo për të shkaktuar probleme të tjera ne Siujdhesën tektonike.

3. Gjynahet e Bashkësisë ndërkombëtare apo rrahja mizore e ambasadorit amerikan
Ky është dimensioni i brendshëm i shkaqeve të luftës, ndërsa i jashtmi lidhej me një qëndrim të papërgjegjshëm, madje edhe të dyshimtë të bashkësisë ndërkombëtare ndaj gjendjes në Maqedoni. Prej dhjetë vjetësh shtetet e mëdha kanë përfaqësitë e tyre në Shkup, NATO ka trupat dhe shërbimet e veta, çfarë iu ka krijuar të gjitha mundësitë për të pasur të gjitha informacionet e mjaftueshme për të kuptuar dhe për t'u shqetësuar për shkallën e diskriminimit të institucionalizuar të shqiptarëve. Për pasojë dhe për gjendjen shpërthyese në vend.
Fundja, rutalitetin maqedonas e kanë provuar në shpinën e tyre edhe diplomatët perëndimorë. Shembulli më drastik është rrahja publike e ambasadorit amerikan, Shefer, atëherë i ngarkuar nga Departamenti i Shtetit për të hulumtuar Krimet e Luftës.
Në pranverën e vitit 1999, ky diplomat i njohur amerikan, ishte ndër të parët që vizitoi kampin e Bllacës me synim hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë përpjekjeve për t'u futur në kamp, apo thënë më mirë në hapësirën e rrethuar ku përpëliteshin qindra mijëra njerëz nën qiellin e hapur, 5 policë maqedonas e kanë rrahur diplomatin amerikan me shqelma e kërbaç për rreth 15 minuta. Rrahja ka qenë publike, ndaj dhe Christofer Hill-it e Georgievskit u është dashur jo pak energji e talent për ta heshtur këtë skandal të pashembullt diplomatik.
Edhe nga raporti i Grupit të Krizës del shtrati i krizës në shpërthim apo kërkesave të UÇK-së "Preambula problematike e Kushtetutës duhet të fshihet, poashtu edhe referencat e tjera diskriminuese…"
"Bashkësia ndërkombëtare ka kontribuar në krijimin e një klime mosbesimi, duke pranuar të vlefshme një numër zgjedhjesh që nga viti 1994 që ishin me imazh të dënuar nga vrasje, dhunë dhe parregullsi votimesh në shkallë të gjerë".
Për të fshehur realitetin eksploziv në Maqedoni, bashkësia ndërkombëtare u bë bashkëpërgjegjëse edhe në falsifikimin e rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë, të financuar dhe sponsorizuar prej saj.
Kështu që shpërthimi i luftës për fuqitë e mëdha, jo vetëm që nuk ka qenë ndonjë fshehtësi, por së fundi edhe një laisse faire publike, sepse dekompozimi i asaj që dikur quhej RSF e Jugosllavisë duhet të shkojë deri në fund. Ky ishte dhe një sinjal i qartë se bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të në radhë të parë, nuk mund të merren edhe në këtë shekull me sherret e pafund të Ballkanit. Në glob ka përplot pika të tjera të vala dhe sfida me pasoja për gjithë botën, me të cilat pritet që perëndimi të përballet në vitet që vijnë: Kina në radhë të parë, India, Pakistani, Irani, Indonezia etj.
Duhej të nënvizoheshin këto fakte për të deshifruar disi qëndrimin e çuditshëm të Chris Dell-it, ish-përfaqësuesit amerikan në Kosovë, i cili jo vetëm u eksponua me deklarata të ashpra kundër "ekstremistëve", por mblodhi kryeredaktorët e mediave në Kosovë për t'u dhënë detyra shtëpie se si të shkruajnë për konfliktin.
Pavarësisht se ai u angazhua sikur të ishte fjala për fatin e karrierës së tij, megjithatë vëzhguesve të vëmedshëm nuk ka mundur t'u shpëtojë disonanca absolute e angazhimit të Christopher Dell-it jo vetëm me qëndrimin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë që nuk pranoi të quhen kryengritësit terroristë, por edhe me qëndrimin e dikastereve tjera amerikane që merren me strategjinë globale.

4. Pasqyrimi në media i qëndrimit të elitës politike
Konflikti i armatosur në Maqedoni ka nxjerrë në pah edhe ndarjen e mediave sipas krahëve politikë. Partia Demokratike Shqiptare edhe pse shihej se i ka dalë situata nga dora nuk ngarkohej me përgjegjësi, sigurisht falë autoritetit dhe respektit që kishin mediat dhe gazetarët ndaj kolegut të tyre të dikurshëm, Arben Xhaferit. PDSh nuk është marrë në thumb madje as atëherë kur Menduh Thaçi me deklaratat e tij kundërthënëse e konfliktuoze ka irituar dhe ka dëshpruar jo pak njerëz që kanë besuar përcaktimin e tij kombëtar.
Veçanërisht irituese ishte deklarata e tij e datës 27. 2. 2001, kur ai në emër të PDSH-së aprovonte pa asnjë ekuivok marrëveshjen Koshtunica - Trajkovski për kufinjtë. Menduh Thaçi thoshte gjithashtu se nuk do të lejonte kurrë që guerilët shqiptarë në Maqedoni të identifikohen me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Në kundërshtimin e mediave tona nuk kanë hasur madje as diskurset e lidershipit shqiptar në Maqedoni në kontakt me përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare, kur edhe publikisht, po sidomos në tête à tête përpiqeshin ta nxjerrin luftën e armatosur si luftë për primat brendashqiptar në vend.
Reagimi i elitës politike të Shqipërisë në fillim të ngjarjeve në Maqedoni përgjithësisht, me përjashtim të Sabri Godos, ka qenë kalkulues e shkurtpamës. Vetëm më vonë, më 11 mars, duke parë rrezikun e mbylljes së veshëve, kryeministri shqiptar Ilir Meta takoi në Tiranë Arben Xhaferin dhe Imer Imerin. Megjithatë edhe këtë rradhë Shqipëria nuk dha ndonjë shembull as si mbështetëse e luftës, as e paqes.
Ndërkaq elita politike e Kosovës ka pasur një reagim të diferencuar. Në fillim të konfliktit një deklaratë prokërkesave të kryengritësve e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, dhënë mediave gjermane ka bërë jehonë te qarqet ndërkombëtare dhe te opinioni vendor.
Më 22 mars Bashkimi Evropian, i shqetësuar për gjendjen në Maqedoni dhe i nxitur nga ankesat e Shkupit se prapa kryengritjes qëndron Kosova e administruar nga OKB-ja, dërgoi në Kosovë delegacionin e udhëhequr nga kryesuesja Ana Lindt, Ministre e Jashme e Suedisë, Havier Solana dhe Chris Paten.
Delegacioni evropian, e sidomos Anna Lindt, për motive vështirë të shpjegueshme kërkonte një incident diplomatik për ta nxjerrë apriori Kosovën si fajtore për luftën në Maqedoni. Delegacioni insistonte që paria e Kosovës të nënshkruante një derklarartë përmes së cilës dënonte kryengritësit dhe mbështeste parezervë Shkupin.
Kjo deklaratë, por tashmë e ekuilibruar u nënshkrua vetëm pasi shkoi delegacioni i BE-së, në bisedimet që patën të nesërmen me Hakerupin, Rugova, Thaçi dhe Haradinaj. Rrjedhat e këtyre bisedimeve, apo thënë më mirë të këtyre presioneve që janë bërë mbi parinë e Kosovës, "Koha ditore", datë 24 mars 2001, duke u thirrë në burime diplomatike i përshkruan në atë mënyrë duke nxjerrë Hashim Thaçin si njeri që ndanë qëndrimet tashmë të njohura të redaksisë së kësaj gazete lidhur me luftën. Gazeta citon Hashim Thaçin të ketë thënë në prezencë të Hakerupit lidhur me akuzat apo presionet e delegacionit evropian: "Nuk dua të ndajë përgjegjësinë me ata të cilët janë angazhuar në problem - njëri me deklarime të pamatura, kurse tjetri me veprime të pamatura."
Sigurisht e ka fjalën për deklaratën e Rugovës pro kërkeseva të UÇK-së dhënë në Berlin disa ditë më parë dhe për një akuzë, por pa asnjë mbulesë për implikimin e Haradinajt në luftën në Maqedoni.
Nëse mund t'i besohet këtij informacioni, atëherë ky do të ishte skenari më i keq i mundshëm, sepse paria e Kosovës jo vetëm del e përçarë, por njëri prej tyre pa asnjë nevojë akuzon dy të tjerët për implikim në luftën që kishte shkaqe dhe aktorë autokton.
Dhe nuk është për t'u çuditur, sepse elita politike sidomos në raste të tilla ka nevojë për opinion mbështetës për t'i bërë më bindëse dhe më të besueshme qëndrimet e veta. E opinionin e krijojnë dhe mediat. Ndërsa mediat tona ato ditë ishin në panik, ato shkruanin me porosi të diplomatëve që kishin për synim mbjelljen e konfuzionit dhe dezinformimin.
Duhet theksuar se në këtë konfuzion ka kontribuar edhe mungesa totale e debatit për një çështje madhore siç ishte lufta në Maqedoni. Dhe debatin ka mundur ta bëjë vetëm televizioni, RTK në radhë të parë si mediumi më rëndësor dhe më me ndikim shqiptar.
Por nga klasa politike e Kosovës kishte edhe të tillë që nuk i qitën në pazar idealet e veta. Vlen të përmendet qëndrimi i prerë e korrekt i Jakup Krasniqit lidhur me luftën dhe UÇK-në.
Fundja merita për mirëkuptimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj kërkesave të UÇK-së i takon udhëheqjes politike të kësaj, Ali Ahmetit në radhë të parë, e cila edhe pse e vetmuar dhe e pambështetje nga elita politike dhe mediat shqiptare, doli me kërkesa të matura, që përputheshin edhe me intencat e Bashkësisë Ndërkombëtare: mosprekje të kufinjve, ndërprerje të diskriminimit, koncept qytetar të shtetit, dialog politik.
Mjerisht mediat e Kosovës u zgjuan nga gjumi vetëm kur i panë karvanët e të dëbuarve që vërshuan Kosovën dhe kur në politikën e Shkupit nisën të ravijëzohen synimet për ndarjen e vendit, e ku shqiptarëve do t'u mbeteshin shkrepat e shkozishtet buzë kufijve.
Ndërkaq me këtë rast duhet nënvizuar se as mediat e Shipërisë, nuk janë dalluar për profesionalizëm apo guxim qytetar, nëse ka pasur nevojë për të. Ato edhe kësaj radhe kanë reflektuar qëndrimet e qabeve të tyre: "selisë rozë", "selisë blu" ose të ndonjë ambasade qoftë ajo edhe greke.

5. Akuzat e rënda deri edhe te denoncimi
Gjatë pasqyrimit të luftës në Maqedoni ka pasur shkrime e akuza të rënda edhe nga gazetarë të dëshmuar si të guximshëm e profesionistë. Padyshim se artikulli më i ashpër është botuar te "Koha ditore", datë 9 mars 2001, me titull "Loja e Tanushecit që kthen trupat serbe në kufi me Kosovën"!
Pos kësaj akuze të rëndë dhe të pabazuar në artikull si shkaktarë kryesorë të shpërthimit të luftës në Maqedoni, pra dhe të ngushtimit të zonës së sigurisë, përmenden Emrush Xhemaili, Maliq Ndrecaj, Ali Ahmeti dhe Gafur Elshani.
Artikullshkruesit nuk ndalen vetëm në këto, por sikur kërkojnë dhe llogari për vrasjen e dëshmorit Shpend Mazreku, i cili i dalë nga korpusi i idealistëve shqiptarë ishte vrarë për çështjen në të cilën kishte besuar dhe kishte investuar jetën e tij njëzetvjeçare.
Ndërkaq përsa i përket akuzës se veprimet e UÇK-së kontribuan
për të "sjellur e trupat serbe në kufi me Kosovën', këtë e kundërshton, përfaqësuesi amerikan, Christofer Dell, i cili më 10 mars 2001 jep një version krejt tjetër.
Gazeta "Zëri", datë 9 mars 2001 boton artikullin me titull "Këshilli i sigurimit vlerëson se shqiptarët e kërcëniojnë paqen në Ballkan"… As kjo nuk qëndronte, sepse në Deklaratën e Këshillit të Sigurimit më tepër flitej për obligimet e qeverisë së Maqedonisë për të trajtuar dhunën në mënyrë të përmbajtur dhe për stabiltetin në vend se sa për përgjithësimin e shqiptarëve si fajtorë kolektiv për krizën në rajon.
Disa media për t'i dhënë jehonë qëndrimit të tyre, nuk u mjaftuan vetëm me artikuj e kryertikuj, por kerqpërdoren edhe personalitetet më të njohura shqiptare. Rasti më drastik ishte implikimi i Demaçit dhe i Kadares për krijimin e opinionit kundër kryengritësve. Nga këto personalitete u botuan edhe artikuj me tituj akuzues siç ishte ai i botuar në "Koha ditore" datë 10 mars 2001: "Ngjarjet në Maqedoni janë thikë në shpinë kundër lirisë së Kosovës".
Kur Demaçi e Kadare kuptuan keqpërdorimin flagrant që u bëhej jo vetëm u korrigjuan dhe mbështetën kërkesat e UÇK-së, por bënë edhe përçapje serioze diplomatike për zgjidhjen e krizës.

6. Atë që nuk e thonin shqiptarët apo mediat e tyre e thonin qendrat e vendosjes
Faktin se shumë më të përmbajtura lidhur me veprimtarinë e UÇK-së tregoheshin qendrat e vendosjes se sa elita politike dhe mediat shqiptare e mbështesin shumë shembuj:
- Që më 5 mars 2001 zëdhenësi i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi që kryengritësit të kualifikohen si terroristë.
Më 24 mars sekretari i Shtetit, Powell kërkon që Shkupi "t'i adresojë pikat e irritimit të shqiptarëve etnikë mundësisht përmes ndryshimeve në kushtetutë… Mendoj se ka mënyra për t'u marrë me këtë problem dhe për të evituar një luftë të re ballkanike."
Më 29 mars Ministri i Jshtëm evropian, Havier Solana deklarohet për status kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni.
Nga ana tjetër media të tilla si Newsweek, Washington Post, The New York Times apo BBC jo vetëm kanë qenë të kujdesshme në emërtimet ndaj geurriles shqiptare, por i kanë kushtuar jo pak vend shkeljeve të rënda të policisë e ushtrisë Maqedonase në zonat ku banojnë shqiptarët.

Dy fjalë për mbyllje
Dy fjalë për mbyllje do të thotë vetë një mbyllje e një trajtese të parë e një prej problemeve të mprehta të së tashmes së shqiptarëve dhe të fatit të shoqërisë së hapur në këto hapësira.
Këtu nuk ia vlen të trajtohen "analizat" dhe komentet e shumta që nuk ishin as djathë as kos, madje as hirrë, që nënshkruheshin nga gazetarë e publicistë dikur të njohur të vendit. Por nuk duhet lënë pa përmendur se pati, mjerisht krejt pak, edhe gazetarë që u dëshmuan profesionistë e kurajoz dhe e thanë të vërtetën pa frikë dhe pa eufori. Shqiptar Oseku, Ergon Berisha etj., ishin ndër të parët që vunë gishtin në plagë.
Natyrisht se me këtë trajtesë nuk mëtohet as nuk kërkohet prej mediave që në këso veprimesh që doemos prekin për të mirë ose për të keq interesat e të gjithë shqiptarëve, të sillen me eufori si në stadium, por koha kërkonte nga mediat kosovare parasegjithash një qasje të përgjegjshme e mbi të gjitha të moralshme për të krijuar një opinion ku protoganistët kryesorë shqiptarë në Maqedoni dhe në rajon të silleshin në unison dhe të mos lejonin praktikën e shëmtuar të Kosovës, kur vetëm para tri vjetësh çarjet politike rrezikonin të ktheheshin edhe në luftë ndërshqiptare.
Kjo që u tha më sipër dëshmon se mungojnë mediat e fuqishme, materialisht dhe politikisht të pavarura, që të mund të luajnë rolin e tyre: parashtrimin realist të problemeve dhe krijimin e opinionit kritik e të aftë për të kërkuar nga klasa politike zgjidhje dhe angazhim konkret.
Në fund nuk duhet përjashtuar as faktin se qasja e sipërfaqëshme e mediave tona ndaj ngjarjeve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni ka ndikuar jo pak edhe në sjelljen e papërgjegjshme të parisë politike gjatë përcaktimit të delegacioneve, gjatë procesit të negociatave dhe sidomos gjatë përshkeljes së marrëveshjeve…


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:13
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË