NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Robert Capa legjenda e fotoreporterit të luftës

Shkruan : Iliriana BAJO

Aparati fotografik në dorën e majtë, një çantë në të djathtë ku gjendeshin biskota, një termus me konjak, fotografia e tij, një punë e pambaruar dhe qindra dokumenta të historisë së re njerëzore.
Natyrisht që ai jetoi legjendën për të cilën nuk mund të kishte përshkrim tjetër veçse, Robert Capa.

Robert Capa - aty ku filloi fotografia e luftës

"Nëse fotografia nuk është e mirë, atëherë nuk ke qenë afër sa duhet me objektivin". Është kjo këshilla që Robert Capa, babai i fotografisë së luftës jepte për kolegët e tij, pas një jete të kaluar në të gjitha luftërat, që nga ajo e Spanjës e deri në Indokinë në vitin '50, ku dhe humbi jetën.

Robert Capa lindi në Budapest më 22 tetor 1913 në një familje hebreje me emrin Endre Erno Friedmann. Mërgon në Gjermani për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen e majtë të studentëve, ku përfundon studimet për gazetari. Puna e parë si fotoreporter ishin fotografitë e Trockit në Danimarkë. Me ardhjen në pushtet të Hitlerit largohet në Vjenë në vitin 1933, për t'u vendosur në Paris një vit më vonë. Aty morri të parën detyrë si fotograf lufte për mediat franceze. Shkoi të mbulonte luftën e Spanjës nga ku solli fotografinë e ushtarit spanjoll duke vdekur në fushë të betejës. Kjo foto bën histori, pasi është e para nga një fushë beteje dhe për më tepër që dëshmon vrasjen e ushtarit. Shumë vite më vonë e njëjta fotografi ngjalli debate nëse ishte e vërtetë apo dikush kishte pozuar për Capan. Në fakt fotografia ishte origjinale dhe fati i Capas qëndronte siç e thoshte dhe vetë se shkonte shumë afër objektivit, që të realizonte një fotografi të mirë. Capa mbuloi luftën civile në Spanjë nga ku kemi dëshmi të tilla si rrafshimet e qyteteve, fëmija me uniformën e lojalistëve spanjollë, mërgimi i lojalistëve spanjollë dhe rrënien e Barcelonës. Së bashku me Luftën e Spanjës lindi dhe pseudonimi Robert Capa e bashkë me të dhe legjenda.

Në Francë mbulon si fotoreporter zgjedhjen e koalicionit të majtë të Frontit Popullor. Në vitin 1938 për gjashtë muaj qëndroi në Kinë ku ka raportuar si fotoreporter rezistencën kineze ndaj pushtimit japonez.

Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore shkon në Nju Jork, ku punon për Life, media kryesore e shkruar në Shtetet e Bashkuara.

Për Life mbulon zgjedhjet presidenciale në Meksikë, për të udhëtuar në vitin 1941 me konvojin që transportonte aeroplanët amerikanë drejt Anglisë, për të fotografuar trupat aleate në Afrikën e Veriut, derisa në vitin 1943 dokumenton përmes aparatit luftimet në malet italiane dhe aleatët në Sicili.

Në vitin 1944 zbret me të parën valë të ushtarëve amerikanë në plazhet e Normandisë dhe është i vetmi që sjell fotografitë nga kjo ngjarje dhe ajo që njihet në histori si Dita - D.

Parashutohet me aleatët në Gjermani dhe fotografon rrënien e Lajpcigut, Nurembergut dhe Berlinit në vitin 1945.

Në vitin 1946 bëhet qytetar amerikan dhe kalon disa muaj në Hollivud, nga ku largohet pasi nuk i pëlqen industria e filmit.

Përveç luftës Capa është i njohur për fotografitë e shumta të njerëzve të artit. Ernest Hemnigway, Irwin Shaw, William Saroyan, John Steinbeck, Pablo Picasso, janë jo vetëm miqtë e tij, por dhe pjesë e fotografive të Capas që tashmë kanë bërë histori.

I ka shoqëruar miqtë artistë në luftën civile në Spanjë, në jetën mondane të Parisit, në udhëtimet e tyre në Rusi apo pjesë të tjera të botës.

Parisi, qyteti ku mësova të ha dhe të bëj dashuri

Capa, ndonëse u bë i famshëm për fotografitë e tij të luftës, duke qenë i pari fotoreporter lufte, e donte jetën mondane, lojërat deri në mëngjes dhe kishte një ndjeshmëri të veçantë për femrat.
"E dua Parisin se në këtë qytet mësova të ha dhe të bëj dashuri", shkruan Capa mes të tjerash. Në Paris Capa mbërrin së pari me Gerda Taro, mikeshën e tij polake, me të cilën ishin njohur në Gjermani. Taro e shoqëron në Luftën e Spanjës dhe është menaxherja e Capas me mediat franceze. Ka qenë koha kur Robert Capa ishte ende Andrei Fridemann. Gerda dhe Andrei vendosin të krijojnë një kompani me tre persona, Gerda qw do punonte si sekretare dhe e ngarkuar për shitjet, Andrei punonte në laboratorin fotografik të një fotografi të njohur e të pasur amerikan, i cili ekzistonte vetëm në imagjinatë, Robert Capa. Kështu lindi legjenda e Robert Capa. Lucien Vogel i revistës franceze Vue shpejt e zbuloi të vërtetën, por kjo nuk pati shumë rëndësi. Capa dhe Gerda shkuan në Spanjë, ku Gerda humbi jetën në fushëbetejë.

Lindja e Izraelit - Capa ishte atje

Ndonëse i lodhur nga luftërat Capa nuk mund t'i rezistonte ngjarjes tejet të rëndësishme për të, krijimit të shtetit Izraelit. Të gjithë studiuesit e jetës dhe veprës së Capas e vendosin këtë pjesë të akitivitetit të tij më vete. Capa në vitin 1949, së bashku me Irwin Show shkojnë në Izrael. Në mesin e fotove që bënë histori janë të mbijetuarit e kampeve të përqëndrimit të nazizmit duke ardhur në shtetin e sapokrijuar të Izraelit.
Nëna e re me fëmijët, është një fotografi e njohur ku në rrugë drejt shtetit të sapokrijuar janë të gjithë, pleq e fëmijë. Portretet e refugjatëve në Haifa, duke zbritur në Izrael janë nga dëshmitë kryesore të historisë së re të Izraelit.

Agjencia Magnum - Nga fotograf në biznesmen

Derisa mbulonte ngjarjet në shtetin e sapokrijuar të Izraelit, Capa së bashku me miqtë e tij të vjetër Henri Cartier Bresson, David Seymour, George Rodger dhe William Vandivert krijuan agjencinë Magnum Foto.
Magnum Foto është e para agjenci ndërkombëtare e fotografëve të pavarur dhe ende edhe sot mbetet e tillë. Krijimi i agjencisë Magnum Foto shënon një hap të ri në karrierën e Robert Capa. Robert Capa tashmë shndërrohet në një biznesmen ndërkombëtar, që mundëson shitjen e fotografive në tregun botëror dhe mbështet punën e fotografëve më të mirë, përfshi dhe ata të gjeneratave më të reja.
Si pjesë e aktivitetit te Magnum Foto, Robert Capa së bashku me John Steinbeck shkuan në vitin 1947 në Rusi, nga ku erdhën me një cikël shkrimesh të paharrueshme për " Lady's Home Journal" që kishin titullin "Njerëzit janë njerëz, kudo në botë". Nga vizita në Rusi të paharrueshme janë fotografitë nga kolkozet sovjetike.

I lodhur nga lufta, mbetet përjetë në betejë…

"Për mua lufta ngjan me një aktore që plaket, që gjithmonë vjen e bëhet më e rrezikshme dhe shumë më pak fotozhenike", shkruan Capa, i cili në vitet '50 iu kushtua agjencisë magnum Foto.
Në vitin 1954 Capa shkon në Japoni për të hapur një ekspozitë të Magnum. Derisa ishte në Japoni "Life" kërkonte urgjentisht një fotograf për frontin e Indokinës. Capa u nis vullnetarisht, por siç duket pas shumë luftërave fati i tij po i afrohej fundit. Më 25 maj 1954 bie në minë dhe mbetet përgjithmonë me kamerën në front.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË