NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

Ujku qimen e ndërron

Shkruan: Skerdi SIKA

Thonë se ujku qimen e ndërron, po zejen jo. Pas eksplodimit të rrugëve në Kosovë, më ka rënë të mendoj shpesh herë për këtë urti të moçme. Më sakt, sa herë që kam dëgjuar shprehjet publike në botë për ndarje etnike të Kosovës, nga ata prej të cilëve kjo pritej më së paku.

S’e kam fjalën këtu për kryeministrin e ”rivjetër” serb Koshtunicën. As për liderët e ekstremistëve serbë në Kosovë. Sa për ta, e ka kuptuar tashmë edhe fëmija e rrugës që Planin B të Millosheviçit e kanë adoptuar si strategji të tyre ndaj Kosovës.

Me Kosovën veriore nën kontroll efektiv të Beogradit, me UNMIK e K-For nën kontrollin e evropianëve, e me SHBA-të të ngecura gjer në fyt në rërën e gjallë të Irakut, s’do mend se nacionalizmi serb do ta luajë gjer në fund kartën separatiste në Kosovë. Që kjo kartë nënkupton gjakderdhje e shpërngulje të reja masive; paj, ky s’ka qenë kurrë problem për Beogradin, apo jo.

Por ajo që mund të habiste është, se ky Plan B i nacionalizmit ekstrem serb duket qartazi që gjen mbështetje edhe te disa qarqe evropiane. Le të mos përmendim emra, se mundet që harrojmë dikë e i mbetet hatri. Por e vërteta është se shumë politikanë evropianë pas marsit të sivjetëm po thonë botërisht se kanë ndërruar mendje. Se ajo që paskëshin besuar gjer në mars mbase s’qëndroka. Se në Kosovë, ajme, mbase vërtet qenka e pamundur bashkëjetesa ndëretnike. E se, si rrjedhojë, mbase u dashka ndarë Kosovën territorialisht.

Përfundimi, që nxiret si me zor e me keqardhje, është i kthjelltë si loti. Le të jetojnë ndarazi serbët e shqiptarët, pra, meqë bashkë nuk mundkan. T’u lëmë serbëve veriun e Kosovës, e shqiptarëve t’u ofrojmë pavarësi të kushtëzuar për jugun.

Koshtunica këtë do ta pranonte me gëzim. Shqiptarët do t’i bindim, me kulaç e kërbaç. Ky i fundit vërtet s’përmendet publikisht, por nënkuptohet vetvetiu; pse si do pranonin ndryshe shqiptarët t’ua ofrojnë yjrt¨rbr edhe një hise të re nga tokat e tyre, kur kanë humbur tashmë rrafsh çerekun?

Kjo zhvendosje e nëndheshme ndërkombëtare drejt ndarjes etnike në Kosovë, si thashë më lart, mund ta habiste dikë. Por jo atë që i ka ndjekur zhvillimet ndërkombëtare rreth Kosovës këtyre 20 viteve të fundit. Sa për vete, e kam kuptuar qysh moti. Se aleatët e Beogradit në botë do t’i adaptohen besnikërisht, e do ta mbështesin fanatikisht, cilëndo kërkesë serbe.

Ata që e glorifikonin ”Jugosllavinë multietnike”, pastaj ”Serbinë multietnike”, si antipod qytetërues (!) kundrejt ”nacionalizmave të vegjël e agresivë të Ballkanit”, madje edhe ahere kur derdhej gjaku si lumënëpër Kroaci, Bosnje e Kosovë. Ata që ngulmonin me kryeneçësinë e idiotit ta shndërrojnë Kosovën në ”hapësirë multietnike” përkundër 90 përqind të popullsisë shqiptare, e përkundër faktit se këtu kishte më pak serbë se sa ndërkombëtarë. Tani argumentin multietnik e flakin në plehra, me shprehje të keqardhjes së shtirur në fytyrë. Meqë atë e ka flakur në plehra Beogradi.

Këtu shihet më së miri se sa kozmopolitë, sa besimtarë të fortë të multietnicitetit, sa humanistë të bindur, sa të qytetëruar, e sa të pavarur që paskan qenë – e vijojnë të mbeten! – apologjetët e Beogradit në botë. Për ta, bindjet në bashkëjetesën multietnike, për të cilën bënin be e rrufe gjithandej, paskan qenë thjesht për konsum ditor. Dhe kjo, vetëm për ato ditë që i shpall festive Beogradi!

Ky ndryshim i nëndheshëm duket që i ka zënë në gjum kosovarët. Nga perspektiva evropiane ku jetoj, më tingëllon absolutisht palidhje kur shoh mediat kosovare se si i transmetojnë këto pikëpamje me tone triumfatore. Sikur ato s’nënkuptojnë ndarje të Kosovës! Sikur shqiptarët të fitonin gjëç nga to!

Të përsërisim: kur aleatët e Beogradit nëpër botë thonë se serbët e shqiptarët s’jetokan dot bashkë, ata thonë automatikisht që Kosovën duhet ndarë. Por jo që duhet ndarë Kosovën prej Serbisë, por që duhet ndarë Kosovën në dysh!

E kjo do të ishte një katastrofë për kombin shqiptar. Ndarja e Kosovës, ashtu si është menduar në Beograd e si advokatohet tashmë nga aleatët e serbëve në botë, nënkupton që shqiptarëve t’u merret qyteti i vetëm industrial në vend. Që nga zonat që puqen me enklavat serbe në veri të zbohen qindramijëra shqiptarë, për të siguruar barriera të shpopulluara mes dy etnive. Dhe, pse jo, që nga Lugina e Preshevës të zbohen, si këmbim popullsish, të gjithë shqiptarët.

Si kundërshpërblim shqiptarëve u ofrohet një gjysmështet që mbahet gjallë prej Evropës me pikatore, gjithnjë nën vëzhgim që të mos forcohet aq sa ta rrezikojë Serbinë. Një krijesë e ligë ekonomikisht, e pambrojtshme ushtarakisht (le që gjysmë-Kosova s’do të ketë as ushtri), e mbruajtur me probleme sociale dhe krejtësisht jointeresante për kapitalin: një Kosovë ku as shqiptarët s’do të donin të rrinin, lëre më të vijnë këtu investuesit e huaj.

Është koha që prijësit kosovarë, por edhe vëgjëlia, t’ia vë gishtin kokës. Shqiptarët vërtet s’do t’i bindin dot serbët lokalë të integrohen në Kosovë gjersa këngët e sirenave nga Beogradi i ftojnë ata të ngujohen nëpër getot e veta. Por Kosova i ka miqtë e vet në botë, që mund t’ia shkulin veshin Beogradit.

Miqtë e Kosovës në botë, në këto momente dramatike për vendin tonë, janë mprehur që ta mbrojnë tërësinë e Kosovës. Që ta detyrojnë UNMIK-un dhe K-Forin t’i ndërrojnë praktikat e tyre kolonialiste. Që t’i ndalojnë kalkulimet e fuqive proserbe të Evropës, të cilat duan ta joshin regjimin e ri serb me thela nga trupi i plagosur i Kosovës.

Por për ta zbatuar këtë, atyre u duhet ndihma e kosovarëve. Tani do ta them atë që shumëkujt s’do t’i pëlqejë. Miqve tanë në botë u mungon aleati shqiptar. Atyre u mungon një mendësi moderne shtetërore te shqiptarët në Kosovë. Atyre u mungon një elitë politike që mendon për shtetin kosovar e për intergimin e serbëve në të: një elitë që e ndjek përnjëmend politikën e standardeve para statusit.

Njëherit - ndjej që duhet ta theksoj posaçërisht këtë – miqve tanë në botë s’u duhet një elitë servile, që ia ngarkon vegjëlisë detyrën ta shpreh protestin që do duhej shfaqur në parlament. Standardet para statusit ofrojnë parakushte zemërgjëra politike, socioekonomike, fetare e kulturore, por absolutisht jo territoriale!, për integrim të serbëve. Faktori shqiptar duhet të mësojë të bëjë sfidë, rezistencë politike dhe, në rast nevojë, mosbindje të hapët qeveritare e qytetare ndaj lodrave territoriale të atyre fuqive evropiane që e kontrollojnë në prapaskena UNMIK-un dhe K-Forin.

Ata që më njohin e dinë se unë s’kam qenë ndonjë përkrahës i flaktë i standardeve para statusit. Por kjo ishte para 17 marsit.

Më 17 mars 2004, të gjitha hesapet janë kthyer përmbys. Ata që më herët i kërkonin standardet para statusit, tani u ikin atyre si dreqi kryqit. Kurse ata që u druanin atyre, tani duhet t’i kërkojnë me zë të lartë. Meqë, pas 17 marsit, standardet e proklamuara zyrtarisht janë bërë njëmend magjistralja që e shpie pagabueshëm dhe pashmangshëm Kosovën drejt pavarësisë.

Unë për vete jam thellësisht i bindur që gjaku i atyre që ranë më 17 mars e ditët tjera nuk ka shkuar huq. Falë tyre, e për herë të parë qëkur këtu zbarkoi NATO-ja, shumica e variablave të ekuacionit kosovar janë në dorën e faktorit shqiptar. Nëse ky reagon si duhet, ahere besoj se jo vajza ime e mitur e lindur në mërgim, por edhe vet unë, një ditë do ta shohim Kosovën vërtet të lirë.

Por nëse faktori shqiptar vazhdon të jetë skizofrenik, i ndarë dysh mes servilizmit të elitës politike dhe militantizmit të verbër të vegjëlisë, ahere Kosova do të na rrëshqet prej duarsh sërish. Se nëse kosovarët, i madh e i vogël, s’e duan Kosovën e tyre aq sa për të bëjnë për të kompromise të dhembshme, atë ka kush e do. Fundja, ujqit e vjetër sillen ende rrotull. Ata vetëm qimen e kanë ndërruar.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË