NUMĖR 62
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
 
 
LDK PDK 0,5 me 0, Turni i dytë premton tensione
 
Lufta kundër terrorizmit dhe beteja për tregjet naftëmbajtëse
 

Pse polcia maqedonase vrau shtatë pakistanezë në afërsi të Shkupit?

 
"Rrethi i Kostandinit"
apo vallja e pakëputur e arbëreshëve
 
M.T. Formohet Këshilli Koordinues i subjekteve shqiptare në Maqedoni
 
Njeriu në përballje me dhunën
 
A do të mbahen zgjedhjet në tri komunat e Luginës së Preshevës
 
Afera Rakipi - Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
 
Konsensusi politik si rrugëdalje nga kriza
 
Zoti e bëftë mirë! 
 
8 Marsi ndër shqiptarët: Si maskohet diskriminimi gjinor
 
Krejt shkurt për një funeral
DOSSIER VITI IV - MARS 2002

Procesi gjyqësor i shekullit

Xhafer SHATRI

I
Hyrje apo Kryebarbari në gjykatore


Proçesi i Hagës

Më në fund erdhi dita e dhënies llogari. Në bangën e zezë të Tribunalit të Hagës u nxorr Sllobodan Millosheviqi, udhëheqësi, siç thoshte Dobrica Qosiqi, më i popullarizuar që ka pasur Serbia ndonjëherë.

Që nga ajo dita e famshme e vitit 1987, kur ai erdhi në Fushë-Kosovë për t'i ndezur krandet e luftës, kanë kaluar 15 vjet; 15 vjet të tmershme që kanë tronditur botën. Kosova ishte ajo përmes së cilës Sllobodan Millosheviqi u ngrit në majën e pushtetit të pakufi, por Kosova ishte gjithashtu ajo që e zbriti prej aty zhag dhe me kohën e detyroi në kapitullim dhe, më në fund, edhe çoi në Sheveningen.

Çmimi i kësaj ngritje-zbritjeje është tmerrësisht i madh: mbi 250'000 të vrarë, edhe më shumë të plagosur, dhjetëra mijëra gra të përdhunuara, qindra mijëra jetimë, miliona familje të shkatërruara, 5 milionë njerëz të zhvendosur, qindra miliarda dollarë të djegur në flakët e luftës.

Pakkush ka besuar se do të vijë kjo ditë, ky ngushëllim modest, por i kuptimshëm për viktimat e panumërta, për vuajtjet, për poshtërimet dhe tmerret që ato kanë përjetuar. Llahtaritë që panë sytë e atyre që sot dergjen nëpër varre të ditura e të paditura, të atyre që janë gjallë, por më shpirt e trup përgjithmonë të vrarë, oqeani i vuajtjeve e dhimbjeve, të gjitha këto bashkë pra sollën ditën e 12 shkurtit 2002, kur, në ora 9h30, kryetari i Trupit Gjykues të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Richard Mey hapi procesin gjyqësor të shekullit, të dytin sipas rëndësisë në drejtësinë ndërkombëtare.
Një proces i ngjashëm është mbajtur këtu e 57 vjet më parë në Nyremberg.
Kësaj radhe u nxor para drejtësisë ndërkombëtare shefi i shtetit serb e lideri absolut për 15 vjet rresht i të gjithë serbëve, Sllobodan Millosheviq.
Dhe duhet thënë që në krye se e meta kryesore e këtij procesi është se i akuzuari vazhdon të jetë i vetëm në bangën e zezë, ndërkohë që bashkëfajtorët e panumërt vazhdojnë të sillen e të jetojnë shlirshëm, edhe pas një viti e gjysmë nga "revolucioni demokratik" në Serbi..
Kjo dëshmon se çështja IT-02-54-T, Prokurorja kundër Sllobodan Millosheviqit mbetet gjithnjë e pakryer përderisa të mos dalin në gjykatore, ashtu si dhe në procesin e Nurenbergut, jo vetëm të gjithë krerët e krimeve të kryera, por bashkë me ta edhe subjektet, organet dhe institucionet serbe. Dhe mu këtu qëndron dallimi thelbësor në mes Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare që u mblodh dikur në Nurenmberg dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare që po vepron sot në Hagë.
Për të pasur lexuesi një pasqyrë më të qartë të këtij procesi, në këtë dosje do të trajtojmë konturet e këtyre dy gjykatave, aktakuzën, portretin e të akuzuarit, zhvillimin e procesit etj., të vetëdijshëm se kjo është vetëm një përpjekje modeste që mundësojnë faqet e një reviste.

II

Proçesi i Nurenbergut apo epilogu gjyqësor-penal i një lufte


Proçesi i Nurenbergut

1. Themelimi i Gjykatës dhe kompetencat e saj

Lufta e Dytë Botërore (1939-1945), është karakterizuar për barbari që morën jetët e dhjetëra miliona njerëzish. Koalicioni antifashist duke parë përmasat e krimeve dhe vuajtjeve të panumërta që më 1940 u përcaktua për ndëshkimin e kriminelëve me të mbaruar lufta.

Kështu, më 17 prill 1940 qeveritë e Francës dhe e Polonisë, që të dyja në ekzil, denoncuan persekutimin e polakëve dhe trajtimin çnjerëzor të bashkësisë hebreje në Poloni.
Më 25. 10. 1941, Winston Çerçili njërin prej synimeve themelore të luftës e konsideronte "ndëshkimin e autorëve të krimeve të kryera në tokat e pushtuara nga Gjermania";

Më 13 janar 1942, nga ana e qeverive në ekzil, mes tjerësh edhe nga Dë Goli, nënshkruhet Deklarata e Saint James-it, përmes së cilës, njëri prej qëllimeve parësore të luftës ishte edhe ndëshkimi i kriminelëve duke i nxjerrë ata para drejtësisë.
Më 30 tetor 1943, nënshkruhet Deklarata e Moskës, kur Çerçili, Stalini dhe Ruzvelti jo vetëm dënuan krimet monstruoze që kishin kryer nazistët ndaj popujve të pushtuar, por në emër të 33 anëtarëve të Kombeve të Bashkuara vendosënn që pas luftës, me t'u instaluar një qeveri në Gjermani, duhej të arrestoheshin të gjithë përgjegjësit e krimeve dhe masakrave dhe të nxirreshin para gjykatave të popujve, që kanë pësuar e janë martirizuar! Askush nuk do të mund t'i ikë dorës së drejtësisë, kriminelët do të ndiqen gjer në fund të botës, thuhej në deklaratë.

Në këtë vijimësi, më 8 gusht 1945, në Londër, 4 fuqitë e mëdha të Aleancës (Amerika, Britania e Madhe, Rusia, dhe Franca) themeluan Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare me qëllim që të nxjerin para saj kriminelët e mëdhenj të luftës. Gjykatën do ta përbënin 4 gjyqtarë nga vendet që kishin fituar luftën (çdo vend themelues do të kishte nga një).
Gjykata ushtarake përbëhej nga Henri Donnadieu de Vabres (francez), Francis Biddle (amerikan), Lordi Geoffrey Lawrence (anglez), gjenerali Nikiçenko (rus).
Përgjegjësitë e Gjykatës përmblidheshin në ndjekjen dhe dënimin e këtyre veprave penale:
a. krimet kundër paqes, do të thotë drejtimi, përgatitja dhe fillimi i një lufte agresive, përmes së cilës shkelen traktatet ndërkombëtare;
b. Krimet e luftës, shkelja e ligjeve dhe rregullave të luftës. Këto shkelje përfshinin vrasjet, trajtimin çnjerëzor, deportimet për punë të përdhunshme, ekzekutimi i pengjeve, keqtrajtimi i robërve të luftës, plaçkitja e pasurisë private ose publike, shkatërrimi pa motiv të qartë ushtarak i qyteteve dhe i fshatrave;
c. Krimet kundër njerëzimit, do të thotë vrasjet, asgjësimet, skllavërimin, deportimet dhe të gjitha aktet çnjerëzore kundër popullsisë civile, të kryera para ose gjatë luftës, ose persekutimet për motive politike, raciale ose religjioze…

Ndjekja penale përfshinte edhe personalitetet më të larta gjermane, sepse në dokumentet themeluese e gjyqësore thuhej se "pozita zyrtare e të akuzuarve, qoft shef shteti ose funksionarë të lartë, nuk do të konsiderohet si motiv për t'u falur ose për t'u zbutur dënimi."
Ashtu si Gjykata u formua edhe Komisioni i Prokurorëve, në të cilin u emëruan përfaqësuesit e prokurorive të të katër vendeve nënshkruese, e i cili do të merrej me përcaktimin e kriminelëve që do të nxirreshin para Gjykatës, me përpilimin e aktakuzës etj.
Ekipi i prokurorëve përbëhej nga: François de Menthon (francez), Robert Jacson (amerikan), Sir David Maxwel-Fyfe (anglez) dhe gjenerali Rudenko (rus).

2. Procesi

Fillimisht Fuqitë fituese të luftës, kishin koncepte të ndryshme për të vënë drejtësinë në vend: Amerikanët dëshironin një proces publik, anglezët dhe francezët ishin për një proces me dyer të mbyllura, ndërsa rusët ishin për ekzekutim arbitrar të më se 50'000 kriminelëve të luftës, gjë që tregonte në një mënyrë edhe për dallimet e sistemeve në këto vende. Më në fund dominoi propozimi amerikan. Dhe menjëherë filloi një gjah i vërtetë në krimenelët e luftës, kërkim që mori përmasa planetare për t'i arrestuar dhe nxjerrë ata para gjyqit.
Pa vonuar shumë u arrestuan me qindra kriminelë. Regjimi në burg ka qenë i rreptë. Ndërkaq procedura është thjeshtësuar në maksimum. Çdo deklaratë jashtë kuadrit të aktakuzës është ndërprerë.
Dënimi maksimal i paraparë ka qenë dënimi me vdekje: me varje ose me pushkatim. Të akuzuarve Gjykata Ushatarake ua ka konfiskuar edhe pasurinë.
Gjykata e Ushtarake gjykoi prej datës 20 nëntor 1945 gjer më 10 tetor 1946.
Në gjyq u nxorën 24 personalitete naziste të akuzuara për veprat penale të përshkruara më sipër.
Të akuzuarit është dashur të zgjedhin nga një listë e përpiluar avokatësh, asnjëri prej tyre nazist.
Sigurisht, në përputhje me vendimet e Postdamit, ku ishte paraparë dhe denacifikimi i Gjermanisë, Gjykata Ushtarake shpalli kriminale tri organizata:

- NSDAP, Partinë naziste
- Krahët e saj paraushtarak SA (Sturm Abteilung - Seksionet për sulm) dhe SS (SchutzStaffel - Grupet për mbrojtje), ky grupim më vonë ka pasur përgjegjësinë për mbrojtjen dhe mbajtjen e rendit në kampet e përqëndrimit.
- SD (Shërbimin e sigurimit)
- Gestapo-n (Policia politike)

Edhe në rastin e Serbisë bashkësia ndërkombëtare ka mundur të gjejë analogjinë e plotë:
Partia Socialiste e Serbisë,
Partia Radikale Serbe,
E majta Jugosllave,
UDB, Shërbimi informativ serb, i ndarë në pesë drejtori,
KOS, Shërbimi Informativ Ushtarak,
Beretat e kuqe
Ushtria
Këtu qëndron dallimi më i madh në mes të këtyre dy gjykatave; asaj që gjykoi në Nurenmberg dhe kësaj që po gjykon në Hagë.

3. Të akuzuarit dhe fati i tyre

Herman Göring (1983 - 1946) njëri prej njerëzve më të afërt të Hitlerit, për t'i ikur dënimit poshtrues me varje vetëvritet në qelinë e burgut;
Rudolf Hess (1894 - 1987), arrestohet nga anglezët, ku kishte shkuar në Skoci për të vënë kontakt me qeverinë angleze për një marrëveshje të mundshme për luftë të përbashkët kundër Rusisë. U dënua me burg të përjetshëm;
Julius Streicher (1885-1946), dënim me varje,
Hjalmar Schacht (1877-1970), bankier, më vonë erdhi në konflikt me Hitlerin dhe e arrestuan dhe dërguan në kampin e Dahhaut, prej nga e liruan amerikanët. Gjykata e Nurnbergut, nën influencën e amerikanëve, e liroi si të pafajshëm;
Walter Funk (1890-1960), gazetar, ekspert në çështje financiare, u dënua me burgim të përjetshëm;
Wilhelm Frick (1877-1946), ministër i brendshëm i Reich-ut, u dënua me varje;
Joachim von Ribbentrop (1893-1946), ministër i jashtëm, u dënua me varje
Franz von Papen (1879-1969), aristokrat, u lirua i pafajshëm;
Ernst Kaltenbrunner (1903-1946), nazist austriak, u dënua me varje;
Hans Fritzsche, u lirua i pafajshëm;
Albert Speer (1905-1981), arkitekt, u dënua më 20 vjet burg;
Fritz Sauckel (1894-1946), si organizator i deportimeve për punë me dhunë, u dënua me varje;
Wilhelm Keitel (1882-1946), më 8 maj 1945 nënshkroi kapitullimit të Gjermanisë, u dënua me varje;
Alfred Jodl (1890-1946), ushtarak, u dënua me varje;
Erich Raeder (1876-1960), komandant i Flotës ushtarake, u dënua me burg të përjetshëm;
Karl Dönitz (1891-1980), admiral, u dënua më 10 vjet burg;
Baldur von Schirach (1907-1974), i njohur për shprehjen: "Kur dëgjoj fjalën kulturë, nxjerr revolën!", u dënua më 20 vjet burg;
Konstantin von Neurath (baron, 1873-1956), u dënua më 15 vjet burg;
Arthur Seyss-Inquart (1892-1946), guvernator i Austrisë, dënim me varje;
Martin Bormann, këshilltar i afërm i Hitlerit, u dënua në mungesë me vdekje. Është folur se gjatë viteve 50-të ka qenë në Amerikën Latine;
Hans Franck, guvernator i Polonisë, u dënua me varje;
Alfred Rosenberg (-1946), arkitekt me profesion dhe ideolog i partisë naziste, u dënua me varje.

Pas këtij procesi u organizuan edhe procese të tjera në të katër zonat e okupuara të Gjermanisë, kundër 185 personave të akuzuar, funksionarë të të gjitha dikastereve të pushtetit nazist (ushtarakë, policë, gjyqtarë, mjekë etj.)
Krahas këtyre rreth 848 kriminelë të tjerë u dënuan nëpër vende të ndryshme, qoftë me vdekje apo me burg.

Shumë të akuzuar duke parë pasojat e veprimeve të tyre u penduan, sikundër që pati në mesin e tyre, si Geringu që në mënyrë fanatike mbrojtën idetë dhe veprimet naziste.

III

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë

1. Themelimi dhe kompetencat

Jugosllavia për 40 vjet ka qenë njëri prej shteteve të forta dhe të qëndrueshme të Evropës. Pas vdekjes së Titos dolën në pah të çarat e saj tektonike që gjatë gjithë viteve tetëdhjetë u shprehen në përballjet e krahut centralist në njërën anë dhe krahut federalist në anën tjetër. Kjo përballje bëhej në kohën e ndryshimeve rrënjësore në përmasat planetare që rezultoi me bashkimin e Gjermanive dhe rrënimin ekonomik, ushtarak dhe politik të Bashkimit Sovjetik dhe vazalëve të tij. Përderisa shkapërderdhja e perandorisë ruse u bë pa shumë gjakderdhje, rrënimi i perandorisë serbe, që akoma nuk ka përfunduar, u bë krejt ndryshe me një luftë dhjetëvjeçare dhe me krime e barbari të tilla që nuk ishin para që nga mesjeta.
Ishin pikërisht këto krime që detyruan Bashkësinë ndërkombëtare të themelojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNIJ).
Gjykata është themeluar në bazë të rezolutës 827 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u aprovua më 25 maj 1993 si përgjigje ndaj "rrezikimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të shpërfaqur përmes shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare ndërkombëtare që u bë në ish-Jugosllavi prej vitti 1991"
Këshilli i Sigurimit të OKB-së:
"Duke qenë dhe njëherë i alarmuar keqas nga informatat që vazhdojnë të tregojnë për shkeljet flagrante e të gjeneralizuara të së drejtës humanitare ndërkombëtare në territorin e ish-Jugosllavisë, veçanërisht në Republikën e Bosnje-Hercegovinës, sidomos për ato që kanë të bëjnë me vrasjet masive, burgosjet e përdhunimet e organizuara masive e sistematike të femrave dhe vazhdimi i praktikave të 'pastrimit etnik', me synim zgjerimin e territoreve…
Duke vepruar në përputhje me kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara… vendos të themelojë një Gjykatë Ndërkombëtare me një qëllim të vetëm; të gjykojë personat e dyshimtë si përgjegjës për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin e ish-Yu që nga 1 janari i vitit 1991 deri te një datë tjetër që mund ta përcaktojë Këshilli i Sigurimit pasi të jetë rivendosur paqja…"

Gjykatës Penale Ndërkombëtar i janë dhënë:

a. Kompetenca materiale:
Gjykata ka mandat të ndjekë dhe të gjykojë katër kategori të krimeve:
- Shkeljen e rëndë të Konventës së Gjenevës të vitit 1949.
- Shkeljen e ligjeve dhe kanuneve të luftës.
- Krimet kundër njerëzimit.
- Gjenocidin

b. Kompetenca territoriale dhe kohore:
Krimet e pëfshira mësipër të kryera në ish-Jugosllavi që nga viti 1991.

c. Kompetenca personale:
Personat fizik, duke përjashtuar personat moral.

d. Përballë gjyqësive vendore Gjykata Penale Ndërkombëtare ka epërsi në të gjitha fazat e procedurës.

Fushëveprimtaria e Gjykatës përmblidhet në Statut, që u aprovua ditën që u themelua GjPN.
Statuti ka 34 nene, përmes të cilëve rregullohet funksionimi i Gjykatës dhe përcaktohen veprat penale që do të shqyrtojë GjPN.

2. Përbërja dhe funksionimi i Gjykatës

Gjykata ka 16 gjyqtarë të përhershëm dhe më së shumti 9 ad item, të cilët i zgjedhë për një mandat prej 4 vjetësh Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Gjyqtarët e emëruar veprojnë në tri Gjykata të shkallës së parë dhe në një të Apelit.
Gjykatën e shkallës së parë, që gjykon Sllobodan Millosheviqin e udhëheq Richard May (Britani e Madhe); është 63 vjeçar, ka studiar drejtësinë në Kembrixh. Ka punuar 12 vjet si prokuror. Në GjNH punon prej vitit 1997. Njihet si gjykatës që nuk u nënshtrohet ndikimeve politike.
Ndërsa anëtarë të Trupit Gjykues janë:
Patrick Lipton Robinson, 58 vjeç, nga Xhamajka. Ka studiuar drejtësinë në Londër dhe ka specializuar në Hagë. Ka qenë funksionar i lartë i organeve të drejtësisë në vendin e tij. Në GjNH është prej vitit 1998.
O-Gon Kwon, 49 vjeçar, është nga Korea e Jugut. Ka studiuar drejtësinë në Seul dhe Harvard. Ka punuar në institucionet më të larta të drejtësisë në Korenë e Jugut. Në GjPN është prej vitit 2001.

Zyra e Prokurorit funksionon në pavarësi të plotë përballë Këshillit të Sigurimit, të cilit do shtet, të organizatave ndërkombëtare dhe të dy shkallëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN për ish-Yu).
Që nga 15 shtatori i vitit 1999, Prokurore e Përgjithshme është Carla del Ponte, 55 vjeçare, me kombësi zvicërane, nënë e dy fëmijëve. Në Zvicër ka qenë kryeprokurore federale, e njohur për luftë të pamëshirshme kundër krimit të organizuar. Ndihmës i saj është Graham Blewit (Australi). Në Zyrën e Prokurorit punon që nga 15 shkurti i vitit 1994.
Në procesin e shekullit, Zyrën e Prokurorit e përfaqëson Geoffrey NICE, 56 vjeçar, ka diplomuar filozofinë, shkencat politike dhe ekonominë në Oksford. Ka punuar si avokat dhe gjyqtar. Në Zyrën e Prokurorit punon prej vitti 1998. Ndihmës të tij janë: Dirk Ryniveld dhe Hildegaard Uertz-Rezlaff.
Meqë i akuzuari nuk ka pranuar të ketë avokat, atij nga Gjykata i janë caktuar tre avokatë me detyrë, të quajtur amicus curiae: Steven Kay, Branislav Tapuskovic dhe Michaïl Wladimiroff.

3. Procedura gjyqësore

Gjykimi po mbahet në sallën nr. 1, kati i parë.Gjykatorja përanash ka tri kabina me përkthyes dhe një kabinë për incizim filmik.

Statuti i Gjykatës është kompleks. 20% e neneve të tij janë marrë nga e drejta penale anglosaksone. Kjo i ndihmon të akuzuarit dhe avokatëve të tij që t'u shtrojnë dëshmitarëve pyetje kryqëzore, shpeshherë tejet të pakëndshme. Këtë mundësi SM po e shfrytëzon maksimalisht deri në atë masë sa që nga gjykatorja po arrin t'i poshtrojë dhe t'i lëndojë viktimat e gjalla dhe të vdekura.
Gjykimi ka këtë rjedhë:
- Deklaratat hyrëse;
- Paraqitja e argumenteve rënduese nga ana e Zyrës së Prokurores. Kjo zyrë fton dëshmitarët, të cilëve ka mundësi t'u drejtohet i akuzuari, por dhe avokatët e tij;
- Propozimi për lirim nga aktakuza. Të cilin mund ta bëjë i akuzuari ose avokatët e tij;
- Paraqitja e argumenteve të mbrojtjes. I akuzuari do të ketë të drejt të thërrasë dëshmitarët e tij dhe të japë argumentet e veta;
- Argumentet e Prokurorisë, përmes të cilëve rrëzohen pretendimet e të akuzuarit dhe të ekipit të mbrojtjes;
- Fjala e fundit e Prokurorisë, e të akuzuarit dhe e mbrojtësve të tij.
- Shpallja e aktgjykimit;
Dënimi maksimal që mund të shqiptojë Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është dënimi i përjetshëm, i cili mund të ekzekutohet në ndëshkimoren e ndonjë vendi që për këtë lidh marrëveshje me Kombet e Bashkuara
Në pjesën e gjykimit për vepra penale të kryera në Kosovë, gjithsejt 66 pika, pritet të dëshmojnë 203 dëshmitarë, prej tyre 123 përmes deklaratave, 20 janë dëshmitarë të mbrojtur, të cilët Millosheviqi nuk ka mundësi t'u shtrojë pyetje; 60 të tjerë janë shqiptarë dhe ekspertë të ndryshëm…
Të akuzuarit nga Zyra e Prokurorit, përfshirë këtu edhe SM, mbahen në burgun e Sheveningenit, drejtor i të cilit është Timoti Mekfade. Drejtorin e Burgu e emëron vendi ku ndodhet burgu.
Për fund vlen të theksohet se në administratën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare punojnë 4 serbe, Olga Kavran në shërbimin e informacionit, Jelena Vuksanoviq, Tamara Dimitrijeviq, ndërkaq në sektorin e hetimeve punon Gjurgja Mirkoviq…


IV
Bashkë me tomahowkat ranë edhe aktakuzat

Në kohën kur bombardimet ishin intensifikuar, por edhe kur vërehej një ndarje në bllokun e Aleancës së Atlantikut, sepse filloi të parashihej fare konkretisht edhe mundësia e intervenimit ushtarak tokësor, Kryeprokurorja e atëhershme, Luise Arbour, e rrënqethur nga mizoritë serbe në Kosovë, ngriti aktakuzën kundër S. Millosheviqit dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Kjo ishte hera e parë që drejtësia ndërkombëtare drejtohej kundër një shefi të shtetit ende në detyrë. Dhe duhet pranuar se pesha e këtij akti të drejtësisë ishte shumë më e fuqishme se sa gjëmimi i raketave që zbrazeshin mbi Serbinë nga nëndetëset e NATO-s që ishin ankoruar në Adriatik.
Aktakuza për Kosovën, është konfirmuar më 24 maj 1999. Ajo është plotësuar dy herë dhe lidhet me periudhën 1 janar - 20 qershor 1999.
Aktakuza, veç të tjerash është dhe një kapitull i rëndësishëm e preciz i historisë më të re të Kosovës:

Procesi i shekulli në Hagë do të shqyrtojë njërën pas tjetrës 3 aktakuza: aktakuzën për Kosovën, për Kroacinë dhe për Bosnje Hercegovinën.
Që në krye shihet se këto dy të fundit janë shumë më të kompletuara, ndoshta për shkak se lufta në këto dy vende ka përfunduar shumë më herët, apo ndoshta edhe pse Kroacia e Bosnja dhe Hercegovina kanë pasur institucionet shtetërore, të cilat i kanë dhënë GjPN materiale dhe dëshmi më të kompletuara.
Procesi do të zgjasë rreth dy vjet, ndërkaq shqyrtimi i dosjes së Kosovës llogaritet se do të zgjasë deri në korrik të këtij viti.

1. Thelbi i aktakuzës

Për sa i përket Kosovës, Millosheviqi dhe të akuzuarit e tjerë Millutinoviqi, Shainoviqi, Ojdaniqi dhe Stojilkoviqi akuzohen sepse "planifikuan, nxitën, urdhëruan, kryen apo në mënyra të tjera ndihmuan planifikimin, përgatitjen apo kryerjen e veprimeve më sa vijon:
Pika 1:
Deportim, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT, i ndëshkueshëm në bazë të nenit 5, pika d e Statutit të Tribunalit.
(Neni 5
Krimet kundër njerëzimit
Tribunali ndërkombëtar praktikon gjykimin e personave të dyshimtë si përgjegjës për krime gjatë një konflikti të armatosur, të karakterit të brendshëm ose ndërkombëtar, dhe të drejtuar kundër popullsisë civile cilado qoftë ajo:
a. vrasjet;
b. asgjësimet;
c. praktikën e skllavërimit;
d. shpërnguljet;
e. burgosjet;
f. torturat;
g. përdhunimet
h. persekutimet për motive politike, raciale ose fetare;
i. aktet e tjera çnjerëzore.)

Pika 2: Vrasje, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT, i ndëshkueshëm në bazë të nenit 5, pika a, e Statutit të Tribunalit.

Pika 3: Vrasje, SHKELJE E LIGJEVE OSE ZAKONEVE TË LUFTËS, e ndëshkueshme në bazë të Nenit 3 të Statutit të Tribunalit.
(Neni 3
Shkelja e ligjeve dhe kanuneve të luftës
a) përdorimi i armëve toksike dhe armëve të tjera për të shkaktuar vuajtje të panevojshme;
b) shkatërrimi pa ndonjë motiv i qyteteve dhe fshatrave, ose shkatërrimet që nuk arsyetohen me nevoja ushtarake;
c) sulmi ose bombardimi, me çfarëdo mjeti qoftë, i qyteteve dhe fshatrave, vendbanimeve dhe shtëpive të pambrojtura;
d) konfiskimi, shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve fetare, bëmirëse ose të arsimit, arteve dhe shkencave, monumenteve historike, dhe veprave të artit ose atyre me karakter shkencor;
e) plaçkitja e pasurisë publike ose private.)

Pika 4: Përndjekje për arsye politike, racore ose fetare, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT, i ndëshkueshëm në bazë të Nenit 5 (h), të Statutit.

Përkufizimi i veprës penale që lidhet me luftën në Kroaci është i ngjashëm me aktakuzën për krimet në Kosovë, ndërkaq aktakuza që lidhet me luftën në Bosnje e Hercegovinë është akoma më e rëndë. Gjithsejt janë 29 vepra penale për të cilat ngarkohet S. Millosheviqi për sa i përket luftës në Bosnje. Por gjithsesi më të rëndat janë pikat 1 e 2: Organizim i gjenocidit dhe pjesëmarrje në gjenocid;

2. Arsyetimi i aktakuzës

Në aktakuzën, ku renditen veprat penale që lidhen me Kosovën, fillimisht bëhet një hyrje që lidhet me ngjarjet e këtyre 30 vjetëve të fundit. Kryesisht me suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe me pasojat e këtij akti të dhunshëm, në të cilin SM ka luajtur rolin e ekzekutorit kryesor.
Siç u tha dhe më lart, aktakuza që lidhet me krimet e kryera në Kosovë është plotësuar dy herë pas nxjerrjes publike të saj.
Në të përfshihen shumë veprime të forcave ushtarake e policore serbe të renditura në pikat më të shkurta të mundshme: shpërnguljet e përdhunshme, shkatërrimet masive të qyteteve e të fshatrave, plaçkitjet e pasurisë private e publike të Kosovës, kërcënimet dhe poshtrimet e shumta, plaçkitja e të hollave, e veturave etj.:

Në krejt Kosovën forcat e RFJ dhe të Serbisë, në mënyrë sistematike dhe me forcë kanë shpërngulur nga Kosova ose kanë zhvendosur në brendësi të saj qindra mijëra shqiptarë të Kosovës. Me qëllim të lehtësimit të shpërnguljeve dhe zhvendosjeve, forcat e RFJ dhe të Serbisë qëllimisht kanë krijuar një klimë të frikës e të dhunës duke përdorur forcën ose duke u kërcënuar se do ta përdorin atë;

Kudo në Kosovë, forcat e RFJ dhe të Serbisë, kanë shkatërruar dhe plaçkitur pasuritë e shqiptarëve të Kosovës duke i detyruar t'i lëshojnë votrat e tyre. Policët, ushtarët dhe oficerët kanë bastisur në mënyrë sistematike shtëpitë duke përdorur dhunën, ose duke kërcënuar me ushtrim të dhunës në mënyrë që t'ua marrin shqiptarëve të Kosovës paratë dhe gjërat e tyre me vlerë. Autoritetet e RFJ-së ua kanë plaçkitur në kufi shqiptarëve të Kosovës veturat private dhe pasurinë tjetër para se t'i dëbojnë nga provinca.

Kudo në Kosovë forcat e RFJ-së dhe të Serbisë kanë ndërmarrë fushatë sistematike të shkatërrimit të pasurive që u përkisnin civilëve shqiptarë të Kosovës. Ato kanë bombarduar në mënyrë gjenerale qytetet dhe fshatrat, kanë djegur shtëpitë, mjetet dhe objektet bujqësore e komerciale. Këto aksione të orkestruara kishin për qëllim t'i bëjnë qytetet, fshatrat dhe rajone të tëra të Kosovës të pabanueshme për shqiptarët.

Në krejt territorin e Kosovës, forcat e RFj-së dhe të Serbisë, përmes dhunës fizike e verbale, kanë kërcënuar, poshtëruar e nëpërkëmbur civilët shqiptarë të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës në vazhdimësi janë sharë e poshtëruar nga policët, ushtarët dhe oficerët e ushtrisë mbi baza raciale, janë rrahur rëndë për motive raciale, religjioze ose politike.

Në krejt territorin e Kosovës, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, kanë shkatërruar në mënyrë sistematike lejet e njoftimit dhe dokumentet e veturave të shqiptarëve të Kosovës. Kanë detyruar shqiptarët e Kosovës, që lëshonin përdhunshëm vendin e tyre, të dorëzojnë në kufi lejet e njoftimit. Qëllimi ishte që të zhduken të gjitha gjurmët e prezencës së tyre në Kosovë, për t'iu mohuar më lehtë kthimi në shtëpitë e tyre.

Dhe pastaj në aktkauzë dhe sidomos në plotësimet e saj renditen shembujt konkret të krimeve që kryen forcat serbe në Kosovë, por vetëm prej janarit të vitit 1999 e deri më nxjerrjen e tyre jashtë Kosovës.

V

Ngritja dhe rënia

1. Portreti i Kasapit të Ballkanit

Sllobodan Millosheviqi u lind me 20 gusht 1941, në Pozharevc. I ati ishte pop, ndërsa e ëma mësuese me bindje komuniste. Ata janë ndarë qysh herët dhe që të dy kanë përfunduar me vetëvrasje. Poashtu ka përfunduar edhe xhaxhai i tij, një gjeneral i shërbimit të zbulimit.
S. Millosheviqi shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pozharevc, ndërsa fakultetin e drejtësisë në Beograd, në vitin 1964.
Si nxënës i gjimnazit ka qenë redaktor përgjegjës i gazetës së shkollës, si student sekretar i komitetit të LK për Fakultetin Juridik, pastaj edhe sekretar i Komitetit të LK për Universitetin e Beogradit.

Është i martuar me shoqen e shkollës, Mirjana Markoviq, profesore e sociologjisë dhe kryetare e partisë JUL (E majta jugosllave), e cila ishte në koalicion me SPS-in partinë e të shoqit kur ishte në pushtet. M. Markoviq rrjedh nga një familje e njohur komuniste serbe. E ëma, gjersa kjo ishte foshnje, është pushkatuar nga gjermanët dhe, më vonë, është akuzuar nga shokët e saj se në pamundësi t'u përballojë torturave ka tradhtuar.
SM me aktivitet politik profesional ka filluar të merret me 1984.
Çifti Millosheviq-Markoviq ka dy fëmijë, Marinë e Markon. E para është e shkurorëzuar dhe merrej me gazetari, ka udhëhequr një radio e televizion privat, ndërsa i biri është marrë me ngarjen e automobilëve të shpejtë dhe së fundi me biznes. Ky ishte i lidhur në mënyrë të drejpërdrejtë me grupimin mafioz që udhëhiqte me të gjitha kanalet e trafikut dhe kontrabandës të cigareve, të naftës, të drogës etj. në Ballkan.

Millosheviqi si 18 vjeçarë është pranuar në LKJ. Krahas kësaj ai ka marrë gradën e kapitenit rezervë të APJ-së. Flet gjuhën angleze, gjer më tani ka botuar librin "Vitet e çnyjimit", 1989, në të cilën përfshihen fjalimet e tij gjatë kohës së ardhjes në pushtet. Libri është përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Karrierën e tij politike e ka filluar në Komitetin e Lidhjes komuniste për Universitetin e Beogradit, ku prej vitit 1963 deri me 1966 ka punuar si sekretar, duke udhëhequr komisionin për çështje ideologjike. Pastaj tri vite ka qenë këshilltar i kryetarit të komunës së Beogradit për çështje ekonomike dhe udhëheqës i shërbimit të sistemit të informacionit në Beograd. Prej vitit 1969 deri në 1973 ka qenë zëvendës i drejtorit të përgjithshëm në ndërrmarrjen e njohur "Tehnogas", e pastaj pesë vite si drejtor i përgjithshëm i saj.

"Tehnogas" për shumë kuadro serbë ka shërbyer si trampolinë për ngjitje të rrufeshme në pushtet.
Pastaj gjer në vitin 1983 ka punuar në Bankën e Beogradit, një kohë edhe në filialin e saj në New York.

Para emërimit si kryetar i komitetit të Lidhjes Komuniste për Beogradin, në prill të vitit 1984, funksion kyç në hierarkinë e atëhershme, ka punuar në kryesinë e Komitetit Qëndror të LK të Serbisë.

Kryetar i KQ të LK të Serbisë është zgjedhur në maj të vitit 1986.
Në mbledhjen e 8-të të KQ të LK, mbajtur më 23-24 shtator 1987, fraksioni i S. Millosheviqit ka fituar mbi krahun e "moderuar" të ish-mikut të tij, Ivan Stamboliq. Në të vërtetë shpatat thyheshin lidhur me Kosovën, dhe jo për qëllimin e fundit, pra heqjen e autonomisë me çdo kusht, sepse ai ishte i njëjtë, por thjesht për mënyrën se si të arrihet gjer aty. Stamboliqi ishte shumë më dinak e më me përvojë dhe preferonte metodat e "buta", pa zhurmë, por me efekt të njëjtë.
Në maj të vitit 1989, pasi ishte suprimuar autonomia e Kosovës, Kuvendi i Serbisë emëroi Millosheviqin kryetar të kryesisë së Serbisë.
Në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale në Serbi, më 9 dhjetor 1990, si përfaqësues i Partisë Socialiste të Serbisë (ish- LK dhe LSPP e Serbisë), Millosheviqi fitoi bindshëm dhe u bë kryetar i Serbisë. Përsëri është rizgjedhur si kryetar i Serbisë në vitin 1993, ndërsa më 15 korrik 1997 është zgjedhur Kryetar i të ashtuquajturës RFJ. Në këtë funksion ka qëndruar der më 5 tetor 2000, kur humbi zgjedhjet.

Millosheviqi nuk u bë rastësisht lider i serbëve. Ai doli në skenë, apo thënë më mirë e nxorën në skenë shtresat dhe institucionet që përbëjnë themelet e shtetit serb: klasa politike, inteligjencia, kisha, ushtria dhe policia. Ishte kohë e përthyemjeve të mëdha. Elita serbe ishte përcaktuar për rivendosjen e plotë të hegjemonisë serbe në federatë, në radhë të parë duke suprimuar autonominë e Kosovës, Vojvodinës dhe duke ndërruar udhëheqjen federaliste të Malit të Zi. Prandaj kishte nevojë për një prijës të ri e energjik dhe të pakompleksuar, gjegjësisht të padalë nga sqetullat e Titos.

2. Familja

Çifti Markoviq-Millosheviq, është një mpleksje organizative-politike-intelektuale, në të cilën ndikim themelor kishte Mirjana. Ajo ka shkruar të gjitha fjalimet e të shoqit gjatë ngritjes së tij në pushtet. Ia ka krijuar rrethin familjar nga të gjitha qarqet e mundshme: profesorë të universitetit, gjeneral, bankierë, gazetarë, politikanë, gangsterë të kalibrave më të mëdhenj, me të cilët ka formuar partinë e saj e majta e bashkuar jugosllave.
Fjala është për një rrjet të tërë me ndikim në gjithë jetën e vendit: media, diplomaci, shërbim të zbulimit, ushtri, nëntokë etj.
Në sajë të këtyre lidhjeve, përmes të birit, Markos, klani i Millosheviqit ka grumbulluar një kapital të rëndësishëm përmes shvercit dhe formave të ndryshme të plaçkitjeve. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit Millosheviqi përmes bankave të Qipros etj., ka pastruar rreth 4 miliardë dollarë.
I biri qysh 20 vjeçar ka hapur në Pozharevc diskotekën "Madona", më të madhen në Ballkan, pastaj një radio lokale, një shitore buke e pizeri që punon non-stop, një shitore telefonash, si dhe një fushë argëtimi për fëmijët, "Bambi park" që "ishte ndërtuar gjatë kohës së bombardimeve në Pozharevc".
Vajza, Marija kishte të vetin Radio e TV Koshavën që emetonte nga njëra prej ndërtesave më luksoze dhe më të shtrenjta të Beogradit.
Pas një vistër fejesash e martesash të pasuksesshme, Marija ka bashkëjetuar me Haxhikostiqin, padronin e shtëpisë informative "Politika".

3. Fjalimet

Në kohën e ndërrimit të brezave në hierarkinë komuniste serbe, S. Millosheviqi solli një risi në oratorinë politike: ishte i qartë, konciz, cinik e i paskrupull, përdorte fjalor modern dhe konkret, jashtë floskulave ideologjike e të lodhshme dhe në mënyrë të zhdërvjelltë i ndryshonte tezat:

Serbia duhet të bëhet republikë si edhe republikat e tjera.
Ne duhet t'i mbrojmë në Kosovë të gjithë njerëzit, por parasegjithash ata që i janë ekspozuar diskriminimit, keqtrajtimit dhe poshtërimit, e ata siç e di i gjithë opinioni i Jugosllavisë janë serbët dhe malazezët.
Ata (serbët) i janë ekspozuar një presioni të tillë fizik, ekonomik, politik dhe kulturor që në vendet e zhvilluara të Evropës më nuk ndodh.
Përdhunimi i fëmijëve, poshtrimi i pleqve është mjerimi i familjeve serbe në Kosovë, por edhe turp për shqiptarët para syve të të cilëve ndodhin këto dhe ata nuk i dalin në udhë!
Serbia nuk ka në plan të heqë dorë nga qëllimi për t'u bërë Republikë. Forcat jashtë saj, të cilat duke shfrytëzuar specificitetin e saj, që t'i mohojnë këtë të drejtë, pra që të jetë Republikë. Le ta dijnë se ai argumentim nuk kalon në Serbi…

Në mars të vitit 1988, Millosheviqi në një dolli ngritur për nder të Gorbaçovit, thotë:
Ne në Serbi intensivisht po kërkojmë zgjidhje për vështirësitë që kemi. Së pari po lirohemi nga bllokadat ekonomike dhe disa praktika negative kushtetuese dhe sidomos nga pasojat e kundërevolucionit në Kosovë.
Në prag të ndryshimeve të Kushtetutës, apo thënë me mirë të aplikimit të Kushtetutës së tankeve, Millosheviqi mban edhe këtë fjalim:
… Nacionalizmi shqiptar po bën presion fizik, politik, kulturor, para se gjithash mbi serbët e malazezët, çfarë nuk i njohim shembull në Evropën e sotme…
Në krejt Kosovën, mes gjithë qytetarëve është bërë dominuese klima e mosdurimit, mosbesimit, një tension i vazhdueshëm, të cilin askush nuk mund ta evitojë, e që rëndon mbi çdo popull, mbi çdo familje, mbi çdo njeri.


4. Fajësia kolektive

Millosheviqi ka treguar aftësi për të mbajtur pranë faktorët kryesorë politikë në vend, në mënyrë që për çdo vendim të rëndësishëm për shtetin dhe popullin serb të ketë mbështetjen e shumicës absolute në opinion dhe në parlament.
Tingëllon çuditshëm, por është e pamohueshme se jo pak veprime të kreut serb, në plan afatgjatë, kanë qenë të drejtuara kundër interesave të popullit serb. Ta zëmë shkatërrimi i Jugosllavisë, ku ata kanë dominuar dukshëm në të gjithë zërat e jetës etj. Por në të gjitha veprimet, madje edhe në aktet e pashembullta të barbarisë, Millosheviqi dhe suita e tij kanë pasur mbështetjen absolute të shumicës dërrmuese të popullit serb.
Pikërisht kjo shpjegon për përmasat habitëse të mentalitetit racist që është ngulitur në mendjen e një pjese të mirë të popullit serb.

SM është treguar mjeshtër i taktikës. Për të arritur qëllimin ai ka vënë në lëvizje gjithë potencialin serb, përfshirë këtu fashistët e Sheshelit dhe bandat e mafias që i udhëheqite Arkani.
Kjo del dhe nga një shënim zyrtar në prag të zgjedhjeve të vitit 1991:
Shënim nga takimi i punës lidhur me strategjinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet plotësuese për Kuvendin e Serbisë në njësinë zgjedhore në Rakovicë, 30 maj 1991

1. Si kandidat i Partisë Socialiste të caktohet Karaklajiq. Të dhënat kompromentuese për Karaklajiqin dhe faktin se ai ndiqet penalisht të shpërndahen përmes Kanalit të pavarur televiziv Studio B.

2. Punën operative në njësinë zgjedhore dhe kontaktet me përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe, do ta udhëheqë dr. Bozhidar Jeliçiq. Të organizohet vetëm një takim promovues dhe në të të dërgohet një folës i paaftë nga këshilli i PS për Beogradin, mundësisht Nada Popoviq ose Dushan Matkoviq, që janë të kompromentuar. Në këtë takim simpatizuesit e Sheshelit do të bëjnë provokime.

3. Edicionet e gazetës "Politika" do të organizojnë fushatë në favor të Sheshelit. Këtë do ta organizojnë gazetarët Stevan Zec dhe Branko Gjurica. Për kompromentimin e kandidatëve të tjerë t'i drejtoheni Slobodan Jovaniqit (Kryeredaktor i Politika expres) dhe njerëzve që ai ju sygjeron. Në javën e fundit të fushatës të përdoret RTV "Politika".

4. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit për Beogradin do të organizojë gjer në fund të fushatës shërbimin përgjues për të përcjellë funksionarët e partive të Drashkoviqit dhe Gjingjiqit, ndërsa në shtabet zgjedhore të këtyre partive të futen urithët. Më 9 qershor, në prag të zgjedhjeve, policia nuk do të pengojë vandalët e Sheshelit kur ata do t'ua prishin mitingjet e partive opozitare.
Për të gjitha masat e ndërmarra të informohet shefi i kabinetit të Kryetarit të Republikës.
Koordinimin e të gjithë sektorëve e merr Novica Vujiq, i cili është gjithashtu përgjegjës për çështje të zbulimit dhe kriptimit.
Marrë nga libri i Stipe Mesiq "Si u shkatërrua Jugosllavia"

5. Dosja e bisedave telefonike

Revista kroate "Globus", botoi muajin e kaluar bisedat telefonike që SM ka pasur me familjen, me bashkëpunëtorët e tij, por edhe me personalitetet më të njohura të botës. Pjesët e bisedave që i botoi "Globus" ishin marrë nga një dosje tejet sekrete e shërbimit informativ kroat, sektori i përgjimit elektronik.
Në këto biseda, që mund të merren si të besueshme, SM flet me të birin e tij se si ky i fundit ka në plan të operojë veshët, sepse i duken të mëdhenj, se si ka vendosur të ndërrojë të 29 dhëmbët e gojës, se qeni i të bijës komunikon me të zonjën sikur të ishte njeri (Mami, Zelda (kudra e saj) më ka thënë: Mos ma rrëno kasollën, të lutem!), se si e shoqja e quan SM lepojkoviq (bukurosh), se si ai e quan te shoqen bebe, se si i biri ka ngrohur pishinën personale deri në 38 gradë celzius dhe është larë deri sa e ka marrë uria, se si ka nevojë për revole të një kalibri sa më të madh për t'u mbrojtur nga rivalët e tij po ashtu të kriminalizuar; se si SM në telefon me të vëllain, Borisllavin, ambassador në Moskë, kanë sharë si huliganë; se si në një mbledhje, ku kanë marrë pjesë të gjithë funksionarët e komunave të Serbisë, ai ka thënë për kroatët e sllovenët: neka idu u piçku mater (le të shkojnë në pts); se si francezët janë aleatë por edhe pedera; se si dashnorja e të birit, Milica, kërkon nga shefja e JUL-it që të jetë sa më shpesh me të në shtrat. Këto biseda bëhen në një kohë kur miliona njerëz, popuj të tërë përpëliteshin nën çizmën e hekurt të kryeprotoganistit të këtyre bisedave.
Poashtu si dhe mbrojta e tij në gjykatore, pyetjet kryqëzore gjatë procesit edhe këto biseda telefonike dëshmojnë se nuk është fjala për një psikopat, për një njeri të sëmurë, për një njeri që çdo gjë e vë në shërbim të karrierës së tij. Përkundrazi. Dëshmon për prijësin serb, "njeri krejt normal" që është në shërbim të një synimi të qartë, për realizimin e të cilit ai ka vepruar me të gjitha energjitë e veta.

6. Deklarata për Kryebarbarin

"Portretet e mëparshme të Millosheviqit kanë evidentuar edhe dinakërinë dhe zemërgurësinë e tij, por edhe prakticitetin dhe karizmën. Pasqyrimet e negociatave të paqes të vitit 1995 në media vinin në dukje se si Millosheviçi u bënte serenata negociatorëve amerikanë, pinte wiski Johnnie Walker, shante duke përdorur epitete amerikane plot kolori, shprehej me një oratori të fryrë për dashurinë e tij për Nwe York-un, për pamjet dhe aromat e tij, shijonte kafenë amerikane dhe, kur u arritën kompromiset e vështira, bëri sikur i mbylli paksa sytë dhe nuk nxori zë. Atë kohë Millosheviçi të krijonte imazhin, gjë që mbështetej edhe nga Ambasadori Riçard Hollbruk, e një lideri me të cilin Shtetet e Bashkuara mund të arsyetonin dhe të negocionin. Marti Ahtisari i Finlandës (një nga arkitektët e marrëveshjes së paqes për Kosovën) i karakterizoi negociatat e fundit për Kosovën si "efikase" dhe fotot e lajmeve të kohëve të fundit të Millosheviçit nxjerrin në pah një lider që shfaqet buzagaz, i patrazuar, në kontroll të vetvetes dhe të ngjarjeve që e rrethojnë. Sharmi i Millosheviçit i ka rrënjët në mashtrim, pasi magjepsja e tij është e ligë, është ajo e një njeriu që ish-Ambasadori i SHBA, Uorrën Zimerman e ka quajtur "batakçiu më pehlivan i Ballkanit" si dhe "një njeri me një gjakftohtësi të llahtarshme". Millosheviqin e kanë quajtur edhe "aparatçik" dhe e kanë damkosur me nofkën 'Kasapi i Ballkanit'. "
"…Elasticiteti i tij politik dhe aftësia e tij për t'i rikthyer në qeveri kolegët e tij të pushuar nga puna, të tillë si Vojislav Shesheli dhe Vuk Drashkoviçi, janë vërtet të jashtëzakonshme. Millosheviçi e ka përdorur përherë me mjeshtëri politikën e frikës dhe të propagandës në një mënyrë që e zbulojnë atë njeri më shumë si një llogaritës pragmatist, sesa si një ideolog vizionar. Duke përdorur gjuhën e mitologjisë për të ushqyer urrejtjen etnike, Millosheviçi gjithnjë ka shfrytëzuar mjeshtërisht formalitetet ligjore, të gërshetuara me një kontroll thuajse absolut mbi mediat, për të arritur dhe çuar në maksimum pozitën e tij politike.
Duke qenë një manipulues mjeshtër i imazheve, Millosheviçi arriti ta shndërronte veten e tij gjatë fushatës së NATO-s nga një spastrues etnik i Kosovës, në një martir-hero i Beogradit duke e identifikuar veten me Princ Llazarin. Gjatë krizës së Kosovës, ai manipuloi me zotësi si mediat perëndimore, edhe opinionin e brendshëm jugosllav duke shfrytëzuar mjeshtërisht viktimat civile të bombardimeve të NATO-s dhe duke e drejtuar vëmendjen te civilët serbë të gjymtuar dhe të vrarë në spitale, shkolla e qendra të populluara.
Pasi Millosheviçi më në fund ra dakord me kushtet e NATO-s, shumë serbë kapitulimin konkret e festuan duke shpallur fitoren. Millosheviçi përgëzoi kurajën e popullit serb duke deklaruar se ai arriti ta ruante sovranitetin e Kosovës dhe se çështja e autonomisë së Kosovës nuk ishte më në rendin e ditës.
Politikat e Millosheviçit, të mbushura me mbeturinat e mitologjisë nacionaliste, një ditë mund të shihen nga populli serb si një dredhi e mbushur me mizori e vuajtje.
Indiferenca e tij ndaj vuajtjeve të të tjerëve, përfshirë vuajtjet e popullit të tij, të lë pa mend. Megjithatë, Millosheviçi është një manipulues dinak dhe karakterizohet dukshëm nga aftësia e durimit.
Periudha e qëndrimit të Millosheviçit në detyrë ka lënë pas një tragë të mbushur me vrasje të pandriçuara personash të rangut të lartë, që kanë patur lidhje qoftë me të, qoftë me familjen e tij.
Për Sllobodan Millosheviçin, paqja është kriza e rrezikshme e gjithçkaje. Vetëm atëherë për të ekziston rreziku që populli serb mund ta dorëzojë atë njeri edhe në sallën e drejtësisë, edhe në librat e historisë në mënyrë që ai të mos mundë, edhe njëherë, t'ia dorëzojë Ballkanin flakëve të vizioneve të tij të liga dhe apokaliptike. "
"Sllobodan Millosheviqi, për mendimin tim, është politikani serb që këto 5 dekadat e fundit ka bërë më së shumti për popullin serb."- Dobrica Qosiq.
"Zoti Millosheviq është i pari dhe i fundit politikan, i cili në mes të Jugosllavisë antiserbe ka bërë diçka të mirë dhe të madhe për Serbinë." - Milorad Paviq.
"Nëse Sllobodan Millosheviqi është në masën më të madhe përgjegjës për vënien e raporteve të barabarta, dhe nëse ka kontribuar në shkatërrimin e Jugosllavisë së padrejtë e absurde të Brioneve, e cila ishte e mirëseardhur vetëm për kroatët dhe sllovenët që ishin të privilegjuar, atëherë mund të merret me mend pse është bërë objekt i urrejtjes dhe satanizimit." - Mihailo Markoviq
Autorët e këtyre deklaratave me dekada të tëra kanë qenë dha vazhdojnë të jenë maja e elitës intelektuale të kombit serb.

7. Bashkëfajtorët

Me shpërthimin e luftës së fundit në Ballkan, Serbia ishte shumë e përgatitur në rrafshin ushtarak, diplomatik e informativ. Ajo vuri në lëvizje të gjitha lidhjet e vjetra, angazhoi një numër të madh diplomatësh, gazetarësh e informatorësh, përfshirë këtu edhe gejshet e njohura serbe, që u vunë në shërbim të agresionit serb.
Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se shtetar kyç si Miterani, Meixheri, De Mikelisi, Keringtoni, Oweni, përndryshe mik i familjes së Millosheviqit, e plot të tjerë vërtiteshin nga Millosheviqi dhe për shumë kohë kanë qenë avokatë të mirë të veprimeve të tij kriminale.
Diplomacia ndërkombëtare e udhëhequr nga personalitete të dobëta, edhe pse dihej se, ta zëmë, masakrimi i më se 8'000 burrave të Srebrenicës ishte bërë me dijen dhe me urdhërin e kasapit të Ballkanit, ka lejuar që shtetarët dhe diplomatët e të gjitha niveleve ta takonin dhe të vazhdonin ta konsiderojnë personalitet të pazëvendësushëm për të bërë paqen!
Kjo praktikë e shëmtuar që imponohej nga evropianët dhe i vinte në pozitë të palakmueshme amerikanët sa herë që donin ta ndëshkonin Serbinë, ndryshoi me ardhjen në pushtet të Chirakut, i cili e kuptoi se Franca nuk duhej të përpinte edhe më tej broçkullat e përgjakshme serbe dhe sidomos me daljen në skenë të një personaliteti me përmasa planetare si Toni Blair.

8. Rënia

Edhe pas bombardimeve të NATO-s, Millosheviqi kontrollonte lehtësisht shtetasit dhe shtetin serb. Thjeshtë sepse kontrollonte çdo gjë dhe se numri i bashkfajtorëve ishte tmerrësisht i madh dhe dominues në të gjitha shtresat dhe strukturat e vendit.
Opozita ishte e përçarë dhe lehtë e manipulueshme, sa që perëndimorët, amerikanët në radhë të parë, kishin problem se ku të mbështeten për ta rrëzuar nga pushteti kokën e kriminelëve. Prandaj ata u koncentruan në mbështetjen e Gjukanoviqit dhe në pavarësimin e tij gjithnjë më të madh. Ndërsa në planin e brendshëm, sidomos në vitin 2000 iu futën konsolidimit të opozitës dhe nxjerrjes në pah të të rinjve, sidomos të atyre të mbledhur rreth organizatës "Otpor" (Qëndresa). Në prag të mbajtjes zgjedhjeve të shtatorit të vitit 2000, amerikanët organizuan një seminar në Hungari, ku merrnin pjesë shumë të rinj të "Otporit". Aty ata u stërvitën se si të përballen me regjimin e Millosheviqit. Stërvitja ishte aq intensive dhe aq efikase, sa që njëri prej pjesëmarrësve në një moment tha: "Gotov je!" (Ka mbaruar!) Mendohej në Millosheviqin. Kjo u bë parulla kryesore e "Otporit" gjatë gjithë vitit 2000.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Otpori dhe opozita e bashkuar (DOS), filluan të nxjerrin në pah shembuj të qenë e të paqenë të falsifikimit të votave dhe të thonë se kanë fituar zgjedhjet. Regjimi i stepur nga një gjendje e tillë, ishte për përsëritjen e zgjedhjeve.
Serbia ishte në prag të luftës qytetare. Ndërkaq presioni i përendimorëve, i amerikanëve kryesisht, u rrit. Shërbimet informative perëndimore vunë në lëvizje gjithë rrjetin e tyre në Serbi dhe, falë kësaj, brenda strukturave të shtetit, në ushtri, në polici dhe në gjyqin kushtetues u krijuan të çara të pariparueshme. Ushtria nuk intervenoi kundër opozitës që vërshoi Beogradin dhe u fut në Kuvend, policia, elita e saj e njohur si Beretat e kuqe, që udhëhiqeshin nga Ulemeku, i njohur si komandanti Legia, gjithashtu nuk iu përmbajt urdhërave për sulm mbi opozitën (Fjala është për njësi që kishin kryer krime të llahtarshme në Kroaci, po sidomos në Bosnje dhe në Kosovë). Ndërkaq Gjykata Kushtetuese pranoi se zgjedhjet i kishte fituar opozita.
Kur ia kumtuan këtë vendim Millosheviqit, ai tha: "Pra unë nuk paskam se çka të rri më këtu". Veçse kërkoi nga Koshtunica që të mbetej për momentin në Beli Dvor, gjer në një akomodim tjetër. Por rënia tash kishte marrë shpejtësinë shkatërruese të gurit në rrokullisje:
5 muaj më vonë, konkretisht me 1 prill të vitit 201, njësitë e policisë speciale u futën në ambientet e vilës së tij në Dedinje. Njësitë e ushtrisë kundërshtuan arrestimin e Millosheviqit. Në negociata brendaserbe, më në fund, S. Millosheviqi u dorëzua dhe pranoi ta çojnë para gjykatësit hetues, por me akuzë për keqpërdorime financiare. Prej aty, drejt e në CZ (Centralni zatvor, Burgu Qendror), ku e mbajtën deri në Vidovdan.
Vidovdani (28 qershori), është një ditë ëmblematike në historinë serbe: Në këtë ditë është mbajtur Beteja e Kosovës më 1389 dhe më 1914 është vrarë në Sarajevë pretendenti i fronit austriak, në të njëjtën ditë Millosheviqi mbajti fjalimin e tij në Gazimestan…
Të njëjtën ditë, por 12 vjet më vonë, pas një presioni të fortë të Amerikës mbi autoritetet serbe, "Slobo Sloboda" u nxor nga CZ e Beogradit dhe u dërgua te një heliodrom, ku e priste një helikopteri i NATO-s. Aty ishte edhe një funksionar i Tribunalit, i cili, në mënyrën tipike perëndimore i drejtohet Kasapit të Ballkanit:
"A jeni ju Sllobodan Millosheviqi?"
Por cari i dikurshëm i Serbisë iu përgjegj vetëm të tretën herë me një "idi u piçku mater!"
Vetëm në fund pas insistimit të sekretarit të Tribunalit se a jeni ju Sllobodan Millosheviqi, ai përgjigjet:
"Yes, I am..."
Ky "Yes, I am…" i shqiptuar në një heliodrom të Beogradit, në rrugën e pakthim drejt Hagës, ishte fundi i Millosheviqit…

9 "Dubina 2" apo fshehja e gjurmëve të krimit


Pjesa e prapme e kamionfrigoriferit

Njëri prej argumenteve kryesore që Zyra e Prokurorit ka kundër Millosheviqit është dëshmia e pakundërshtueshme për urdhërin që SM ka dhënë për asanimin, "pastrimin" e terrenit, pra për zhdukjen e gjurmëve të krimit. Konkretisht asgjësimin edhe të trupit të viktimave. Kjo lidhet me një mbledhje që është mbajtur në Beli Dvor ( Pallati i Bardhë ), në zyrën e Millosheviqit menjëherë pas fillimit të bombardimeve, e në të cilën, krahas SM ka marrë pjesë Vlajko Stojilkoviq, ministër i brendshëm, Rade Markoviq, shef i UDB-së, Vlastimir Gjorgjeviq, shef i sigurimit publik, gjenerali Sreten Lukiq, komandat i të gjitha forcave të policisë në Kosovës, aktualisht ndihmësministër i policisë i Serbisë. Në këtë mbledhje është vendosur për ndërmarrjen e aksionit për asgjësimin e gjurmëve të krimeve e që mori emrin e koduar "Dubina 2", (Thellësia 2). Me këtë detyrë është ngarkuar gjenerali Dragan Iliq, i cili formoi grupin për aksionin e fshehjes së gjurmëve, ku për ndihmës emëroi edhe funksionarët e policisë Goran Radosavleviq dhe Novica Zdravkoviq.
Kjo ndoshta nuk do të dilte kurrë në shesh sikur ujërat e Danubit të mos nxirrnin në sipërfaqe njërën prej dëshmive më të tmershme të krimeve serbe, kamionfrigoriferin me 86 shqiptarë të masakruar prej tyre shumica dërrmuese gra, pleq dhe fëmijë. Në të vërtetë aty ishin 83 trupa të viktimave dhe tri koka pa trup. Kjo ndodhi në fshatin Teki, afër Klladovës jo larg grykës së Gjerdapit, më 5 prill të vitit 1999. Siç konstatuan organet serbe më vonë vetëm njëra prej viktimave kishte vdekur nga plumbi, gjithë të tjerët ishin mbytur në tortura!
Atë ditë peshkatarët panë frigoriferin që kishte dalë në stom. Menjëherë arrin policia, shpall rastin sekret shtetëror, rrethon vendin, ndërkaq punëtorët e ndërmarrjes së varrimeve i nxjerrin viktimat, i ngarkojnë në dy kamionë dhe i çojnë drejt Beogradit. Dëshmitarët e shumtë kanë parë gra ma dimija, fëmijë etj. dhe kanë konstatuar se viktimat janë shqiptarë, edhe pse policia ka deklaruar se janë turq, që gjoja janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht por kamioni ka rënë në ujë.
Sipas një dëshmitari që e citojnë mediat serbe kamionfrigoriferi pa tabela, por me reklamën e qartë se i takon ndërmarrjes "Progres" të Prizrenit është hedhur në lumë 12 kilometra më lartë, aty ku llogaritet se është thellësia më e madhe e Danubit (123m), por për shkak të gomave të pashfryera pas një kohe valët e kanë nxjerrë në stom.
Dëshmitarët pohojnë gjithashtu se ka pasur edhe kamion të tjerë, të paktën edhe dy, që janë hedhur, por që, si duket, pasi janë hedhur në lumë, për të humbur gjurmët më lehtë, janë shpartalluar me eksploziv. Edhe pjesë të atyre kamionëve dëshmitarët pohojnë se ka nxjerrë Danubi në breg.
Sipas Zonjës Natasha Kandiq, në mesin e këtyre viktimave duhet të kenë qenë edhe 16 anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka që janë masakruar më 26 mars 1999, nga oficeri i UDB-së së Prizrenit, Misha Mishkoviq, i cili i ka mbyllur në një kafene të qytezës mbi 40 shqiptarë, shumica fëmijë e gra, dhe pastaj ua ka hedhur bombat brenda. Viktimat pastaj i kanë ngarkuar në një kamion. Prej tyre, duke u paraqitur si të vdekur kanë shpëtuar Vjollca Berisha, me djalin e saj Gramozin (8 vjeç) dhe një kushërirë.
Pas heqjes së SM nga pushteti, në kohën e përplasjeve të mëdha në kreun e Serbisë lidhur me presionet që bënte Perëndimi për të detyruar Beogradin të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës, në pranverë të vitit 2001, ministri serb i policisë, D. Mihailoviq e nxori në shesh llahtarinë e shtetit serb të njohur me kodin "Dubina 2". Më vonë doli se janë në pyetje shumë kamionë dhe se ishin zbuluar të paktën trupat e 900 viktimave shqiptare, të cilat ishin varrosur në gropa masive, në Batajnicë, pranë kazermës "13 Maji", të njësive të policisë speciale, afër Beogradit.
Krahas varrezave masive organet serbe një numër të konsiderueshëm viktimash i kanë varrosur në rrugën e re të Novi Sadit, dhe mbi varrezën masive kanë shtruar asfalt. Mbi to prej gati tri vjetësh kalojnë kamionët, veturat, qytetarët e shtetit serb!
Natasha Kandiq, drejtuese e Fondit për të Drejtën Humanitare, në një letër drejtuar qeverisë serbe, më 23 maj 2001, njofton se sipas informatave që i disponon edhe policia në liqenin te Kokin Brod, afër Novi Varosh-it, është dhe një kamionfrigorifer tjetër me trupat e viktimave nga Kosova.
Se me këtë veprimtari kriminale nuk është marrë vetëm policia, por edhe ushtria e dëshmon një dokument ushtarak me shënjën "poverlijvo" dhe me shifrën PrK (Korpusi i Prishtinës), nr. 61/14, datë 30 prill 1999, të nënshkruar nga komandanti i këtij korpusi, gjenerali Vladimir Lazareviq, aktualisht komandant i Armatës së Tretë serbe. Në dokumentin sekret thuhet:
"Në bazë të nenit 8, neni 11 e 17, të Ligjit për mbrojtjen (Fletorja zyrtare nr. 67/93), me qëllim të asanimit të terrenit dhe ekzekutimit të hetimeve, urdhëroj:
1. asanimin e vendluftimit pas veprimeve luftarake antiterroriste duhet ta bëjë njësia e cila është e caktuar për veprime luftarake antiterroriste, varësisht se a është bartës i atij aktiviteti njësia përkatëse e ushtrisë apo policisë."

VI
Procesi

1. Fjala e Prokurores

Më 12 shkurt 2002, në orën 9h30 hapet procesi i shekullit: çështja IT-02-54-T, Prokurorja kundër Sllobodan Millosheviqit.
Pas formaliteteve hyrëse kryetari i Trupit Gjykues, Richard Mey, ia jep fjalën Prokurores Carla del Ponte…

Zoti Kryetar, zotërinj gjyqtarë, para këtij Kolegji po fillon procesi kundër një njeriu, i cili është nxjerrë para jush për të këqijat me të cilat ngarkohet, për të këqijat që i ka bërë kundër shtetasve të vet dhe kundër vendeve fqinje.

Sa e thjeshtë është të jap sot dhe para jush këtë deklaratë, sa e lehtë është të shqiptojë fjalët e kësaj dosjeje në këtë proces. E megjithatë është për t'u admiruar që sot kam mundësinë të them këto fjalë. Sepse sot si asnjëherë më parë ne shohim drejtësinë ndërkombëtare në aksion.

Por të mendojmë vetëm pak që në fillim të këtij procesi se si dhe pse u themelua kjo Gjykatë. Të ndalemi për të kujtuar skenat e dhembjes së përditshme, vuajtjeve që shënjuan konfliktin e armatosur në ish-Jugosllavi. Ngjarjet zhvilloheshin para nesh dhe një term i ri "pastrimi etnik" u bë përditshmëri e gjuhës sonë. Disa ngjarje kanë dëshmuar për një egërsi gati mesjetare, për një barbari të përllogaritur që shkonte larg tej kufijve të një sjelljeje legjitime në luftë. Bashkësia ndërkombëtare është detyruar të asistojë në shkatërrimin brutal të një shteti modern dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk vonoi të shoh kërcënimin e rrezikshëm që paraqisnin krimet e rënda që kryheshin.
Kjo Gjykatë është njëra prej masave që ka ndërmarrë Këshilli i Sigurimit, në emër të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të vendoset dhe të ruhet paqja dhe siguria ndërkombëtare. Kjo është arsyeja e të qenit tonë dhe të kësaj Gjykate. Dhe kontributi ynë e i askujt tjetër do të jetë që ne të nxjerrim para drejtësisë personat përgjegjës për krimet më të rënda që njeh njerëzimi.
Krime të gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera që përfshihen në përgjegjësitë e kësaj Gjykate e që nuk mund të jenë çështje të një vendi. Sepse ndjekja e fajtorëve tejkalon kapacitetin e gjyqeve shtetërore. Fjala është për krime të përmasave të tilla që na prekin të gjithëve, kudo në botë. Drejtësia e aplikuar nga kjo Gjykatë, e drejta humanitare ndërkombëtare, na takon të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë. Këto krime na prekin të gjithëve, çdonjërin prej nesh, pavarësisht se ku jetojmë, sepse rrezikojnë parimet më themelore të të drejtave të njeriut dhe dinjitetin e qenjes njerëzore.
Drejtësia, nuk është thjesht një teori, një koncept abstrakt, ajo është një instrument i gjallë. Një mjet që shërben për të mbrojtur vlerat tona dhe rregullimin e shoqërisë tonë të civilizuar. Në këtë funksion ne duhet të jemi të gatshëm të zbatojmë ligjet kur ato shkelen. Kjo Gjykatë dhe në veçanti ky proces janë demonstrimi më i qartë se askush më nuk është mbi ligjin dhe jashtë rrethit të drejtësisë ndërkombëtare.
Në cilësinë e prokurores, e nxjerr para jush të akuzuarin Millosheviq në mënyrë që të përgjigjet për veprat me të cilat e ngarkojmë. E bëj këtë në emër të bashkësisë ndërkombëtare, në emër të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, në emër të vendeve të ish-Jugosllavisë.

I akuzuari në substancë, ashtu si edhe në të gjitha çështjet që njeh kjo Gjykatë, akuzohet në cilësinë e individit; ndjekja kundër tij bëhet për përgjegjësinë e tij penale. Asnjë shtet, asnjë organizatë me këtë rast nuk nxjerret para drejtësisë. Ky nuk është proces që drejtohet kundër asnjë shteti…
… Unë nuk përfaqësoj këtu drejtpërdrejt një viktimë indviduale, por konsiederoj se është detyrë e imja të prezentojë këto akuza për të mundësuar që të dëgjohet zëri i viktimave.
Asnjë Gjykatë nuk mund të ketë përvojën për ngjarjet që kanë viktimat… Shumë viktima nuk do të mund të dalin para jush, sepse nuk kanë mundur të mbijetojnë. Gjithashtu është e pamundur që të sjellim para jush edhe të gjithë ata që kanë mbijetuar këto krime.
Por pavarësisht nga kjo, jam e bindur se ne do të sjellim para jush gjithë mjedisin, tërësinë e rrethanave që u paraprinë këtyre krimeve dhe t'ju flasim për efektin që këto krime kanë pasur mbi viktimat…

Takticien i shkëlqyer por strateg gjysmak, Millosheviqi ndjek ambicjen e tij me çmimin e vuajtjeve të panumërta të atyre që e kundërshtojnë, apo që paraqesin kërcënim për strategjinë e tij për pushtet personal.

Sepse të gjitha, Zotërinj Gjykatës, te i akuzuari Millosheviq janë instrumente në shërbim për të marrë pushtetin. Nuk duhen kërkuar ideale prapa akteve të të akuzuarit. Sepse prapa preteksteve nacionaliste dhe tmerreve të pastrimit etnik, prapa retorikës së zhurmëshme dhe gjuhës së drunjtë është lufta për pushtet ajo që ka motivuar Sllobodan Millosheviqin.

Eshtë e domosdoshme, zotërinj gjyqtarë, të përgjigjemi në kërkesën e viktimave për të thënë të vërtetën, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale por edhe për të pakësuar mundësinë e rrezikut që të përsëriten skenarë të tillë kudo në botë e në veçanti në Ballkan.

Dhe Del Ponte përmbyll fjalimin e saj me fjalët e Ivo Andriqit të shqiptuara në varrezat e jevrejve në Sarajevë…: "Njerëzimi, nëse mëton të meritojë këtë emër, duhet të organizojë mbrojtjen e vet përballë të gjitha krimeve ndërkombëtare, të ndërtojë një mburojë të sigurtë dhe të ndëshkojë pamëshirë të gjithë vrasësit e njerëzve dhe të popujve."
Dhe çuditërisht mu ky citat dëshmon jo veç për disa mangësi të procesit, por edhe për gjithë kompleksitetin e ngatërresave dhe përgjakjeve në Ballkan dhe pamundësinë e perëndimorëve për të depërtuar në thelbin e këtyre ngatërresave. Sepse për ironi të historisë, vetë Ivo Andriq, në cilësinë e diplomatit, ka shkruar me dorën e tij një analizë për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, e cila në substancë i hap shteg teorik e intelektual veprimeve kriminale të Sllobodan Millosheviqit, për të cilat ai është nxjerrë para Tribunalit të Hagës!

2. Arsyetimi i aktakuzës

Në aktakuzë dhe në fjalën e hapjes së procesit nga ana e Kryeprokurores dhe ndihmësit të saj ka jo pak kundërshti:
I akuzuari del thjesht si karrierist tejet i etshëm për pushtet dhe në emër të kësaj etjeje i bën të gjitha krimet me të cilat e ngarkon akuza. Kjo nuk mund t'i qëndrojë madje as një analize krejt sipërfaqësore të ngjarjeve. Sepse i akuzuari është vënë jo rastësisht në krye të një lëvizjeje të fuqishme politike, në të cilën kanë qenë të angazhuar pjesa dërrmuese e të gjithë serbëve në ish-Jugosllavi dhe në mërgatë si dhe të gjitha institucionet e tyre shtetërore, religjioze, informative, kulturore dhe shkencore.
Mirëpo reduktimi i aktakuzës në përgjegjësi penale personale për gjithë zezonën në ish-Jugoasllavi nuk është faj as i Zyrës së Prokurorit, e as i Tribunalit, por thjeshtë kuadri i ngushtë i përcaktuar nga diplomatët e OKB-së, këtu e 9 vjet më parë. Sepse në rezolutën nr. 827 të Këshillit të Sigurimit thuhet se Tribunali mund të ndjekë personat fizikë e jo ata moral. Në këtë mënyrë apriori përjashtohen nga përgjegjësia strukturat themelore të shtetit dhe të popullit serb;

- projektuesit e pastrimeve etnike: Inteligjencia serbe, konkretisht Akademia, Kisha Ortodokse Serbe dhe partitë politike e mediat që u bënë propaganduese të zellshme të këtyre projekteve çnjerëzore;

- ekzekutuesit e pastrimeve etnike; policia, ushtria, të gjitha strukturat shtetërore.
Ky kufizim bën që dallimi në mes Procesit të Nurenbergut dhe këtij të Hagës të jetë shumë i madh.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, Zyra e prokurorit nxjerr përfundime me plot kundërshti: Që nga fillimi e gjer në fund i akuzuari dëshironte shpërnguljen e jo serbëve nga disa zona të ish-Jugosllavisë, për të formuar pastaj një shtet të centralizuar që do të mund ta kontrollonte (Fq. 52, 53 e fjalës hyrëse të z. Geoffrey NICE), ndërkaq më lart thuhet në mënyrë të prerë se i akuzuari nuk ishte racist (fq. 34). Kjo bie në kundërshtim edhe me vetë aktakuzën që lidhet me krimet në Bosnje, pra akuza për gjenocid, e siç dihet, kjo vepër penale përfshin veprimet e organizuara që çojnë në shkatërrimin e pjesërishëm ose të plotë një grupi nacional, etnik, racial ose religjioz…

3. Dëshmitë

Procesi i Shekullit në Hagë për nga organizimi dhe vënia në pah e provave ka lënë shumëçka për të dëshiruar. Në fillim ka pasur mundësi që përmes ekspertëve nga ish-Jugosllavia të dilte në pah e tërë veprimtaria e Lëvizjes Serbomadhe gjatë viteve tetëdhjetë dhe fillimvitet nëntëdhjetë, që përbën shtratin e shkaqeve të luftës. Konkretisht shpërthimin e demonstratave të vitit '81 në Kosovë, represionin e gjithënduarshëm që pasoi, përdallimet, vrasjen e ushtarëve shqiptarë, procesin e Paraçinit, Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave, organizimi i mitingjeve, analiza e peticioneve që shkruheshin në Beograd nga një qendër dhe që nënshkruheshin dhe dërgoheshin nga Kosova, proceset e inskenuara lidhur me përdhunimet e sajuara, rasti i Martinoviqit, rrënimi i autonomisë së Kosovës, helmimi i rinisë shkollore, largimet masive nga puna, praktikat e apartheidit në Kosovë, rrënimi i autonomisë së Vojvodinës etj. etj.
Mosevidentimi kompetent i këtyre fakteve dhe i rolit kyç të Millosheviqit në gjithë këto veprimtari kriminale e ka zhveshur Tribunalin nga mundësia për t'u shpjeguar qindra miliona përcjellësve të Procesit ngjarjet që çuan deri te luftërat dhjetëvjeçare në ish-Yu dhe te krimet që kanë tronditur botën. Po të bëhej një analizë e përcjell me kronologjinë e ngjarjeve, atëherë i akuzuari do të delte me imazhin e tij të saktë: si Zjarrvënësi dhe Shkaktari kryesor i një lufte që mori jetët e mbi 250'000 njerëzve dhe shkaktoi miliona fatkeqësi.

Me një fjalë Zyra e Prokurorit duke nxjerrë para Tribunalit për të gjitha këto veprimtari vetëm një dëshmitar (Mahmut Bakallin), madje një dëshmitar fare të papërgatitur për një përballje të tillë i ka dhënë Procesit që në fillim një goditje të rëndë.

E njëjta gjë po ndodhë dhe me disa dëshmitarë të tjerë, të cilët duke qenë të kredhur në dhimbje për ato që kanë pësuar e duke mos pasur asnjë njohuri për ecurinë dhe procedurat e procesit po hutohen para pyetjeve kryqëzore të të akuzuarit, i cili siç po shihet ka mbështetjen e plotë të strukturave shtetërore serbe. Sepse brenda disa orësh atij po i arrijnë në burg të dhëna jo vetëm për dëshmitarët, por dhe për rrethin e tyre të afërm e të largët si dhe dezinformime të konstruktuara mirë lidhur me çdo dëshmi paraprake. Kështu që edhe pse ky është proces kundër një "personi fizik", megjithatë ditë e më tepër po del në pah fakti se në mbështetje të tij po qëndron fuqishëm një "person moral", shteti serb dhe institucionet e tij.

4. Strategjia dhe qëndrimi i të akuzuarit

Së pari, S. Millosheviqi nuk e ka njohur Gjykatën dhe po e rithekson këtë sa herë që po i jepet rasti, madje nga disa herë në ditë.
Së dyti, ai ka deklaruar se kjo është Gjykatë e NATO-s dhe e Washingtonit që ka për synim të nxjerrë në bangë të zezë popullin serb dhe shtetin e tij;
Së treti, se për gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë fajin e ka bashkësia ndërkombëtare, NATO dhe UÇK-ja.
Se për luftën në Kroaci, Bosnje etj. fajin e kanë shtetet perëndimore, Gjermania në radhë të parë dhe se ai gjatë gjithë kohës ka qenë shtetar që ka bërë përpjekje për zgjidhjen paqësore të konflikteve.
Në rrafshin e përballjes me dëshmitarët i akuzuari S. Millosheviqi, nuk po tregon asnjë dromcë keqardhjeje për viktimat. Përkundrazi. Madje vlen të theksohet se kur janë në pyetje shqiptarët po tregon një qëndrim të qartë përçmues e racist, që në fakt është shtrati dominues i mendimit politik në Serbi, të paktën që prej një shekulli.
Njohësit e rrugëtimit politik të S. Millosheviqit, gjatë pyetjes së dëshmitarëve shpeshherë mund të shohin në ekran buzëqeshjen ironike të tij, atë buzëqeshjen që dikur, në kulmin e fuqisë, dërrmonte kundërshtarët e tij: udhëheqjen e dikurshme komuniste të Kosovës, të Vojvodinës, të Malit të Zi etj…

5. Procesi i shekullit dhe shteti e opinioni serb

Vetëm dy ditë pasi kishte filluar procesi i shekullit, Vojisllav Koshtunica, ai që zëvendësoi Millosheviqin, mbajti një konferencë për shtyp në të cilën, natyrisht me një fjalor të matur e të rrumbullaktë, ripërsëriti një për një qëndrimin e parardhësit të tij në gjykatoren e Hagës. Madje ai tha se ky është një proces, në të cilin po shkruhet Historia e Jugosllavisë dhe se në këtë shkrim "ne duhet të jemi pjesëmarrës me versionin tonë". Dhe përcjellësit të vëmendshëm të procesit nuk mund t'i shpëtojnë faktet e këtij versioni, i cili po del në pah në gjykatore përmes pyetjeve të të akuzuarit me të dhëna e konstruksione të cilat mund t'i ketë ose t'i bëjë vetëm shtatmadhoria e ushtrisë dhe policisë serbe, me një fjalë strukturat shtetërore të Serbisë të kombinuara posaçërisht, e të cilat merren profesionalisht me përcjelljen e procesit dhe ndihmojnë dretjpërdrejt të akuzuarin që ta shkruajë serbisht historinë.
Dhe shihet se ai ka jo pak informacione. Madje nga gjykimi del se shteti serb ka dosje për çdo njeri të Kosovës, madje dhe për gurët dhe drunjtë e saj.

Në të njëjtën kohë kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, dinakërisht siç di ai, në "Der Spiegel" sulmon ashpër Gjykatën Ndërkombëtare duke quajtur gjykimin si një cirk tejet të shtrenjtë, sepse Gjykata po i lejon Millosheviqit ta shfrytëzoj demagogjinë e tij dhe të udhëheq me gjykimin. "Më ndalet fryma kur shoh se sa shumë të holla janë harxhuar në mënyrë që brenda 5 vitesh të kërkohen dëshmitarë aq të parëndësishëm. Mua dhe qeverinë time ky cirk na qet para një dileme të madhe. Shumë njerëz në Serbi janë të bindur se Millosheviqi ka arritur ta paraqes NATO-n si fajtorin kryesor. Dhe tash me çfarë argumentesh do të mund të vendos unë për dorëzimin e disa të akzuarve të tjerë dhe të kërkoj bashkëpunim më të ngushtë me Gjykatën Ndërkombëtare?
Ne nuk do të mund të arrestonim Ratko Mlladiqin, sepse çka do të ndodhte po qe se arrestimi i tij do të shkaktonte luftë qytetare? Ne kemi në Serbi mbi 200 mijë refugjatë nga Bosnja… dhe prej tyre shumë janë të armatosur. Çmimi i arrestimit do të ishte tepër i lartë."

Latinka Peroviq, ish-funksionarja dhe intelektualja e njohur serbe e shqetësuar për ngritjen e reitingut të Millosheviqit u shpreh: "Shpesh po qitet larg mendsh se Millosheviqi në Hagë nuk po mbrohet... Ai po dëshmon se vetë nuk ka vendosur për asgjë, se e ka mbështetur inteligjencia serbe, masat serbe dhe se pas tij ka shkuar populli serb… çdonjëri prej nesh ka përgjegjësi, sepse çështja e krimit ka kaluar nëpër çdonjërin prej nesh. Shpesh nëpër Serbi po flas në tribuna me njerëzit, me ata që kanë marrë pjesë në këtë zallahi, por për përmasat e krimeve nuk kanë qenë të informuar. Por shtrohet pyetja se çka do të bënin sikur ta dinin. Prandaj Gjykata e Hagës është pika kristalizuese i tërë një procesi dhe shtrohet pyetja se si do ta pranojmë. Fitohet përshtypja, ndërkaq se ajo që ka rëndësi jetike për ne po banalizohet."
Ashtu siç ishin aktive gjatë ngritjes së rrufeshme dhe të shumtën përkrahëse të veprimeve të dikurshme të Njëshit aktual të Sheveningenit, mediat serbe kanë pasqyruar shumanshëm Procesin e shekullit.
Gjatë ndërprerjes së seancave në Gjykatore, kanalet televizive serbe që emetojnë procesin po organizojnë dhe tryeza e debate lidhur me gjykimin. Gazetat po përcjellin rregullisht zhvillimet në gjykatore dhe mund të thuhet se me përjashtime të rralla dominon mendimi se shteti serb, ushtria dhe policia serbe nuk kanë kryer krime në Kosovë e gjetkë, apo të paktën nuk kanë bërë krime në atë masë, por se fjala është për përgjegjësi të dyanshme…

Përjashtim deri dikund bëjnë e përditshmja serbe "Danas", gazeta "Dnevnik" e Novisadit, RTV 92, revista "Vreme" dhe ndonjë tjetër. Por në shumicë dërrmuese në mediat e tjera dominojnë informacione, artikuj e komente që drejtpërdrejtë ose tërthorazi mbështesin të akuzuarin për krime kundër njerëzimit… Duhet nënvizuar se RTS, kanali i tretë që emetonte rregullisht zhvillimet e Procesit, pas dy dëshmive të thukta, sidomos të dëshmisë rrënqethëse të Sabit Kadriut, vendosi, gjoja për motive financiare, ta ndëpresë emetimin!
Po qe se i shtojmë kësaj edhe hulumtimet e opinionit që janë bërë gjer më tash lidhur me Procesin, shihet se katarzisi në Serbi është akoma shumë larg. Sepse reitingu i SM është në ngritje të pabesueshme. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, kur urdhërdhënës të krimeve të shumta në Kosovë, siç janë gjeneralët Pavkoviq e Lazareviq, komandantët kryesorë të ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë e që sot akoma janë në të njëjtat pozita, madje edhe më të avancuara, apo gjenerali i policisë Sreten Llukiq, që gjatë luftës në Kosovë ka komanduar me të gjitha forcat e policisë serbe në Kosovë, sot është avancuar në postin e ndihmësministrit të policisë të Serbisë.
Kështu që sa i përket qëndrimit për krimet e bëra, që do të duhej të ishin guri i provës i ndryshimeve në Serbi, mund të konstatohet se revolucioni i kadiftë e 5 tetorit të vitit 2000 në Beograd ka ndërruar vetëm kapelën e një garniture shtetërore dhe ka mundësuar hapjen tejet të kujdesshme të një debati për të kaluarën e afërt dhe tmerrësisht të përgjakshme serbe.

Natyrisht se me këtë rast nuk duhen harruar ato personalitete të Serbisë si Zonjat Kandiq, Biserko, Pavlloviq, zotin Bogdanoviq etj. që ishin aq pak, por që u dëshmuan për guxim qytetar e qëndrim njerëzor për t'iu kundërvënë turmës së tërbuar dhe krerëve të saj gjakftohtë që urdhëronin madje me mburrje asgjësimin e popujve dhe shkatërrimin e kujtesës për ta.

Nga kjo perspektivë denacifikimi i Serbisë duket i largët dhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë proces tejet të domosdoshëm të katarsisit dëgjohen gjithnjë e më të mekta. E denacifikimi është për më tepër i nevojshëm, sepse akoma deri sot në Serbi nuk është mbajtur një proces për të qenë e në të cilin janë dënuar kriminelët.
Duhet përmendur këtu rastin e kidnapimit të më së 21 udhëtarëve me kombësi boshnjake nga Sanxhaku, më 27 shkurt 1993 e të cilët janë ekzekutuar 5 ditë më vonë. Kidnapimi është bërë brenda në tren, në stacionin hekurudhor në Shtërpce, në hekurudhën Beograd-Tivar.
Hetimet që ka bërë Këshilli i Sanxhakut për të drejtat e njeriut kanë nxjerrë në pah se në këtë akt kriminal, krahas ushtrisë, pra korpusit të Uzhicës, kanë qenë drejtpërdrejt të implikuar edhe njerëzit e afërm të presidentit të atëhershëm, Dobrica Qosiq!
Askush deri më sot, edhe pse dihen pjesëmarrësit në këtë krim, nuk është dënuar.
Kjo flet se gjyqësisë jugosllave nuk mund t'i besohet asnjë proces, e denacifikim nuk mund të ketë po qe se dhjetëra mijëra kriminelë serbë enden sot e gjithë ditën të lirë dhe jetojnë pa u shqetësuar nga askush me parat që ua kanë marrë bashkë me shpirtin viktimave të shumta.

6. Përfundim apo institucionet dhe mediat
shqiptare përballë Procesit të shekullit

Ka disa muaj që është paralajmëruar hapja, më 12 shkurt 2002, e procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit të Serbisë. Dhe të gjithë shqiptarët që arrijnë të mendojnë sado pak, kanë mundur ta dijnë se çfarë rëndësie ka ky proces për historinë, për të kaluarën dhe sidomos për të ardhmen e tyre. Dhe çuditërisht (?) mu në prag të Procesit, në skenën politike shqiptare kishim një rrokopujë që mendja e shëndoshë e ka të vështirë ta shpjegojë:
Në Shqipëri u krijua një klimë e ngjashme me atë të vitit 1997. Fatos Nano që, siç u vërtetua më vonë, për arsye vetjake, gjoja në emër të një katarzisi në mazhorancën qeverisëse, krijoi në gjithë Shqipërinë, por edhe më gjerë një tollovi sa që ishin të paktë ata që u binte ndër mend se së shpejti Kasapi i Ballkanit do të nxirrej para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e shumta që kishte kryer në Kosovë dhe kundër shqiptarëve.
Ndërkaq në Prishtinë, edhe pse ishin mbajtur zgjedhjet me kohë, edhe pse dihej se askush nuk mund të qeverisë vetëm në Kosovë, dy krerët kryesorë të vendit, bashkë me sejmenët e tyre me muaj të tërë zhagitën deri në neveritje formimin e institucioneve themelore që i duheshin Kosovës më shumë se buka e se krypa. Kështu që shqiptarët e Kosovës, ata që pritej më së shumti prej tyre, në kohën kur kryebarbari serb do të jepte llogari për krimet që kishte bërë kundër tyre, kishin harruar burrat e vrarë, fëmijët e masakruar, gratë dhe çikat e përdhunuara, pleqtë e poshtëruar, mijëra bashkëkombas që ende nuk dihet se ku i kanë varret, dhe, në vend që të përgatiten për procesin, në vend që t'i ndihmojnë institucionalisht dhe profesionalisht dëshmitarët, ishin lëshuar në një vrap çmendurak e të shëmtuar për poste e për kolltuqe.
Kjo dëshmon më së miri se këta krerë më së paku i preokupon fjala që e përsërisin vetë më së shumti: Pavarësia! Sepse sot nuk ka asnjë fushëbetejë tjetër më të dukshme për opinionin ndërkombëtar që bëhet në favor të Pavarësisë ose edhe kundër saj, se sa Procesi që po mbahet në Hagë.
Me një fjalë Procesi i shekulli është Guri i Provës, ku duhet të dëshmohet holokausti që shteti serb ka ushtruar në vazhdimësi mbi shqiptarët tash 130 vjet. Dhe për pasojë pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë.
Në nivel të politikës ishin dhe vazhdojnë të jenë edhe mediat shqiptare. Në shtypin në Shqipëri është botuar vetëm një artikull për të qenë për procesin e shekullit, ai i Skënder Drinit te gazeta "Shekulli"; ndërkaq në mediat e Kosovës mbetet shumëçka për t'u dëshiruar, sidomos kur është në pyetje sqarimi i procedurës së Procesit, për të cilin kanë shumë nevojë dëshmitarët e ardhshëm.
Por atë që nuk e nuk e bëri elita politike e Kosovës e bëri shoqëria e civile e saj! Është vendi të përmendet veprimtaria këmbëngulëse e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, që vite të tëra ka vepruar në kushte jashtëzakonisht të rënda, por që ka arritur të grumbullojë një bjeshkë me të dhëna për gjithë krimet që janë kryer në Kosovë këto 12 vjetët e fundit.
Shëmbulli më i mirë janë dëshmitë e aktivistëve të KMLDNJ-së, Halit Beranit e Sabit Kadriut, që mbështetën me shpatulla për muri Kasapin e Ballkanit dhe që kontribuan që bashkë me të në bangë të zezë të jenë kombi serb dhe shteti i tij.


VII
Kronologjia


1974
Kushtetuta e re e Jugosllavisë; Kosova dhe Vojvodina u bënë njësi federale

4 maj 1980
Vdekja e Josip Broz Titos

Mars 1981
Demonstratat studentore, për Kosovën Republikë. Këto demonstrata nga regjimi i Beogradit u vlerësuan si kundërrevolucionare dhe u shuan me vrasje, burgosje, rrahje, keqtrajtime dhe diferencime ideopolitike; 6000 shqiptarë janë burgosur, dhe dënuar deri në 20 vjet burg; 22'000 të tjerë me nga 30-60 ditë burgim;

17 janar 1982
Në Gjermani policia sekrete jugosllave, vrau vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën.

Mars '81 - mars 87
Në polici dhe në gjyqet serbe janë keqtrajtuar e dënuar 584.373 shqiptarë të Kosovës të të gjitha moshave. Këtu nuk janë llogaritur dënimet në ushtri dhe keqtrajtimet e shqiptarëve jashtë Kosovës;

24-25 prill 1987
Tubimi i serbëve në Fushë-Kosovë ku fillon ngjitja e furishme në pushtet e S. Millosheviqit;

Shtator 1987
Procesi politik i Paraçinit.

Nëntor 1988 /janar 1989
Protestat masive të minatorëve, të cilëve iu bashkangjitën punëtorët e "Ramiz Sadikut" e pastaj edhe i tërë populli i Kosovës.

20-28 shkurt 1989
Greva e minatorëve të Trepçës; në Stantërg 1300 minatorë u ngujuan në zgafellat e horizontit të 13-të, 800 metra nën sipërfaqen e tokës dhe vendosën të mos dalin prej aty, pa u larguar rreziku dhe personat që donin të suprimonin autonominë e Kosovës.

Mars 1989
350 disidentë e intelektualë shqiptarë u arrestuan nga policia në formë të izolimit. Ata gjatë arrestit kanë pësuar tortura çnjerëzore.

23 mars 1989
Rrënimi i Autonomisë së Kosovë; Imponimi i Kushtetutës së tankeve.

Shtator 1989
Formimi i Këshillit për Mbrojtjen i Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, KMLDNJ

23 dhjetor 1989
Formimi i LDK-së

Mars '89/mars 1990
Demonstratat masive të popullit të Kosovës kundër rrënimit të autonomisë. Gjatë kësaj periudhe u vranë 74 të rinj shqiptarë dhe u plagosën me armë zjarri qindra të tjerë.

18-23 mars 1990
Helmimi i rinisë shqiptare; mbi 7000 nxënës të helmuar.

Maj 1990
Ardhja e kongresmenëve amerikan, rrahje burgosje nga policia serbe e popullatës shqiptare.

25 qershor 1990
Kroacia dhe Sllovenia shpallin pavarësinë.

27 qershor 1990
JNA sulmon Slloveninë, me qëlim që kjo të largiohet nga Federata;

2 korrik 1990
Kuvendi i Kosovës aprovoi Deklaratën kushtetuse.

3 korrik 1990
Shpërthen lufta në Kroaci.

5 korrik 1990
Serbia suprimoi Kuvendin e Kosovës dhe qeverinë, mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës dhe ndaloi botimin e gazetave shqipe.

18 korrik 1990
JNA tërhiqet me turp nga Sllovenia.

3 shtator 1990
Greva e përgjithshme e punëtorëve shqiptarë e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Kosovës;

7 shtator 1990
Në Kaçanik u aprovua Kushtetuta e Republikës së Kosovës;

Korrik-tetor 1990
Nga puna u larguan mbi 32'000 punëtorë shqiptarë për pjesëmarrje në grevën 3 shtatorit.

12 janar 1991
Bashkimi Evropian njeh pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë.

21 shkurt 1991,
Këshilli i Sigurimit vendos të dërgojë në zonat e përfshira në luftë në Kroaci 14'000 ushtarë të Forpronu-s.

29 shkurt 1991
62.7% të qytetarëve të Bosnjës votojnë në favor të pavarësisë;

6 prill 1991
Bashkimi Evropian njeh pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës;

7 prill 1991
SHBA-të njohinë pavarësineë e tri republikave të dala nga ish RSFJ,

27 prill 1991
Formohet Jugosllavia e katërt SRJ, me me vetëm 2 republika Serbinë e Malin e Zi.

22 maj 1991
Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja pranohen në OKB;

26-30 shtator 1991
Referendumi, ku populli i Kosovës u deklarua për Kosovën shtet sovran e i pavarur.

5 tetor 1991
Mbyllja e Akademisë së shkencave të Kosovës;

22 mai 1992
U mbajtën zgjidhjet parlamentare dhe presidenciale në Kosovë; (Ibrahim Rugova kryetar i LDK-së u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës).

10 janar 1993
Arkani në një program të televizionit.të Prishtinës bën thirrje për pastrime etnike në Kosovë

24 maj 1993
Adem Demaçi hyn në grevë urie.

2 korrik 1993
Nuk iu vazhdua qëndrimi observatorëve të OSB-së për Kosovë e Vojvodinë dhe Sanxhak.

1996
Dalja në skenë e UÇK-së (Ushtria çlirimtare e Kosovës)

Shtator 1996
U nënshkrua Marrveshja për arsimin nga Rugova dhe Millosheviqi.

1997
Vrasje, procese politike, dënime drastike me burg ndaj shqiptarëve me akuzat për "terrorizëm". Manifestimet masive të Lëvizjes Studentore.

23 shtator 1997
Këshilli i Sigurimit aprovoi Rezolutën 1199 për Kosovën

21. 01.- 28 02.-5 03 '98
Qëndresa gjer në flijim e Familjes Jashari, masakrat e Drenicës. Fillimi i luftës në Kosovë.

13 tetor 1998
Marrëveshja Holbruk-Millosheviq (ndërprerja e luftimeve, tërheqja e forcave serbe, dhe lejimi i verifikatorëve të OSBE në Kosovë).

15 tetor 1998
Sekretari i përgjithshëm i Nato-s, Havier Solana nënshkroi marrëveshjen me Beogradin për kontrollimin e hapësirës ajrore nga NATO-ja , në përputhje me rezolutën 1199 të KS të OKB-së për Kosovën.

16 tetor 1998
Kryetari i OSBE-së, J. Geremek nënshkroi me Beogradin marrëveshjen për hyrjen e 2000 verifikatorëve të OSBE-së në Kosovë.

15 janar 1999
Masakra e Reçakut. 54 civilë shqiptarë u masakruan nga policia serbe.

16 janar 1999
Shefi i Misionit të OSBE-së për Kosovën, ambasadori Wolker, masakrën e Reçakut e kualifikoi si krim kundër njerëzimit,

18 janar 1999
Ambasadori Wolker, nga qeveria jugosllave u shpall "person non grata".

29 janar 1999
Grupi i kontaktit për Kosovën mblidhet në Londër dhe u bën thirrje ultimative shqiptarëve dhe serbëve për bisedime paqësore në Francë.

6 shkurt 1999
Në Rambouillet të Francës filluan bisedimet paqësore për Kosovën me ndërmjetësimin e ministrave të jashtëm francez, Hubert Vedrin dhe atij anglez, Robin Cook, si dhe pjesmarrjen e 3 mediatorëve: të SHBA, BE-së, dhe Rusisë.

15 mars 1999
Në Paris pala shqiptare nënshkroi planin e paqes për Kosovën të propozuar nga Grupi i Kontaktit, ndërsa pala serbe e refuzoi.

6 shkurt-15 mars 1999
Serbia në Kosovë dërgoi më se 40'000 ushtarë.

24 mars 1999
Filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Serbi, në Kosovë dhe Mal të Zi.

24 mars-3 qershor 1999
Në Kosovë pati mbi 10'000 të vrarë, 986'000 të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, nga forcat ushtarake policore dhe paramilitare serbe.

27 maj 1999
Millosheviqi me 4 bashkëpuntorët e tij të ngushtë: M.Milutinoviqin, N. Shainoviqin, D. Ojdaniqin dhe V. Stojilkoviqin akuzohen nga Gjygji i Hagës për krime të luftës;

3 qershor 1999
Beogradi pranon kërkesat e NATO-s.

9 qershor 1999
Në Kumanovë: ushtarakët e Nato-s dhe ata të Beogradit nënshkruan Marrëveshjën për tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova dhe vendosjet e trupave të NATO-s këtu.

10 qershor 1999
Havier Solana jep urdhër për suspendimin e sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavinë.

12 qershor 1999
Forcat e NATO-s hynë në Kosovë

Kronologjia,
25 qershor 1990
Kroacia dhe Sllovenia shpallin pavarësinë.

27 qershor 1990
Sulmohet Sllovenia, me qëlim që të largiohet nga Federata;

3 korrik 1990
Shpërthen klufta në Kroaci.

18 korrik
JNA tërhiqet me turp nga Sllovenia.

12 janar 1991,
Bashkimi evropian njeh pavarësoinë e Kroacisë dhe Sllovenisë;

21 shkurt 1991
Këshilli i Sigurimit vendos të dërgojë në
zonat e përfshira në luftë në Kroaci 14'000 ushtarë të Forpronu-s.

29 shkurt 1991
62.7% të qytetarëve të Bosnjës votojnë në favor të pavarësisë;

6 prill 1991
Bashkimi Evropian njeh pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës;

7 prill 1991
SHBA-të njohin pavarësinë e tri republikave të dala nga ish-RSFJ;

27 prill 1991
Formohet Jugosllavia e katërt,
SRJ me me vetëm 2 republika, Serbinë e Malin e Zi.

22 maj 1991
Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja pranohen në OKB;

8 shtator 1991
Maqedonia shpall Pavarësinë.

22. 02. 1992
OKB formon Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

16 nëntor 1996
GjpN akuzon Karaxhiçin dhe Mlladiqin
për ekzekutimin e mbi 7000 boshnjakëve në Srebërnicë.

20 nëntor 1996
Nënshkruhet Marrëveshja e Deytonit.
Për respektimin e saj në vend të OKB-së ngarkohet Nato.

Shkurt 1996
Bëhet publike përmes aksioneve të armatosura ekzistenca e UçK-së;

15 korrik 1996
SM zgjidhet për të dytën herë krytar i SRJ;

19 tetor 1996
Gjukanoviqi e mund në zgjedhje njeriun e Millosheviqit në Mal të Zi, M. Bullatoviqin.

Pranverë 1998
Zgjërohen luftimet në Kosovë, dhe fillon zhvendosja masive e popullsisë, rreth 250 mijë veta kalojnë në Shqipëri.

23 prill 1998
Në Serbi organizohet referendumi përmes të cilit 97% e votuesve deklarohen kundër një ndërmjetësimi në mes Kosovës dhe Beogradit.

9 maj 1998
Ministrat e G8 vënë një embargo të investimeve të huaja në SRJ. Një muaj më vonë Bashkimi Evropian ngrin pasurinë e Beogradit dhe ndalon fluturimet e JAT-tit në këto vende.

8 qershor 1998
Bashkimi Evropian dhe SHBA-të dekretojnë sanksionet ekonomike ndaj Serbisë;

12 qershor 1999
Nënshkruhet Marrëveshja në mes Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Beogradit. Në Kosovë filon aplikimi i Rezolutës 1244.

21 qerrshor 1999
UÇK nënshkroi me KFOR-in Marrëveshjen për çarmatosjen;

2 korrik 1999
Bernard Kushneri emërohet Përfaqësues Special për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së;

15 dhjetor 1999
Nënshkruhet marrëveshja për suspendimin e të gjitha institucioneve dhe organeve të Kosovës (të dy qeveritë, presidenti, parlamenti etj.);

24 shtator 2000 Millosheviqi humb zgjedhjet;

Nëntor 2001
Mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë

5 tetor 2000
S. Millosheviqi detyrohet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve;

Mars 2001
SHBA-të sforcojnë presionin mbi Beogradin për ta dërguar Millosheviqin në Hagë.

Më 1 prill 2001
Arrestohet Kasapi i Ballkanit.

28 qershor 2001
Ditën e Vidovdanit, Beogradi ua dorëzon SM organeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

17 Nëntor 2001
Mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

12 shkurt 2002
Fillon Procesi i shekullit.;

4 mars 2002
Nënshkruhet Marrëveshja në mes LDK-së dhe PDK-së për formimin e institucioneve të përbashkëta.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:22
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË